Ndoc Bushgjoka, Tropojë
Nderim për TRIBUNIN E VEGJELISE.
* Më 29 mars 2022 në përkujtim të përvjetorit të rënjes së Heroit.
Ishte një ditë e ftohtë dimri. Qielli ishte plumb, e rigonte shi.
Bajram Begu kishte ftuar për nje takim parësine e Malësisë. Takimi do të bëhej në një shtëpi në Krasniqe.
Të gjithë ishin mbledhur, në sobën e burrave.
Oxhaku ishte mbushur me dru. Burrat pinin duhan e bisedonin qetësisht.
Bajram Curri rrinte këmbekryq në anën e oxhakut e pinte duhan me cigaren e qelibarit. Siç thoshin burrat, i kishte hije, jo vetem fjala, por edhe ndeja, duhani e kafja.
Pritej me ardhë dhe Bajraktari i Merturit me njerëzit e tij. Dikush kishte lajmërue se ata kishin kalue kodrën përballë, e priteshin me ardhë nga çasti në çast.
Pastaj u ndien zërat, dera u hap dhe Tunxh Miftari përshendeti me dorë në zemër :
– Tungjatja e juej burra !
Tunxhi ishte një burrë mesatar, pak i remtë, i thatë e i thantë. Në pamje të parë nuk tregonte asnjë veçanësi.
Tunxhi e kishte trashëguar titullin Bajraktar i Merturit, pasi bajraktarin Bek Delia e pat vra Murrec Sadria i Shëngjergjit. Beka nuk pat pasë as djalë as vëlla, prandaj trrashgimtar i tij u bë kusheriri i tij Tunxh Miftari.
Ishte një nga ato kapriçot e fatit, një ( felix culpa ), që historia bën nganjëherë. Sepse nuk kishte një të dytë me mendje gjeniale si Tunxh Miftari.
Mërturi ishte bërthama e fisit të vjetër Berishë, tashmë ( atë botë, dhe sot ), të shpërndarë nëpër trojet shqiptare.
Por I PARI I TYRE ishte Tunxh Miftari i Merturit.
Merturi nuk kishte lidhje atnore me asnje fis tjetër pjesmarrës në atë takim. Nikajt dhe Krasniqja janë një fis, Gashi dhe Bytyçi ishin fise më veti.
Tunxhi pasi përshendeti, u prit nga i zoti i shpisë e pastaj i dha dorën Bajram Currit.
Bajram Begu, ishte i rënduem nga mosha e nga trupi ndaj levizi pak, ( ose siç thuhej u ngrit deri ne gju ), por nuk u çue ne kambë.
Tunxh Miftari nuk ja lëshoi dorën. E shikoi në sy e pastaj i tha prerë :
– Shtyu Beg pak ma poshtë. Se i parë e i madh n’shpi’ tande, e i madh n’shpi’ tëme nuk të takon. Ke dalë stërlep, se han e dan janë Gash’ e Berishë.
Ajo ke dalë stërlep, ishte përcaktimi më filozofik që mund t’i bënte vetëm një mjeshtër i mendimit dhe i fjalës. Sepse Bajram Curri ishte me origjinë nga Currajt e Nikajve ( prejardhje që nuk thoshte asgjë te veçante), siç ishte edhe i Krasniqes.
Sapo dëgjoi ato fjalë Bajram Curri u çue dhe i lëshoi vendin Tunxhit. Ketij të fundit i qitën duhan, i sollen kafen dhe filluen përshëndetjet siç e kërkonte nderi i mikëpritjes.
Sapo piu kafen dhe dorëzoi filxhanin me falënderimin e mysafirit, Tunxhi u ngrit si sustë ne kambë, E kapi miqësisht Bajram Currin nga supet dhe i tha fytyrqeshur:
– Hajde Beg e ulu ku ishe, Se Pasha Kryqin e Krishtit, deri më sot nuk ka le nana kënd që ta nzën ty vendin.
Bajram Curri qeshi e u ngrit i ndihmuem prej Tunxhit, e pastaj u ul perseri ku pat qëne.
– Qyre – qyre, – tha njëri nga mëkambësit, shet e bilahi i Zotit, dy here e luetji begun si të kënke ndoj djaloç i ri.
Tunxh Miftari sa here përmendej Bajram Begu luante vendit. Aq shume e respektonte sa ishte gjalle, e kujtimin e tij pasi e vrane.
…
Sot m’u kujtua kjo rrëfenjë e vertetë, pasi një mik qe e respektoi më permendi Skender Drinin dhe burrat e Malësisë, dhe e dhashë këtu siç ma ka tregue nje burrë mbi nëntëdhjetë vjeçar që thoshte :
– S’ka pasë toka një burrë tjetër me nder, autoritet, dashuri, largpamësi, e urtësi, se Bajram Begun.
Lavdi në jetë të jetës emrit dhe veprës së tij, atdhetare, të lirisë, të përbashkimit, të arsimit të djelmnisë shqiptare etj etj.