ARKIVI:
27 Nëntor 2024

Çfarë duhet të ndodhë për të qenë të suksesshën individualisht dhe kombëtarisht?

Shkrime relevante

A po u mbesim borxh nismave për kthim në origjinën fetare të kombit

Nga: Ragim Kçiku ___ NISMAT PËR KTHIM NË ORIGJINË ___ A u kemi mbetur borxh...

Një trashëgimi e përbashkët dhe rruga e kombit Shqiptar përmes Heroit të Kombit, Profetit Gjergj Kastriotit – Skënderbeu

Nga: Luan  Dibrani Besimi Abrahamik është një trashëgimi e përbashkët për të...

Kryetari Konjufca priti në takim homologun e Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashin

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, i shoqëruar...

Presidentja Vjosa Osmani: Gjatë qëndrimit në Halifax, Kanada, takova shumë shqiptarë që janë rrëfime suksesi

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani gjatë qëndrimit në Halifax,...

Shpërndaj

Lirim Gashi, shkrimtar, Prishtinë
Është detyrë e çdo politikani, intelektuali, historiani, poeti, shkrimtari, dijetari, artisti, gazetari, shkencëtari, filozofi, sociologu, kleriku dhe psikologu shqiptar, që ka pikëpamje të avancuara në përputhje me vlerat e dëshmuara njerëzore, kombëtare dhe universale, të punojë pa u lodhur për rishqiptarizimin e shqiptarëve të kërcënuar nga shkombëtarizimi.
Sepse vetëm dashuria, respekti, edukimi dhe ushqimi i rrënjëve pellazge dhe ilire me një ushqim të shëndetshëm mendor e shpirtëror e forcon trungun, i stabilizon degët dhe i shumëfishon frytet e popullit dhe shtetit.
Mirëpo nëse nuk e respektojmë dhe e duam origjinën tonë ashtu siç është, atëherë nuk mund të presim respekt nga askush, ndaj do të konsiderohemi gjithmonë si një racë e ulët që vuan nga mentaliteti i robit, Sindroma e Stokholmit dhe kompleksi i aftësisë së kufizuar.
Një gjë duhet të dinë jo vetëm politikanët në pushtet dhe opozitë, por të gjithë shqiptarët pa dallim:
Pikërisht për shkak se sot vuajmë nga inferioriteti politik, diplomatik, ekonomik, arsimor, kulturor, shkencor dhe ushtarak, superfuqitë aktuale nuk na marrin seriozisht dhe nëse vazhdojmë si më parë, do të vazhdojnë të na konsiderojnë si partnerë joseriozë.
Por një trajtim i tillë do t’i shkojë vazhdimisht në favor politikës klerofashiste dhe hegjemoniste serbe, e cila gjithmonë na shkakton humbje të rënda në politikën e brendshme dhe parketin diplomatik, më shumë për shkak se jemi armiq të vetvetes sesa për shkak të fuqisë së saj të vërtetë.
Sepse nëse politika jonë do të kishte bërë punën e saj si duhet për të paktën dhjetë vjet rresht, Serbia, e cila ishte një luan pa dhëmbë shumë kohë pas tri luftërave të humbura, sot do të ishte e shtrirë në dysheme si një gjarpër i ngordhur.
Nuk është rastësi që Ivica Daçiq në një deklaratë të tre javëve më parë tha se gabimet kardinale të përfaqësuesve të Kosovës në negociatat e Brukselit e zgjatën agoninë e shtetësisë së Kosovës dhe e mbajtën Serbinë të fortë në lojë apo në garë për ndarjen e territorit të saj.
Nëse një deklaratë e tillë nuk merret dhe analizohet seriozisht nga pozita, e sidomos nga opozita, e cila bëri shumë gabime dhe mëkate me popullin dhe shtetin e saj për dy dekada rresht, atëherë nuk e di pse politikanët dhe diplomatët tanë meritojnë paga të financuara nga ne taksapaguesit?
Por unë personalisht nuk jam mjaftueshëm i kënaqur as me politikën e qeverisë aktuale, sepse do të doja që ajo të ishte shumë më e suksesshme, si dikush që me gjithë qenien dhe trupin e tij mbështeti ndryshimet që i lidhi me emra dhe mbiemra të caktuar, biografitë e të cilëve e bindën se nuk do të të devijonin për asnjë çmim nga rruga që çon drejt ndryshimit rrënjësor.
Fatkeqësisht, në vend të një shkëlqimi të frytshëm ekipor, ata zgjodhën një shkëlqim individual shterpë dhe kështu dëshmuan se nuk mësuan shumë nga gabimet e panumërta të paraardhësve të tyre.
Megjithatë, përpjekja e tyre e vazhdueshme për të shkëlqyer individualisht vetëm i mban masat e gjëra në gjum dhe parandalon rezultate konkrete përfundimtare, të cilat janë të mundshme vetëm me punë ekipore të guximshme, të koordinuar, të zgjuar dhe të suksesshme.
Sepse politika nuk jep rezultate të mëdha kur keqkuptohet si “arti i të së mundshmës individuale”, por vetëm kur mirëkuptohet si “arti i të së mundshmës ekipore”, ndaj shkëlqen më shumë në vendet ku nuk ka liderë që vlejnë më shumë se jetët e qytetarëve të thjeshtë.
Gjermania është shembulli më i mirë sepse, pasi ka mësuar nga e kaluara e saj mëkatare nazifashiste, ajo ka krijuar një sistem politik që nuk i lejon një lideri ose dy liderëve të vendosin për jetët dhe vdekjet e qytetarëve të zakonshëm.
Anasjelltas, Rusia është dëshmi se çfarë ndodh me kombin dhe shtetin e madh, i cili sakrifikon jetën e qytetarëve të thjeshtë për një lider të çmendur.
Për fat të mirë, politikanët ballkanikë nuk udhëheqin kombe të mëdha dhe shtete të fuqishme, sepse ata kanë aq shumë prirje të hipnotizojnë masat me shkëlqim individual të rremë, saqë do të bëheshin shumë më të rrezikshëm se Putini, jo vetëm për qytetarët e tyre, por për mbarë njerëzimin.
Autizmi në politikë nuk lë vend për të mësuar nga gabimet, e lëre më për pendim të sinqertë.
Kjo e metë e rëndë në përgjithësi çon në zhvillimin e një talenti të keq për të justifikuar çdo gabim, respektivisht për të shmangur çdo përgjegjësi.
Megjithatë, jo çdo gabim apo mëkat është një tradhti, e lëre më një gabim i paqëllimshëm.
Shpesh, kur mungesa e njohurive politike, filozofike, shkencore, letrare dhe gjuhësore kombinohet me mungesën e përvojës politike, ndodhin keqkuptime dhe keqinterpretime të parashikimit dhe planifikimit.
Por kushdo që dikur ka bërë një gabim në analizë, parashikim dhe planifikim, meriton një shans të dytë, sepse askush nuk është i përsosur.
Megjithatë, njerëzit që i rezistojnë këshillave të mira për shkak të paranojës ose krenarisë së rreme janë të dëmshëm edhe për politikën lokale, e lëre më për atë shtetërore.
Fatkeqësisht, mungesa e fleksibilitetit politik në vendin tonë shpesh keqkuptohet dhe keqinterpretohet si korrektësi e individit, sepse gabimisht lidhet me nënshtrimin ndaj kritereve dhe parimeve etike dhe morale.
Por parimet etike dhe morale janë të natyrës statike.
Ndërsa politika e brendshme dhe ajo ndërkombëtare jo vetëm që nuk janë statike, por as parimore në kuptimin etik dhe moral.
Përkundrazi, vetë fakti që politika është arti i së mundshmes dëshmon se ajo është nga natyra fleksibile, dinamike, pragmatike dhe kalkuluese.
Prandaj, politikan i shkathët mund të jetë vetëm një individ që zotëron natyrshëm pragmatizmin racional.
Sepse pragmatizmi racional krijon hapësirë ​​të mjaftueshme për manovra fleksibile dhe efikase, pa pasur nevojë të braktisën plotësisht binaret e parimeve dhe kritereve etike dhe morale dhe të ndryshojë negativisht karakteri i individit.
Fatkeqësisht, një politikan të tillë nuk e kemi parë ende në skenën politike shqiptare.
Ndryshe do ta meritonte epitetin e një burri të madh apo një gruaje të madhe shteti.

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu