Në bibliotekën “Bilall Xhaferi” në Sarandë sot u zhvillua një bashkëbisedim me shkrimtarin dhe historianin Jusuf Buxhovi dhe botuesin amerikan Ramiz Tafilaj. Në promovimin që u drejtua nga Hekuran Halili, nënkryetar i Klubit të krijuesve jonian, mori pjesë edhe drejtoresha e zyrës arsimore në Sarandë, Majlinda Mavro.
Rreth vepës letrare, historiografike dhe publicistike të Buxhovit folën Thoma Nika, Bardhyl Maliqi, Kiço Mavro dhe Rexhep Shahu.
Maliqi u ndal te vepra “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazi” duke e vlerësuar si njërën ndër veprat më të realizuara të letërsisë shqipe, që edhe sot e gjithditën ruan aktualitetin e vet. Ndërsa, K.Mavro u ndal të romani “Dushkaja”, të cilën e quajti roman-ese, ndër më të rëndësishmit e letërsisë sonë.
Thoma Nika foli për profilin publicistik të Buxhovi si dhe ndikimin e madh të tij në gazetarinë shqiptate si korrespodent i përhetshëm i Rilindjes në Bon. Rexhep Shahu theksoi rolin e Buxhovit si intelektual në lëvizjen shtetformues përkrah Rugovës dhe brezit që mori përgjegjësinë historike për t’u prirë proceseve shtetndërtuese.
Në fund, autori u nderua me mirënjohje të përbashkët nga “Klubi i krijuesve jonian” dhe “Unioni i gazetarëve shqiptarë” dega në Sarandë.
Me këtë rast, autori i dhuroi bibliotekës “Bilall Xhaferi” 40 libra nga opusi i tij letrar dhe historiografik.