Sc. Adem Lushaj, drejtor ekzekutiv i “Shoqata e Intelektualëve të Pavarur” në Deçan
Ambasadorët e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kanë lëshuar sot një deklaratë të përbashkët lidhur çështjen e pronës së Manastirit të Deçanit, duke i bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, të veprojë pa u vonuar për zbatimin e plotë të Rregjistrimit të ligjshëm të tokës së Manastirit të Deçanit.
“Në maj të vitit 2016, Gjykata Kushtetuese e Kosovës vërtetoi pronësinë e Manastirit të Deçanit mbi disa hektarë tokë. Përkundër këtij vendimi të ligjshëm dhe kërkesave pasuese, vendimi i Gjykatës ende nuk është zbatuar. Zbatimi i ligjit dhe respektimi i pavarësisë së gjyqësorit janë obligime të të gjitha qeverive të zgjedhura në mënyrë demokratike. Po ashtu, ato janë parakushte për konsolidimin demokratik të Kosovës dhe integrimin e saj në institucionet evropiane dhe euroatlantike”, është thënë në reagimin e pesë ambasadorëve të Quintit.
Ka kohë që po bëhet presion në institucionet komunale për zbatimin e Vendimit të turpshëm të Gjykatës Kushtetuese, me të cilin i falën afër 24 hektarë tokë publike, manastirit të Deçanit. Ky presion që bëhet për regjistrim të pronave publike të ndërmarrjeve APIKO dhe ILIRIA, në emër të manastirit të Deçanit, nuk mund të cilësohet ndryshe pos si presion që i bëhet vullnetit të qytetarëve, presion që është kundër zhvillimit ekonomik dhe zbatim të vendimit të Qeverisë vrasëse të Serbisë.
Ndaj, “Shoqata e Intelektualëve të Pavarur” (SHIP) në Deçan, shpreh shqetësimin dhe kundërshtimin e saj për presionin që i bëhet ekzekutivit komunal, përkatësisht kryetarit të Deçanit, presion i ardhur nga faktori ndërkombëtarë, kësaj radhe nga shtetet mike të QUINT-it. Kërkesën për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e konsiderojmë kërkesë për legalizimin e vendimit të Qeverisë së Millosheviçit, vendim që i fali manastirit të Deçanit, pronat e ndërmarrjeve publike APIKO dhe ILIRIA.
Si faktori ndërkombëtarë ashtu edhe vendor, duhet ta kuptojnë se për NE, manastiri është pjesë e trashëgimisë kulturore dhe resurs i rëndësishëm turistik nga i cili mund të gjenerohen të hyra.
Nuk duhet harruar se janë shqiptarët ata që historikisht e kanë ruajtur dhe mbrojtur këtë objekt kulturo-turistik. Por, është për keqardhje që institucionet e kultit fetar ortodoks, e sidomos Kisha Ortodokse Serbe e Kosovës, është e përdorur nga regjimi i Millosheviçit, për qëllime politike antishqiptare, e fatkeqësisht kjo politikë urrejtëse po vazhdon edhe sot.
Në vazhdimësi e kemi thënë se nuk jemi kundër manastirit e as kundër institucioneve tona të drejtësisë, në këtë rast të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës. Përkundrazi, janë deçanasit që çdoherë kanë përfillë institucionet e saja dhe kanë qenë të vendosur në ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe tërësisë territoriale.
Por, nuk mund të qëndrojmë të heshtur kundër vendimit politik që është marrë në rastin e pronave publike të komunës sonë. Nuk mund të heshtim karshi vendimit skandaloz të Gjykatës Kushtetuese e cila ka legalizuar vendimin diskriminues të regjimit të Millosheviçian. Ata gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese që kanë votuar këtë vendim, jo vetëm që i kanë vënë vetes një njollë turpi, por edhe kanë nxitur një tension të dëmshëm në mes të manastirit dhe popullsisë vendase. Këta votues të këtij vendimi antikushtetues, kanë nxit urrejtje ndërnacionale dhe ndërfetare.
Ish kryetarja e kësaj Gjykate, Arta Rama Hajrizi, sikurse edhe kryetarja aktuale Gresa Caka Nimani, si dhe të gjithë ata gjyqtarë që nën ndikimin e politikës e kanë votuar këtë vendim, do mbahen në mend në Deçan, si noter të vendimeve të Millosheviçit.
Jemi të zhgënjyer dhe indinjuar që po vazhdon avazi i vjetër i vendosjes në krye të institucioneve të drejtësisë, personave pa kredibilitet profesional. Nëse institucioni më i lartë e drejtësisë, punon nën diktatin e politikës, nuk ka si të jetë institucion i besueshëm për qytetarët. E, aq më keq nëse ka në mesin e anëtarëve të Gjykatës, persona të dënuar për korrupsion.
Me qëllim të zgjidhjes së qëndrueshme, “Shoqata e Intelektualëve të Pavarur”, i bën thirrje faktorit politik vendor e ndërkombëtar, si dhe personelit të manastirit të Deçanit, që të angazhohen seriozisht për gjetjen e një zgjidhjeje të drejtë, të ndershme dhe të pranueshme nga të gjithë!
Menjëherë pas Rishpalljes se Pavarësisë me 17 Shkurt 20008,ne mbledhjen e parë të Parlamentit, tema numër 1.e Rendit të Ditës duhej të ishte:SHFUQIZIMI I TË GJITHA AKTEVE DISKRIMINUESE TË QVERISE SERBE PAS SUPRIMIMIT TË AUTONOMISË SË KOSOVËS NË MARS TË VITIT 1989. Por, politikanët tanë, harruan se për çka janë zgjedhur! Madje, edhe sot vazhdojnë të krenohen me shpalljen e Pavarësisë, por nuk duan të shohin vrimat që ka ky shtet që ata e kanë shpallur të Pavarur! Madje, keta politikanët tanë të mjerë nuk janë në gjendje as logjikisht të kundërshtojnë!Nëse u pëlqen të huajve e në dëm të shqiptareve, duhet të pranohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese (Manastiri i Deçanit), nëse nuk u pëlqen të huajve, por në dobi të Shtetit të Kosovës, (Asosacioni) vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk është më rëndësi! Njerëz të korruptuar: politikanë, gjyqtarë, prokurorë… dhe turp! E plagët janë ende të freskëta!