Florim Zeqa
Për një njeri të ndershëm paraja nuk është gjëja më e rëndësishme në këtë botë, por është morali, besnikëria, sinqeriteti, humanizmi dhe atdhedashuria që i jepin vlerë njeriut me shpirtë të pastër dhe fisnik. Njeriu pa karakter nuk është njeri, është objekt, ndërsa e mira e falsifikuar e sjellë të keqën e vërtetuar.
Të vërtetës nuk i besojmë, gënjeshtrën e gëlltitim lehtë
Nuk e di, se a ka popull në botë që i beson gënjeshtrës më shumë sesa ne shqiptarët! Nëse ia thue një të vërtetë shqiptarit e ke të vështirë ta bindesh pa pasur shumë fakte dhe argumente, mirëpo në momentin që e gënjen pa i ofruar asnjë fakt ai të beson dhe bëhesh mik me të!
Nuk e di çfarë është duke ndodhur me ne shqiptarët. Në të kaluarën e afërt, përgjatë viteve të ’90-ta të shekullit të kaluar ishim më unik, më të organizuar dhe më të vendosur, ishim më të bashkuar dhe më solidarë me njëri-tjetrin!
E gjitha ishte ideal, besë dhe shpresë, me vetorganizim mbi baza vullnetare, por me njëqind rreziqe që na ndiqnin hap pas hapi nga pushtuesit serb.
Ndërsa sot kur jemi të lirë, jemi më të përqarë dhe më të ndarë, pa ideal dhe pa besë, më të pasur në xhepa, por më të varfer në shpirtë.
Në vitet e ’90-ta kemi qenë njerëz më të mirë, më human e më solidar, të mirën dhe të keqën bashkë e kemi nda. Edhe pse kemi jetue në kohë më të vështirë e kemi pasur shpirtin më të mirë. Nuk kemi pasur por nuk kemi lakmu, me gjëra të bukura jemi plotësu.
Por, sot çka u ba?!
Kemi humbur besë e dashuri, respekt e ndershmëri!
Po i përjetojmë devijimet dhe deformimet e kësaj kohe të keqe, ku vlerat u zavëndësuan më antivlera, morali më imoralitet, drejtësia më padrejtësi, besa më tradhëti!
Neve që sot ballafaqohemi më sfidat e kësaj kohe të keqe na mbanë gjallë ndjenja e pastër e atdhedashurisë që jetuam dhe vepruam në vitet e krenarisë kombëtare.
Populli dhe ideologjia, dallimi dhe ngjashmëritë
Në kohën e pushtimit të mbretërisë malazeze, Mbreti i Malit të Zi gjatë një fjalimi në qytetin e Pejës, ndër të tjera i kishte edhe thënë këto fjalë në gjuhën e tij; “Popull forca ime, popull kafsha ime”!
Zbërthimi i kësaj thënje është fare i thjeshtë. Nëse një popull e udhëheq një lider i përgjegjshëm, populli bëhet forcë e pathyeshme në mbrojtjen e shtetit, por nëse popullin e udhëheq një lider mashtrues dhe i papërgjegjshëm, populli kthehet në të kundërtën që e kishte thënë mbreti malazias, pra kthehet në tufë të deleve.
Ideologjia mund të jetë hyjnore, por nëse atë ideologji hyjnore e zbaton në jetë një Jo-njeri, ajo ideologji shndërrohet në ideologji djallëzore, dhe anasjelltas-nëse një ideologji djallëzore e zbaton në jetë një njeri i frymëzuar me humanizëm e dashuri, ajo ideologji shndërrohet në ideologji hyjnore.
Mungesa e ligjit, degradon shoqërinë
Në një vend ku nuk funksionon ligji dhe drejtësia, pushtetarët dhe populli kthehen në formë të bagëtisë, kurse shteti dhe shoqëria njerëzore katandisen, drejtësia kthehet në anarki.
Me (pa) të drejtë e kemi krijuar bindjen se në shtetet e zhvilluara dhe me demokraci të avancuar njerëzit janë më të kulturuar dhe më të avancuar se ne shqiptarët!
Jo assesi!
Sikur të mos funksiononte ligji, edhe në Angli, Austri, Itali, Gjermani, Zvicër e kudo tjetër pushtetarët dhe populli do të abuzonin me gjithçka dhe më shumë sesa ne.
Bazuar në faktin se tek ne, për 23 vjet nuk kemi pasur funksionim të mirëfilltë të ligjit, raportet shoqërore dhe çasja e popullit ndaj shtetit megjithatë janë në nivel të kënaqshëm. Por politikanët dhe drejtuesit shtetërorë janë ata që nuk ishin dhe ende nuk janë në nivelin e përgjegjësisë shtetërore.
Si pasojë e mosfunksionimit të sistemit të drejtësisë, kemi shtim të rritjes së abuzimeve me pushtetin dhe rënje të besimit të popullatës në drejtuesit shtetërorë.
Udhëheqësi shtetërorë duhet të jetë njeri që e don vendin e vet më shumë se vetën, duhet të jetë udhëheqës i mirë dhe i përgjegjshëm ndaj qytetarëve, i dëshmuar për ndershmëri dhe atdhedashuri, i drejtë e jo lakmitarë për pasurim të paligjshëm.
Nëse duam ta shpëtojmë shtetin nga degradimi i mëtutjeshëm, secili njeri i ndershëm duhet të luftoj matrapazët dhe karieristët, servilët dhe shpirtëshiturit e të gjitha pushteteve.
Për këtë nuk mjaftojnë vetëm fjalët, duhet të kemi guxim në thënjën e së vërtetës dhe mbrojtjen e saj pavarësisht konseguencave.
Ta duam dhe ta mbrojmë shtetin si shtëpinë tonë.