Foto: RTKlive

Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Mehmet Kraja, në një intervistë për Radio Kosovën, thotë se Shqipëria nuk duhet të përkrahë Serbinë në projektin “ Ballkani i Hapur” në dëm të Kosovës. Ai thotë se bashkësia ndërkombëtare, veçmas Brukseli, ka përkrahur Serbinë në dëm të Kosovës, për sa i përket dialogut ndërmjet dy vendeve. Kraja tha se ASHAK-ut nuk iu kërkua asnjëherë mendim për këtë proces.

Radio Kosova: Zotëri Kraja, nga koha kur ju jeni kryetar i Akademisë së Shkencave dhe e Arteve të Kosovës, çfarë ka ndryshuar dhe nëse do të bënit një bilanc për punën e saj brenda kësaj periudhe, çfarë do të veçonit?

Mehmet Kraja: Institucionet siç është akademia nuk ndryshojnë shpejt, dhe në natyrën e tyre është që lëvizjet të bëhen më të ngadalshme dhe më të matura. Në këtë sens mendoj që akademia duhet të ndryshojë aq shpejt dhe nuk mendoj që do të ndryshojë. Megjithatë atë që jam përpjekur të bëj gjatë kësaj periudhe, sa jam kryetar, është që akademia ta intensifikojë programin e punës dhe akademinë ta hapë ndaj një audience më të madhe.

Radio Kosova: Ka një stigmatizim nga qarqe të ndryshme qoftë intelektuale, qoftë nga shtresat e tjera shoqërore, përfshirë dhe politikanët, që kritikojnë ASHAK. Si do të përgjigjeshit ju ndaj këtyre kritikave?

Mehmet Kraja: Kritikat e politikanëve nuk i marr parasysh, sepse qëllimi i tyre është që ta përdorin këtë institucion për interesat e tyre dhe prandaj ato nuk i marr fare as si serioze. Për sa i përket opinionit të përgjithshëm dhe qarqeve intelektuale, të them vetëm një gjë, qarqet intelektuale, pjesa më e madhe e tyre e synojnë akademinë, veçmas ajo pjesë që merret me qarqet universitare. Pastaj mos pranimi në akademi shkakton nervoz, refuzim dhe kritika. Kurse në opinion ekziston një mendim, që për mua është i gabuar për akademinë, sepse është krijuar modeli i akademisë serbe në mendjen e njerëzve, e cila do të marrë vendime të mëdha për kombin. Akademitë nuk kanë mandate të tilla dhe sa herë që përzihen në punë të tilla, e çojnë vendin në drejtim të gabuara.

Radio Kosova: Zakonisht kritikat drejtohen kur bëhen krahasime me Akademinë e Serbisë, e cila ka mbështetur nacionalizmin serb.  Zakonisht thuhet se Akademia jonë ka mundur të bëjë më shumë, të përfshihet më shumë në zhvillimet në vend?

Mehmet Kraja: Zakonisht nuk ka asnjë paraqitje publike të akademisë serbe të cilave nuk i është kundërvënë akademia kosovare. Mirëpo, problem qëndron që çdo paraqitje në formën e reagimit nuk e ka vlerën e asaj që thuhet fillimisht. Ne nuk mundemi, e as që e kemi komoditetin e tillë që të tërhiqemi nga Akademia e Serbisë. Ne kemi punën tonë  dhe nuk mendoj që duhet të merremi çdo ditë me akademinë serbe. Ajo është e vërtetë që është prijëse e madhe e nacionalizmit serb dhe në anën tjetër i ka shkaktuar tragjedi të mëdha popullit serb. Ne nuk kemi mandate, por as që duam të marrim model akademinë serbe. Në anën tjetër ne nuk kemi nevojë që ta amortizojmë aktivitetin e akademisë, në kundërvënie të akademisë serbe.

Radio Kosova: Ka vite që Kosova është në dialog me Serbinë. A ka kërkuar ndonjë prej udhëheqësve të shtetit të Kosovës ndonjëherë ndihmë, apo këshillat e Akademisë së Kosovës për temën e dialogut? A ka dhënë ASHAK një qëndrim të artikuluar për dialogun me Serbinë?

Mehmet Kraja: Shumë e qartëmë duhet ta them prerazi se nuk është kërkuar asnjëherë mendimi i akademisë për këtë dialog. Por ka një gjë, ne nuk mund të jemi indiferentë në këtë proces dhe ne kemi marrë dokumentet e miratuara nga dy palët e përfshira në bisedimet e Brukselit dhe i kemi botuar ato. Kemi bërë një analizë të tyre dhe i kemi prezantuar publikisht. Ka qenë i pranishëm edhe ish kryeministri Avdullah Hoti,  dhe po, nga Hoti kemi kërkuar që të bëhen grupet e ekspertëve për fusha të caktuara ku do të përfshihej akademia.

Radio Kosova: Atëherë z. Kraja, cili është qëndrimi zyrtar i ASHAK-ut rreth dialogut Kosovë-Serbi?

Mehmet Kraja: Akademia nuk merr qëndrime zyrtare, por shprehet në momente të caktuara. Ne jemi shprehur që dialogu është i domosdoshëm, mirëpo po ashtu jemi shprehur se bashkësia ndërkombëtare me pa të drejtë është rreshtuar gjatë tërë kohës, veçmas Brukseli, në anën e Serbisë. Prandaj, ne nuk mund ta mohojmë dhe anashkalojmë këtë fakt. Kosova ka qenë palë e dëmtuar jo vetëm gjatë luftës, por edhe gjatë dialogut, sepse Serbisë i është lejuar që të mbajë qëndrim rreth rezolutës 1244, që të mos lëshojë pe nën vendimet e asaj rezolute, në një kohë që Kosovës i është kërkuar vazhdimisht të bëjë kompromise. Kompromiset e Kosovës kanë qenë të dhimbshme sepse përveç që është palë e dëmtuar gjatë luftës, ajo po del e dëmtuar edhe nga këto bisedime. Ky është qëndrimi i akademisë.

Radio Kosova: Cili është sot bashkëpunimi me Akademinë e Shqipërisë?  Në kuadër të ithtarëve të bashkimit kombëtar ka ide për unifikim, bilës edhe vetë kryeministri i Shqipërisë njëherë para parlamentit të Kosovës, gjatë një fjalimi ka folur për një president të përbashkët. A ka ide për bashkimin e dy akademive në një akademi të vetme?

Mehmet Kraja: Ne kemi një bashkëpunim shumë të mirë me Akademinë e Shqipërisë. Kemi nënshkruar protokollet e bashkëpunimit çdo dy vjet dhe kemi programe të përbashkëta. Aty përfshihen projektet dhe botimet e përbashkëta si dhe promovimet e përbashkëta. Tani sikur po të ndiqej ky model  edhe në nivelet e tjera, do të ishte shumë mirë.  Unë mendoj që pika ku kemi ngecur shumë janë programet kulturore dhe arsimore. Ato do të duhej të avanconin. Ndërkohë në pikëpamje politike gjërat kanë shkuar keq. Patriotizmi i shprehur qoftë nga ne, qoftë nga pala e Shqipërisë, nuk shërben për asgjë tjetër vetëm për të mbuluar defektet. Nuk mund të diskutojmë sot në stilin që duhet të bëjmë një president ose duhet të bashkohemi, e në anën tjetër bëhesh zëdhënës i Serbisë për çështjen e “Ballkanit të Hapur.” Në këtë pikë udhëheqja e Shqipërisë duhet të jetë më konsistente, më e qartë në punët e veta. Unë mendoj që ende është koha për dy shtete sovrane, të cilat e respektojnë njëra-tjetrën, zhvillojnë bashkëpunim në të gjitha fushat, atë ekonomik, politike e kulturore, sepse kemi të njëjtat interesa dhe të njëjtin identitet. Por përkundër kësaj po ndodh ajo që Shqipëria shpesh po shkon një hap më tej se vetë Serbia në këto punët rreth “Ballkanit të Hapur.” Të mos harrojmë se në Davos të Zvicrës vetë presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, e tha se e kemi mbështetjen e Shqipërisë më shumë se të çdo vendi tjetër. Nuk ka asgjë të keqe në mbështetjen që një shtet ia bënë shtetit tjetër, por kjo mbështetje nuk mund të kalojë në kurriz të Kosovës.

Radio Kosova: Si e komentoni idenë për bashkimin ndërmjet Kosovës edhe Shqipërisë në një shtet?

Mehmet Kraja: Është një projeksion krejt normal për një popull, mund të bashkohen, por njëherë për njëherë, edhe për shkak të rrethanave ndërkombëtare, por edhe rrethanave të brendshme, dy shtetet ende  kanë shumë gjëra të paqarta për njëra tjetrën. Duhet t’i kalojmë dallimet, duhet t’i kalojnë anomozitetet dhe vetëm pastaj duhet të vendosim, në mënyrë shumë demokratikë që mund të bëhet bashkimi eventual, por edhe kështu siç janë Kosova dhe Shqipëria, mund të funksionojnë shumë mirë.

Radio Kosova: Ju jeni akademik, por së pari jeni shkrimtar. Cili është raporti sot i politikës dhe  pushtetit me shkrimtarin dhe me intelektualin  përgjithësisht?

Mehmet Kraja: E drejta do të ishte që shkrimtarët veçmas, por edhe intelektualët në tërësi, veçmas intelektualët krijues, sepse definicioni  i intelektualit është mjaft i paqartë, të mos përfshiheshin në jetën politike ose të mos bëhen liderë politikë. Sa herë që shkrimtarët ose intelektualët e fushave të tjera bëhen liderë politikë, shkaktojnë problem ose shpesh janë të paqëndrueshëm, bëhen liderë karizmatikë, por jo pragmatikë, jo teknokratë. Në rrethanat tona unë mendoj që për sa i përket intelektualëve krijues nuk shoh që i kanë sjell ndonjë gjë të vlefshme politikës, përkundrazi e kanë dëmtuar punën e tyre intelektuale. Kjo për shkak se partitë politike në rrethanat tona nuk janë shumë të qëndrueshme dhe nuk janë shumë të profilizuara. Janë parti të cilat në shumicën e rasteve ndjekin interesa të ulëta dhe në të cilat kur futen krijuesit, e devalvojnë veten dhe asgjë të mirë nuk i sjellin vendit.

Radio Kosova: Z. Kraja, duket që në Kosovë kemi parti që lidhen shumë më logjikën fisnore ose me klane interesi?

Mehmet Kraja: Janë instrumente që realizojnë interesa, qoftë familja, qoftë grupi apo fisi. Janë rrethe, qarqe, të cilat instrumentalizohen dhe përmes të cilave realizohen interesa të caktuara të grupeve politike. Kosova është shumë e vogël që të mundë të durojë një shumësi kaq të madhe interesash të grupacioneve. Ajo që mendoj tani që Kosovës i mungon është një idealizëm më i madh, një unitet më i madh për qëllime të përbashkëta dhe një mënjanim i asaj që është personale. Pra, Kosova ka nevojë më shumë për një idealizëm dhe që ta duan më shumë njerëzit.

Radio Kosova:  U bënë më shumë se 20 vjet nga përfundimi i luftës, a nuk ju duket se po kalojmë nëpër një fazë tepër të gjatë tranzicioni? Duket sikur kemi ngelur te rrethi vicioz.

Mehmet Kraja: Të gjitha shtetet lindore, ish komuniste vazhdojnë tranzicionin me pak ndryshime, madje edhe ato që duket se janë afruar, apo edhe janë pjesë e Bashkimit Evropian. Kjo për shkak se mentalitetet e vjetra nuk tërhiqen aq lehtë dhe e dyta, për shkak se shtresimet shoqërore, mentalitetet e vjetra nuk ua lënë lehtë vendin pikëpamjeve më të avancuara. Në shumicën e vendeve, shtetet e Lindjes kanë po këto probleme, natyrisht disa e kanë tranzicionin më të lehtë dhe më të suksesshëm, por disa janë po kaq keq sa edhe Kosova. Është rasti i Shqipërisë. Nuk mendoj që diçka më e mirë ndodh në Shqipëri sesa në Kosovë, ndonëse Shqipëria është shtet qe 110 vjet dhe tranzicionin e ka filluar 10 vjet parash nesh.

Radio Kosova:  Një temë aktuale viteve të fundit  në Kosovë duket se është islami politik. Ka edhe intelektualë me emër që po flasin për gjoja islamofobi në Kosovë, derisa një pjesë tjetër po flet për tendenca shkombtarizuse dhe topitje të identiteti kombëtar duke vënë në rend të parë identitetin fetar?

Mehmet Kraja: Jo nuk ka islamofobi në Kosovë. Unë mendoj që ka tolerancë të mjaftueshme fetare dhe për pikëpamjet ndoshta pak më të avancuara fetare, siç janë ato vehabiste. Megjithatë unë mendoj se Kosova ka nevojë për një qartësi më të madhe për sa i përket çështjeve të religjionit. Qartësia më e madhe është që feja është ajo që është, besimi është ai që është. Në punë të besimit nuk mund t’i ndërhyjmë askujt. Besimi është shumë personal. Instrumentalizimi i fesë për qëllime politike është gabimi më i madh të cilën ne shpesh nuk dimë ta bëjmë apo ta diferencojmë, ndonjëherë pa ndonjë qëllim, por shumicën e rasteve me prapavijë. Fundamentalizmi islamik në Kosovë është i pranishëm, unë mendoj që nuk kërcënon askënd aq shumë aktualisht. Ka pasur periudha kur ka qenë më i ashpër, më i theksuar, siç ishte koha e shkuarjes së njerëzve në radhët e ISIS-it. Tani mendoj që është një situatë më e qetë, por ka një gjë që mendoj unë,  se emancipimi i përgjithshëm shoqëror, avancimi në të drejtat dhe në çështjet ekonomike, avancimi në jetën sociale e kulturore, arsimimi i mirë, të gjitha këto besoj që mund të çojnë në drejtimin e duhur dhe nuk lënë hapësirë për manipulime të natyrës se religjionit fundamentalist.

Radio Kosova: Z. Kraja, a mund të flitet për dominim të identitetit fetar mbi atë kombëtar në Kosovë?

Mehmet Kraja: Ka një ngatërresë të herëpashershme ndërmjet identitetit fetar dhe atij kombëtar. Mendoj që pjesa dërmuese e shqiptarëve i kanë të qarta këto gjëra. Janë disa rrymime fetare të periudhës pas vitit 2000. Para vitit 2000 Kosova ka qenë një vend ku islami tradicional nuk i  ka njohur  rrymat radikale, madje as në vitet 90-ta kur ka pasur mungesë pushteti, mungesë institucionesh. Pas të 2000-tave, gjërat filluan të ndryshojnë, kryesisht nën ndikimin e trendëve në botë, por edhe nën ndryshimin e asaj pjesë të bashkësisë ndërkombëtare që u instalua në Kosovë, por edhe të fondacioneve të ndryshme. Të gjitha këto pas të 2000-tave  bënë që Kosova të ndryshojë në disa pika strukturën e vet mentale për sa i përket religjionit. Tani më nuk ka enigmë në këtë punë, ne të gjithë e dimë. Është keqpërdor feja, janë keqpërdor fondet dhe fondacionet. Janë përdor për të tërhequr njerëz në drejtimin e gabuar. Nuk është çështje e diskutimit ajo rreth identitetit, sepse ku e di unë, cili është identiteti më i qëndrueshëm ai fetar, apo kombëtar, apo cili është i pari, apo cili është i dyti. Problemi është më shumë tek utilitarizmi. Ka edhe raste kur identiteti kombëtare duket i pamjaftueshëm dhe kërkohet një identitet tjetër. Ose kur ideali kombëtar nuk funksionon dhe atëherë kërkohet një ideal përtej tij. Mendoj që Kosova ka një stabilitet për sa i përket anës religjioze. Ndonjëherë shfaqen fenomene që janë të natyrshme, por mendoj që deri tani situatën e religjionit dhe atë të fundamentalizmit, Kosova e ka menaxhuar mirë.

Radio Kosova: Se fundi në Kosovë ka pasur zëra, fatmirësisht të vetmuar, që kanë bërë dallime ndërmjet shqiptarëve mbi baza të prejardhjes gjeografike. Njëri prej tyre, ka shkuar aq larg sa ka theksuar se institucionet politike dhe kulturore në Kosovë janë uzurpuar nga shqiptarët e Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Luginës së Preshevës. A keni një koment për të tillët?

Mehmet Kraja: E keni fjalën për këta “emigrantët,” kjo është qesharake. Megjithatë ekzistojnë budallaqe të tilla, sepse brenda një kombi asnjëherë nuk bëhen kufizime të kësaj natyre. Lokalizmat janë mbeturina primitive të mentalitetit fisnor. Në një shoqëri bashkëkohore nuk mund të ketë marrëdhënie të tilla të cilat i kufizojnë të drejtat, liritë, mundësitë, prosperitetin e një individi, i cili mund të jetë i pranishëm në jetën qytetare të një vendi, vetëm pse një person mund të jetë i këtij vendi apo i asaj krahine. Nëse më pyetni se çfarë ka qenë Kosova së paku  në 50 vitet e fundit, mund t’ju them se ka qenë faktor integrues i shqiptarëve  në ish-Jugosllavi, pavarësisht a kanë ardhur nga Mali i Zi, Maqedonia e Veriut apo Lugina e Preshevës. Pra, Kosova ka qenë një faktor integrues dhe emancipues. Këtë rol e ka edhe aktualisht, pavarësisht se tash kufijtë janë bërë kufij shtetërorë, e atëherë kemi pasur kufij administrativë. Pra, Kosova duhet të luajë rolin e një integruesi të shqiptarëve që jetojnë jashtë Shqipërisë. Unë mendoj se Kosova vazhdon ta ketë këtë rol, por ndonjëherë paraqiten ide, të ashtuquajtura shtetërore, të cilat e anashkalojnë idenë kombëtare dhe mendojnë se politika e Kosovës tash duhet të jetë shtetërore. Pra, të mos merret më me idealizma kombëtare, por të vendosë kufizime për njerëzit të cilët  janë gjeografikisht jashtë kësaj. Në shumicën e rasteve mendoj se këto janë periferike dhe nuk paraqesin ndonjë problem për shoqërinë kosovare.

Radio Kosova: Cili është mendimi juaj lidhur me standardin dhe nivelin e arsimit në Kosovë, duke filluar nga ai bazik e deri te niveli i lartë akademik. Nëse Kosova krahasohet me vendet e tjera, del se shumë pak buxhet jepet për hulumtime shkencore?

Mehmet Kraja: Nuk mund të kërkohet më shumë se që bëhet. Për punët shkencore janë të ngarkuar të gjitha institucionet e arsimit të lartë. Unë nuk mendoj që duhet të bëhet një ndarje këtu se sa duhet të ketë buxhet për arsim dhe sa duhet të jetë për hulumtime shkencore. Në arsimin e lartë janë të përfshira edhe hulumtimet shkencore. Tani a i afrohemi BE-së, se sa ndahen për projekte shkencore, normalisht që ne nuk mund të jemi të kënaqur, megjithatë një punë shkencore bëhet, unë nuk e shoh si problem këtë. Unë më shumë e shoh si problem arsimimin, sepse këtu gjërat janë të lidhura, sepse pa një arsimim cilësor nuk mund të kesh as kuadër cilësor për hulumtime cilësore nga shkenca. Arsimi është Alfa dhe Omega e secilës shoqëri dhe institucion që synon të bëjë hulumtime shkencore. Tani për sa i përket arsimimit nuk jemi mirë si shoqëri. Ne si akademi kemi bë një platformë për arsimin para një ose dy viteve. Këtë e ka marrë Ministria e Arsimit dhe  nuk e di se çka janë duke bërë rreth kësaj platforme, por në përgjithësi punët në arsim te ne kanë ngecur keq. Nuk është problemi te Ministria, ASHAK-u apo te cilido institucion veçmas, por problemi është te ne si shoqëri. Nëse nuk krijojmë një vetëdije shoqërore se ne duhet ta ndryshojmë arsimin, duhet të ndryshojmë shkollën  e universitetin, pra të ndryshojmë të gjitha instancat arsimore, dhe pa një vetëdije të tillë shoqërore vështirë se ne do të mundë ta tejkalojmë gjendjen që e kemi.