Sot, në ora 10 në Qendrën jo-religjioze “Chapelle Johon Camoletti” të Gjenevës është mbajtur një ceremoni morti në nderim të mërgimtarit Shemsi Rexhep Shatri, nga Tomoci i Burimit të Kosovës.
Nga: Arif Ejupi, Gjenevë
Shemsiu në fakt ka vdekur më 15 prill të muajit të kaluar në “Clinique de Joli-Mont” aneks i Spitalit Universitar të Gjenevës.
Mirëpo, varrimi i tij është shtyrë deri sot si pasojë e procedurave të shumta administrative dhe vendimit të tij të prerë, që të varroset në Gjenevë, ku prej vitesh jetonte me gruan dhe djalin e tij 5-vjeç, Eitanin.
Edhe pse ditë pune Shemsiut lamtumirën e fundit ia dhanë shumë mërgimtarë tanë që jetojnë në Gjeneve e qytete të tjera të Zvicrës.
Kjo ceremoni morti nisi me fjalët ngushëlluese të zotit,Barnérias Denis, përgjegjës i shtëpisë “Chapelle Johon Camoletti” të Gjenevës, drejtuar familjareve, shokëve dhe miqve të shumtë të Shemsiut.
Pastaj, jetën dramë e me plotë ngitje e rënie të Shemsiut nëpërmjet një shkrimi të përgatitur nga veprimtari i çështjes sonë kombëtare zoti,Xhafer Shatri, ish-edhe Ministër i Informatave të Republikës së Kosovës në Gjenevë, para të pranishmeve e shpalosi Kaltrinë Shatri, mbesë e të ndjerit Shemsi Shatri.
Ky jetëshkrim i përcjellë edhe me dy pika muzikore që Shemsiu i dëgjonte me shumë ëndje sa ishte gjallë i bëri me vaj të gjithë të pranishmit.
Pas përfundimit të ceremonisë arkivoli me trupin e pajetë të Shemsiut, i njohur nga shumëkush edhe si James Stern u përcoll në “Cimètiere d’Aïre“ të komunës Vernier të Republikës dhe Kantonit të Gjenevës.
Me këtë rast edhe pse i prekur thellë nga dhembja e pikëllimi në ndarje me Shemsuin disa fjalë i tha edhe bashkëvendësi i tij Muhamet Imeraj.
Ai vdekjen e Shemsiut në dhé të huaji e cilësoi si një vdekje që dhemb shumëfish më shumë se ajo në truallin e etërve dhe gjyshërve tanë.
Shemsiu edhe pse djalë inteligjent e me projekte të shumta për të ardhmen goditet rëndë shpirtërisht kur ishte vetëm 19 vjeç.
Ai dhe familja e tij më 2 shkurt të vitit 1986,e merr lajmin e trishtueshëm që Haki Rexhep Shatri,me profesion teknik i stomatologjisë ditën kur e kishte përfunduar shërbimin e detyrueshëm ushtarak në Armatën e ish-Jugosllavisë, në Sarajevë të Bosnjës dhe Hercegovinës, vritet pabesisht nga eprorët e tij serbë.
Më vonë u vërtetua që urdhrin për vrasjen e Hakiut e kishte dhënë serbi Aleksandar Vasiljeviq,me gradën ushtarake kolonel.
Vetëm pesë muaj më vonë, saktësisht më 5 qershor të vitit 1986,në Shtutgard të Gjermanisë nga dhembja e madhe për të birin nga një sulm në zemër vdes Rexhep Shatri.
Rexhepi atëkohë vetëm 53 vjeç duke bërë vetëm punë të ndershme mundohej që ta nxjerrë familjen e tij nga varfëria.
Nga ky moment jeta e Shemsiut,e merr tatëpjetën. Dhembjen për të vëllain Hakun dhe babain Rexhepin ai mundohet me tret nëpërmjet gotës së rakisë.
Megjithatë, edhe pse bënë jetë bohemi ngjashëm me shkrimtarit tonë të madh Mirko Gashi, çdoherë orvatet që të bëjë diçka të mirë në dobi të Kosovës, për lirinë e së cilës u sakrifikuan të parët e tij, brez pas brezi.
Shemsiu nga dëshira që ta përtërijë me investime vendlindjen e tij të bërë shkrumb e hi nga armiku serb më 2001, e lëshon Zvicrën dhe kthehet në Kosovë.
Tamam kur nis realizimin e një projekti milionësh disa kusarë shpirtligë që Kosovën e konsideronin “tokë të babës “e kidnapojnë dhe e rrahin brutalisht.
Kjo çmenduri e këtyre kriminelëve që jetën e çojnë me plaçkë e haraç bënë që Shemsiu të kthehet përfundimisht në Gjenevë.
Ai, i zhgënjyer tepër nga ajo që pësoi në vendlindje nga bashkëkombësit e tij preket edhe nga kanceri, i cili duke ia përfshirë trupin dhe duke i bërë metastaza të shumta e ndan nga jeta në kohën kur më së shumti i duhej Eitanit të vogël.
Shemsiu për vuajtjet e tij të njëpasnjëshme dhe të pafundme shpërblim nga Zoti e pastë parajsën !
Familja, Shatri në përkujtim të tij për të gjithë pjesëmarrësit e këtij morti shtroi drekë në restorantin “La Cité des Vents SA ” të Gjenevës, pronar i të cilit është afaristi i njohur shqiptar Kamber Idrizi.
__________
Redaksia e Drinit e ngushëllon familjen Shatri nga Gjeneva dhe Tomoci i Burimit, (Istogut) për vdekjen e hershme të Shemsi Shatrit, James Stern-it
Redaksia e Drinit, e sidomos Gjergj – Bajram Kabashi, i shprehin ngushëllimet më të sinqerta Familjes Shatri nga Tomoci i Burimit (Istogut) dhe nga Zvicra, për vdekjen në një moshë relativisht të re të Shemsi Shatrit (James Stern), që vdiq para një muaj në Zvicër. Vdekja e Shemsiut i ka pikëlluar të gjithë ata që e kanë njohur gjatë jetës, apo që kanë ndejt vetëm një herë me të.
Shemsi Shatri ka qenë një njeri i jashtëzakonshëm, që përkundër vuajtjeve të mëdha familjare e personale nga regjimi okupues i Serbisë, ka pasur forcë e fuqi të madhe shpirtërore për ta shpërfaqur harenë dhe fuqinë e pamposhtur të jetës.
Duke ndie pikëllim të thellë për ikjen e parakohshme të Shemsi Shatrit nga jeta, i shprehim ngushëllimet tona më të thella e të sinqerta familjes së tij të ngushtë dhe asaj më të gjerë Shatri.
Ngushëllime …
Shpirti i Shemsi Shatrit u prehtë në paqen e përjetshme!
Fotoja është bërë nga ndeja jonë me Shemsi Shatrin me 01.07.2018, në restaurantin “Shija” të Gurrakocit, kur foton e kisha përshkruar në këtë mënyrë:
Një përkujtim dhe disa mendime për Shemsi Shatrin