Drini vendosi të intervistojë Lirim Gashin, një nga mendimtarët më të shquar shqiptarë të ditëve të sotme, një person me njohuri erudite dhe një poliglot ndër shqiptarët. Lirimi ishte dhe mbetet një nga kontribuesit më të shquar të portalit Drini, sepse me shkrimet, analizat dhe vështrimet e tij mbi jetën kombëtare zbuloi histori të pazbuluara dhe të ndrydhura mes nesh.
Lirim Gashi së fundmi është zgjedhur kryetar i Forcës së Diasporës për Kosovën, me seli në Prishtinë.
Kjo është edhe arsyeja që Drini bëri një përjashtim dhe intervistoi bashkëpunëtorin e tij të vyer.
___
* Intervistë me Lirim Gashin, Kryetarin e Forcës së Diasporës për Kosovën.
___
Drini: Zotëri Gashi, ne ju njohim si një analist që hulumton dukuritë negative, anomalitë dhe perversitetet aty ku lindin, duke përdorur njohuritë e thella nga shumë fusha dhe talentin e rrallë letrar, gjuhësor dhe artistik.
Na tregoni ju lutem, çfarë ju frymëzoi të hyni në ujërat e turbullta politike, në këtë kohë të pasigurt jo vetëm për Kosovën, por për mbarë botën?
Lirim Gashi: Nuk bëhet fjalë për frymëzim, por për detyrim patriotik, etik dhe moral për të futur një opsion të ri në tregun politik, i cili besoj se do të pasurojë repertorin gjithëpërfshirës politik, konceptual dhe ideologjik, i cili fatkeqësisht është i varfër dhe aspak efikas dhe origjinal.
Drini : Pse e thoni këtë?
Lirim Gashi: Sepse tregu politik i Kosovës vuan nga mungesa e koncepteve efektive politike, filozofike, diplomatike, ekonomike, arsimore, shkencore dhe kulturore, meqenëse pothuajse të gjitha partitë tona politike janë oaza të stagnimit dhe kthimit prapa.
Drini:Pse mendoni keshtu?
Lirim Gashi: Sepse janë themeluar nga kuadro enveriste dhe titiste, ndaj ruajnë si sytë e ballit dorëshkrimin e tyre ideologjik.
Por sfidat komplekse të modernitetit kërkojnë zgjidhje kreative, të cilat nuk mund të priten në të ardhmen nga njerëzit që ende punojnë me metoda të vjetruara. Dhe pikërisht kjo është arsyeja pse të gjithë ne jemi dëshmitarë të ngecjes dhe kthimit prapa, për njëzet e dy vjet rresht edhe pse fasadat e ndërtesave të larta që janë në pronësi të oligarkëve vendas, si dhe rrugët e asfaltuara dhe autostrada Ibrahim Rugova, u lënë përshtypjen turistëve të huaj se këtu shumëçka ka ndryshuar jo vetëm sipërfaqësisht por edhe rrënjësisht.
Mirëpo, nëse e analizojmë pak më thellë ngecjen dhe kthimin prapa të arsimit, shkencës, kulturës dhe fesë, atëherë së shpejti do të konkludojmë se bëhet fjalë për dështimin e vazhdueshëm të qeverive tona të pasluftës, për të ndërtuar një shtet ligjor dhe funksional përmes pavarësimit dhe profesionalizimit të institucioneve shtetërore.
Kur kësaj i shtojmë mungesën e investimeve të huaja dhe vendase, të cilat do të mundësonin hapjen e vendeve të reja të punës, ngritjen e nivelit të arsimit, shkencës, kulturës, zhvillimit ekonomik dhe mbrojtjes sociale, atëherë kuptojmë pse as migrimi i të rinjve nuk u ndal kurrë, e lëre më që nuk ndodhi kurrë rikthimi, riatdhesimi dhe risocializimi i migrantëve tanë.
Drini: Pse e merrni kaq shpesh shtetin e Izraelit si model, nga i cili shteti i Kosovës do të mund të mësonte shumë?
Lirim Gashi: Sepse ne shqiptarët e të gjitha trojeve etnike, kemi aq shumë përvoja të hidhura individuale dhe kolektive që janë të ngjashme me ato hebraike, sa që do të ishte mëkat i madh të mos i theksoja në analizat e mia.
Ne shqiptarët, por edhe hebrenjtë, jemi spikatur individualisht gjatë gjithë historisë, duke ndihmuar kombet dhe shtetet fqinje të shkëlqejnë kolektivisht, por jo edhe veten tonë. Prandaj jemi i vetmi komb në Ballkan pa një çështje të përmbyllur kombëtare dhe shtetërore, edhe pse shekulli XXI është tashmë 22 vjeç.
Drini: Çfarë mund të mësojmë konkretisht nga hebrenjtë ?
Lirim Gashi: Nga hebrenjtë mund të mësojmë gjithçka, por mësimi më i dobishëm është suksesi i tyre që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore e deri më sot.
Sepse hebrenjtë u bënë kolektivisht të suksesshëm vetëm kur e kuptuan se duhet të kishin shtetin e tyre të pavarur, të begatë dhe të fortë.
Sepse historia e hidhur i mësoi ata se një atdhe pa shtet është një iluzion mendor që sugjeron zotërimin e një territori imagjinar në të cilin asnjë hebre nuk mund të jetojë, e lëre më ta shijojë.
Dhe në momentin që e kuptuan këtë të vërtetë, ata e themeluan menjëherë shtetin e tyre dhe suksesi i tyre i ndërsjellë u bë i pandalshëm. Në fakt, ata kuptuan shumë më tepër se kaq;
Ata kuptuan se kishin pësuar kaq shumë internime, masakra dhe gjenocide, sepse nuk kishin një shtet të fortë që t’i mbronte.
Drini: A mund ta ilustroni suksesin e Izraelit me një shembull konkret?
Kreu i parë i qeverisë së shtetit hebre, Golda Meir, mbajti një marrëdhënie ambivalente me profetin hebre Mojsiun gjatë gjithë jetës së saj: “Ai na tërhoqi zvarrë nëpër shkretëtirë për 40 vjet për të na çuar në të vetmin vend në Lindjen e Mesme ku nuk ka naftë. “, qe ankuar ajo në një rast.
Megjithatë, rezerva të konsiderueshme të gazit natyror u zbuluan disa vjet më parë në brigjet e Izraelit, duke dëshmuar se zemërimi i Meirit ndaj Moisiut ishte i pabazë. Megjithatë, lënda e parë për zhvillimin e Izraelit në një vend të teknologjisë së lartë nuk është as gazi, as nafta, por arsimi.
Për vite me radhë, shteti hebre rregullisht zinte vendin e parë në garat ndërkombëtare. Sipas një raporti të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD), shpenzimet për arsimin në vitin 2015 ishin 6.5 për qind të bruto-prodhimit të brendshëm.
Në krahasim, Gjermania arriti në 5.4 për qind, ndërsa mesatarja e OECD është 5.2 për qind.
Megjithatë, këto investime u paguan. Sipas OECD, pothuajse gjysma e izraelitëve midis moshës 25 dhe 65 vjeç kanë një diplomë universitare – me një notë shumë më të lartë se mesatarja e OECD (35 përqind), dhe ekonomia ndërkombëtare ka qenë prej kohësh e vetëdijshme për këtë potencial.
Nuk ka rëndësi nëse bëhet fjalë për Microsoft, Google, IBM, Cisco, Siemens apo Intel: të gjitha kompanitë më të mëdha të teknologjisë në botë tani kanë qendrat e tyre kërkimore në Izrael.
Megjithatë, politikanët nuk janë ndalur në shpenzimet e larta për arsimin, por kanë krijuar gjithashtu sisteme nxitëse për të lidhur ngushtë industrinë dhe kërkimin. Të gjitha fijet janë bashkuar në zyrën e të ashtuquajturit kryeshkencëtar që punon nën kujdesin e Ministrisë së Ekonomisë.
Ndaj të gjitha programet e financimit, koordinohen dhe financohen nga Qeveria.
Në Izrael ka një lidhje shumë të ngushtë mes fillimit të bizneseve të reja dhe institucioneve kërkimore, por mbi të gjitha atyre industriale.
Drini: Pse ndodhi e kundërta tek ne, pikërisht pasi Kosova u njoh si shtet i pavarur nga më shumë se njëqind shtete, duke përfshirë edhe fuqitë më të mëdha botërore?
Lirim Gashi : Sepse erdhën në pushtet njerëzit që besonin se aftësia e tyre guerile për të luftuar një armik shumë më të fortë mund të përkthehej edhe në aftësi politike, diplomatike, ekonomike dhe sociale për të ndërtuar dhe forcuar shtetin.
Por metodat e përdorura për të konkurruar me konkurrencën politike nuk ishin vetëm të ngjashme me ato të përdorura nga diktatorët më të frikshëm të botës, por edhe grabitqare e plaçkitëse si ato të Ali Baba dhe dyzet hajdutëve të tij. Prandaj, në vend që të ndërtonin shtetin, ata i futen në kthetrat e tyre mekanizmat e qeverisjes, kontrollit, legjislacionit dhe zbatimit të ligjit, gjë që rezultoi në dobësimin gradual të shtetit si brenda ashtu edhe jashtë.
Madje as plaçkën që plaçkitën nuk e investuan për të krijuar vende të reja pune, por e nxorën në thasë jashtë vendit dhe blenë ose prona të paluajtshme në vendet më të zhvilluara evropiane ose e depozituan në bankat e banana shteteve të Amerikës së Jugut. Dhe jo vetëm që nuk lejuan investitorët e huaj të investonin në prodhim dhe të krijonin vende të sigurta pune, por i përzunë me shantazhe imorale për të ndarë fitimet. Mirëpo, përkundër gjithë kësaj, asnjë vjedhje e madhe ekonomike apo krim politik nuk është zbuluar, sepse ata më parë kanë vënë në kthetrat e tyre institucionet legjislative, ligjzbatuese dhe të sigurisë. Që do të thotë se partitë tona politike funksionuan si grupe mafioze, që pasuruan njëqind drejtuesit e parë të hierarkisë, familjarët e tyre më të afërt dhe bashkëpunëtorët e tyre më të ngushtë, me paratë e akumuluara nga vjedhjet e pronës publike, buxhetit të shtetit, donacioneve, doganave dhe manipulimit të tenderëve dhe privatizimit. Ndërsa e ulën papunësinë duke dëbuar investitorët e huaj, gjë që rezultoi me një migrim masiv të njerëzve që nuk ishin në listën e pagave të tyre, ose më saktë me një migrim masiv të shumicës absolute të banorëve të Kosovës. E të mos flasë për tradhtinë e interesave kombëtare nëpërmjet nënshkrimit të Asociacionit racist të Komunave Serbe, edhe pse Kosova është shtet multietnik sipas planit të Ahtisaarit.
Kur kësaj ia shtojmë shndërrimin e shkollave dhe universiteteve nga tempuj të dijes në tempuj të injorancës përmes shitjes së diplomave dhe manipulimit të provimeve pranuese, atëherë na bëhet e qartë jo vetëm sasia alarmante e dëmit, por edhe vlera reale e diplomave tona shkollore dhe universitare.
Sepse, diplomat tona sot nuk vlejnë as sa një prezervativ, sepse ndërsa prezervativët i mbrojnë konsumatorët nga sëmundjet seksualisht të transmetueshme, diplomat tona nuk e mbrojnë askënd nga injoranca.
Drini: Çfarë e dallon partinë që ju drejtoni nga të tjerat?
Lirim Gashi : Për ne, lider është vetë procesi, veçanërisht nëse zhvillohet në mënyrën e duhur, sepse në atë rast shumica e qytetarëve përfitojnë prej tij, që në fakt do të thotë se çdo qytetar që ndikon në përparimin e tij në fund të ditës do të jetë një lider dhe një fitues i vogël, sepse do të jetojë më mirë se dje.
Drini: Çfarë do të thotë saktësisht kjo?
Lirim Gashi : Do të thotë lidhja e zemrës (Kosovës) me arteriet (diasporen) që e furnizojnë atë me gjak dhe oksigjen.
Më saktësisht, në do të përpiqemi të lidhim forcën shpirtërore, mendore, materiale dhe fizike të diasporës me forcën gjithëpërfshirëse të qytetarëve të Kosovës, duke i inkurajuar njerëzit tanë jashtë vendit që të investojnë në vendlindjen e tyre, e jo të dërgojnë vazhdimisht lëmoshë për familjet e tyre.
Sepse investimet në prodhim krijojnë vende të reja dhe të sigurta pune që zgjidhin problemet ekzistenciale të qytetarëve në afat të gjatë, ndërsa lëmosha i lejon ata të bëjnë vetëm një pushim të shkurtër nga shqetësimet ekzistenciale. Ne do të përpiqemi t’u shpjegojmë mërgimtarëve tanë nëpër botë pse Izraeli është bërë ai që është, në mënyrë që ta kuptojmë më mirë pse Kosova nuk ka arritur sukses as të përafërt.
Drini: Pse nuk ka arritur ?
Lirim Gashi : Sepse diaspora izraelite nuk investoi në atdhe vetëm për shkak të dëshirës së zjarrtë për t’u pasuruar, por sidomos për arsye patriotike, madje në kohët më të pasigurta. Mirëpo në fund jo vetëm që u shpërblyen investimet e saj, por Izraeli, shteti i përbashkët i të gjithë hebrenjve, u bë aq i fortë, sa mundi të mbronte dhe të mbështeste interesat e hebrenjve kudo në botë që ata jetonin dhe bënin biznes.
Nga ana tjetër, emigracioni ynë, edhe pse luajti një rol kyç në organizimin e rezistencës politike dhe ushtarake deri në çlirimin përfundimtar të Kosovës nga pushtuesit serbë, politikisht u neglizhua nga të gjitha Qeveritë e pasluftës, sepse nuk ia dhanë asnjë shans korrekt për ta formësuar në mënyrë aktive politikën shtetërore. Përkundrazi, falë donacioneve të diasporës, pothuajse të gjitha qeveritë e pasluftës shpëtuan nga trazirat e brendshme shoqërore. Në vend të kësaj ato e plaçkiten në mënyrë të paskrupullt dhe mafioze gjatë doganimit. Ndërsa qeveria e fundit që erdhi në pushtet me plebishit, falë votave të diasporës, nuk e pa të nevojshme t’i jepte asaj të paktën një ministri të posaçme dhe në këtë mënyrë dëshmoi se kurseu në mënyrën më budallaqe të mundshme.
Përveç kësaj, ne nuk e kuptojmë politikën si artin e mundësive të pakufizuara për plaçkitje individuale dhe familjare deri në pasurim marramendës siç bënë partitë e pasluftës sa herë që e morën pushtetin, e as si art të së mundshmës individuale, por si art të së mundshmës ekipore për ngritjen e mirëqenies së shoqërisë dhe forcimin e shtetit. Dhe politika mund të funksionojë në këtë mënyrë vetëm nëse çdo individ që përfshihet aktivisht në të është një punëtor ekipor që nuk i bindet interesave të ngushta të liderit dhe partisë, por interesave të gjëra të popullit dhe shtetit. Sepse për ne asnjë parti politike nuk vlen as sa një pëllëmbë e territorit të shtetit.
Nga ana tjetër, për ne investimet në ngritjen e cilësisë së arsimit janë jetike, sepse në fund pikërisht ato e bëjnë dallimin mes shoqërive dhe shteteve të suksesshme dhe atyre të pasuksesshme. Me ne në pushtet nuk do të ketë vetëm menaxhim të papunësisë, por edhe përgatitje dhe riaftësim të të papunëve për tregun modern të punës. Në fakt, ka kaq shumë gjëra që na dallojnë nga partitë e tjera politike, saqë nëse do t’i theksoja, intervista do të zgjaste ditë të tëra, ndaj jini ju lutem të mirë dhe na lejoni t’ju befasojmë kur ta shpalosim programin zyrtarisht.
Do veje në vend dinjitetin e nepërkembur të diasporës. Mbaresi !
Të lumtë Lirim!