Lirim Gashi, shkrimtar, Prishtinë
Një Qeveri që vjen në pushtet me 51% të votave nuk duhet të mbijetojë por të shkëlqejë.
Sepse nëse nuk shkëlqen me 51% të përkrahjes së fituar në një sistem zgjedhor i cili e bën pothuajse të pamundur fitoren absolute, atëherë gëzimi i paparë i qytetarëve për ndëshkimin e klasës politike, e cila dy dekada rresht i ka detyruar të punësohen mijëra kilometra larg shtëpive të tyre për një kafshatë të bukës, mund të shndërrohet fillimisht në zhgënjim, e më pas në zemërim dhe mllef të paparë.
Pse?
Sepse në një sistem zgjedhor të predestinuar për ta pamundësuar fitoren absolute, është e pamundur të përsëritet rezultati i tillë, pa arritje konkrete që e lehtësojnë jetën e qytetarëve dhe forcojnë shtetin.
Nëse kjo Qeveri nuk e ka kuptuar që një fitore e tillë është një rulet rus apo një thikë me dy teha, atëherë do ta ketë vështirë ta mbajë lartë entuziazmin e votuesve (popullit) me fjalë të bukura që i bartë era, sepse shumë shpejtë kalojnë tri pranvera.
Nga ana tjetër nuk prodhon arritje konkrete propaganda për vota në një kohë kur probleme shumë të rënda ka Kosova dhe bota.
Në vendet dhe shoqëritë normale nga pushtetet plebishitare priten rezultate konkrete së paku një herë në javë, përndryshe tri pranverat u zvogëlohen në dy ose në një, ndaj ndodh (si në Slloveni) që të vijnë në pushtet parti plotësisht të panjohura hëpërhë.
Mirëpo ne jetojmë në një vend dhe shoqëri aq shumë të dëshpëruar nga opozita, saqë pushteti e ka luksin të lëvizë si breshka dhe të mos ketë frikë nga kritika.
Mirëpo pikërisht ky është fataliteti që e dallon Kosovën nga Evropa dhe Amerika.
Prandaj kushdo që çuditet pse jemi në fund të tabelës evropiane në çdo aspekt, le ta prekë së pari hundën e vetë.
Shumë herë kam dhënë parashikime larg më të sakta sesa të gjitha institutet e hulumtimit të mendimit dhe veprimit publik së bashku.
Jo pse jam Nostradamus, por sepse hulumtimin, analizën dhe kritikën vazhdimisht e kam nisur nga burimet e problemeve dhe jo nga pasojat anësore të cilat i ndiejmë në lëkurë fare pa i analizuar dhe hulumtuar.
Mirëpo parashikimet e mia janë tretur në xhunglën e mediave të cilave gënjeshtrat, intrigat, mashtrimet dhe manipulimet u shkojnë mirë për dore.
E u shkojnë mirë për dore, sepse kanë gjetur për mbjelljen e farës se keqe tokë të mjaftueshme pjellore.
Pyes veten :
Çfarë duhet të ndodh në këtë vend që prindërit ta kuptojnë se po ua shkatërrojnë ardhmërinë fëmijëve të tyre, ngaqë nuk po e kuptojnë se :
1. Me besim dhe mosbesim të verbër nuk ka votë inteligjente.
2. Që obligimi qytetar nuk përfundon me futjen e votës në kutinë e votimit, por vazhdon me monitorimin e punës së politikanëve që ua japin votën.
3. Që kritika e argumentuar mirë është trysnia që e bën të frytshme punën e pushtetit.
4. Që kuptimi i demokracisë është rotacioni i rregullt i pushtetit dhe opozitës parlamentare dhe jashtë-parlamentare.
5. Që politika mund të jetë e frytshme vetëm kur nuk keqkuptohet si “Art i të së mundshmës individuale”, por kur mirëkuptohet si “Art i të së mundshmës ekipore”.
6. Që në Qeveri nuk duhet të futen amatorët më të besueshëm por profesionistët me të mirë.
7. Që autokritika i parandalon gabimet fatale dhe i mundëson rezultatet optimale.
8. Që nuk mjafton vetëm qeverisja pa skandale, sepse pa skandale jetojnë edhe breshkat nëpër fusha dhe male, por prej tyre populli dhe shteti kanë dobi, sa fshati Mamushë nga Migja Burdush në pleqëri.
Ky talenti ynë i përsosur për të justifikuar vazhdimisht emocionalisht çdo dobësi të qeverisë sonë, është në të njëjtën kohë mungesë vullneti për të kuptuar përmes kyçjes se trurit, se si mund të dalim nga rrethi vicioz i djallit.
Këta uzurpatorë të organeve shtetërore dhe grabitës të pronës publike dhe gjithçkaje tjetër, nuk u bënë këta që janë me metoda paqësore.
Prandaj nuk mund të binden me fjalë të mira dhe lutje të buta që t’i nxjerrin kthetrat e tyre nga institucionet shtetërore .
Pra, Qeveria ose duhet t’i përdorë rreptësisht të gjitha mundësitë ligjore dhe legjitime që i ka në dispozicion për të çliruar organet vitale shtetërore nga kthetrat e kriminelëve, ose duhet t’i çlirojë ato në bashkëpunim me amerikanët dhe deri diku evropianët, të cilët dorën në zemër, u ndihmuan shumë kriminelëve vendorë në pushtet që t’i kapin institucionet shtetërore.
Pra Albini duhet të kërkojë ndihmë të drejtpërdrejtë nga amerikanët për ta çliruar shtetin nga kthetrat e kriminelëve vendorë, nëse e kupton me kohë se nuk mund ta bëjë i vetëm, edhe pse ka ardhur në pushtet me një fitore plebishitare.
Pra, ai duhet t’u thotë amerikanëve, se nëse e keni seriozisht atë që kërkoni vazhdimisht prej nesh që ta krijojmë shtetin e vërtetë ligjor, atëherë ju lutemi na ndihmoni ta çlirojmë të njëjtin nga kthetrat e kriminelëve dhe kolaboracionistëve.
Ndryshe, nëse merr përgjigje negative, duhet ta pranojë haptazi para opinionit të gjërë se i mungojnë jo vetëm kapacitetet logjistike, institucionale dhe kadrovike, por edhe mbështetja e nevojshme ndërkombëtare për ç’kapjen sa më të shpejtë të shtetit nga kthetrat e mafias dhe BIA-s.
Mirëpo të shkosh në SHBA me shpresën se do të shkëlqesh individualisht dhe do ta bindësh dikë që të bëjë diçka të bukur dhe të dobishme për Kosovën dhe qytetarët e saj, është përveçse një shpresë utopike dhe idilike edhe një amatorizem eksperimental.
Për sa i përket autizmit politik, duket qartë se prej tij nuk vuan vetëm Albini, por edhe shumë këshilltarë dhe fansa të tij.