Në kuadër të 100-vjetorit të marrëdhënieve amerikano-shqiptare
Gjatë viteve të kaluara kam kujtuar shpesh vizitën zyrtare të delegacionit të parë të Shteteve të Bashkuara në Shqipëri në mars/prill 1991. Jam munduar që në dyzina shkrimesh gjatë 30-viteve të fundit të kujtoj atë vizitë duke shënuar aspekte të ndryshme të asaj ngjarjeje historike të rifillimit të marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, pas pothuaj një gjysëm shekulli diktature komuniste.
Kësaj radhe po kujtoj, me disa fjalë dhe fotografi, vizitën e delegacionit të parë amerikan në Shkodër gjatë vizitës së parë në Shqipëri në mars/prill 1991.
Pas një jave në Tiranë, delegacioni kishte vendosur të shkonte në Shkodër, qendra e kulturës dhe historisë së Shqipërisë, por edhe qyteti që i bëri qëndresë të fortë regjimit komunist gjatë viteve të diktaturës. Me të marrë vesh Ministria e Jashtme e Shqipërisë së kishim vendosur të udhëtonim drejt Shkodrës, na këshilluan që të mos shkonim se ai është një “qytet me probleme”. Por nëse ngulni këmbë që të shkoni, atëherë ne rekomandojmë që të keni “shoqërues” me vete. Përgjigja e delegacionit ishte, se ne do shkojmë dhe se nuk kemi nevojë për “shoqërues”. Mesa mbaj mend, ndonëse kishim vizituar edhe qytete të tjera, Shkodra ishte qyteti i parë, për të cilin autoritetet vendase na ofruan “shoqërues”, me përjashtim të ofertës në fillim të vizitës kur na ofruan makinën zyrtare dhe po të dëshironim edhe “shoqërues”. Si në fillim të vizitës ashtu edhe në prak të vizitës në Shkodër, përgjigja e Kryetarit të delegacionit, Amb. David Swartz, ishte faleminderit, por nuk kemi nevojë për “shoqërues”.
Mercedesi zyrtar dhe shoferi gati për t’u nisur për në Shkodër, mars, 1991. Kryetari i delegacionit, Amb. Swartz ndejti përpara, unë me kolegen dhe diplomaten e talentuar Susan Sutton, mbrapa. Isha shumë i emocionuar dhe nuk dija se çfarë të prisja. Për Shkodrën kisha dëgjuar shumë nga prindërit dhe gjyshi e gjyshja, pasi ndonëse kisha lindur në një fshat afër Ulqinit, dmth në Mal të Zi (ish-Jugosllavi), Shkodra për ata dhe për mua, deri sa u mbyll kufiri më (1948), ishte më afër se Ulqini dhe prindërit dhe gjyshi shkonin në Shkodër për të bërë pazar. Duke udhëtuar për në Shkodër atë ditë të marsit 1991 me kolegët nga Departamenti i Shtetit, po mendoja për të parët e mi dhe për fatin e keq të tyre, që nuk e panë më atdheun e tyre ku kishin lindur. Gjyshi dhe prindërit e mi vdiqën në Amerikë, pa e parë më Shkodrën as vendlindjen e tyre Shkrelin.
Gjatë rrugës për në Shkodër pyetëm Amb. Swartz se çfarë do bëjmë në Shkodër, nëse do takonim ndonjë njeri! Askënd nuk njihnim, as nuk kishim njoftuar vizitën tonë më herët. Shkodrën nuk e njihnim asnjë prej nesh. Shoferit i kërkonim të ndalejkur na e merrte mendja se ka diçka për të parë. Shkodra ato ditë vlonte nga rrymat anti-komuniste. Situata ishte jashstëzakonisht e tensionuar. Grupe njerëzish aty- këtu duke biseduar e argumentuar. Amb. Swartz na tha le të ndjekim turmën, dhe grupet e izoluara, që dukesh se po silleshin rrugëve pa ndonjë qëllim ose objektiv. Ndryshe nga Tirana, ku rrugët ishin bosh në krahasim me Shkodrën, ku valët e njerëzve dukeshin nëpër rrugë e sheshe e pastaj zhdukeshin.
Promovimi i lirisë fetare, inkurajimi dhe promovimi i pronës private, ishte pjesë e misionit të delegacionit të parë të DASH në Shqipëri, përfshirë edhe vizitën në Shkodër. Këtë e rekomandoi gjatë vizitës së tij 4-ditëshe në Shqipëri dhe në bisedimet me anëtarët e delegacionit, ish-Kryetari i Komisionit të Senatit amerikan për Marrëdhëniet e Jashtme, Senatori Clayborne Pell. Pak veta mund ta dinë se Z. Pell, në rininë e tij si anëtar i trupit diplomatik amerikan (Foreign Service) ishte caktuar të shërbente në Ambasadën Amerikane në Tiranë në fillim të 1940-ave), por para se të shkonte atje, Enver Hoxha ia mbylli derën karrierës së tij diplomatike, duke mbyllur Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Tiranë. Iu bashkua delegacionit të DASH ato ditë për të hequr merakun që i kishte mbetur për një kohë të gjatë, të bënte një vizitë në Shqipëri.