ARKIVI:
20 Nëntor 2024

Lufta e Prekazit dhe ndikimi i saj

Shkrime relevante

Historia dhe mesazhi tradicional i presidentëve dje dhe sot për gjendjen aktuale në SHBA dhe Presidenti TRUMP

Klajd Kapinova, New York Gjendja e Unionit (ndonjëherë përdoret në mënyrë të...

Mickoski: Gjuha shqipe nuk po rrezikohet, nuk i pengon askujt

G.K/RTKlive “Askush nuk është kundër gjuhës shqipe, as në Maqedoni, askush nuk...

52 vjet nga Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe

Nga: Edlira Ruzi 20/11/2024 TIRANË, 20 nëntor/ATSH/ Më 20 nëntor 1972, u mbajt...

210 vjet nga lindja e Jeronim de Radës, ideologut arbëresh të Rilindjes Kombëtare

Nga: Edlira Ruzi TIRANË, 19 nëntor/ATSH/ Më 19 nëntor të vitit 1814...

Intervistë e Lis Bukurocës dhënë gazetares Rudina Xhunga (Video)

Erdha në Shqipëri të bëj dhëmbët dhe zbulova sekretin e madh!...

Shpërndaj

Kolonel Dilaver Goxhaj, Tiranë

24 vite më parë, më 5 mars 1998, në trojet shqiptare, në Drenicën kryengritëse të Kosovës, ndodhi një ngjarje e madhe, që njihet me emrin Lufta e Prekazit. Ajo luftë u zhvillua nga familja e madhe e Jasharjave, e udhëhequr prej Adem Jasharit. Ajo luftë 36 orëshe në rrethim të plotë 60 burra, gra e fëmijë të ngujuar në tri godina të rrethuara ato me një mur avllie dy metra të lartë, është një rast unik jo vetëm në historinë shqiptare por edhe në historinë botërore, ku një familje edhe pse shumë e madhe, por në një unitet mendimi dhe veprimi të jashtëzakonshëm, luftoi si një trup i vetëm dhe e gjitha, 56 pjestarë të saj – luftëtarë të të gjitha moshave ranë theror për çlirimin dhe kijimin e një shteti të ri – për Republikën e Kosovës.

Ajo luftë heroike mori me të drejtë përmasat e një legjende. Asaj lufte iu veshën përmasat e një legjende pasi populli shqiptar në Kosovë kishte një dekadë të tërë që ishte mësuar me jetën e robit, të ngulitur nga politika pacifiste. Ajo politikë i kishte bindur shqiptarët të bashkëjetonin në paqe me vrasësit e tyre të urryer për gjatë 14 shekuj resht, ndërkohë kur dihej se marrëdhëniet e tij me Serbinë kanë qenë një konflikt midis kokës dhe zemrës. Kjo gjendje psikologjike ishte rezultat i mashtrimit prej propagandës: “Po ndenjëm urtë e pa u ndjerë, lirinë do të na e dhurojnë të tjerë”. Mirëpo, ndryshe është ta fitosh vetë lirinë, e tjetër është të ta bëjnë dhuratë të tjerë apo armiku yt. Është e rrallë, për mos të thënë e pamundur, që një popull i pushtuar e i shtypur nga një diktaturë e huaj, siç ishte piopulli shqiptar në Kosovë, të gjejë mënyrën të çlirohet pa një luftë. Aq më pak shërbejnë për ta çliruar diskutimet e të tjerëve dhe masat e të tjerëve. Dhe ato ditë të fillim Marsit 1998 u takuan individi i duhur me situatën kritike të duhur, dhe ajo bëri që të brofi mekanizmi nga i cili historia në Kosovë mori një drejtim tjetër. Ai takim i individit me situatën ishte qëndresa heroike e Jasharajve kundër ushtrisë serbe, luftë e drejtuar nga Adem Jashari.

Të vrarët e familjes së Jasharëve në Prekaz …

Ajo luftë, sado e shkurtër, e çliroi popullin shqiptar në Kosovë prej kompleksit të inferioritetit. Këtu qëndron madhështia më e madhe e Luftës së Prekazit dhe personalisht e Adem Jasharit. Ndodhi pikërisht ajo çfarë populli shqiptar në Kosovë e pandehte të pamundur: shqiptarët u zgjuan nga gjumi pacifist që u kishte mjegulluar zgjuarsinë dhe u kishte topitur arsyen. Kjo është arsyeja kryesore pse Lufta e Prekazit për atë popull u shndërrua në legjendë. Ai heroizëm ishte një përmbysje historike e madhe ngaqë populli shqiptar në Kosovë, më në fund e gjeti të fshehtën e rrugës së vërtetë drejt lirisë së tij. Askush nuk e zgjon ndërgjegjen e popullit si heroi që ka vdekur. Nëse Adem Jashari nuk do ishte vrarë, nuk do të ndjenim çfarë ndjejmë tani që e dimë se Ai është nën tokë. Për fatin tonë, Lufta e Prekazit nuk mori fund me sakrificën e madhe të Jasharajve me në krye Adem Jasharin, heroizëm që ju bë i njohur gjithë botës. Ajo qëndresë e ajo sakrificë, duke marë përmasat e një legjende, nuk ishte gjë tjetër, veçse fillimi i një pikënisjeje të madhe, i një misioni me rëndësi kombëtare. Prandaj, me të drejtë, Përfaqësuesi i parë Special i Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Guvernatori i parë i saj ndërkombëtar, Bernard Kushner, deklaroi: “Nëse do të kishte çmim Nobel për një lloj të tillë sakrifice, kjo familje do të ishte e para që do ta gëzonte atë”. Pas asaj ngjarjeje të madhe të përmasave të një legjende do të vinte periudha e provave të mëdha jo vetëm në Kosovë por për mbarë kombin shqiptar, e më pas sfida e shporrjes nga Kosova e pushtuesit shumë shekullor të saj. Periudha e provave të mëdha natyrisht që do të ishte më e gjatë, pse mos të themi edhe më e vështira për të gjithë popullin shqiptar në Kosovë. Prova që do të vinte pas Luftës Legjendë të Jasharajve do të sfidonte gjithë kombin shqiptar, sepse gjatë asaj prove kombi ynë do të vihej ballë për ballë me cytje tepër të vështira kombëtare e ndërkombëtare. Dhe kjo sfidë, për vetë faktin se ishte rast i krijuar nga Adem Jashari që të viheshin në vend padrejtësitë që popullit tonë i ka bërë historia; ishte rasti që kombi shqiptar të arrinte t’i shtynte tej të gjitha komplotet që i ishin zhvilluar prej fqinjëve të tij të ndihmuar nga Evropa, siç ishin: haresa e Evropës dhe e fuqve të mëdha që ia kishin bërë ato komplote, vetmia e papërshkrueshme gjatë një shekulli, përsëritja monotone dhe e pareshtur e vuajtjeve nga izolimi total që na pat bërë Evropa, etj. Por asgjë nuk do të ishte më e keqe nëse nuk do të kalohej nga UÇK-ja kjo provë e dytë. Nëse kombi ynë nuk do të qëndronte i bashkuar, nëse do të dorëzoheshim sikundër u tentua në Konferencën e Rambujesë, atëhere ajo sakrificë e madhe e Jasharajve, e cila e bëri të njohur atë popull në mbarë botën, do të zhvlerësohej dhe misioni i nisur më 5 mars 1998 do të falimentonte e do të harrohej shumë shpejt. Dhe periudha e asaj prove të madhe e të gjatë do të quhej Lufta e Ushtrsë Çlirimtare e Kosovës. Ajo luftë-ferr do të vinte në provë të gjithë burrat e vërtetë të kombit shqiptar, të gjithë politikanët që i kishin rënë gjoksit deri atëherë.

Ceremonia e varrimit …

Ishte pikërisht heroizmi i Adem Jasharit dhe e gjithë familjes së tij të madhe që u bë me të vërtetë heroizëm i jashtëzakonshëm, diçka e pabesueshme, e cila u bë shkak për lindjen e UÇK-së në formën e një bumi. UÇK-ja e lartësoi dhe e përforcoi edhe më shumë legjendën Adem Jashari, duke e shndërruar Atë në simbol të Komandantit Legjendar të Luftës Çlirimtare të Kosovë dhe të Ushtrisë Çlirimtare të saj. Njëkohësisht Adem Jashari u bë edhe sinonim i UÇK -së, për vet faktin që Ai, edhe pse i rrethuar nga një ushtri prej 6.000 policë e ushtarë të armatosur edhe me tanke, i përballoi derisa u vra edhe fëmija e fundit e asaj familjeje heroinë. Si i tillë, Adem Jashari u krijua në simbol të krenarisë sonë kombëtare, si rrallë kush, jo me dekrete presidentësh, as me vendime parlamenti, apo kongrese partishë, por me veprimtarinë e tij personale. Ushtria Çlimtare e Kosovës, duke e pasur Adem Jasharin simbol të komandantit të saj, bëri të mundur që, edhe pse një ushtri gati 10 – 12 herë më e vogël se ushtria armike e saj, arriti ta përballonte atë ushtri, njësoj siç e përballoi komandanti simbol i saj, me sukses që rrallë herë është arritur në historinë e luftrave botërore. Atë sukses UÇK-ja e arriti përmes luftës guerile të saj, luftë që ua kalon gjithmonë edhe armëve më moderne. Është ajo fitore që, edhe pse u çarmatos me pëlqimin e drejtuesve politikë të saj e të Kosovës, edhe pse e burgosën, edhe pse e çuan në gjyq ndërkombëtar armiqtë e saj të brendshëm e të jashtëm për ta pushkatuar, duke e quajtur krim luftën e saj të armatosu kundër fashizmit serb, me akuzën se: “UÇK-ja ishte “enveriste” dhe si e tillë, duke luftuar fashizmin serb, ajo kërkonte vendosjen e sistemit komunist në Kosovë”, përsëri shumica e popullit të thjeshtë shqiptar e ka UÇK-në kurorë lavdie. Sa e vështirë është të jesh hero mes shqiptarëve! Por dhe, sa mizore është kjo gjë në thelb për shqiptarët: edhe e kotë edhe e pakuptimtë! Ata që mbushën radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nuk e përmbushën atë detyrë duke menduar se dikush do t’i falënderonte, por sepse të tilla ishin dhe janë parimet e atyre pjestarëve të saj, sepse kështu ishin gatuar ata, ngaqë ishin dhe janë njerëz me dinjitet, si komandanti i tyre i shndërruar në legjendë. Ata janë heronj anonimë, të panjohur, të etur për një reze dielli për Kosovën, për një shirit qielli për të, për sa më shumë dashuri mes veti, të brengosur edhe ata nga mungesa e lirisë të një pjese të kombit të tyre. “Janë enveristë, janë të marrë!”, i quanin dhe i quajnë edhe sot indiferentët dhe pacifistët shqiptarë. Por ja që “të marrët”, Adem Jashari dhe UÇK-ja, janë ata që bënë historinë, dhe jo logjika e politikanëve.

Por historia shqiptare jo rrallë ka treguar se më të mirët, domethënë “të marrët”, pasi bëjnë historinë ose flaken në rrugë, ose përfundojnë burgjeve, ose edhe pushkatohen “për tradhëti”. Kurse indiferentët dhe ata që përshtaten, që bëjnë kompromise, që heshtin, që binden apo tradhëtojnë dhe pranojnë të jenë skllevër, këta jo vetëm që nuk përfundojnë kurrë në rrugë apo burgje, por bëhen edhe politikanë, edhe deputetë, edhe ministra, edhe kryeministra, edhe presidentë, edhe mbretër, si dhe u ngrihen pas vdekjes buste dhe monumente nëpër sheshet kryesorë të qyteteve e kryqyteteve.

Tiranë, 4 mars 2022

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu