I fshehur pas petkut të kulturës, një marrëveshje me kompani për menaxhim të Butrintit, ku përveç skemave të përfitimeve materiale, fshihet një skenar tjetër, për të cilin edhe kompanitë në marrëveshje mund të mos kenë dijeni apo ta kenë qëllim keqbërjen ndaj kulturës shqiptare, trashëgimisë sonë të lashtë.
Pavarësisht procedurave dhe qëllimit padyshim armiqësor ndaj trashëgimisë sonë të lashtësisë, mënyra e kalimit klandestine të Projektligjit për menaxhimin e Butrintit, është vepër kriminale, jo vetëm e ministres së Kulturës Elva Margariti, por edhe kryetarit të Këshillit të Ministrave, Edi Ramës.
Nuk është aspak për ta diskutuar debatin e ashpër në Kuvendin e Shqipërisë, ndërmjet ministres së Kulturës si raportuese në Komisionin për Ekonomi, dhe deputetes opozitare Ina Zhupa, e cila u tregua e gatshme për çdo sakrificë, në mënyrë që ta ndalonte një mashtrim të madh.
Për disa vite e kam përcjellur Kuvendin e Kosovës, si raportues nga aty, por nuk ka ndodhur as në rastet më të këqija, kur deputetët, jo shumica, por 2/3 duhej t’i kalonin ligjet që konsideroheshin se buronin nga Pakoja e Ahtisarit, të mungonte ndonjë nen.
Për të kaluar ato ligje turravrap, qe miratuar edhe një nen i Rregullores së Kuvendit, që kurrë nuk është shfuqizuar, për miratimin e ligjeve me procedurë të përshpejtuar. Sipas saj, i lejohej Kuvendit që në kundërshtim me procedurat e rregullta, që një Projektligj të mund të miratohej edhe brenda 24 orëve.
Sipas procedurave standarde, çdo projektligj i dërgohet të gjithë deputetëve, pastaj vihet në rend dite dhe mund të miratohet në shqyrtim të parë në Kuvend dhe më pas kalohet në komisionet përkatëse të Kuvendit të Kosovës, së paku tri komisioneve përfshirë edhe atij për buxhet, për të parë nëse ai ka implikime buxhetore dhe mund të ketë vështirësi për realizimin e tij.
Edhe në Shqipëri procedurat janë të ngjashme, fillimisht Projektligjet u dërgohen deputetëve dhe pastaj, mund të vihen në rend dite apo në diskutim në Komisione parlamentare, dhe pasi të kenë kryer punën komisionet i dërgohet Kuvendit për miratim, sipas procedurave përkatëse.
Po ashtu të gjitha ligjet në Kosovë, por edhe në Shqipëri duhet të jenë në përputhshmëri me legjislacionin europian.
Në këto rrethana, ku nuk bëhet fjalë vetëm për shkelje procedurash, por për fshehje materialesh zyrtare për deputetët, dhe nëpërmjet fshehjes së dokumenteve, ku deputetët do të votonin një ligj pa pikë kuptimi, dhe që superligji ndodhet në një tekst, që deputetët duhet ta miratojnë pa e parë, është mashtrim i shekullit.
Kjo përpjekje për mashtrim duhet të ndalet dhe të bllokohet nga SPAK-u, që për të arrestuar duhet të ketë gjithsesi Edi Ramën dhe ministren e Kulturës Elva Margariti.
Edhe deputetja e PD-së, Ina Zhupa sot duke iu përgjigj kryeministrit Edi Rama për çështjen e Butrintit duke i thënë se do ta çojë në SPAK.
Studiuesit të alarmuar
I pari që kishte alarmuar për Butrintin duket të jetë prof.Neritan Ceka, i cili e kritikoi Ministrinë e Kulturës se si është e mundur që të lejojë që në UNESC-o Butrinti të figurojë si trashëgimi e Greqisë, pra edhe e civilizimit grek.
“Fakti se “Butrinti grek” gjendet edhe në sajtin e UNESCO-s dëshmon se këto institucione flenë gjumë në promovimin e kulturës dhe identitetit shqiptar”, kritikonte Ceka.
Sipas Cekës, dokumenti, ka fshirë të gjithë arkeologët shqiptarë që kanë punuar në Butrint dhe së dyti, “rezultonte se Butrinti ishte formuar gjatë periudhave greke dhe romake dhe e gjithë periudha prasaibe, kaone, apo epirote ishte fshirë bashkë me studiuesit shqiptarë”.
Pra, ai e zbulon qëllimin politik dhe propagandistik të projektit, me këtë edhe arsyen se pse po zbulohet.
Sipas studiuesit Jaho Braho, duke iu referuar ngjarjes së 24 prillit në Kuvendin e Shqipërisë, Ministria e Kulturës e mban sekrete kontratën për menaxhimin e Butrintit, me arsyetimin se marrëveshja ishte klasifikuar sekret edhe për deputetet që të mos keqinterpretohej.
“Kuvendi nisi shqyrtimin e projektligjit me një nen për menaxhimin e parkut kombëtar të Butrintit, pa pasur akses në marrëveshjen e plotë mes Ministrisë së Kulturës dhe AADF.
Sipas saj (Ministreshes), ishte ruajtur konfidencialiteti në aspektet ekonomike të planit të biznesit.
-“At’here i bie që Kuvendi i Shqipërisë me Ligj miraton Planin financiar te një Shoqate të Huaj, pa e shikuar dhe shqyrtuar, ky qenka SEKRETI.
Ky është Skandali i Kuvendit të Shqipërisë...”, shkruan Braho.
Ai e sheh këtë edhe si një skandal financiar. “Gojët e “liga” flasin se kjo marrëveshje sekrete ka lidhje dhe me një takim të para pak ditëve të Edi Ramës me ish-kryeministrin britanik. Lind pyetja ku do ndërtohen vilat rezidenciale që Marrëveshja e Ministreshes i ka sekret. Po planimetrinë e tyre në cilën studio Arkitekture do e realizoj. Marrëveshja ka gjithmonë afat: 99, 900 vite etj, etj.”, ka shkruar Braho në faqen e tij në Fb.
Privatizimi i Butrintit shkel konventën e Parisit dhe Kushtetutën
Pas përplasjeve në Kuvend ka reaguar edhe akademik Apollon Baçe, profesor i arkeologjisë.
“Privatizimi i Butrintit e shkel konventën e Parisit dhe Kushtetutën. Bordi i drejtimit ka kryetar Hodges-in, një antishqiptar ekstrem, me të cilin jam zënë në 2006-ën nga që foli sende ekstremisht të pabesueshme. Kam folur në 2 emisione, por më kot”, ka thënë profesori Baçe.
Ministrja Elva Margariti në Komisionin parlamentar të vetmin shpjegim që e ka dhënë ishte: “Këshilli i Ministrave miratoi projektligjin “Për miratimin e marrëveshjes për administrimin e nënzonave të trashëgimisë kulturore dhe peizazhit kulturor, pjesë e Parkut Kombëtar të Butrintit, ndërmjet Ministrisë së Kulturës dhe Fondacionit të Menaxhimit të Butrintit”.
Ndërsa, Projektligji ka vetëm dy nene, nenin e miratimit të ligjit, dhe nenin 2 se ai hyn në fuqi, sipas përcaktimit ligjor, dy javë pas shpalljes në gazetën zyrtare.
Lufta kundër identitetit shqiptar, gjuhësor, historik dhe të trashëgimisë
Është e habitshme se si Shqipëria është kthyer në një vend ku shteti i lufton vlerat dhe trashëgimin kombëtare.
Shteti, me institucione qeveritare e deri me Akademinë e kanë marrë përsipër të shkelin mbi çdo lloj trashëgimie.
Ka kohë, që Akademia e Shkencave e Shqipërisë, ‘prodhon’ studime ‘akademike’ se si gjuha shqipe është thjesht një ‘mbeturinë gjuhësore’ që rrjedh prej një kohe shumë të lashtë, por që nuk posedon më shumë se sa rreth 12% të fjalëve të saj, nga trungu i dikurshëm gjuhësor ilir. Këtë e evidentojnë shumë studiues të pavarur, duke iu referuar fjalorit etimologjik të Kolec Topallit, botim i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
Po ashtu nuk bëjnë dallime edhe studimet e Anila Omarit.
Është e habitshme, se si këto botime akademike, janë në kundërshtim me frymën e studimeve shqiptare, që nga pararilindja e filluar në Itali në shekullin e 18-të, nga arbëreshët të motivuar nga studiues perëndimor dhe vetanake, dhe e vazhduar nga rilindasit, dhe nga studiues të periudhës së pavarësisë dhe pas saj.
Esenca e këtyre studiuesve mund të përmblidhet në dy qëllime kryesore, argumentimin shkencor se gjuha shqipe është shumë më e lashtë, edhe se vetë greqishtja e vjetër (pasi për ta, edhe për shkencën sot ajo ishte gjuhë e vdekur), dhe se shumë nga fjalët që shpjegoheshin nëpërmjet greqishtes, ishin të gabuara sepse ato i takonin substratit ilir apo pellazg, siç pretendonin rilindësit, dhe pasuesit e tyre.
Me fitoren e regjimit komunist në Shqipëri, të ndikuar nga politikat sllave, greko-centriste dhe centrizmit tjera, pushoi thuajse kjo qasje e studimeve, veçanërisht etimologjike.
Studimet e rilindësve u anashkaluan, po ashtu edhe të autorëve në komunizëm që ishin në kundërshtim me frymën zyrtare ‘akademike’. Nën ndikimin e Shqipërisë, edhe në Kosovë etimologjia thuajse ishte dhe vazhdon të jetë një fushë gjysmë e vdekur studimesh. Natyrisht një pjesë e studimeve dhe mendimit shkencor devijoi edhe nga inferioriteti i përgatitjes shkencore, meqë shekulli i 20-të njohu zhvillimin e një numri të madh metodash shkencore, e kjo e thelloi hendekun edhe më për të keq.
Por, autor e studiues shumë të rëndësishëm, si Spiro Kondo, Dhimitër Pilika, që kishin pasur rastin, i pari të studionte para Luftës së Dytë Botërore në Greqi, dhe tjetri në shkollën e Pragës, pastaj si Petro Zheji, i cili me hulumtimet e tij, kishte arritur të ndërtonte një tezë të re të modelit të studimeve –algoritmin simbolik, u injoruan dhe vazhdojnë të injorohen, përbuzen deri në mohim të plotë. As nuk studiohen fare, as këta, por as një hulli prej gati tre shekujsh të studimeve shqiptare, e nisur nga Guxeta, Keta, Parrini, Dorsa, Krispi etj.
Si rezultat mohohet një trashëgimi e pasur shqiptare, pasi nëpërmjet gjuhës zbulohet autorësia e vërtetë p.sh. e etimologjisë. Ashtu si thoshin me shumë lehtësi rilindasit, si De Rada, Kamarda, Sami Frashëri etj, Pashko Vasa, se perënditë greke mbanin emra shqip dhe ishin pellazgjike.
Mbase sintetizuesi kryesor i mendimit për origjinën dhe lashtësinë e gjuhës shqipe u bë nga Jeronim De Rada, kur shprehej: “Gjuha shqipe, në analizë të fundit është ajo Gjuhë e Parë (Lingua Primeva) ose Mëmë (Muttersprache) ose së paku e afërmja e saj e ngushtë e më përfaqësuese, nga copëzimi i së cilës, si Ai (Zoti) në Sakrificën e Madhe Kozmogonike të një Qenieje Hyjnore, të gjitha gjuhët e tjera erdhën e u ndërtuan mënjanë”, (242), cituar sipas Ndriçim Kullës.
Edhe nga kërkimet e mia sot, rezulton se ekzistojnë dy teza qendrore të hulumtimit të origjinës së miteve, përkatësisht të argumentimit të origjinës së mitologjisë greke, se ato kanë origjinë pellasgjike ose se ato kanë origjinë egjiptase, pra afrikane, që në fakt kjo e dyta konsiderohet edhe si teori afrikano-centriste (që lidhet edhe me origjinën e ngjyrës). Pra, është e qartë se nuk diskutohen si mite greke, sepse me kohë është kuptuar se thuajse të gjithë emrat e perëndive, nuk kishin kuptim në gjuhën greke dhe nuk mund të zbërtheheshin nëpërmjet saj.
Ndoshta madhështinë e Butrintit më së miri e ka shprehur arkeologu i ndjerë Miokom Zeqo: “Në mendjen time kishte një shtrëngatë të imagjinatës për Trojën e Homerit, apo për Trojën e Shlimanit, (i cili e zbuloi).
Por kur e kam parë se me çfarë përfaqësohesh Troja e famshme nga pikëpamja arkeologjike pra vetëm me disa mure dhe monumente të dëmtuara kam ndjerë një zhgënjim. Në një nga shkrimet e mia kam shkruar se “duhet shkuar në Trojë për të kuptuar se ç’qytet madhështor arkeologjik, në të gjitha kuptimet i papërsëritshëm është qyteti i Butrintit””.
Historia e Butrintit sipas profesor Cekës
“Butrinti, ose Butroti antik, është perla e pasurisë sonë arkeologjike për arsye të ruajtjes së përsosur të monumenteve, por edhe të kontributit njëshekullor të arkeologëve që i kanë zbuluar. Çfarë treguan gërmimet arkeologjike të realizuara në pesë dekadat e fundit në Butrint? Së pari që Butrinti ishte krijuar si një kështjellë e vogël rreth viteve 1400 p. Kr., si një vendbanim peshkatarësh dhe bujqish, me një kulturë materiale që e lidhte me trevat e banuara nga ilirët. Nuk u gjet asnjë objekt që mund ta lidhte me Greqinë, apo me Trojën e asaj periudhe dhe ishte e qartë që Enea dhe trojanët nuk kishin shkelur kurrë në Butrint. Në dekadat e fundit të shek. V p. Kr. gjendja ndryshoi dhe vendin e kështjellës e zuri një qytet i vërtetë, ai që shikojmë sot me muret prej blloqesh të latuar, ku gjendet Porta Skea dhe Porta e Luanit. Ndërtuesit e tij ishin kaonët, të cilët sipas historianit helen të asaj periudhe, Tukididit, ishin “barbarë”, pra jo grekë, sipas terminologjisë së kohës. Sipas tij, kaonët qeveriseshin nga dy nëpunës të zgjedhur çdo vit, të cilët drejtonin në vitin 429 p. Kr. një ushtri prej 1000 vetash në aleancë me mbretin Tharyps të Molosisë. Në atë periudhë u ndërtuan në territorin e Kaonisë një rradhë qytetesh, si Foinike (Finiqi), Borshi, Himara, etj. Dhjetëra mbishkrime të zbuluara në Butrint rezulton se qyteti ishte qendra e një njësie të veçantë politike të Kaonisë, që njihej si Koinon i Prasaibëve dhe që shtrihej në luginën e lumit Pavlla. Pra dëshmitë arkeologjike dhe historike dëshmojnë qartë se Butrinti ishte një themelim prasaib, apo më gjerësisht kaon dhe epirot. Që kaonët nuk ishin helenë, ashtu siç nuk ishin të gjithë epirotët e tjerë, këtë e dëshmojnë të gjithë autorët antikë, Tukididi dhe Skylaksi në shek. V, Efori në shek. IV, Polibi në shek II, apo Straboni në shek. I p. Kr. Kjo përforcohet edhe nga kërkimet arkeologjike, të cilat dëshmojnë një bashkësi ilire-epirote në kulturën e tyre materiale dhe shpirtërore gjatë Antikitetit”, shkruan Ceka.
Idriz Morina, mos u ngut,
interesant po te ishe ne kohen e diktatures sigurisht do te ishe nje sigurims i zoti dhe do te kishe arrestuar dhe burgosur plot shqiptare…
Sot ka ligje dhe rregulla te demokracise . Ti je trim i shkel. dhe flet para se te mendosh
Arbeni
Pirro, ti vetëm konstatova dhe akuzove autorin, por nuk dhe asnjë mendim se a është ashtu sikurse që shkruan Idriz Morina, do të thotë nuk i tregove lexuesit të vërtetën e njëmendt rreth Butrinit. Thjeshtë, ti do të ishte mirë të përgjigjeshe se a duhet Butrinti si pasuri kulturore arkeologjike e Shqipërisë të menaxhohet prej shqiptarëve apo prej grekërve?
Ne se nuk bjen kjo qeveri shpejt ,d.m.th. e shumta 1 vit mos kerkoni qe SPAK – ku te vere drejtesi ne vend se ajo eshte ne doren e Rames teresisht por me nxjtim t”i drejtoheni ,si Parti , shoqate apo dhe grumbull njerezish Gjykatave Europjane per te mbrojtur objektet Arkeollogjike qe jane pasuri e krenari historike e gjeografike te vendit .Me blla blla Rama nuk futet ne burg .