Sali Bytyçi, Prishtinë
Kur i kalon pesë dekada jetë, njeriu ka për të rrëfyer shumë, ndërsa unë që e kam kaluar edhe një më tepër, po edhe nëpër një udhë që jo të gjithë kalojnë, kam për të rrëfyer deri në mërzitje të dëgjuesit, gjë të cilën nuk do ta bëja me qejf.
Për të mos e zgjatur shumë, në kohën tonë, shumica e bisedave silleshin rreth ideologjisë: cila ideologji është më e mirë, pastaj sa i përket ideologjisë komuniste, cili komunizëm ishte më i mirë, duke shkuar deri atje, edhe cila veshje ishte më e mirë, apo cila pamje e fytyrës: me mustaqe apo pa mustaqe.
Romanin “1984” të Oruellit, e kam lexuar para vitit 1984 dhe, gjatë leximit të tij, që më bëri shumë përshtypje, asnjëherë nuk më shkoi mendja ku do ta kaloja verën dhe vjeshtën e vitit 1984.
Një ditë vere tropikale të vitit 1984, derisa po shëtitnim në oborrin e burgut, një bashkëvuajtës që jo vetëm syzat i kishte si të Qemal Stafës, po edhe pamjen si të Qemalit e kishte, tha se framerka nuk duhet të vishnim dhe as mustaqe të mbanim, sepse as framerkat nuk i vesh shoku Enver, as mustaqe nuk ka.
Debatet vazhduan për këtë që tha ky qemalstafë, po unë nuk mora pjesë në këtë debat, sepse edhe ashtu, nuk kisha shumë për të qëndruar në burg dhe konsideroja që nuk ia vlente të “prishesha” me shokët për këto gjëra pa ndonjë peshë, mirëpo përveç qëndrimeve “pro” e “kundër”, pati edhe ndonjë fjalë që u kujtua pak më gjatë:
-Nëse nuk ka pasë mustaqe shoku Enver, ka pasë shoku Stalin! – më duket se kështu tha vëllai im, Dauti, i cili përmes pamjes serioze e fshehte ironinë…
Një ditë tjetër, më duket se ishim në pushimin e punës, ishte hapur diskutimi: ka apo nuk ka zot, duhet me besu apo mos me besu! Disa thoshin duhet me besu, të tjerët nuk duhet me besu, kur në një moment ndërhyri një i ri, më duket nga fshati Korishë, i cili ishte dënuar sepse e kishte zënë pylltari duke prerë dru në mal, tha:
Ma mirë besoni, edhe ashtu nuk paguani gjë nëse besoni!
Të gjithë mbetën të habitur nga këshilla e këtij që gjithnjë heshtte.
Në fillim të shtatorit, mua dhe disa bashkëvuajtës, që ishim dalluar për ndonjë problem të vogël, e në mesin e të cilëve kujtoj dëshmorin e luftës së UÇK-së, Xhemajl Rexhajn, nga Papazi i Therandës, na dërguan në burgun e Smrekonicës. Aty u takuam edhe me të burgosur politikë nga burgje të tjera, po edhe me të burgosur për kundërvajtje. Me këta të fundit na ra të rrinim në “Dhomën e pritjes”, një dhomë me rreth 40 shtretërish, në një objekt njëkatësh aty në hyrje të burgut. Kundërvajtësit qëndronin dy a tri ditë aty, ndërsa ne, që nuk dinin ku të na vendosnin, qëndruam më shumë se dy javë!
Në mesin e kundërvajtësve shumica ishin për hajni, po kishte edhe prej atyre që kishin bërë ndonjë gabim në llogaritje apo ndonjë keqpërdorim të parasë së shtetit, ndërsa në mesin tonë ishte edhe një i burgosur prej atij të grupit të Mjekësisë, moshatar imi, i cili gjithë kohën këtyre kundërvajtësve u propagandonte luftën për liri dhe bashkimin kombëtar.
Një ditë, gjatë i foli një kundërvajtësi për të drejtën tonë dhe kundër politikës shoviniste serbe. Kundërvajtësi, nga rrethi i Vushtrrisë, duroi sa duroi dhe iu përgjigj shokut që po i bënte propagandë kombëtare:
-Kur ju dëgjon ju shqiptarëve kah flisni për këtë çështje, njeriu ju jep të drejtë juve; kur i dëgjon serbët kah flasin, njeriu u jep të drejtë atyre!
Kur e dëgjuam të thoshte kështu këtë person që gjuhën e fliste si ne, emrin e kishte po si ne, mysliman, u habitëm dhe pothuaj në të njëjtën kohë, të gjithë i bëmë pyetjen:
-Po ti çfarë je?!
-Çerkez! – u përgjigj qetë.
Unë ndoshta kisha lexuar që ka popull çerkez, po që ka çerkez në Kosovë, të cilët flasin shqip si ne, nuk kisha dëgjuar kurrë.
***
Tani, këto diskutimet e kohës sonë, po m’i kujtojnë diskutimet e asaj kohe.
Unë, personalisht, cilin ta dëgjoj, i jap të drejtë, pra kam mbete njëfarë çerkezi në këto diskutime po, duke pasur përvojën e diskutimeve të kaluara, iu them të gjithë diskutuesve: vjen një kohë kur të gjitha këto diskutime do të mbeten vetëm në kujtesë, po do të mbetet edhe habia e njerëzve për atë se sa kohë paskan çuar kot në diskutime të tilla!