ARKIVI:
19 Nëntor 2024

Kryetari Glauk Konjufca: Problemet rajonale përmirësohen duke avancuar në procesin e anëtarësimit në BE

Shkrime relevante

Shpërndaj

Prishtinë, më 02. 06. 2022

Me ftesë  të Kryetarit të Parlamentit të Greqisë (Helen), Konstantin Tassoulas, kryesues i Asamblesë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (AP e SEECP-së), kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, i cili njëherësh është edhe Kryesues i Delegacionit të Kuvendit në këtë Asamble, Glauk Konjufca, mori pjesë sot në Sesionin e nëntë Plenar të Asamblesë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (AP e SEECP/PBEJL-së), mbajtur ne Parlamentin e Greqisë, në Athinë.

Kryetari i Parlamentit grek, njëherësh edhe Kryetar i Asamblesë Parlamentare të SEECP-së, Konstantin Tassoulas, e hapi seancën, ndërsa në pjesën hyrëse të pranishmëve iu drejtuan Sekretari i Përgjithshëm për Çështjet Ekonomike Ndërkombëtare të Ministrisë së Punëve të Jashtme Greke, Ioannis Smirlis, dhe Analisti i Lartë i Politikave Ekonomike në RCC dhe koordinator i Strategjisë për Evropën Juglindore 2030, Arslan Umut Ergezer.

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, në kuadër të diskutimit në seancës  plenare, u adresua edhe me një fjalim me temë diskutimi mbi: “Objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm për mjedisin. Ndikimi i krizës në Evropën Juglindore: a) siguria e furnizimit me energji dhe b) zinxhiri  agroushqimor”.

Duke theksuar rëndësinë vendimtare të kësaj teme për të gjithë rajonin, kryetari Konjufca u bëri thirrje të gjithë pjesëmarrësve të SEECP-së që të tregojnë solidaritet dhe bashkëpunim në mënyrë që të punojnë së bashku për të kapërcyer sfidat e ardhshme.

Në veçanti, kryetari Konjufca theksoi domosdoshmërinë e avancimit të bashkëpunimit në mes vendeve pjesëmarrëse të SEECP-së në nivel bilateral dhe multilateral, në kontekst të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës dhe integrimit të plotë të rajonit në Bashkimin Evropian, si dhe zhvillimeve aktuale ndërkombëtare politike dhe të sigurisë.

Kryetari Konjufca gjithashtu theksoi rëndësinë e përmbylljes së këtij procesi si parakusht për një stabilitet afatgjatë politik e ekonomik të rajonit dhe më gjerë.

Duke e dënuar invazionin e Rusisë mbi Ukrainën, kryetari Konjufca theksoi se “duhet t’u qëndrojmë besnikë vlerave evropiane dhe vetëm me një partneritet të palëkundur me NATO-n dhe SHBA-në, mund ta mbrojmë rajonin tonë nga kërcënimet serioze destabilizuese që mund të çojnë në ndryshime thelbësore në rajon dhe në rendin ndërkombëtar”.

Tutje ai tha se “problemet rajonale mund të përmirësohen duke avancuar në procesin e anëtarësimit në BE dhe bashkëpunimin rajonal ndërmjet vendeve tona. Mbështetja e të gjitha vendeve, paraprirë nga njohja e Kosovës, duhet parë si një investim strategjik për të ardhmen, si një hap i domosdoshëm për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit por edhe për zhvillimin tonë të përbashkët.”

Kryetari Konjufca përmbylli fjalimin e tij duke i ftuar përfaqësuesit e shteteve anëtare të SEECP-së dhe qeveritë e tyre që të përkrahin Kosovën në procesin e liberalizimit të vizave, anëtarësimin në Këshillin e Evropës, statusin e kandidatit në BE, anëtarësimin në NATO dhe anëtarësimin në mekanizma të tjerë ndërkombëtarë.

Sesioni Plenar u parapri nga takimet e komisioneve të përgjithshme dhe Komisionit të përhershëm qendror, të cilat u mbajtën dje në Parlamentin e Greqisë.

Gjatë takimeve të punës, delegacioni i Kuvendit të Kosovës u përfaqësua nga deputetët Fitore Pacolli Dalipi, Mefail Bajçinovci (anëtarë) dhe deputetët Jeta Statovci e Ardian Gola (zëvendësanëtarë).

Dje në takimet e Komisioneve punuese, u vendos që Kosova të udhëheq me dy komisione të Asamblesë, të cilat do të mbahen në Prishtinë vitin e ardhshëm – Komisionin e Përgjithshëm për Zhvillim Social, Arsim, Kërkime Shkencore dhe Shkencë, si dhe Komisionin e Përgjithshëm për Drejtësi, Punë të Brendshme dhe Bashkëpunim për Sigurinë.

Sesioni i nëntë i Asamblesë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore përfundoi me miratimin e Deklaratës Përfundimtare, e cila angazhoi pjesëmarrësit që të punojnë së bashku për të forcuar mekanizmat dhe institucionet rajonale për t’iu përgjigjur krizës mjedisore në rritje brenda ekonomive të qëndrueshme. Gjithashtu, pjesëmarrësit e SEECP-së dënuan pushtimin e paprovokuar të Ukrainës nga Rusia dhe shprehën solidaritetin me popullin dhe qeverinë e Ukrainës.

Fjala e plotë e kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, në Sesionin e 9-të Plenar të Asamblesë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (AP e SEECP/PBELJ-së):

– I nderuar President i Asamblesë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore, z. Constantine An. Tassula,
– E nderuar kryetare e Parlamentit të Malit të Zi, zonja Danijela Gjuroviq,
– I nderuar kryetar i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, z. Talat Xhaferi,
– Të nderuar kolegë, kryetarë të delegacioneve,
– Të nderuar anëtarë të delegacioneve pjesëmarrëse,
– Të nderuar përfaqësues të organizatave ndërkombëtare,
– I nderuar Koordinator Kombëtar,
– Të nderuar të ftuar,

Është kënaqësi absolute të jem këtu sot, të takohem me të gjithë ju dhe të kemi mundësi të shkëmbejmë pikëpamjet dhe njohuritë tona në një kohë kaq të vështirë. Të vizitosh Athinën është gjithmonë një kënaqësi. Shumë ide intelektuale dhe artistike kanë lindur në këtë vend, që konsiderohet të jetë vendlindja e qytetërimit perëndimor.

Para se të flas për temën, më lejoni të komplimentoj nikoqirin tonë. Z.Tassoulas dhe stafin e Parlamentit Helen: JU FALEMINDERIT për punën e palodhur gjatë Kryesimit të Asamblesë Parlamentare të PBEJL-së dhe për gjithë mundin e juaj për ta bërë këtë ngjarje të jashtëzakonshme. Gjatë gjithë kryesimit tuaj, ju keni synuar të forconi pronësinë rajonale të udhëhequr nga parimet e gjithëpërfshirjes. Ne e vlerësojmë shumë këtë.

Është shumë e rëndësishme që të flasim për ndikimin e krizës në sigurinë e furnizimit me energji të Evropës Juglindore dhe zinxhirin agroushqimor në kohën kur rajoni ynë është duke u ballafaquar me këtë. Jo vetëm që kaluam një krizë të tmerrshme gjatë kohës së Covid-it, por po përballemi edhe me një krizë tjetër që më shumë gjasa do të vështirësojë jetën tonë dhe jetën e qytetarëve tanë.

Pushtimi i paprovokuar i Ukrainës nga Rusia, përpos që është shkatërrues për popullin ukrainas dhe ka kosto të lartë për njerëzit, ekonomitë dhe marrëdhëniet, gjithashtu po ndikon drejtpërdrejt edhe në sigurinë rajonale, duke përfshirë energjinë dhe furnizimin agroushqimor.

Pikërisht tani që ekonomitë e rajonit tonë ishin duke u gjallëruar, lufta në Ukrainë e tronditi gjithë rajonin, kryesisht nëpërmjet çmimeve më të larta të energjisë dhe ushqimeve, por edhe nëpërmjet ndërprerjes së flukseve të tregtisë dhe investimeve.

Le të mos harrojmë se rritja e çmimeve të energjisë dhe ushqimeve pritet të rëndojë shumë familjet me të ardhura të ulëta, të cilat tani po shpenzojnë një pjesë shumë më të madhe të të ardhurave të tyre për nevojat bazike, siç është ushqimi dhe ngrohja.

Për të naviguar nëpër këto sfida, ne duhet të punojmë së bashku. Ne duhet t’i harmonizojmë plotësisht politikat tona të jashtme me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara, duke përfshirë sanksionet dhe duhet të jemi të vendosur me qëllimet tona.

Republika e Kosovës ka qenë aleate dhe partnere e BE-së dhe e Shteteve të Bashkuara. Vitin e kaluar Kosova strehoi më shumë se 1300 afganë të evakuuar, duke treguar solidaritet me refugjatët dhe përkushtimin afatgjatë të Kosovës ndaj NATO-s.

Për më tepër, rreshtimi i Kosovës me politikën e jashtme të BE-së në sanksionet kundër Rusisë dhe gatishmëria e saj për të akomoduar 5000 refugjatë ukrainas dhe për të ofruar kushte jetese dhe pune për 20 gazetarë, është edhe një herë shenjë e rreshtimit të politikës së jashtme dhe përkushtimit ndaj integrimit në BE, standardeve dhe vlerave.

E ardhmja e rajonit të Ballkanit Perëndimor është në BE dhe ne kërkojmë të bëhemi anëtarë të Bashkimit Evropian, prandaj preferojmë të ndjekim një rrugë të qartë dhe të ecim përpara. Megjithatë, Kosova po përballet me një sfidë tjetër. Ne jemi i vetmi vend në rajon, ku qytetarët tanë ende kanë nevojë për vizë për të udhëtuar në Evropë. Që nga viti 2018, Komisioni Evropian disa herë ka konfirmuar se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për të udhëtuar pa viza, dhe Parlamenti Evropian dy herë ka bërë thirrje për liberalizimin e vizave përmes rezolutave të miratuara nga shumica dërrmuese. Edhe pas kaq vitesh që i kemi përmbushur gjitha kërkesat, ne ende nuk e shohim dritën në fund të tunelit.

Si pjesë e angazhimit tonë për zbatimin e Agjendës së Gjelbër dhe përmbushjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm, këtë javë Qeveria e Kosovës ka nënshkruar “Kartën për Komunën e Gjelbër dhe të Qëndrueshme” me 21 komuna, me synim të zhvillimit ekonomik duke rritur qëndrueshmërinë mjedisore dhe sigurinë e ushqimit.

Sa i përket sigurisë energjetike, ne po zhvillojmë Strategjinë tonë të Energjisë duke u bazuar në analizat dhe studimet që kanë identifikuar potencial energjetik ekonomikisht të arsyeshëm për investime deri në vitin 2031. Qëllimi është t’i përgjigjemi sfidave të dekarbonizimit, duke u fokusuar në investimet e ardhshme në energjinë diellore, të erës, teknologjitë e ruajtjes së nxehtësisë dhe energjisë elektrike.

Gjithashtu, ne kemi investuar dhe kemi krijuar një sistem shumë të mirë të ndërlidhjes me vendet fqinje. Synimi afatgjatë është të arrihet tranzicioni energjetik drejt dekarbonizimit të plotë të sektorit të energjisë deri në vitin 2050 në mënyrë graduale por të sigurt, duke ruajtur kështu ekuilibrin midis sigurisë së furnizimit me energji të përballueshme dhe Energjisë së Gjelbër.

Ashtu si vendet tjera, edhe ne jemi të prekur nga kriza energjetike e cila është ende duke vazhduar. Bashkëpunimi me Shqipërinë ka pasur efekte zbutëse pavarësisht krizës energjetike të manifestuar nëpërmjet rritjes së çmimit të energjisë elektrike duke prekur edhe produktet tjera në zinxhirin ekonomik. Në përgjigje të kësaj, ne kemi marrë masa për zbutjen e krizës së energjisë elektrike, duke subvencionuar financiarisht sektorin e energjisë, duke mundësuar përballimin më të lehtë të situatës.

Në këtë drejtim, aleancat strategjike mund të na ndihmojnë të rimendojmë modalitetet tona të bashkëpunimit, dhe varet nga ne që t’i hulumtojmë gjitha skenarët se si bashkëpunimi rajonal mund të na mbështes të gjithëve në tregtinë e energjisë, prodhimin dhe teknologjitë. Synimi ynë është të kemi një mjedis të qëndrueshëm dhe mbështetës, përfshirë politikat dhe planet për të tërhequr investimet në energjinë e ripërtëritshme për sistemet agro-ushqimore.

Në të njëjtën kohë, ne jemi të hapur për bashkëpunim dhe koordinim ndërsektorial dhe multilateral ndërmjet qeverive, sektorit privat dhe shoqërisë civile, si në nivelin kombëtar, rajonal dhe atë ndërkombëtar.

Zonja dhe zotërinj, me lejoni t’i bëj disa vërejtje përmbyllëse:

Paqja, stabiliteti dhe demokracia janë thelbësore dhe mbesin parakusht që kjo krizë të mos provokojë ndonjë ndryshim fundamental në rajonin tonë dhe të mos prekë shoqëritë tona liberale dhe sistemet demokratike.

Pushtimi i paprovokuar rus i Ukrainës ka potencialin të përkeqësojë tensionet ekzistuese në rajonin tonë. Prandaj, ne duhet t’u qëndrojmë besnikë vlerave evropiane dhe me një partneritet të palëkundur me NATO-n dhe SHBA-në, ne mund të mbrojmë rajonin tonë nga kërcënimet serioze destabilizuese që mund të kenë për synim të shkaktojnë ndryshime thelbësore në rendin ndërkombëtar.

Ne mund t’i zgjidhim të gjitha problemet tona duke përparuar në procesin e anëtarësimit në BE dhe në bashkëpunimin rajonal ndërmjet vendeve tona. Mbështetja e të gjithëve, e paraprirë nga njohja e Kosovës, duhet parë si një investim strategjik për të ardhmen, si një hap i domosdoshëm për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit por edhe për zhvillimin tonë të përbashkët.

Prandaj dëshirojmë t’ju ftojmë ju dhe qeverinë tuaj që të mbështetni përpjekjet e Kosovës për liberalizimin e vizave, anëtarësimin në Këshillin e Evropës, statusin e kandidatit në BE, anëtarësimin në NATO dhe anëtarësimin në mekanizma të tjerë ndërkombëtarë.

Është detyra dhe përgjegjësia jonë të kontribuojmë në përpjekjet globale kundër ndryshimeve klimatike dhe së bashku të dakordohemi që t’i kthejmë ndryshimet mjedisore dhe klimatike në mundësi, duke siguruar që rruga jonë e përbashkët përpara të jetë e drejtë dhe gjithëpërfshirëse.

Planet tona duhet të përfshijnë arritjen e objektivave të uljes së emetimeve dhe të zhvillojmë politika dhe mekanizma të bashkëpunimit për të garantuar sigurinë e furnizimit me energji. Ne gjithashtu duhet të investojmë në kërkimin shkencor dhe të përdorim teknologjinë moderne në mënyrën më të mirë të mundshme.

Prandaj, roli ynë në parlamentet kombëtare është të inkurajojmë dhe zhvillojmë mënyra për të shkëmbyer njohuri dhe përvojë në lidhje me inovacionin në fushat e furnizimit me energji dhe ushqim, siç parashikohet me Marrëveshjen e Gjelbër dhe Marrëveshjen e Parisit.

Edhe një herë, z.Tassoulas, të dashur kolegë, ju falënderojmë dhe i gëzohemi bashkëpunimit tonë të vazhdueshëm.

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu