Kolonel Dilaver Goxhaj, Tiranë
Dilema: “Kush e çliroi Kosovën?”, përmbi dy dekada, vijon të jetë në diskutim një temë mbarë kombëtare prej mediave shqiptare, por edhe të huaja. Ky është një fakt i rëndësishëm historik, që tregon se temat me të vërtetë kombëtare, nuk janë tema abstrakte dhe as jashtëkohore, por janë motive që kanë të bëjnë drejtpërsëdrejti me rrugën e Kosovës drejtë progresit, me ndeshjen e forcave përparimtare me reaksionin serb e atë shqiptar, të djeshëm e të sotëm, që përpiqen ta mohojnë atë luftë heroike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me një lloj forme “demokratike”, me tituj shkencorë, me emëra të bukur partishë e shoqatash të ndryshme “intelektuale”.
Që të jemi sa më të qartë në këtë diskutim sa profesional aq dhe historik e politik, saktësoj se Ushtria Çlirimtare e Kosovës gradualisht erdhi duke u shndërruar në një ushtri tipike guerile e oganizuar, me një komandë unike. Si e tillë, ajo nuk mund të bënte strategji të madhe, (organizimin e betejave të mëdha), pasi po ta bënte atë lloj strategjie, do të ishte mundur sikundër edhe u mund gjatë verës së vitit 1998. Dhe pse nuk bëri këtë “strategji të madhe” apologjetët intelektualët tanët “patriotë” na dalin me teorinë, se “Kosovën as e çliroi dhe as kishte mundësi ta çlironte UÇK-ja”. Duke qenë sa janë profanë në fushën ushtarake aq dhe dashakeqë, “teoricienët” analistë shqiptarë të formateve të ndryshëm nuk mund ta kuptojnë, edhe sikur të duan, se pse UÇK-ja gjeti strehë në strategjitë e vogla, që është luftimi, dhe jo në ato të mëdhatë. Por, duke qenë se nuk kanë haber se ç’janë luftrat çlirimtare, duke u manipuluar prej ideologjisë pacifiste, edhe u falet nëse nuk e kanë nga urrejtja për UÇK-në pse ajo vërtetoi se politka pacifiste në Kosovë ishte politikë antokombëtare. Luftimet e shpeshta e me forca të vogla, që përzgjodhi UÇK-ja, përbëjnë strategjinë e vogël, që është shumë më e tmerrshme se strategjia e madhe. Kjo lloj strategjije që aplikoi UÇK-ja është një lloj beteje pa anë e pa fund. Quhet “betejë pa anë e pa fund” sepse luftimet zhvilloheshin në të gjithë hapësirën e Kosovës: nëpër pyjet, kodrat, malet, grykat, rrugët, depot e armikut; kudo ku stacionohej e lëvizte armiku. Këto lloj luftime edhe pse nuk i shkaktonin armikut përgjakje shumë të ndjeshme, ato e shkurajuan vijimisht atë, prandaj dhe më në fund pranoi të ulej në tavolinën e bisedimeve.
Këtë lloj strategjie të UÇK-së e pohon edhe gjenerali serb Bozhidar Deliç, (komandant i Br.549 me bazë në Prizëren), i cili, në Gjyqin që i bëhej Millosheviçit në Hagë, thotë: “Mënyra e luftimit të UÇK-së ishte duke iu shmangur çdo lloj luftimi të drejtpërdrejtë. Ata përdonin taktikën: godit dhe ik”.(Božidar Delić, July 5th, 2005, Milošević).
Kjo metodë luftimi, në artin ushtarak botëror quhet edhe metoda e tërthortë, pasi e mposht armikun jo me beteja, por me luftime të vogla e të shumta, që do të thotë jo ndeshje direkte: ushtri me ushtri me sulme ballore; por në mënyrë të tërthortë, me luftime të befasishme, që ndryshe quhet: me luftime guerile, se vetëm ashtu i heqet armikut liria e veprimit. Me një fjalë, lufta e UÇK-së ishte betejë pa anë e pa fund.
Pra, gjatë luftës në Kosovë u ndeshën dy ushtri, njëra me strategji të madhe, sikundër ishte ushtria e Serbisë, dhe tjetra me strategji të vogël, sikundër ishte Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Dhe faktikisht fituam ne që përdorëm strategjinë e vogël.
Ne duhej të fitonim dhe fituam, pavarësishtë se ata që nuk kishin besim tek ne dhe ata që na urrenin e na urrejnë, si dhe ca politikanë e analistë që nuk marrin vesh aspak nga arti ushtarak, duan ta mohojnë fitoren tonë, duke thënë: “Kosovën e çliroi aviacioni i NATO-s”. Mirëpo, këtë e kundërshton vetë Komandanti i Përgjithshëm i forcave të NATO-s, që drejtoi luftën e parë në historinë e saj, gjenerali me katër yje Uesli Klark, i cili në kujtimet e tij për atë luftë që bënte me aviacion kundër forcave serbe në Kosovë, e thekson në bisedat që ai bënte shpesh me Gjeneral Edvin H.Burba, (mentor i programit trajnues të Komandes së Ushtrise Amerikane për Beteja), me Ruper Smith, (gjeneral-leitnant në Ushtinë Britanike, zv.Komandat Suprem i NATO-s), dhe me Dieter Stockmann, (gjeneral i Ushtrisë Gjermane, Shef Shtabi i forcave të NATO-s), ku midis të tjerave thekson: “Përderisa mbrëmjeve qëndroja ulur me mikun tim të vjetër dhe mentorin Ed Burba dhe pasqyronim progresin tonë gjat takimve tona çdo pasdite me Rupert Smithin dhe me Dieter Stockmannin, opsioni tokësor ishte në mënyrë konstante në mendjet tona. Ekzistonin kufij se çfarë mund të arrijë realisht fushata ajrore. Forca Ajrore mund të kërcënojë, të dënojë, të shkatërrojë objekte dhe të sulmojë forcat në tokë. Por, pa një forcë tokësore, nuk ekzistonte garanci se ne do të mund ta dëbonim Milosheviçin nga Kosova. Ishte e panjohur se a do të mund ta bënim këtë gjë nga ajri.” (U.Klark,”Të bësh luftë moderne”,Tiranë, 2003, f.303).
Por kjo çfarë e pranon gjenerali Klark është provuar edhe në shumë raste të tjera:
1.Hitleri, me urdhërin e tij nr.17, datë 1 gusht 1940, urdhëroi Geringun që me forcën e aviacionit të ulte Anglinë në gjunjë. Dhe ai pasi ndërtoi me qindra aeroporte ushtarake dhe grumbulloi që nga Kanali la Manshit dhe deri thellë në Norvegji 3358 avionë Junkers, Dornier, Heinkes, Stukas dhe Messermid, një forcë e paprecedentë dhe tepër shokuese dhe, duke kryer nga njëmijë sulme në ditë, nuk e mposhti dotë Anglinë, edhe pse kishte një spiun brenda në kabinetin e luftës së Anglisë, i cili jepte të dhënat për MKA dhe forcave të tjera angleze, duke e mundësuar aviacionin gjerman të godiste me preçizion, edhe pse Anglia kishte prodhuar radarin, që nuk e kishte atëherë asnjë shtet tjetër.
- 2. Nga viti 1943 deri në vitin 1945 bombardimet e pandërprera të SHBA dhe të Anglisë ndaj qyteteve gjermane nuk e detyruan dot të kapitullonte Hitleri, ushtra e të cilit kapitulloi kur u takuan ushtria amerikane me atë sovjetike në territorin e Gjermanisë në 25 prill 1945, në Qytetin Torgau, mbi Lumin Elbë, shumë larg Berlinit, në perëndim të tij.
- 3. “Në Kore, – thekson historiani ushtarak amerikan Sam C. Sarkesian, – ne mësuam se vetëm me fuqinë detare dhe atë ajrore nuk mund të fitohet lufta, ashtu siç nuk mund të fitohet edhe vetëm me forcat tokësore të pamjaftueshme”.(C.Sarkesian “Përtej fushës së luftimit”, Tiranë,1995,f.122).
- 4. Këtë pamundësi të mposhtjes vetëm me aviacion e pamë 12 vjet rresht në luftën midis Vietnamit të Veriut dhe aviacionit të SHBA, 1960-1972, ku edhe pse ai aviacion e plugoi gjithë Vietnamin, por më në fund ishin SHBA ata që i propozuan Vietnamit të Veriut të uleshin në bisedime.
- 5. Lufta kundër Irakut, si për çlirimin e Kuvajtit edhe në pushtimin e Irakut (1991 dhe 2003) u fituan vetëm sepse goditjet ajrore u pasuan nga ndërhyrja tokësore.
- 6. Kemi gati 10 vjet, 2012-2022, që po e shohim aviacionin e 30 shteteve të Perëndimit e të Lindjes që po lufton kundër ISIS-t, madje në një terren krejtësishtë fushor, ndryshe nga terreni kodrinor, malor dhe i pyllëzuar i Kosovës, dhe ende nuk po e mundin dot. Apo edhe kësaj doni t’i vini ndonjë vegje, e të thoni se “nuk duan ta mposhtin”?! E kemi dëgjuar edhe këtë përrallë.
Analogjitë historike është e vërtetë që janë delikate, për shkak të ndryshimeve në kohë, por këta shembuj janë më se kuptimplotë dhe më se bindës për të rrëzuar shpifjet dhe idetë nihiliste për kontributin e UÇK-së në çlirimin e Kosovës, duke bindur cilindo se fitorja e një lufte vetëm me goditje ajrore është absurde. Realizimi që matet me sasinë e avjonave, raketave dhe bombave, çon në mosrealizimin më të keq. Të hedhësh bomba nga 5000 metra lartësi nuk mund të konsiderohet luftë. E këtë askush nuk e beson.
Por, për ta bërë sa më bindëse këto që theksova më lartë, po u citoj shkrimtarin e njohur anglez, Frederik Forsyth, ish-pilot ushtarak pjesmarrës në atë fushatë ajrore të NATO-s, se çfarë shkruante ditët e fundit të muajit prill 1999, për mundësitë e mosfitores së luftës nga ana e NATO-s kundër Serbisë, që çuditërisht koinçidon me letrat që ne si SHP i dërgonim po ato ditë Gjeneral Uesli Klarkut, për të na furnizuar me armatim e municion: “60 për qind e misioneve tona të bombardimit u ndërprenë për shkak të reve; pilotët tanë, të përgatitur për sulme në kuota të ulëta, në Kosovë janë duke kërkuar të gjejnë topat dhe tanket e fshehur nga një lartësi prej 5000 metrash (si ish-pilot mund të siguroj se nuk është e mundur) dhe kemi arritur deri aty sa kemi goditur fshatarët kosovarë… Më keq akoma, as NATO nuk mund të përballojë gjashtëdhjetë ditë. Në Romë, Paris e Berlin, e Majta po kërcënon se do të rrëzojë qeverinë (e çuditshme, nëse e mendojmë se po luftojnë një regjim fashist që bën masakra të mëdha); Greqia mbështet Serbinë unanimisht, të paktën në nivel popullor; të gjitha qeveritë, përveç asaj britanike, vazhdojnë të mos besojnë atë që tashmë është e qartë: që Kosova nuk mund të çlirohet pa forcat tokësore, sepse nuk mund të bllokohet makina e genocidit nga 5000 metra lartësi. Ka vetëm një rrugëdalje nga ky ferr: të dërgohen 40.000 të rinj vullnetarë kosovarë nga vendi i tyre i origjinës, të pajisur me çdo lloj arme që janë në gjendje ta përdorin; t’u hedhësh armë nga lart atyre qindra mijëra të rinjve kosovarë të tjerë që fshihen në male dhe pyje në brendësi të krahinës; t’u jepen disa nga njerëzit tanë të stërvitur të forcave special siç janë ërdoruesit e pajisjeve të transmetimit dhe të lokalizimit të objektivit armik; duke u siguruar gjithashtu një mbështetje ajrore të plotë. Nuk ka asnjë të dhënë që të provojë se ushtarët dhe policët serbë, për të mos folur për paraushtarakët psikopatë të Beogradit, të jenë më të mirë se kosovarët brenda vendit të tyre”, (“Lufta kundër luftës”, Tiranë,2001,f.164-165)
Sikundër shihet, më realist dhe besim më të madh ka pas ky ish-pilot ushtarak anglez, për mundësitë e “forcës tokësore” që quhej UÇK, si dhe në strategjinë e saj të vogël në bëshkëveprim me aviacionin e NATO-s, për çlirimin e Kosovës, se shumica e inteligjencës kosovare dhe e të rinjve dhe të rriturve kosovarë që morrën arratinë, ku shumë prej tyre na përbuzën e na shanë, ndërsa sot paguajnë nën dorë komisionerët e Qeverisë së Kosovës për të marrë çertifikatën e pjestarit të UÇK-së!
Përfundimisht mund të themi, se Kosovën e çliroi bashkëveprimi luftarak midis UÇK-së dhe aviacionit të NATO-s, duke mos guxuar ta përjashtojnë aspak njëra-tjetrën.