ARKIVI:
23 Nëntor 2024

Të jetojmë të lirë në pavarësi, pa krijesa artificiale dhe pa Serbi!

Shkrime relevante

Kush më shkroi letër në emër të Bujar Bukoshit, 24 vite më parë? Gjetja e autorit të letrës do të zbulonte shumëçka…!

Gjergj - Bajram Kabashi ___ Shkruar më 17 nëntor 2024 ___ Ja si nisi provokimi...

Zgjedhje për vazhdimësi politike, jo për ndryshim!

Florim Zeqa  Në kohën kur është intensifikuar (para) fushata elektorale e partive...

Historia e ortodoksizmit shqiptar, e shpjeguar me urti e fakte historike

https://www.youtube.com/watch?v=w60i7AO1Tfk&fbclid=IwY2xjawGuhGNleHRuA2FlbQIxMQABHXRlD0TIhxlydf7v48mN8HSJIi7BbPDau5JBPjMJ1nP4EoSdRc3EvbXR7A_aem_Orfl15eTgvC5InDLU_u30Q Fan Stilian Noli

Putini është i varur nga lufta

Vladimir Putin në një takim me Ministrinë e Mbrojtjes dhe industrinë...

Shpërndaj

Florim Zeqa

Në 23 vjetorin e çlirimit

12 Qershori i vitit 1999 e shënon hyrjën e forcave paqëruajtëse të NATO-s në Kosovë pas 78 ditë bombardimesh ndaj caqeve serbe, e cila kulmoi me çlirimin e Kosovës. Kjo ishte ndërhyrja më e madhe e aleancës më të fuqishme ushtarake që ka njohur ndonjëherë historia për të ndaluar krimet, dhunën dhe spastrimin etnik të shqiptarëve të Kosovës nga Serbia.

Hyrja e forcave të NATO-s dhe kthimi biblik i shqiptarëve në trojet stërgjyshore

Hyrja e forcave të NATO-s në Kosovë, edhe tani pas 23 viteve, mbetët njëra ndër ngjarjet më madhore në historinë e shqiptarëve në përgjithësi, e për shqiptarët e Kosovës në veçanti.

Por, akoma më i madhërishëm ishte kthimi biblik i popullatës në trojet stërgjyshore, edhe pse me shtëpi të djegura dhe më pasuri të plaçkitura nga barbarët serb.

Shqiptarët e Kosovës e mahnitën botën e civilizuar me ngritjen si feniksi, me ndërtimin e shtëpive mbi gërmadhat e shtëpive të bëra pluhur e hi.

Dashuria ndaj atdheut ishte shumfish më e madhe sesa buxhetet e varfëra familjare të shqiptarëve të cilët dhanë gjithçka që patën për lirinë e Kosovës.

Megjithatë, ndihmat humanitare nga shtetet perëndimore ishin të mirëseardhura për një pjesë të popullatës, e cila nuk ishte në gjendje të bëjë ndërtimin dhe as riparimin e shtëpive të djegura dhe rrënuara tërësisht.

Për këtë popullata e Kosovës i është mirënjohëse dhe falenderuese për jetë e mot bashkësisë ndërkombëtare për ndihmën në çlirimin e vendit dhe rindërtimin pas lufte.

Tani e 23 vjet më parë, intervenimi i NATO-s, për më tepër se intervenim ushtarak, ishte kuptuar si mision humanitar për shpëtimin e një popullate krejtësisht të pambrojtur, që i kanosej shfarosja dhe deportimi kolektiv nga trojet e veta.

Edhe 23 vjet më pas, prezenca e NATO-s në Kosovë dhe baza ushtarake BONDSTEEL konsiderohen forca mbrojtëse dhe garantuese të lirisë sonë.

Disa subjekte dhe liderë partiakë kanë filluar të harrojnë luftën, bashkë me këtë edhe  ndihmën e madhe, të pa parë ndonjëherë gjatë historisë sonë shekullore, që na erdhi nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe bota e civilizuar e demokratike në përgjithësi.

Pavarësia e Kosovës, kompromisi më i madh politik i shqiptarëve në fundshekullin e kaluar

Mirëpo, populli i Kosovës nuk e harron asnjëherë luftën e Ushtrisë çlirimtare të Kosovës dhe ndihmën e ushtrisë së NATO-s, pa të cilën lufta në Kosovë nuk do të ndalej asnjëherë pa çlrimin e plotë të trojeve etnike shqiptare.

Çdo anashkalim dhe nënvlerësim i forcës çlirimtare të një populli, pashmangshëm mund të çojë në një luftë të re të përmasave mbarëkombëtare, në të cilën do të involvohen të gjithë shqiptarët në trojet etnike dhe diasporë.

Shënimi i ditës së çlirimit për secilin popull që ka përjetuar një pushtim të gjatë, është dita më e dashur, kremtja më e madhe dhe data më e paharruar në kujtesën popullore.

Për shqiptarët e Kosovës, 12 qershori i vitit 1999 është dita më e madhe, më e lumtur dhe e paharruar.

Marshimi i ushtrisë se NATO-s dhe ushtarëve të UÇK-së rrugëve të Prishtinës dhe mbarë Kosovës shënoi gëzimin më të papërshkruar me fjalë të qytetarëve, të cilin, në mënyrën më besnike e përshkruan blici i aparatit dhe syri i kamerave televizive.

Ta kthejmë kujtesën në vitet kur u vunë themelet e shtetit të Kosovës

Sot më 12 qershor po bëhen 23 vjet nga hyrja e forcave paqëruajtëse në Kosovë. Në rrethana normale, 23 vjet liri dhe mbi 14 vjet pavarësi për shqiptarët e Kosovës do të ishin tepër shumë, madje do të mjaftonin shumë më pak se kaq vite për ndërtimin, konsolidimin dhe zhvillimin ekonomik të shtetit!

23 vjet nga ndërhyrja e forcave paqeruajtëse, kemi shtet të dizajnuar nga ndërkombëtarët, me flamur pa ndjenja kombëtare dhe himn pa tekst, “mrekulli” që askush nuk e kishte pritur!

Megjithatë, kjo është liria që na solli shtetin, edhe pse ndryshe nga ai që projektuan atdhetarët dhe atë që ëndërruan martirët dhe dëshmorët e kombit.

Njerëzit kanë deshirë ta kujtojnë të kaluarën e tyre.

Mirëpo me kalimin e viteve, kjo e kaluar po e ndryshon trajtën, ku shumë gjëra po zmadhohen, apo u përshtaten rrethanave kohore.

Në çdo përvjetor të çlirimit të shtetit të Kosovës, qytetarët duhet ta kthejnë kujtesën e tyre në vitet e krenarisë kombëtare, të rezistencës së gjatë paqësore të viteve të ’90-ta, përkatësisht: 2 Korrikun, 7 Shtatorin e vitit 1990 dhe Referendumin Popullor për Kosovën shtete sovran dhe të pavarur (26-30 Shtator 1991), ngjarje këto që i vunë themelet e shtetit të Kosovës si dhe ta kujtojmë me pietet të lartë periudhën e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (Mars 1998-Qershor 1999), për të kujtuar dhe nderuar përgjithmonë gjakun e dëshmorëve dhe martirëve të lirisë sonë.

Ne pasardhësve të tyre, na mbetët ta çojmë në vend amanetin e komandantit legjendar, Adem Jashari, kryeheronjve Sali Çekaj dhe Agim Ramadani, kolonelëve Ahmet Krasnqi dhe Tahir Zemaj, luftëtarëve të lirisë Luan Haradinaj dhe Adrian Krasniqi, Zahir Pajazitaj dhe mijëra dëshmorëve të lirisë, vargu i të cilëve është i gjatë dhe i pambarim.

Këtë shkrim për 23 vjetorin e çlirimit të Kosovës nga Serbia po e përfundoj me një thirrje drejtuar SHBA-ve: T’bekoftë Zoti moj Amerikë, shtrije edhe një herë dorën për Kosovën, çoi në vend fjalët e Rugovës, të UÇK-së dhe dëshmorëve të Kosovës, për të jetuar të lirë e në pavarësi, pa krijesa artificiale dhe pa Serbi, pa Open Ballkan dhe Ballkani!

Kosovë urime 23 vjetori i çlirimit!

Zoti e bekoftë gjakun e derdhur për lirinë e Kosovës!

Florim Zeqa, 12 Qershor 2022

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu