Lirim Gashi, Prishtinë
Kim Mehmeti duke iu vardisur klerikëve fetarë që e turqizojnë dhe arabizojnë kombin e tij, mund të jetë gjithçka tjetër, por jo edhe një atdhetar i devotshëm.
Bubrecave që e shohin si një intelektual të madh Kimin edhe fija e qibritit ju duket e madhe sa një piramidë. Mirëpo nuk mund të jetë njeri, atdhetar dhe intelektual i madh, një individ që nuk ndërmerr asgjë kundër shkombtarizimit (turqizimit dhe arabizimit) të kombit të tij, nga imamet vehabistë dhe salafistë.
Sepse këta të fundit veprojnë sipas diktatit të shërbimeve sekrete serbe, ruse, turke dhe arabe. E sidomos nuk mund të jetë njeri, intelektual dhe atdhetar i madh një individ që e përsërit si një papagall konstatimin e pavërtetë, se islami pjesërisht i imponuar prej Perandorisë Osmane dhe pjesërisht i pranuar vullnetarisht nga populli autokton për t’ia lehtësuar vetes jetën, e ka mbrojtur kombin shqiptar nga asimilimi, kur dihet sa shqiptarë të asimiluar dhe shkombtarizuar jetojnë në Turqi, Maqedoni të Veriut, Serbi dhe Mal të Zi.
Ndaj nuk më bëjnë aspak përshtypje konstatimet paushale për personin tim, që vijnë nga njerëzit që i janë nënshtruar larjes se trurit me sapun, sa më brengos fakti që kaq shumë shqiptarë janë gjunjëzuar para një indoktrinimi kaq injorant, të paprecedentë, të rrezikshëm dhe të pacipë. Kjo nuk do të thotë asesi, që shqiptarët duhet ta braktisin islamin paqësor, me të cilin janë akomoduar dhe mishëruar përgjatë shekujve që lanë pas.
Kjo do të thotë që besimtarët e sinqertë në islamin paqësor, duhet t’i thonë JO të madhe elementëve ekstreme që po e rrezikojnë identitetin e tyre kombëtar dhe përcaktimin e dy shteteve të tyre për t’u integruar në familjen e madhe të kombeve të civilizuara dhe shteteve të përparuara evropiane.
Sepse nuk ka pafytyrësi më të madhe sesa të thirresh në vlerat njerëzore kombëtare dhe universale për ta arsyetuar një devijim kaq të paprecedentë, në një fazë kaq vendimtare historike, kur shanset për ta përmbyllur çështjen nacionale dhe shtetërore janë më të mëdha se kurrë në histori.
Çdo intelektual i vëmendshëm, i sinqertë dhe vigjilent që e do kombin, atdheun dhe shtetin e tij më shumë se cilëndo fe, do ta kishte bërë të pamundurën në këtë fazë vendimtare historike për ta ndihmuar kombin e tij që pas një sakrificë kaq të përgjakshme qindra vjeçare, ta përmbyllë në mënyrë dinjitoze çështjen nacionale dhe shtetërore.
Kim Mehmeti jo vetëm që po e fsheh kokën në baltë si Struci por edhe po gjunjëzohet para shkombtarizimit, si kolaboracionistët francezë para Hitlerit, në Luftën e dyte Botërore.
Fatkeqësisht njësoj si Kimi po veprojnë shumica absolute e politikanëve dhe intelektualëve tanë. Në fakt ata po sillen saktësisht si ajo plaka kur digjej katundi.
Turpi i mbuloftë.