Bardhyl Adem Selimi, Tiranë
Zoti Hajrush Thaçi më dhuroi para disa ditësh monografinë e tij kushtuar një figure të shquar të klerit mysliman në Kosovë që ka dhënë ndihmesë të madhe në arsimin shqip, Mulla Hamdi Bislimit.
Nuk kisha dëgjuar më parë për këtë burrë, por krijova menjëherë një simpati për të duke lexuar një thënie të tij:
“Në se na mungon lapsi, ngjyra dhe thëngjilli, do të përdorim edhe gjakun e gishtit për të shkruar e mësuar alfabetin e gjuhës sonë shqipe”
Thënie proverbiale, e ngjashme me ato të klerikëve të tjerë të shquar të krishterë nga Shqipëria për të cilët janë bërë edhe edhe filma.
Libri hapet me një pasqyrë të arsimit në Kosovë para dhe gjatë mbretërisë Jugosllave. Tregohen fakte interesante për periudhën e luftës së parë botërore, ku Kosova u nda në zonën e forcave austro-hungareze dhe atë bullgare. Ndërsa në të parën arsimi shqip mori hov në të dytën shqiptarët u shtypën edhe kulturalisht. Ndër të tjera tregohet mizoria e ushtarëve dhe e oficerëve bullgarë. Kështu në fshatin Cërnillë, si ndëshkim që fshatarët e fshihnin grurin që ushtria donte të rekuizonte, ata mbytën 70 vjeçar Hasan Zhinipotokun duke e shqelmuar derisa sa volli gjak dhe ndërroi jetë. Gjithashtu ushtria bullgare mobilizonte me forcë të rinj për në front, nga ku ata nuk u kthyen më. Ndër ta ishte edhe gjyshi im Hasani (Selim Reçica). Gjyshja Fatime kishte në gji babën kur ushtarët bullgarë e kërcënuan se do ia merrnin fëmijën po mos të dorëzonte sendet e florinjta që mbante në gjoks.
Më tej autori flet për arsimin në mbretërinë jugosllave, përpjekjet e deputetëve dhe figurave më autoritet për pengimin e mërgimit në Turqi dhe hapjen e shkollave në serbisht, sepse në shqip as që bëhej fjalë. Pashiqi pat thënë “Më mirë e lëshoj Beogradin se sa t’I lejoj shqiptarët të mësojnë shqip”.Kështu, me këmbënguljen dhe mbështetjen e Sefë Llukagjisë, u hapën shkolla në Sitnicë e Ferizaj. Në një nga këto shkolla, në Llukagji, ka mësuar edhe im atë.
Trajtimi i nxënësve shqiptarë nga mësuesit ishte tepër diskriminues dhe i egër.
Hajrush Thaçi
Një vëmëndje të veçantë zoti Hajrush i kushton Medresesë së Madhe të Shkupit që i ngjante një shkolle të lartë dhe ku studiuan shumë të rinj atdhetarë që dhanë ndihmesë më pas në vetëdijësimin e popullit të Kosovës për pavarësi. Aty jepen emrat, përveç tim eti, dhe të shokëve të tij si Idriz Ajeti, Zeqir Bajrami, Ibrahim Kelmendi etj. Gjatë luftës, krahas mësuesve nga Shqipëria u kyçën në mësimdhënie edhe 34 medresantë.
Ndonëse pushteti ua ndalonte klerikëve myslimanë të zhvillonin ligjërata atdhetare dhe për arsimin , Mulla Bislimi, e bënte këtë nëpër shtëpitë private dhe nganjëherë edhe në shtëpinë e vet.
Ndërsa gjatë luftës së dytë botërore, kur Kosova mori frymë lirisht gjatë “kohës së artë të Shqipërisë”, ai mbajti lidhje me figurat kryesore nacionaliste.
Gjatë Jugosllavisë socialiste kur arsimi shqip u lejua, mulla Bislimi u kujdes për arsimin e vajzave shqiptare, të cilat pengoheshin edhe nga pikëpamjet konservatore tradicionale. Njeri besnik i Islamit dhe i Kombit njëkohësisht Mulla Hamdi Bislimi, shkruan Hajrush Taçi, ishte simbol kuptimplotë I karakterit dhe i edukimit për brezat e rinj dhe garanci për rritjen e moralit islam dhe njerëzor. Ai ishte në vazhdë të rilindasve tanë që na mësonin se arsimimi është kusht i nevojshëm për përparimin shoqëror dhe politik.
Konspektoi: Bardhyl Selimi, 4 maj 2022