ARKIVI:
17 Nëntor 2024

Në përkujtim të 84 vjetorit të vrasjes së Selman Kadrisë, heroit që e vrau zullumqarin e njohur Vojvodën Miliç Kërstiq

Shkrime relevante

Broçkullat e Albin Kurtit, trimërim për neootomanët…!

Belisar Jezerci, historian ____ Deklaratat e kryeministrit Kurti në medrese "Alauddin" në Prishtinë,...

O Stano, zëdhënësi i Serbisë, Kosovës nuk ka çka t’i duhet integrimi europian “me Serbi” brenda saj!

Gani I. Memeti Zëdhënësi i BE-së ka thënë se çështja e institucioneve...

Lirim Mhehmetaj dhe fjalori i tij trashaman…!

Afrim Caka, Gjakovë ___ …SE MOS E KA PARË DIKUSH TË JETË SKUQUR...

Popesku, turpi bije mbi ata që në shtëpinë e vet i sulmojnë mysafirët…!

Gani I. Mehmeti Në minutat shtesë, tifozët vendas nisën thirrjet raciste, me...

Shpërndaj

Qerim Rexhaj, Cerrcë, Istog
Me rastin e 84-vjetorit të vrasjes
SELMAN KADRIA – PUSHKA QE DRIDHI THEMELET E KRAJLEVE TE SERBISE
Në përkujtim të heroit Selman Kadria
Në varrezat e reja të fshatit Cerrcë, aty buzë rruge, në një varr që të bie në sy menjëherë, amshuar pushojnë eshtrat e Selman Kadrisë, trimit që shtriu për tokë vojvodën Miliç Kërstiq, bajlozin serb, kryekriminelin çetnik, shkaktarin e dhunës, vuajtjeve, dhembjeve e tragjedive të padurueshme familjare dhe kombëtare në fshatrat e Dukagjinit, të Drenicës dhe më gjerë. Nga bashllëku i këtij varri, të punuar bukur me gur mermeri, ngritur në vitin 1941, në kohën e Shqipërisë, me shkronja të mëdha shtypi, me fjalë guri, porosit dhe flet me brezat ky epitaf kuptimplotë:
Ju shtegtarë që kaloni
Pranë këtij trimi ndaloni
Veprën mos t’ia harroni
Bijve tuaj tua kujtoni
Mbi të gjitha, me evokimin për veprën e heroit dhe me amanetin lënë brezave, ky epitaf varri ta përkujton veprën heroike dhe muranën e kreshnikut Gjergj Elez Alia të ngritur në këngën popullore legjendare së bashku me epitafin e kënduar nga goja e zogut të verës:
Amanet, more shtegtari i malit!
N’kofsh tuj kndue ksajt, kajkën me e pushue.
N’kofsh tu kajtë ksajt, gjamën për me e xanë!
Kah kërkova gjithkund bjeshkë e m’bjeshkë,
Kah verova gjithkund vrri e n’vrri,
Kah mjerova gjithkund shpi e n’shpi,
Kërkund s’ndesha m’Gjergj Elez Ali!
Varri, i ngritur me kujdes në trevjetorin e rënies së Selman Kadrisë, si dhe një këngë popullore, baladë historike, dëshmojnë për rëndësinë shoqërore dhe historike të aktit heroik të trimit, ashtu siç dëshmojnë për respektin e thellë që me këtë akt guximi trimi fitoi ndër bashkëkohësit. Ndonëse ky varr, për një gjysmë shekulli, natë e ditë, do të bëhet cak sulmi vandal i hienave serbijane, shpirtera të ringjallur pashiqian të dehur nga alkooli dhe shovinizmi antishqiptar, ndonëse kënga për të, për shkaqe të një natyre tjetër, „morale dhe politike“, do të arratiset nga Podguri dhe do të zë vend në odat e Drenicës, të Rekës së Keqe e gjetiu në Kosovë, prapë se prapë, mu ky varr, së bashku me këngën popullore, deri vonë, do të mbesin të vetmet shenja, të vetmet gjurmë dhe i vetmi muze, që me përkushtim këmbëngulës, do ta ruajnë namin dhe emrin e Selman Kadrisë, do ta ruajnë vlerën dhe kujtimin e veprës së tij të lartë.
2.
Pas Luftërave Ballkanike, në veçanti pas Luftës së Parë Botërore, Kosova dhe trevat tjera shqiptare që mbeten jashtë kufijve të shtetit amë edhe një herë u vunë në sprovën e madhe të historisë. Me nxitjen, me bekimin dhe me përkrahjen e Rusisë cariste dhe të Fuqive të Mëdha, nën pretekstin e ndjekjes së ushtrisë austro-hungareze, Serbia angazhoi gjithë potencialin e mundshëm ushtarak dhe diplomatik për të gllabëruar Kosovën dhe trevat tjera shqiptare, madje duke rrezikuar edhe vet qenien e Shqipërisë Londineze.
Me ripushtimin e Kosovës autoritetet e Beogradit fillimisht u përpoqën të bëjnë getoizimin e saj dhe në esencë bënë përpjekje për ta mbytur çdo kundërshtim, çdo qëndresë, çdo revoltë dhe çdo përpjekje çlirimtare nga ana e forcave atdhetare shqiptare. Në anën tjetër, regjimi serb, shpejtoi që t’i jetësojë planet e mbetura pezull të rikolonizimit që kishin filluar që më 1912 e që kishin vazhduar deri te fillimi i Luftës së Parë Botërore. Pas themelimit të Mbretërisë të SKS-së me 1918, kolonizimi i Kosovës konsiderohet si njëra ndër detyrat më prioritare, më patriotike dhe më të ngutshme të kësaj Mbretërie. Kolonizimi i filluar në mënyrë stihike që në vitin e parë të okupimit të Kosovës në mënyrë më intensive u bë dy vitet e para të pas Luftës se Parë Botërore. Ky kolonizim, i njohur si Reforma Agrare, ishte drejtuar ekskluzivisht kundër shpronësimit të banorëve shqiptarë dhe në esencë barte planet më ogurzeza për popullin e Kosovës.
Ndonëse urdhëresa e qeverisë së Beogradit e datës 27.02.1919 jepte shenjën për një reformë agrare, në Kosovë, krahas kësaj, filloi kolonizimi për ta serbizuar Kosovën dhe trevat tjera etnike shqiptare. Mbështetur në program, familjeve kolonizatore u ndahej sipërfaqe e punueshme e tokës prej 5 deri në 15 hektarë. Sipas burimeve arkivore serbe del se qeveria e Serbisë përmes Reformës Agrare ka arritur të marr sipërfaqe toke për kolonizim gjithsej 189.463 hektarë, ndërsa deri me 31.12.1936 ka arritur t’ua shpërndajë subjekteve agrare 175.003 hektarë. Në këtë rast duhet përmendur së vetëm në regjionin e Burimit (Istogut) dhe të Pejës Reforma Agrare nga popullata vendëse mori 15.100,41 hektarë, përkatësisht 16.001 hektarë tokë. Në tokat e kolonizuara bënin pjesë edhe ato sipërfaqe tokësore që ishin prona të luftëtarëve të lëvizjes së rezistencës (kaçakëve), të cilët me armë në dorë e kishin kundërshtuar pushtimin e Kosovës nga Serbia. Marrja e pronave luftëtarëve të lirisë do të vazhdojë deri më 6 prill1941 kur Mbretëria e SKS-së u pushtua nga Gjermania. Me këtë rast duhet theksuar se rrymat kolonizuese që vinin për t’u vendosur në Kosovë ishin kryesisht serbë nga Hercegovina, Kroacia (Lika, Banija, Malet e Dalmacisë), Mali i Zi, Bosnja, Serbia (Kopaoniku, Toplica) dhe vende të tjera të Mretërisë së SKS-së.
Të ndodhur përball këtij invasioni kaq monstruoz në mes shqiptarëve vendas dhe ardhësve kolonë gjithnjë e më shumë rritej fryma e mostolerancës. Në këtë periudhë kohore shqiptarët vriteshin, burgoseshin, internoheshin por edhe dëboheshin me dhunë nga toka dhe atdheu i tyre. Pushtuesi kishte filluar të digjte fshatra të tëra për të mbjellë të popullata frymën e defetizmit dhe të mospërspektivës për një jetë normale në Kosovë, me qëllim të fundit që të arrihej objektivi i pastrimit të Kosovës dhe trevave tjera shqiptare nga elementi shqiptar. Të kësaj kohe janë edhe shpërnguljet e mëdha shqiptare nëpër vende të ndryshme, kryesisht në Turqi, të cilat nuk do të kenë të ndalur për një periudhë të gjatë kohore. Shqiptarët, si popull shumicë, në çdo lëmë jetësore u vunë përballë një terrori të pa shembull. Mbi ta u vërsulën ushtarët, xhandarët, bandat kriminele e plaçkitëse duke bërë garë para pushtetit se kush po e terrorizonte këtë popull më shumë.
Përballë këtij terrori dhe gjenocidi të pashembullt, patriotët shqiptarë, të penës dhe pushkës, ata që, në kohëra të tjera, kishin ditur dhe kishin pasur guximin që armët t’ua kthejnë pushtuesve turq, malazez, serbë dhe bullgarë edhe këtë herë shpresën e fundit e kishin mbështetur te armët e lirisë, sepse vetëm përmes zjarrit të tyre, në truallin e Kosovës martire, ata do ta bënin pushtuesin t’i rrëshqiste toka nën këmbë. Një rëndësi të madhe në këtë periudhë kohore, në Podgur dhe në trevat tjera shqiptare, pati themelimi i Komitetit „Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, i cili në përbërje të vet kishte rreshtuar atdhetarë, veprimtarë dhe intelektualë me nam nga të gjitha trevat shqiptare. Kjo organizatë politike e ushtarake, përmes degëve dhe nëndegëve të saj, në Kosovë e gjetiu, për një periudhë kohore, me një vetëmohim të rrallë, ndezi flakadanin e lirisë për çlirimin dhe bashkimin kombëtar te të gjitha trojeve shqiptare. Emrat e atdhetarëve Bajram Curri, Azem Galica, Sadik Rama, Beqir Rexha, Nak Berisha, Ramë Alia, Kamber Loshi, etj. ishin kthyer në simbol të shpresës, të trimërisë dhe të lirisë, në shembull frymëzimi se si duhej luftuar dhe sakrifikuar për lirinë e Kosovës.
3.
Në këto rrethana lindi, u rrit dhe u edukua edhe Selman Kadria, bir i familjes së njohur Hasanaj (Bekë Ferizët) nga fshati Cerrcë, familje që konsiderohet ndër më të vjetrat e këtij fshati. Pesha e rëndë e Reformës Agrare, si shumë familje tjera të Kosovës, do ta godas edhe familjen Hasanaj. Përmes Reformës Agrare, më 1919, kësaj familjeje pushteti ia konfiskoi gjithë pasurinë e patundur me pretekst se ajo ishte pronë e beglerëve. Kjo pasuri kaloi në pronësi të vojvodës Miliç Kërstiq. Që nga kjo kohë, e shpronësuar nga toka dhe e dëbuar nga shtëpia shekullore, familja Hasanaj detyrohet të punojë dhe të jetojë ashtu siç do të mundet për t’i përballuar vuajtjet e ekzistencës në robëri. Selman Kadria u lind më 1906 në fshatin Cerrcë të komunës së Burimit që shtrihet rrëzë brezit të vargmaleve të quajtura Bjeshkët e Thata. Lindja e tij përkon me rrethana shumë të vështira nëpër të cilat po kalonte fati i kombit shqiptar, në rrethana të vetëdijesimit e të luftës vetëmohuese për çlirimin e Shqipërisë dhe të bashkimit të trojeve etnike shqiptare. Ai nuk shquhej dhe nuk kishte ndonjë fëmijëri të veçantë që ta dallonte nga moshatarët e tij sepse, thuaja, askush nga familjet shqiptare të asaj kohe nuk arrinte t’iu ofronte kushte minimale dhe pak lumturi këtyre fëmijëve që po lindnin dhe po rriteshin vetëm me shpresa për ardhmërinë e tyre. Megjithatë, ata që patën fatin ta njohin nga afër, thonë se Selmani ishte fëmijë i zgjuar, i shkathtë, guximtar, mahitar, por, mbi të gjitha, tregojnë se natyra ia kishte dhuruar dhuntinë e një zëri melodik, që më vonë, kur do të burrërohet, do ta bëjë rapsod të dëgjuar odash. Thonë se çiftelia dhe lahuta në duart e tij, në oda burrash, përcillte ngjarje nga e kaluara jonë e largët dhe e afërt, herë me pikëllim e herë me zemëratë e në të shumtën me krenari e mburrje. Tek e shihje Selmanin duke kënduar, tregojnë moshatarët e tij, të dukej sikur bashkëvepronte me heronjtë e këngëve popullore që luftonin dhe flijoheshin me vetëdije për lirinë e trojeve shqiptare.
Shkollat shqipe, të hapura në disa vende nga austrohungarezët, asokohe patën jehonë të fuqishme te populli shqiptar. Në një shkollë të tillë të hapur në Burim, Selmani pati fatin të mësojë shkrim e lexim shqip, të mësojë për heroin kombëtar Gjergj Kastriotin Skënderbeun, për Shqipërinë, për Kosovën, për këngët e meloditë e bukura të folklorit tonë, etj. Dituria dhe edukata nga mësuesit shqiptarë do t’i nguliten përjetësisht në qenien e tij dhe do t’i shërbejnë si udhërrëfim për gjatë gjithë jetës. Një ndikim të veçantë në ngritjen dhe në përsosjen e personalitetit të tij pati oda dhe tradita e kultivuar brez pas brezi nga gjyshërit dhe baballarët tanë. Si djalosh, me interesim të madh kish përcjellë bisedat që bëheshin në odat e burrave për luftërat që po bënin çetat e Azem Galicës, Beqir Rexhës, Mehmet Konjuhit, Kamber Loshit, Nak Berishës, Binak Perkiqit, Ramë Alisë, Adem Sejdisë, etj. për represionin, vrasjet, djegiet, dëbimet dhe internimet që po bënte ushtria, xhandarmëria dhe bandat çetnike serbe mbi popullatën e pa armatosur shqiptare.
Për të siguruar ekzistencën dhe kafshatën e gojës për vete dhe për familjen Selmani ishte detyruar të punojë gjatë kohë në punën e rrogëtarit, herë në tokën e e vet të rrëmbyer nga Miliç Kërstiqi, herë në mullinjtë dhe në pronat e serbëve kolonë të Burimit. Gjatë punës së rëndë dhe të mundimshme ai me dhimbje në shpirt do të bëhet dëshmitar i dhunës dhe terrorit sistematik mbi fshatarët shqiptarë. Shumica e shqiptarëve që kishin qëndrim refuzues ndaj robërisë serbe përfundonin nën torturat më mizore, të cilat zakonisht bëheshin në lokalet e mullinjve të tyre. Gjatë torturave shqiptarëve u futeshin gozhda nën thonj të duarve dhe të këmbëve, ua prisnin me thikë veshët, hundën dhe organin seksual, i mbytnin me dru, i rjepshin për së gjalli, i gulshonin në ujët e mullinjve, në ndonjë rast, të lagur, i linin të vdisnin në temperatura të ulëta deri në minus 20 gradë, i shëmtonin barbarisht dhe të masakruar i hidhnin në moçalet e Llugës së Xhamisë. Këto orgji kanibaleske, të shoqëruara me këngët mbytëse çetnike, nën tingujt e tmerrshëm të harmonikës dhe nën dehjen dalldisëse të alkoolit, bëheshin në Lugun e Shkieve, mahallë kryesisht e banuar me kolonë serbianë. Duke i parë me sytë e vet dhe duke dëgjuar në biseda për krimet që i bënte ushtria, xhandarmëria dhe bandat çetnike të udhëhqura nga gjakpirësit Kostë Peçanci, Spiro Dellovci, Arsenije Qyrku, Gal Tërziqi, Pantë Hashanin, Miliç Kërstiqi, Jer Malisha, Savë Peroviqi, etj. në heshtje të thellë Selmani e hante vetëvetën, ndërsa në thellësi të shpirtit mbushej me pezëm dhe me urrejtje të pa përmbajtur.
Vojvoda Miliç Kërstiq, tek i cili Selmani kishte rastisur të punonte si rrogëtar, po e mbyste popullin shqiptar në gjak dhe në vuajtje të padurueshme. Në mendjen e Slemanit shpeshherë kalonin masakra e Rakoshit, ku Miliçi, sëbashku me çetën e tij, kishte prerë e vrarë meshkujt e asaj ane, masakra e Bollopojës së Ultë ku ai kishte urdhëruar që të vriteshin në çast 12 fëmijë nga mosha 6 deri në moshën 12 vjeçare, të cilët po laheshin në përroin e fshatit, djegia për së gjalli e 9 fshatarëve të Uçës të ngujuar në një kullë të Burimit të Poshtëm, hakmarrja e tij gjoja për një bari të vrarë të Kerstiqëve në bjeshkë me çrast vrau 61 shqiptarë duke filluar nga qendra e Burimit e duke vazhduar deri në Burim të Poshtëm, masakra te Zabeli i Tomocit me të cilin rast katër të burgosur i detyroi t’i hapin varret e veta, ku edhe i ekzekutoi… Këto ishin vetëm disa masakra që ishin kryer në rrethin e Burimit ndërsa masakrat në popull dhe ekzekutimet e personave të veçantë në vise të tjera të Kosovës kërkojnë elaborim të veçantë. Jehona e krimeve të këtij gjakpirësi kalonte çdo kufi dhe çdo arsye të shëndoshë njerëzore. Lajmet për vrasje të këtilla vinin nga Drenica, Runiku, Klina, Përdrini, Rugova, Lugu i Baranit, Reka e Keqe, Gjakova e vende të tjera ku ai e kishte zonën e përgjegjësisë si vojvodë.
Selman Kadria, sëbashku me dy shokët e tij, Brahim Ukë Kabashin nga Gurrakoci dhe Ali Kabashin nga Tomoci, që të tre rapsodë popullor odash e njëkohësisht shokë të mirë, lidhin besën për të vrarë tre gjakpirësit më të njohur të rrethit të Burimit. Selman Kadria merr përsipër për të vrarë vojvodën Miliç Kërstiq, Brahim Kabashi Arsa Peroviqin, ndërsa Ali Kabashi merr përsipër për të vrarë Maliç Malishiqin.
Në një nga ditët e qërshorit të vitit 1938, në livadhet e quajtura Lytece, në Lluga të Cerrcës, në breg të lumit Istog, Selmani me një të shtënë pushke vret xhelatin e popullit shqiptar dhe jetëson betimin e bërë para vetëvetës dhe para shokëve.
Dy shokët e tij, për shkaqe të panjohura, nuk arritën t’i kryejnë atentatet mbi kriminelët tjerë. Vrasja e vojvodës Miliç Kërstiqi në qarqet e larta të shtetit serbosllav shkaktoi termet të fuqishëm. Për kapjen e Selman Kadrisë shteti mobilizoi gjithë mekanizmat e mundshme, ushtrinë, xhandarmërinë, vullnetarët si dhe, dhunshëm, mbarë fshatarët e fshatrave të Podgurit. Objektivi i Selman Kadrisë pas atentatit ishte arratisja për në Shqipëri, meqë kishte kohë që çetat e lirisë nuk vepronin më nëpër malet e Kosovës. Edhe ato pak komitete që mbaheshin në Kosovë vepronin në ilegalitet të thellë. Vrasja e Miliçit bëri jehonë të madhe dhe gëzoi mbarë popullin shqiptar, ndërsa emri dhe nami i Selman Kadrisë rrufeshëm u bë i njohur derë më derë kudo në trojet shqiptare.
Si pasojë e dhunës shtetërore si dhe e gjurmimit hap pas hapi nga ana e pushtetit, pas kësaj ngjarje për Selman Kadrinë filluan ditët e vetmisë dhe të izolimit total. Askush nuk guxonte ta qaste në shtëpi, askush nuk guxonte ta ndihmonte ta realizojë synimin për të kaluar në Shqipëri. Në momentet kur i afrohet zonës kufitare për të kaluar në Shqipëri disa barinj e njoftojnë se kufiri ishte shtrënguar dhe se po ruhej nga forca të shumta të ushtrisë dhe të xhandarmërisë. Në këto rrethana pa rrugëdalje, i nxitur nga një shpresë e fundit, vendosë të kthehet përsëri në bjeshkët e Cerrcës, vendlindjes së tij. I pa ngrënë për ditë të tëra, i lodhur nga gjithë ajo rrugë nëpër male, por i lumtur që kishte kryer misionin që ia kishte ngarkuar vetes, priste që ta takonte ndonjë njeri të besuar nga bashkëfshatarët për t’u njoftuar me të rejat e ditëve të fundit. Përmes një djaloshi, bari dhish, i dërgon të fala dajës Ramë Vuthaj (daja i babës së Selmanit), nga i cili kërkon për t’i sjellë bukë te vendi i quajtur Kroni i Keq. Me ta kuptuar lajmin, Rama fillimisht shkon në Burim, te kryetari i komunës Rale Vuliq, ku e lajmëron vendndodhjen e Selman Kadrisë. Pas kërcënimit dhe premtimeve të pushtetit, Rama pranon që t’ua qet Selmanin në kurthë. Në takimin „e përzemërt“ te Kroi i Keq Rama e njofton Selmanin për bastisjet, rrahjet, maltretimet dhe burgosjet që pushteti serbosllav kishte ndërmarrë mbi fshatarë për ta gjetur apo hetuar vendstrehimin e Selmanit. Si shansë të vetme të shpëtimit Selmanit ai ia propozon rrugën për në Tutinë, pas bjeshke, e prej andej, pas do kohe, në Shqipëri. Të nesërmen, sipas marrëveshjes, në vendin e caktuar takohen Rama me Selmanin. Rama me vete kishte marrë kalin, një boshqe me havale e rroba grash dhe një sopatë, gjoja, pas kthimit, për të prerë thupra lajthie.
Pushteti kish marrë masa të jashtëzakonshme mobilizimi. Një numër i madh ushtarësh, xhandarësh dhe vullnetarësh çetnikë zunë pikat më strategjike në rrugën malore Cerrcë-Tutinë ku do të kalonte Selman Kadria me dajën e tij. Prita kryesore ishte zënë në Qarrishtë, te vendi i quajtur Ku zhgërryhen ujqtë, prita e dytë te Gurrat e Bardha, ndërsa prita e tretë te Maja e Re. Me kërkesën e dajës Selmani vishet në rroba grashë dhe detyrohet ta fshehë pushkën në një vend që të mos rrezikohet gjatë udhëtimit. Pas një cope të mirë udhëtimi rrugës malore, në vendin e quajtur Shkallë (tashti: Shkalla ku është vrarë Selman Kadria), pak para se të bie në pritën e parë, Selmani e ndalë kalin. Sjellja e pa natyrshme e dajës e kish futur në mendime të dyshimta. Një ndjenjë e ligë nuk e lë të bëj përpara. Më shumë se vdekjes i frikohej turpërimit në rroba grashë. Pas aktit heroik të treguar tashti ai ishte një Selman tjetër. Sëpari nis e i fërfëllon rrobat e grave nga trupi e pastaj i thotë dajës se do të kthehet për ta marrë pushkën. Në vend të pajtimit me të, nga ai merr qortimin. Në përpjekje për të zbritur nga kali, njëra këmbë i ngatërrohet në zënxhi, ndërsa daja me tërë forcën e godet me sopatë në shpinë, mes dy shpatullave. Selmani i plagosur rëndë lirohet nga kali dhe me dajën fillon duelin për jetë a vdekje. Selmani e kap një gur të madh për ta goditur dajën, por plagët ia dobësojnë duart dhe guri i bie të këmbët. Atëherë niset në drejtim të pushkës së fshehur.
Të njëjtën gjë e bën edhe daja i tij. Që të dy synojnë, si në garë, që njëri para tjetrit të arrijnë te pushka e fshehur. Por, Selmani, tash më i dërmuar, ndalet dhe e përcjell dajën në vrap shpatit të poshtë. Me të arritur te pushka, me anë të fishekëve të zbrazur në erë, daja lajmëron vendndodhjen e tyre. Për të mos rënë në duart e xhandarmërisë serbe, i bindur tashmë për kurthin që i ishte përgatitur, Selmani mbledh të gjitha forcat dhe niset për t’i dhënë fund jetës në një humnerë sipër Majës së Golakut. Plagët e rënda dhe humbja e sasisë së madhe të gjakut bëjnë që ai të mos mund t’i urdhërojë këmbët. Thuaja në gjendje kome rrethohet nga forca të shumta të xhandarmërisë, të cilat edhe në një gjendje të tillë nuk guxojnë t’i afrohen. Pas një kohe Selmanin e alivanosur e shtrijnë në vig dhe e lëshojnë në qendër të fshatit Cerrcë, ku po pritnin çetniket në krye me Rale Vuliqin. Pas torturave barbare, Selmanin, në agoni, e dërgojnë në oborrin e kishës, në qendër të Burimit, ku po e pritnin turma orgjish kanibaleske serbe. Qindra serbë, të ardhur edhe nga Beogradi, e rrethojnë dhe i sulen për ta coptuar si korbat prenë. Madje, disa gra serbe nuk hezitojnë t’ia fusin duart nëpër plagët e thella të trupit për t’ia nxjerrë zemrën nga kraharori. Ndonëse i rrahur me çizme në kokë dhe në kraharorë, pyetjeve për vendndodhjen e dokumenteve personale të Miliçit, ai, në vazhdimësi, me mospërfillje, me ironi dhe përbuzje, u përgjigjet: i kam shti në bythë. Torturat dhe sharjet serbe do të vazhdojnë deri në frymën e fundit të Selmanit.
Vrasja e Miliqit, si edhe e disa kriminelëve ordinerë në Kosovë, të cilët kishin bërë krime dhe masakra të pashembullta mbi popullatën shqiptare për vite të tëra, ishte një hallkë e pashkëputur qëndrese, një vazhdimësi e rezistencës së popullit shqiptar për mbrojtjen e nderit, dinjitetit, lirisë dhe ruajtjes së identitetit kombëtar. Aktin heroik të Selman Kadrisë, sidomos viteve të fundit, populli shqiptar e ka përjetësuar në disa këngë popullore duke e ngritur atë në një hero të dashur popullor.
***
KËNGË PËR SELMAN KADRINË
Hej, hej, me gojë hapun o ka mbetë Serbia
Thonë kush asht ai Selman Kadria
Deri sot jo s’e kem njoftë Cerrcën
Sot na e vranë o atë Miliq Kërrstën
Hej, hej, po Istogu me rrethinë
Gjithmonë keq e kanë pritë Serbinë
Po k’saj radhe o pushka e Selmanit
Dridhi eshtnat o të Car Dushanit
Hej, hej, se Selmani o e vrau njat shka
Thonë me shki ai në gjak ka ra
Besa e Zotit jo nuk ka ra n’gjak
Për Shqipni ai o po merr hak
Hej, hej, po merr hak o për djem të ri
Dorë e saj o që na i ka gri
Po merr hak o për nan’ e për motra
Po merr hak për krejt k’to votra
Hej, hej, ty t’lumtë dora o Selman Kadria
Kështu po t’thonë tybe krejt Shqipnia
Djem si ti ka Kosova prapë
O prapë ndër shki do të marrim hak
____
Elizabeta Marku, Kanga e Selman Kadrisë:

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu