Dëshpërimi kosovar…

0
33
Rama përqafon Albinin

Arben Çokaj - gazetar Arben Çokaj

Heqja e kufijve mes shteteve të Ballkanit dhe liberalizimi i tregut në Ballkan, me 4 liritë themelore të lëvizjes (lëvizje e lirë e njerëzve – krahu i punës, mallrave, kapitalit dhe shërbimeve), a i intereson Kosovës? Këtu konsiston edhe Ballkani i Hapur. 7 milion shqiptarëve në Ballkan, kjo u intereson padyshim, por Kosovës i intereson më shumë njohja nga Serbia se kjo. Me këtë, Kosova tregon dëshpërimin e saj. Nëse BE i thotë Serbisë “njih Kosovën, dhe eja e hyj në BE, se kushtet i ke plotësuar“, e ajo nuk pranon, presion më të madh se kaq, nuk besoj se mund t’i bësh Serbisë, vetëm me luftë.

Por kosovarët e dëshpëruar duan patjetër njohjen nga Serbia, sikur nuk mund të jetojnë pa të, dhe nuk lënë vend pa e përmendur këtë, edhe kur bëhet fjalë për Ballkanin e Hapur. Kapen pas fijeve të barit, si i mbyturi. Aq sa i kërkojnë Ramës e Abazoviqit, ose “shpallni luftë Serbisë”, ose ne do u shpallim ju, non-grata e tradhëtarë.

Gabim i madh kosovar me e pa këtë çështje kështu, dhe mungesë e madhe e njohjes politike. Por i dëshpëruari e mendje-ngushti, synon të të marrë edhe ty me vete… siç po bëjnë kosovarët edhe në këtë rast. Po të ishte për Serbinë, Kosova nuk do bëhej shtet kurrë. Prandaj Kosova duhet të hapet me popujt e shtetet e tjera, që e njohin atë. Se po i rrinë me nofulla të ngrysura edhe Shqipërisë, që po ua tregon rrugën drejt lirisë.

Pra, nëse diskutojmë Ballkanin e Hapur, Kosova ka arsyet e saj pa arsye, që e kundërshton, jo është projekt rus e serb, jo është Jugosllavi e re, jo është Ballkaniadë etj. etj. Por kjo është vetëm një marrëveshje mes shteteve, që lehtëson mjaft mirë lëvizjen e lirë dhe liberalizon tregun, e nuk ka arsye të kundërshtohet, pasi prej saj përfitojnë popujt e Ballkanit, ndër ta edhe 7 million shqiptarë në Ballkan, ku hyjnë edhe kosovarët.

Por Kosova i ka disa lidera të paditur, që më parë e kam thënë mjaft banalisht, që mendojnë me lukth, me zhabë e me gushë, e jo me tru. Ashtu i ka edhe disa analista e banalista, se populli është i tillë, i trajtuar tepër keq për shekuj nga serbët e me arsye nuk ka besim te Serbia, vetëm se ushqehet me mallrat serbe, se sytë serbëve nuk don as me i pa. E ka zënë halli me Serbinë, se e ka aty në derë dhe i duhet të importojë mallra nga Serbia, me një Serbi që e ka pushtuar dhe është tallur keq me të për kohë të gjatë dhe frika e urrejtja kosovare janë ndjenjat më normale, që mund t’i ketë një popull në këto raste. Nuk ka dyshim për këtë.

Por si duhet të veprojnë politikanët e Kosovës, dhe shefi i shefave Albin Kurti e Prezidentja Osmani në këtë rast? Duhet të dalin përtej kësaj ndjenje, se e kanë për detyrë dhe të shohin interesin më të mirë të Kosovës. A u intereson atyre, popullit të Kosovës kjo lëvizje e lirë, si u intereson 5 shteteve të tjera të Ballkanit? Se janë mbyllë si miu në çark? Apo mos është kjo një lojë tjetër për “t’ia futur” Serbia Kosovës, siç ka bërë gjithmonë në histori?

Nëse Albini e Prezidentja mendojnë se Ballkasni i Hapur mund të mos i interesojë Kosovës, se nuk kanë besim te Serbia, dhe se populli i Kosovës në shumicë do ashtu, atëherë ashtu të veprojnë edhe nëse kjo është gabim. Mirë është të bëjnë sondazhe të sinqerta në popull, se me sa kam parë unë në diskutime me shokë e miq kosovarë, ata janë të bindur se Ballkani i Hapur është një gjë keqe për Kosovën e për Ballkanin. Por nuk është gjë e keqe se. Pra, nëse krijohet iluzioni se Ballkani i Hapur nuk bën, është i keq, atëherë edhe populli këtë perceptim do të ketë. Por nëse i tregohet popullit realiteti, ku konsiston Ballkani i Hapur realisht, ata do të kenë perceptim tjetër, padyshim.

E zëmë se Ballkani i Hapur është ide serbe, ok? Por jo çdo gjë serbe është e keqe, nuk hahet, se po ushqehet populli i Kosovës me ushqime serbe përditë, apo jo? A thua të këqia janë ushqimet serbe? Pse i hanë atëherë?

Merrni gjërat më lehtë, marrëveshja e Ballkanit të Hapur nuk është gogol, nuk është me të futme, janë 4 liri themelore, që synojnë liberalizimin e tregut në Ballkan dhe ato janë për mirë për popujt e Ballkanit. Po bëni zhurmë kot e pa kuptim, tallava!

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu