Kam patur fatin që 52-vjet më parë të kem takuar Profesor Ernest Koliqin, gjatë qëndrimit tim si refugjat në Romë, në vitin 1970, para se të vendosesha në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Si përfundim i kësaj njohjeje, kam qenë në kontakt me Profesorin e nderuar deri sa ndërroi jetë me 15 janar, 1975. Shkëmbenim letra, të paktën, dy tre herë në vjet, para se të vdiste. Një nga letrat që Profesor Koliqi më ka dërguar në vitin 1972, tri vjet para se ai të shkonte në amshim, më ka mbetur në kujtesë të përhershme, sepse përmbante një amanet. Letra e Ernestit erdhi pas një përpjekjeje amatore nga ana ime për të botuar, në vitin 1972, një fletushkë kushtuar rinisë në mërgim. Letra që më dërgonte Profesor Koliqi ishte plot këshilla –tepër të nevojshme për mua në atë kohë – nga një personalitet i njohur siç është Ernest Koliqi.
Ai shkruante, ndër të tjera: “I dashtuni Fran, më kanë ra në dorë si letra e jote ashtu edhe Nr.1 i periodikut, “Rinija Shqyptare në Mërgim”. Gëzohem pikë ma së pari që je mirë, që përpiqesh të ndjekish studimet, e në fund, për botimin kushtue masës së re që larg prej Atdheut ka shumë nevojë t’ushqehet me shkrime të shëndoshta shqipe. Të lumtë! Ashtë nji fillesë plot premtime. Mbaje mend veç nji fjalë të moçme: ‘Trimi i mirë me shokë shumë’. Avit moshatarë sa ma shumë që të mundesh. N’ ashtë se kjo fletore do të merret edhe me letërsi, mos harro autorët që regjimi komunist i ka përjashtue nga historia e letërsisë shqipe…”. Ishte ky, pra, amaneti i tij, një amanet që jam munduar ta mbaj e ta ruaj, me atë kapacitetin tim të vogël, duke e kujtuar Koliqin, sa herë që kam patur rast e mundësi, si njërin prej atyre “autorëve që regjimi komunist i ka përjashtue nga historia e letërsisë shqipe…”- Frank Shkreli: Amanetin e mban toka- gëzuar ditëlindjen Prof. Ernest Koliqi | Gazeta Telegraf –
Sot është mundësia dhe rasti që më jep Prishtina dhe Kosova për të kujtuar Ernest Koliqin – po e kujtoj me fjalët e pjesëmarrësve të nderuar dhe personaliteteve në inaugurimin e Bibliotekës që mban emrin e tij në Prishtinë. Shkrimtari i madh Ernest Koliqi, nismëtari i arsimit shqip në Kosovë dhe anë e mbanë trojeve shqiptare në fillim të 1940-ave, u kujtua në Prishtinë në ditën e lindjes së tij (20-maj, 1903), me inaugurimin e “Bibliotekës Ernest Koliqi”, në Qendrën “BogdaniPolis”, në Katedralen “Shën Nënë Tereza”, në Prishtinë.
Duke hapur ceremoninë e inaugurimit të “Bibliotekës Ernest Koliqi”, fjalën përshëndetëse dhe mirëseardhëse për të pranishmit e kumtoi Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, duke e cilësuar Bibliotekën Ernest Koliqi si, “një vend për të kujtuar të kaluarën dhe për të kultivuar të ardhmen tonë”. Inaugurimi i Biblotekës “Ernest Koliqi” Prishtinë – YouTube Të pranishëm ishin pjesëtarë të familjes së gjërë të Ernest Koliqit të ardhur nga Shkodra e Tirana, si dhe shumë personalitete të jetës së artit, shkencës e letërsisë, përfaqësues të klerit, por edhe personalitete të politikës. Një ndër personalitetet e larta ishte Kryetari i Bashkisë Prishtinë, Z. Përparim Rama, i cili e kujtoi Ernest Koliqin me këto fjalë: “Shkodrani Ernest Koliqi, shkrimtari i madh i letërsisë ishte siç e dini edhe Ministër i Arsimit në Tiranë që, në kohën e Luftës së dytë Botërore. Pruri mbi 200-mësimdhënës shqiptarë me hap shkollat shqipe anë e mbanë viseve të Kosovës. Përndjekja e tij dhe ndalimi i veprës së tij nga Shqipëria komuniste e për-rrjedhoi nga Kosova, që aso kohe thjesht irritonte shtetin amë nuk i kanë bërë aspak nder Kombit tonë. Prandaj përzgjedhja, pikërisht, e emrit të kolosit Ernest Koliqi për bibliotekën tuaj dhe inaugurimi i saj, pikërisht, në ditëlindjen e tij nderojnë jo veç këtë bibliotekë, as veç Ipeshkvinë, por gjithë kryeqytetin tonë dhe gjithë Kombin tonë shqiptar. Kur jemi te shkrimtarët -dikur të ndaluar- uroj që kjo bibliotekë të forcojë sa më shumë lidhjet me bibliotekën e Françeskanëve të Shkodrës të cilët me rënjen e komunizmit po i ribotojnë me përkushtim të madh veprat e kolosëve të ndaluar katolikë të letrave shqipe: që nga ajo e Shtjefën Gjeçovit, Gjergj Fishtës, Anton Harapit, Donald Kurtit, Vinçenc Prenushit, Bernardin Palaj e deri tek ajo e At Zef Pllumit. Të anatemuar padrejtësisht nga diktatura komuniste. Vepra e këtyre kolosëve është në fakt më e shëndosha e letërsisë kombëtare e për më shumë është një opus që bibliotekën e Ipeshkvisë e pasuron dhe e nderon. Bibliotekës i uroj fond gjithmonë e më të pasur librash, lexues gjithmonë e më të shumtë dhe me që ambienti i bibliotekës qenka jashtëzakonisht i këndshëm, uroj sa më shumë organizime eventesh kulturore e letrare të këtij ambienti…Urime për Bibliotekën e re “Ernest Koliqi”. Kryebashkiaku i Prishtinës falënderoi Ipeshkvinë e Kosovës për krijimin e kushteve për studentët dhe për gjithë kulturën në qytetin tonë që të shkojmë përpara ‘ kushte’, që ai i cilësoi si, “fenomenale, fantastike”, duke premtuar se edhe ai vetë, do kalojë shumë kohë në këtë bibliotekë.
Ndërsa, ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Z. Minxhozi, e cilësoi ceremoninë e inaugurimit të Bibliotekës “Ernest Koliqi:, si një ngjarje të jashtëzakonshme dhe shumë të veçantë. Duke pasë përballë këtë korife të madh të historisë dhe kulturës shqiptare, Ernest Koliqi, me veprën e tij tregoi dhe i tregon botës, pavarësisht sistemeve, pavarësisht represionit, arti dhe kultura që i shërbejnë popullit, nuk shuhet kurrë. Politika është momentale, ndërsa veprat e kolosëve tanë janë “të pavdekshme.” Ambasadori i Shqipërisë e cilësoi bibliotekën si shumë interesante dhe krejt të veçantë në llojin e vet. “Shumë, shumë e bukur, me një arkitekt fantastik që e ka bërë këtë”, por shtoi ai, “Ajo që e mbush më tepër, është vepra e të Madhit Ernest Koliqi”. Ambasadori i Shqipërisë në Prishtinë, duke falënderuar ata që kishin ardhur nga Shkodra dhe Tirana për të marrë pjesë në inaugurimin, tha se Ernest Koliqi, “ishte shkodran, mbetet shkodran, ishte shqiptar, mbetet shqiptar dhe shumë i madh.” Me shumë kënaqësi uroj që edhe brezat e rinj do të përcjellin veprën e tij të pavdekshme, përfundoi fjalën ambasadori i Shqipërisë në Republikën e Kosovës, Z. Qemal Minxhozi.
Ndërkaq, kumtesën kryesore e mbajti Prof. Xhavit Beqiri i Universitetit të Prishtinës, i cili tha se: “Ernest Koliqi është guri i këndit në themelin e shkollës shqipe në Kosovë. Në një mjedis të shkretë arsimor e kulturor, ai e hodhi i pari farën e sinapit, nga e cila mbiu dhe hodhi shtat trungu i të gjithë sistemit edukativ, arsimor e kulturor në këtë pjesë të etnisë. Përtej figurës: shkollën shqipe në Kosovë dhe në hapësirat e tjera shqiptare të ish-Jugosllavisë e krijuan gjatë viteve ’40 të shekullit XX, afërsisht 200 mësues normalistë, të cilët me misionin e shenjtë të përhapjes së shkronjës shqipe u ngarkuan nga vetë Ernest Koliqi, asokohe ministër i Arsimit. Për mua, Koliqi është profeti, ndërsa ata normalistë të zgjedhur prej tij, janë apostujt e shkollës shqipe në këto treva”,- u tha, ndër të tjera, të pranishëmve Prof. Xhavit Beqiri i Universitetit të Prishtinës. Prof. Beqiri theksoi se, “Poeti, publicisti e studiuesi Ernest Koliqi, përveç epitetit të themeluesit të shkollës shqipe në Kosovë, mori edhe epitetin e nismëtarit të prozës moderne shqipe”.
Me inagurimin e Bibliotekës “Ernest Koliqi, Kosova po ia lan një borxh të madh këtij burri të madh të Kombit shqiptar. Amanetin e tij 50-vjet më parë që, të– “mos harrohen autorët që regjimi komunist i ka përjashtue nga historia e letërsisë shqipe…” – Kosova e çoi në vend me inaugurimin e Bibliotekës me emrin e tij në Prishtinë, “në kujtim të së kaluarës dhe për kultivimin e të ardhmes” tonë, siç u shpreh Imzot Dodë Gjergji.
Duke mos dashur të jem kritik ndaj disave – sidomos në këtë ditë shumë të lumtur të inaugurimit të Bibliotekës Ernest Koliqi në Prishtinë – më duket se ka ardhur koha që Tirana zyrtare politike dhe akademiko-historike, të heqë dorë një herë e mirë nga denigrimi e përjashtimi nga historia shqiptare e burrave të Kombit siç është Ernest Koliqi, At Gjergj Fishta dhe shumë të tjerë. Mjaft është mjaft! Nga çfarë kini frikë? Merrni shembëll Kosovën. Fatbardhësisht, në rastin e Ernest Koliqit dhe të Gjergj Fishtës, sa më fort që të urrehen këto figura dhe të tjera si këto të Kombit, nga Tirana zyrtare dhe nga nostalgjikët e komunizimit sllavo-aziatik, madje edhe 30-vjet pas shembjes së Murit të Berlinit, aq më shumë ata adhurohen në Prishtinë, në Kosovë dhe anë e mbanë trojeve shqiptare.