Nga Aurel Dasareti
Je tekanjoz, kokëmushkë dhe popullin as që e llogarit fare.
***
Unë jam i kualifikuar për të menduar mendime të errëta. Lufta pushtuese terroriste e Rusisë në Ukrainë po përkeqësohet çdo ditë e më shumë. Askush në Evropë nuk mund të ndihet i sigurt. Sidomos jo Kosova dhe Shqipëria të cilat po mbrohen edhe në Ukrainë. Duhet të përgatitemi për më të keqen. Nëse Ukraina bie dhe Rusia zgjeron kufijtë e saj, atëherë një Rusi e paparashikueshme do të jetë papritmas shumë më afër dhe më e rrezikshme për vendet e BE-së. Lufta nuk ka të bëjë vetëm me të ardhmen e Ukrainës, por edhe të pjesës tjetër të Evropës.
***
Shteti amë, Shqipëria, patjetër të ndërtojë (të forcojë) ushtrinë e saj sa më shpejt të jetë e mundur që të mund të mbrojë Vendin dhe Kombin brenda dhe jashtë kufirit të imponuar.
Krimineli i luftës, Putin, nuk kursen askënd, kryen gjenocid brutal ndaj atyre të cilët në të njëjtën kohë i përshkruan si “populli vëlla i Ukrainës“. Le të reflektoj edhe klouni i stërzgjatur shqipfolës, të cilin çetnikët (sivëllezërit e Putin-it) duke e parë se është mercenar dhe servil budalla e thërrasin “vëlla”.
Nazistët rusë janë aq të ligë saqë masakrimin e fëmijëve të pafajshëm, grave dhe burrave ukrainas në Ukrainë e quajnë: “Lufta kundër nazistëve“!
Imagjinoni se çfarë do t’u bënin shqiptarëve nëse kryeministri joligjor me këlyshët e tij, u jep atyre gjakpirësve qasje në detin shqiptar përmes projektit serbo-rus “Ballkani i Hapur”. Shqipëria do të bëhej një port e lirë për emigrantët, terroristët, oligarkët, kriminelët, sabotuesit dhe diversantët serbo-rusë.
Rusia në Ukrainë ka kryer krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Këto janë sulme ndaj civilëve. Të njëjtën gjë bëri Serbia kundër Kroacisë, Bosnjës dhe Kosovës (1992-1999).
***
Ministri i Mbrojtjes i Ukrainës, Reznikov, është shumë i qartë: “Rusët janë terroristë dhe terroristët do të eliminohen”.
Dhe vazhdon: Pakënaqësia dhe demoralizimi midis forcave ruse po rritet. Ata vazhdojnë të pësojnë humbje të konsiderueshme. Rusia sulmon fëmijët dhe gratë e Ukrainës. Sot, Ukraina vazhdon të mbrojë lirinë në emër të pjesës tjetër të botës. Ushtarët tanë shkojnë në kundërsulm kundër rusëve në vende të caktuara. Në disa vende, armiku ikën nga pajisjet e tij dhe kështu na ndihmon të forcojmë mbrojtjen tonë me pajisje ruse. Rusët do të vdesin duke përdorur armët e tyre.
***
Njeriu më i urryer në botë, Putin, nuk pati fitore të shpejtë në luftë. Ushtarët rusë po vriten në numër të madh. Dhe sanksionet financiare janë shumë të ashpra. Tani edhe çmendaraku ka probleme të mëdha në shtëpi. Një diktator nën presion dhe i dëshpëruar po përdor masa shumë drastike. Është një shenjë e keqe. Ajo që ai sheh tani në fushën e betejës brenda territorit ukrainas dhe në hapësirën ajrore mbi qytetet më të mëdha, nuk jep asnjë arsye për të besuar se lufta do të përfundojë së shpejti. Përkundrazi, ky është ndoshta vetëm fillimi i një lufte nga më mizoret në historinë njerëzore me humbje dhe vuajtje të paimagjinueshme.
***
Presidenti i Ukrainës, Zelensky, ka fituar statusin heroik, ka aftësinë për të mbledhur popullin dhe për të krijuar besimin se ata mund të mbrohen, por nuk ka ekspertizë ushtarake. Gjithçka duhet të qepet së bashku në një plan të madh dhe presidenti me mençuri ia lë këtë ekspertizës ushtarake profesionale. Është plotësisht në përputhje me arsyen e shëndosh dhe kuptimin e njohur të operacioneve ushtarake.
***
Pak orë më parë, presidenti ukrainas paralajmëroi terroristët rusë se forcat e mbrojtjes do të ndjekin “deri në varr” çdo ushtar rus që kryen krime lufte në vend.
– Nuk do të falim. Nuk do të harrojmë. Ne do të ndëshkojmë këdo që ka kryer mizori në këtë luftë. Në tokën tonë.
– Nuk do të ketë asnjë vend të vetëm të qetë në tokë për ju, përveç në varr.
***
Lufta mësymëse/pushtuese (agresioni, sulmi i pajustifikueshëm ndaj një vendi të pafajshëm që nuk rrezikon të tjerët) është një krim i dënueshëm kundër paqes, – sipas Parimeve të Nurembergut.
“Putin është si një majmun me një granatë në dorë, i paparashikueshëm që nuk e keni idenë se çfarë mund të shpikë”, – thonë ukrainasit.
Rusia është një shtet agresor nazifashist që shkel vazhdimisht të drejtën ndërkombëtare. Lufta e Rusisë kundër Ukrainës e sjell Evropën në një epokë të re. Duhet të sigurohemi që Shqipëria (dhe Kosova) të mos jetë e vetme në një luftë të re të mundshme. Shqipëria (që nuk ka pothuajse asnjë ushtri dhe armë serioze vdekjeprurëse) ose duhet të marrë shumë më tepër përgjegjësi për sigurinë dhe aftësitë e saj mbrojtëse ose të pranojë një rrezik më të madh lufte – dhe zhdukje.
Shqipëria duhet të shpenzojë më shumë burime për ushtrinë dhe të sigurojë që ne të mos mbetemi vetëm në rast të një lufte të re në të ardhmen.
Shqipëria tani ka nevojë për një qeveri serioze profesionale patriotike (si ajo e Ukrainës) e jo klounë, kriminelë, tradhtarë, mercenarë e zagarë të serbo-rusëve, dhe jo vetëm. Shqipëria ka nevojë për unitet kombëtar të pathyeshëm, strategji gjithëkombëtare të mbrojtjes (brenda dhe jashtë murit të Arbrit), të bëhet shtet i vërtet dhe jo të vazhdojë me shkatërrimin e monumenteve kulturo/historike kombëtare, rrënimin e shtëpive të fukarenjve dhe mbi atë truall ndërtimin e pallateve që qeveria e korruptuar i bën për pastrim parash të pista nga korrupsioni, krimi i organizuar dhe droga. Ndërtesat do t’u shiten oligarkëve rusë, serb, arab…
***
Shumë politikanë naiv evropian besuan se lufta në Evropë duhet të ishte një kapitull i së shkuarës. Në vend të kësaj, zgjimi i ariut të Karpateve dhe sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës na çon në një normalitet të ri. Prandaj edhe piktori nudist shqipfolës që duhej të ishte pas hekurave për korrupsion, tradhti kombëtare dhe tradhti ndaj vendit, “Ballkanin e Hapur” duhet ta fusë në (b…), e jo t`u ofrohet shqiptarëve. Askush nuk ka të drejtë të sjellë në Iliri armiqtë e përjetshëm.
***
Me përjashtim të luftërave në Ballkan (1992-2001), Evropa ka qenë paqësore dhe e qëndrueshme për tre dekada, por si gjithmonë, e padrejtë ndaj shqiptarëve, të cilët nga ana e tyre e urrejnë vetveten.
Lufta tradicionale mes shteteve evropiane ka qenë pothuajse e paimagjinueshme. Fokusi i politikës së sigurisë ka qenë në ndërhyrjet humanitare, ndryshimin e regjimeve, luftën kundër terrorizmit dhe “krizën e refugjatëve” (për të mbushur Evropën me “azilkërkues” të paligjshëm në vend të forcimit të aftësive ushtarake të mbrojtjes).
Tani shtetet e civilizuara evropiane duhet të kthjellojnë trurin dhe pranojnë se lufta është një fenomen i përsëritur në politikën ndërkombëtare, dhe të japin përparësi në përputhje me rrethanat, si dhe të ndalojnë njëherë e përgjithmonë përkëdheljen e nazistëve/terroristëve serb në kurriz të shqiptarëve, boshnjakëve…
***
Një thirrje serioze zgjimi për shqiptarët: Ne tani kemi një pasqyrë mjaft të qartë të situatës. Rusët kanë kaluar shumë më keq nga sa pritej. Ata padyshim menduan se do të ishte shumë më e lehtë të pushtojnë vendin fqinjë nga sa mendonin më parë. Në vend të kësaj, agresorët rusë janë përballur me ukrainas të përgatitur për betejë dhe luftarakë të guximshëm, të cilët ngrihen në mbrojtje të vendit të tyre dhe janë të gatshëm të sakrifikojnë jetën e tyre në luftën kundër makinës ruse të luftës. Është ky mentalitet dhe moral i lartë luftarak, që mund të rezultojë të jetë një shembull edhe për shqiptarët e përçarë të përforcojnë unitetin kombëtar, dhe si mbrohet atdheu nga pushtues armiq nazistë…
***
Ndryshe nga sa kanë argumentuar shumë “ekspertë” Perëndimor në vitet pas Luftës së Ftohtë, lufta në Ukrainë tregon se as ndërvarësia ekonomike dhe as sanksionet nuk mund të parandalojnë një luftë, sidomos kur është në pyetje Rusia gjakatare.
Diplomacia, e Drejta Ndërkombëtare dhe institucionet si BE, OKB dhe Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë kanë rezultuar të paaftë për të ndalur një luftë të rrënjosur në dëshirën e Rusisë për të kontrolluar territorin e një vendi tjetër.
Është një pyetje e pakëndshme nëse aleanca e NATO-s do të mbijetojë nëse Rusia në të ardhmen provon përsëri gjenocid kundër të tjerëve.
Ky është një alarm serioz për shumicën e vendeve evropiane (sidomos Shqipërisë dhe Kosovës) që duan të garantojnë sigurinë e tyre (sovranitetin dhe integritetin ). Ata tani duhet të investojnë më shumë në armatime për t’u përballur me sfidat e sigurisë jo-tradicionale dhe kërcënimet ushtarake tradicionale (“të modës së vjetër“).
Në të ardhmen, mund të kemi edhe një president amerikan me më pak interes për aleancat dhe lidhjet transatlantike.
Duhet të forcojnë aftësitë e tyre mbrojtëse. Kur lufta të kthehet në agjendën e politikës evropiane të sigurisë, është e rëndësishme që Shqipëria të ruajë aleancën transatlantike. Është garancia e sigurisë së Shteteve të Bashkuara dhe anëtarësimi në NATO ato që bëjnë diferencën.
***
Para disa ditësh kam shkruar:
Sulmet e pajustifikueshme barbare ruse në Ukrainë janë rrezik për ardhmërinë e gjithë Evropës, dhe jo vetëm…
Në të mirë a në të keq, i mirë ose i keq, falënderuar liderit historik të PD që e anëtarësoi Shqipërinë në NATO… Nuk është rastësi që vendet e NATO-s janë pothuajse të sigurta, ndërsa ato jashtë jetojnë në mëshirën e Rusisë.
Kryeministri i shtetit amë, patjetër, përfundimisht, detyrimisht duhet ta harroje “Mini Shengenin” (Ballkani i hapur). Duhet të qëndrojmë sa më larg Serbisë dhe Rusisë, e jo ta sjellësh brenda përmes Ballkanit të Hapur… as edhe sabotues përmes turizmit në bregdetin shqiptar…
Të harrohet përfundimisht asociacioni i Karpateve në tokën e Dardanisë…
Detyra kryesore e Kryeministrit është të sigurojë sovranitetin dhe integritetin territorial të Shqipërisë (dhe Kosovës), e jo të na sjelli barbarizmin në trojet pellazge-ilire-arbërore.
***
Ministri i Mbrojtjes i Ukrainës u tha agresorëve rusë: “Ju erdhët në tokën tonë për të vrarë dhe për t’u vrarë“.
_____
- Aurel Dasareti, USA, është ekspert i shkencave ushtarake-psikologjike