ARKIVI:
24 Nëntor 2024

Kosova feston Ditën e Lirisë dhe Paqes, 23 vjetorin  e 12 Qershorit 1999 

Shkrime relevante

Vjosa Osmani dhe fërkimet me Qeverinë e Kosovës: A po kërkon interesa personale dhe po injoron votën e qytetarëve të Vetëvendosjes?

Nga: Luan Dibrani Në një periudhë të tensionuar politike, Presidentja e Kosovës,...

Ish kongresmenja demokrate samoane amerikane, sot si republikane Tulsi Gabbard, zgjidhet si Drejtore e Inteligjencës Kombëtare

Klajd Kapinova, New York Ish kongresmenja demokrate samoane amerikane, sot si republikane...

Mendon se lufta mund të përfundojë vitin e ardhshëm

Foto: Lars Eivind Bones / Dagbladet Marlene Lundberg Holm Presidenti Volodymyr Zelenskyy thotë...

Shpërndaj

Nderime ushtareve te rene te NATO-s per lirine e Kosoves

Shkruan: Behlul JASHARI, Prishtinë

PRISHTINË, 12 Qershor  2022/ Kosova sot feston Ditën e Lirisë dhe Paqes – 12 Qershorin. Në 23 vjetorin e 12 Qershorit 1999 – Ditës së Lirisë e Paqes në Kosovës, Presidentja Vjosa Osmani dhe Kryeministri Albin Kurti, bënë nderime te Pllaka Përkujtimore e ushtarëve të rënë të NATO-s gjatë shërbimit në operacionin e KFOR-it në Kosovë. 

Duke kujtuar pranverën e vitit 1999, Kryeministri Kurti tha se 19 shtete demokratike të Aleancës Veriatlantike u bënë bashkë dhe ndërhynë ushtarakisht kundër Jugosllavisë dhe Serbisë së Millosheviçit që ta ndalin gjenocidin e forcave serbe në Kosovë. 

“Aeroplanët e NATO-s bombarduan për 78 ditë, por më 12 Qershor është dita kur trupat tokësore, këmbësoria e NATO-s i bashkëngjitet sulmeve nga ajri dhe në këtë mënyrë na bën të mundshme që për çdo vit, e sot janë bërë 23 vjet, ne ta kremtojmë 12 Qershorin si ditë të çlirimit e të paqes”, u shpreh Kryeministri Kurti. 

  NATO 12 June 1999 – Kosove

Ai tha se sot, kujtojmë të gjithë të rënët, kujtojmë edhe ata që nuk janë në mesin tonë nga radhët e NATO-s e që kontribuuan shumë për çlirimin e vendit tonë e për lirinë e popullit tonë. 

Përveç qytetarët e Republikës dhe shqiptarët mbarë, kryeministri uroi edhe të gjithë zyrtarët e pjesëtarët e NATO-s në Kosovë dhe jashtë saj. 

Gjithashtu, në shënimin e 12 Qershorit, ditës kur Kosova u çlirua e erdhi paqja, Presidentja Osmani e Albin Kurti nderuan figurat emblematike që kontribuan për lirinë e Kosovës. 

“Presidenti historik, dr.Ibrahim Rugova, arkitekti i pavarësisë sonë, ishte njeriu që mbajti gjallë shpresën për liri e ndërtoi miqësi e aleanca që edhe sot i duhen Kosovës. 

Ishim poashtu në Prekaz sepse liria jonë i ka rrënjët aty. Ndaj nderuam sakirificën e komandantit legjendar Adem Jashari me familjen e tij, si dhe të gjithë dëshmorët e UÇK-së të cilët i dhanë vulë lirisë sonë. 

Sot nderuam edhe simbolin e vetëmohimit, veprimtarin Adem Demaçi, i cili një jetë të tërë ia kushtoi çështjes kombëtare”, ka deklaruar Presientja Osmani. 

Po sot në mesditë, nën patronatin e Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, u mbajt aktiviteti “Nga eksodi në liri” në Bllacë të Hanit të Elezit,  në vendin ku populli i Kosovës e përjetoi eksodin masiv dhe prej nga forcat tokësore të NATO-s hynë në Kosovë. 

“23 vjet më parë, Sherife Luta u bë personifikim i vuajtjeve të refugjatëve kosovarë. 23 vjet pas, sot ajo ishte e ftuara ime kryesore në manifestimin për ditën e çlirimit.
Sherifja është personifikim i qëndresës së popullit dhe kujtesë e eksodit të dhunshëm të shkaktuar nga regjimi gjenocidal serb më 1999. Ajo është një nga gratë tona stoike, të cilat nuk u dorëzuan në luftë, siç nuk dorëzohen as sot në paqe!”,  shkruan Presientja Osmani. 

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, Kryeministri Albin Kurti  dhe Kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca morën pjesë në Manifestimin Qendror “Nga Eksodi në Liri” te Treni Muze, në Bllacë të Hanit të Elezit. 

Datë të shënuar të Kosovës dhe të kombit e cilësoi kryeministri Kurti 12 Qershorin në fjalën e tij. Dallon në shënimin e saj historik, sepse kjo nuk është dita e një përpjekjeje, por e realizimit të një rruge të gjatë sakrifice e vuajtjesh historike. Ne kemi shumë ditë të larta të luftës dhe vuajtjes, por kemi pak ditë të larta të realizimeve sublime, tha ai. 

Duke kujtuar se sot bëhen plot 23 vjet nga koha e çlirimit të vendit tonë, kryeministri Kurti tha se janë 23 vjet rrugëtim për të arritur lirinë që kemi ëndërruar gjithmonë. 

NATO-Kosove-12-Qershor-1999-te-Ura-e-Kashanit-Gryka-e-Kacanikut – Foto Bedri Sadiku

“Është aq shumë e dhimbshme saqë ndjenjë e papërshkrueshme për shumë prej nesh që jetojmë sot këtu – pikërisht në Bllacë. Në vendin ku qindra mijëra shqiptarë kanë kaluar ditë e net të tëra nëpër tenda, në baltë, diell e shi, duke shpresuar që shpëtimi gjendet përtej kufirit”, u shpreh ai. 

Më tej, kryeministri Kurti tha se në secilin 12 Qershor i kujtojmë të gjitha këto ndjenja. Tërë këto përjetime. Gjithë këtë luftë të jashtme e të brendshme që kemi bërë ndër vite, vetëm e vetëm për të mbrojtur e ruajtur tokën tonë, shtëpitë tona. 

Kryeministri Kurtit tha se ne si popull e dimë mirë dhe e kemi dëshmuar se nuk na lodhë sakrifica dhe vuajtja. Dëshmorët e kombit, siç u shpreh ai, janë dëshmia e popullit për liri. Por, duhet të shquajmë edhe një të vërtetë tjetër të dhimbshme: ne nuk na lodhë lufta dhe sakrifica, por na përgjumë ca fitorja dhe suksesi. 

NATO-Kosove-12-Qershor-1999-hapat-e-pare – Foto Bedri Sadiku 

“Kjo fitore, ky çlirim, kjo datë sublime në histori, na vendosi disi në një qetësi, në një gjendje rehatie që na e vështirësoi vazhdimin. Kjo datë na kërkonte një shpejtësi të re, një organizim të ri. Kur duhet të nguteshim dhe të përcaktonim qëllimet tona në mënyrë të qartë, ne preferuam të dëgjonim, vetëm të dëgjonim mekanikisht, pa menduar ne vetë. Për të bërë luftën, ne e morëm vetë vendimin. Për të bërë paqen dhe ndërtuar shtetin, ne prisnim këshilla nga të tjerët dhe nuk dëgjonim se ç’na thoshte zëri ynë i brendshëm historik”, tha kryeministri Kurti. 

Duke përmendur aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës; kërkesën e drejtpërdrejtë për njohjen e Kosovës prej atyre shteteve që nuk e njohin ende shtetin e pavarur, marrjen e kontakteve të zhvilluara për të bërë të mundshëm anëtarësimin e Kosovës në Aleancat më të natyrshme për shtetin tonë, intensifikimin e marrëveshjet mes qeverive dhe realizimin e tyre me Republikën e Shqipërisë, kryeministri Kurti tha se sa i takon zhvillimit të brendshëm kemi vazhduar të investojmë në forcimin e ushtrisë dhe policisë së shtetit, kemi arritur rritjen ekonomike mbi 10% dhe kemi mbështetur bujqësinë e industrinë vendore, të varfërit e nevojtarët, e kemi ngritur Kosovën për të mirë për 17 vende me lart sa i përket edhe luftimit të korrupsionit edhe lirisë së medieve, kurse për sundim të ligjit jemi të parët në rajon. 

NATO-Kosove-12-Qershor-1999-afer-Ferizajt-femije-pershendesin-kolonen-e-forces-shpetimtare – Foto Bedri Sadiku 

Jemi duke punuar fort në adresimin institucional të të kaluarës si dhe bërjen përgjegjëse të Serbisë për krimet e kryera në Kosovë, tha kryeministri, duke theksuar se përfaqësimi i Kosovës në arenën ndërkombëtare është i dinjitetshëm, vleror dhe i dobishëm. 

Prandaj, tha ai, në momente si kjo na duhet të bëhemi bashkë, e duke kujtuar të kaluarën, të shtrëngojmë fort dhimbjen që ndjejmë e të zotohemi që do të bëjmë më të mirën për të ardhmen e këtij vendi. Të brezit tonë e të gjeneratave që vijnë, tha Kryeministri Kurti. 

Para 23 viteve Kosovës nisi t’i ndodhte liria dhe paqja: Ishte ora 05 e 17 minuta e mëngjesit në 12 Qershorin historik 1999, kur prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës tanket e para të NATO-s të përcjella nga helikopterët Apaçë nisën të hynin në Kosovë, kalonin kufirin nga Maqedonia në Bllacë-Han të Elezit. Lajmin e madh për gjithë shqiptarët e botën e raportoja drejt Tiranës për Agjencinë Shtetërore Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë – Agjencinë Telegrafike Shqiptare dhe Radio Televizionin Shqiptar nga kolona e tankeve të para të focës ushtarake më të madhe planetare, e cila të nesërmen merrte në kontroll edhe kryeqytetin, Prishtinën, ndërsa  duke kaluar kufirin nga Shqipëria nëpër Morin-Vërmicë shkonte edhe drejt Prizrenit… 

 Uturima e fortë e helikopterëve Apaçë dhe e kolonës së gjatë të tankeve të NATO-s, që hyri në Kosovë në mëngjesin e hershëm të 12 Qershorit 1999 nuk kishte kend ta zgjonte në qytezën kosovare Hani i Elezit, mu në pikën e kufirit me Maqedoninë. Forca më e madhe e botës, NATO, kalonte nëpër qytezën fantazmë, të mbetur pa banorët e dëbuar, të boshatisur nga jeta, të djegur e bërë shkrum nga gjenocidi e spastrimi etnik i forcave okupatore të Serbisë mbi popullin shqiptar të Kosovës. 

Me përshkrimin e kësaj pamje të tmerrshme të Kosovës së mbetur pa njerëzit e saj, por edhe me gëzimin më të madh se në atë mëngjes plot shkërqim të diellit që po lindëte kishte ardhë ajo dita e ora e madhe e ëndërrave – Dita e Lirisë së Kosovës, po vazhdoja të japë me telefon raportin e nisur në orën 05 e 17 minuta, me kryelajmin më të madh në botë:  “Taknet e para të NATO-s hynë në Kosovë, në këtë orë të lume, në këtë mëngjes të 12 Qershorit 1999, në këtë ditë të madhe historike për Kosovën dhe të gjithë shqiptarët…” 

Më shumë se lajm ishte një shpërthim ndjenjash, që në reportazhin e asaj dite mundohesha t’i tregojë edhe me këto fjalë: “Çlirimi i Kosovës nuk është ëndërr, është më shumë se gëzim, po ndodhë…” 

Rilindja-e-dates-13-qershor-1999 – Foto Bedri Sadiku

Me një ndjenjë krenarie erdhën pastaj pëshëndetjet për NATO-n në Kosovë nga një grup i luftëtarëve të lirisë, të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili doli të presë e përshëndes forcen aleate. Ishin me uniformat dhe simbolet e ushtrisë me shqipnjën dykrenare, e të paarmatosur. 

Uniforma të tjera dhe ushtarë të tjerë nën armë, pjesëtarë të forcave serbe, u gjetën ca më vonë në një tunel, tek në ikje minonin për t’ia mbyllë rrugën NATO-s. Ata u çarmatosën dhe u detyruan vet t’i heqin minat, dhe marshi i NATO-s vazhdoi pas një ndalje e vonese te tuneli. 

Një ndalje e gjatë e kolonës, më se katër orë, ishte te Ura e Kashanit mbi lumen Lepenc në Grykën e Kaçanikut. Njësitet britanike të xhenios, ushtarë nga Nepali dhe Anglia , brenda asaj kohe zhvilluan operacionin për mënjanimin e rreziqeve të mundshme nga minat dhe për t’u siguruar se mbi urë do të mund të kalojnë tanket dhe makineritë e tjera të renda luftarake. Testimi i urës u bë edhe me zbarkimin e helikopterëve mbi të, fillimisht helikopterë më të lehtë e në numër më të vogël, e pastaj githënjë e më të rëndë e në numër më të madh… 

Kishte kaluar ora 15 e pasditës dhe ura po kalohej… 

 Kishte edhe rreziqe e pengesa të tjera në terrene të luftës së sapopërfunduar. “Asnjë hap jashtë asfalti”, ishte urdhëri për gazetarët që ishim në kolonën e NATO-s. Mina të vendosura nga forcat serbe mund të kishte kudo. 

Në Grykën e Kaçanikut forcat serbe kishin lënë prapa edhe shumë grafite në faqe shkëmbinjësh. Për grafitin serb “Kosova është zemra e Serbisë” si një antigrafit ishte komenti i  një gazetari: “E si mund të jetë zemra jashtë trupit?!”. “Serbia deri në Durrës” ishte një nga grafitet që shkonin në të pamundurën e edhe shumë më larg: “Serbia deri në Tokio”,  “Serbia deri në Sidnei”, që pretendonin se edhe Japonia dhe Australia qenkan Serbi. Gazetarët nga gjithë bota, me të cilët në kolonën e tankeve të para të NATO-s në Kosovë isha bashkë me korrespondentin nga Shkupi të gazetës shqiptare tradicionale të Kosovës Rilindja, Bedri Sadiku, ato grafite i shikonin si një çmenduri serbe dhe qeshnin, fotografonin, filmonin, raportonin… 

Për të hyrë me NATO-n në Kosovë “të akredituar deri natën e 11/12 Qershorit,  diku pas mesnate,  ishin më shumë se 1500 gazetarë nga gjithë bota”, ka shkruar Bedriu në gazetën historike Rilindja, për të cilën ka shkruar-raportuar e fotografuar në 12 Qershor 1999, kur kishim fatin historik të hyjmë në Kosovë me NATO-n që sillte lirinë… 

Përtej grafiteve të përçudshme serbe, si një përgjigje dhe realitet se çka është Kosova u shfaq imazhi i Flamurit Kombëtar Shqiptar i ngritur si fluturim shqiponje dykrenare e si në majën më të lartë të festimeve në gjithë botën në qytetin e Kaçanikut, ku në 7 Shtator 1990 ishte shpallur Republika e Kosovës dhe miratuar Kushtetuta e saj në një mbledhje historike të Kuvendit të Kosovës, në kushte të rënda dhe plot rreziqe okupimi, e që pasonte Deklaratën Kushtetuese për Pavarësinë e Kosovës të 2 Korrikut 1990 të miratuar para dyerve të mbyllura të ndërtesës së Kuvendit kosovar në Prishtinë nën shtetrrethim edhe me tanke e snajperë të forcave okupatore të Serbisë. 

 Një pjesë e forcave të NATO-s u ndal në Kaçanik, ndërsa kolona vazhdoi rrugën drejt Fushës së Pajtimit dhe qytetit të Ferizajt, në orët e pasditës… 

 Ora 16. Mbi qytetin e Ferizajt shiheshin re tymi. Për të pritur e përshendetur NATO-n me lulet që i vënin mbi tanke e shtronin rrugën, dhe me brohoritjet “NATO, NATO”, “Kosova, Kosova”, “NATO-Kosova e Lirë”, kishin dalë ata pak banorë shqiptarë që kishin mbetur në Ferizaj. Ata kishin dalë përkundër kërcënimeve e shumë rreziqeve se ende forcat serbe nuk kishin ikur. “Forcat serbe edhe sot po e djegin Ferizajn, duan ta djegin të tërin në largim e sipër”, tregonin banorët shqiptarë. 

Bllacë, Muze

 Në një cep të rrugës ishin ndalur ushtarakë të NATO-s dhe fëmijëve u shpërndanin bombone - ëmbëlsira. Fëmijtë ishin tërë gëzim. Një vajzë 10-vjeçare, shumë smpatike, po shtrëngonte ëmbëlsirën në grusht te zemra dhe thërriste shumë e lumtur: “Do ta ruaj tërë jetën për kujtim”. Për ta ruajtur, veç një herë e afroi te buzët bombonin ajo vajzë që muaj të tërë as s’kishte parë ëmbëlsira e kishte vujtur edhe nga uria në mungesë të bukës. Vajza tregonte se ajo është Shega Asllani dhe se është nxënëse shembullore e klasës së katërt të tetëvjeçares. Një e afërme e saj, Bardha Asllani, me gazetarët spanjollë fliste spanisht, ndërsa për të shprehur falenderimin e madh të gjithë fëmijët përreth brohorisinin për Solanën, atëherë Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s, për Presidentin Amerikan Clinton, Kryeministrin Britanik Bler… 

Pas ndonjë ore edhe fushat rreth Lipjanit u mbushen tanke të NATO-s, të cilat para mbrëmjes arrijnë deri afër Prishtinës, por hyrja në kryeqytet mbetet për të nesërmen… 

Me gazetarët që nuk u pritej u nisëm për në Prishtinë edhe pse rreziku ishte i madh para se të hynin forcat e NATO-s. Ishte edhe festë lajmi që e jepja drejt Tiranës se po hyja në Prishtinë dhe afër ishin forcat e NATO-s që do hynin… 

Po kthehesha në Prishtinë, para mbrëmjes së 12 Qershorit, duke kujtuar edhe largimin drejt kufirit jugor të Kosovës pasi në mbrëmjen e 24 Marsit 1999  në kushte të pamundshme të ndërprerjes së linjave telefonike dhe dritave, me lidhje satelitore që e mundësoi vëllai Demë Jashari nga Zvicëra, nga banesa plot edhe me refugjatë në qytetin në luftë e në shtetrrethim, derisa shkallëve të ndërtesës në lagjen Ulpiana dëgjoheshin rrapllimat e zërat e forcave serbe, kisha raportuar  nga Prishtina në Tiranë për goditjet e para të aviacionit të NATO-s e të nesërmën në mëngjes për “qytetin fantazmë” e masakrat e reja të forcave serbe në shtëpitë e shqiptarëve gjatë natës… 

Bllace-2

Atë parambrëmje të 12 Qershorit 1999 në qendër të kryeqytetit, te Hotel Grandi, shihej se rreziku ishte edhe më i madh se që ishte paramenduar. Në të gjitha anët kishte të shtëna armësh. Kudo kishte policë, ushtarë, paramilitarë serbë, të gjithë të armatosur, shumë prej tyre edhe të dehur… 

 Edhe në atë situatë, mes shumë rreziqesh, po bëja një raportim edhe për gazetën Rilindja, e cila pas ndalimit nga forcat serbe në Kosovë vazhdonte të dalë në Zvicër, Shqipëri…Nuk dola fare nga automjeti që u ndal para hotelit, dolën vetëm gazetarët nga bota. 

 Paramilitarët serbë i ndoqën gazetarët ende pa hyrë në hotel, dhe nëpër një rrëbesh shiu që largoi njerëzit nga rruga po largoheshim me shpejtësi me automjetin ku ishim… 

Po ku të shkonim, ku ta kalonim natën, kur ende nuk mund të shkoja në banesën time ku kishin hyrë forcat serbe… 

Shkojmë drejt adresës së telefonatës së 6 Majit 1999 nga Prishtina, që u bë lajm…“Ai lajm na dha shpresë shpëtimi”, u shprehën me falënderim të ngujuarit atje, që na dhanë çelësin e një banese të boshatisur. 

Në lajmin e 6 Majit 1999, natyrisht, në rrethanat që ndodheshin të ngujuarit në Prishtinë, mes forcave kriminale, nuk përmenda burimin, telefonatën nga posta e re e Prishtinës që ishte bërë mes rreziqesh, po duke iu referuar “burimeve” tregova çka po ndodhëte, që “bota ta marrë vesh”. 

“Shqiptarët në Prishtinë – mburojë e gjallë”, ishte titulli i lajmit që kisha raportuar nga Kufiri jugor i Kosovës në 6 Maj 1999, ku theksoja: “Shumë banorë të Prishtinës po mbahen peng dhe
po përdoren nga serbët si mburojë e gjallë. Ata janë detyruar të qëndrojnë në shtëpitë dhe banesat pranë vendeve ku janë fshehur
armë dhe mjete të mekanizuara ushtarake si dhe nëper objekte që
mund të bombardohen nga NATO-ja”… 

Bllacë …

Në kryeqytetin e Kosovës edhe gjatë gjithë natës së 12-13 Qershorit 1999 breshëritë e armëve serbe vazhdonin dhe plumbat qorr binin mbi kulmin e banesës së boshatisur, ku u strehuam. Nata e fundit e forcave serbe në Prishtinë ishte plot tmerre dhe ankthe, kishte shqiptarë të vranë në shtëpitë e tyre, edhe shumë djegie e plaçkitje. 

Në mëngjesin e 13 Qershorit 1999 qielli mbi Prishtinë mbulohej nga helikopterët e NATO-s, ndërsa kolona e tankeve dhe makinerive tjera ushtarake shihej tek zbriste nga kodrina e Veternikut dhe mbushte sheshet dhe rrugët e Prishtinës. “NATO po e merr kontrollin në Prishtinë dhe po detyron forcat serbe të largohen…” Lajmi që po raportoja për Agjencinë Shtetërore Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë dhe drejtpërdrejtë i lidhur edhe me Radio Televizionin Shqiptar po shkonte nga Prishtina në Tiranë me telefonin me lidhje zvicerane satelitore, sepse lidhjet tjera telefonike ishin të pamundura. Telefonin që më mundësonte raportimet – lidhjet me Tiranën  ma kishin sjellë familjarë nga Zvicëra – djali Guri Jashari derisa isha në Maqedoni refugjat lufte.   

Në Prishtinën e shkatërruar ndihej erë shkrumi e shtëpive e obekteve tjera të djegura. Nga forcat serbe ishin djegur edhe selia e Zyrës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë dhe selia e Presidencës së Kosovës. Dyqanet dhe klubet të gjitha ishin të mbyllura dhe të plaçkitura. Hotel Grandi ishte i hapur, por ende jo për shqiptarët. Thuhej se bodrumet e hotelit ishin shndërruar në qendër turturash për shqiparët e rrëmbyer e të arrestuar nga forcat serbe. 

Foto nga Bllaca e dikurshme

Vetëm edhe një lokal-klub tjetër i vogël përball hotelit ishte i hapur. Ai ishte i mbushur plot me njerëzit që pinin kafenë e parë në Prishtinën e lirë. Në Kosovë, edhe në Prishtinë, ku po ndodhte liria… 

Pas një nate që e përshkruaja “plot rreziqe dhe e tensionuar, me të shtëna të shumta armësh të serbëve dhe me provokacione kundër shqiptarëve dhe forcave paqësore”,  vazhdoja raportimet nga Prishtina: “Kosova qysh dje dhe sot është e lirë në shumë pjesë të saj. Kurrë nuk janë parë njerëz më të gëzuar se dje e sot me hyrjen triumfale të forcave të NATO-s në Kosovë dhe kryeqytetin e saj, Prishtinë. Në Prishtinë qysh sot, NATO po vendos kontrolle…” 

Pasditen e 13 Qershorit 1999, bashkë me korrespondentin e Zërit të Amerikës,  Isak Ramadani, e gazetarin tjetër nga Shkupi, Arben Ratkoceri, që erdhën në Prishtinë duke sjellë edhe numrin special të gazetës tradicionale kosovare Rilindja të botuar atje me raportimet për ngjarjen historike të hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë,  kalova edhe një herë rrugën nga kishin hyrë forcat e para të NATO-s një ditë më parë. Edhe gazeta Rilindja, të cilën e shpërndanim në Kosovën që po çlirohej,  në ballinë kishte te kryetitulli orën që kisha raportuar: “Dje në orën 5.17 – Trupat e NATO-s hynë në Kosovë”. 

Edhe editoriali “Normandizimi i Kosovës dhe kapitullimi serb”, shkruar nga Blerim Reka, ishte i botuar në faqen e parë të gazetës Rilindja, me foto nga ngjarja historike e ndërhyrjes shpëtimtare të NATO-s, e ku shkruhej edhe: “Qeveria e përkohshme e Kosovës punon për kthimin e popullsisë.-Kryeministri Hashim Thaçi vizitoi Austrinë”.   

Bllaca ’99

Dhe, vazhdoja raportimin: “Sot duket krejt e çliruar pjesa e Kosovës nga kufiri me Maqedoninë, përgjatë rrugës që të çon në Han të Elezit, Kaçanik, Ferizaj, Lipjan e deri në kryeqytet. Në Kaçanik, Han të Elezit dhe në lokalite të tjera takuam dhe ushtarë të UÇK-së që kthenin jetën dhe rregullin.
Flamuri shqiptar – flamuri i lirisë valonte në kulmin e ndërtesës 12-katëshe në qendër të qytetit të Kaçanikut, mbi kulmin e shkollës tetëvjeçare ‘Jusuf Gërvalla’ në fshatin Nikaj dhe lokalitete të tjera. 

Në vendkalimin kufitar në Bllacë ndërmjet Kosovës dhe Maqednisë sot nuk ka më flamuj serbë, të cilët janë hequr. Në kufi figurojnë marinsat amerikanë”. 

Në qytetin e Kaçanikut, në jug të Kosovës, ushtarët e Ushtirisë Çlirimtare të Kosovës ishin vendosur në ndërtesën e Stacionit të Policisë, prej nga kishin ikur forcat serbe… 

NATO troops enter Kosovo on June 12 – 1999 in Kosovo

Kështu ishte 23 vite më parë… 

 Në Kosovë liria po vinte më pak se tre muaj pas 24 Marsit 1999 të fillimit të ndërhyrjes së aviacionit të NATO-s me bombardimin e pozicioneve të forcave kriminale serbe të kasapit të Ballkanit, Milosheviç, i cili përfundoi në Gjykatën Ndërkombëtare për Krime Lufte në Hagë. 

Lufta e përfunduar kishte bilanc tragjik të masakrave, spastrimit etnik e gjenocidit kundër shqiptarëve: Mëse 12 mijë të vrarë, mbi 6 mijë të zhdukur,  shumë prej tyre të groposur në varreza masive, edhe të fshehura në Serbi, e afër një milion të dëbuar – shumica  drejt Shqipërisë… 

NATO-12-qershor-1999 – akreditim – Behlul Jashari -Kosove

Kosovës i vinte era tokë e djegur, ua kishin vënë flakën mëse 400  fshatrave e qyteteve, 120 mijë shtëpive të shqiptarëve… 

Lufta përfundoi me Marrëveshjen e Kumanovës, ndërmjet NATO-s dhe RFJ-së, që u nënshkrua në 9 Qershor e  hyri në fuqi në 11 Qershor 1999. 

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s në atë kohë, Havijer Solana, në 10 Qershor 1999 kishte lëshuar urdhrin për ndalimin e bombardimit dhe Këshilli i Sigurisë së OKB-së miratoi Rezolutën 1244, sipas të cilës në Kosovë u dërguan 37.200 ushtarë të KFOR-it nga 36 shtete. 

Misioni ishte i ndarë në pesë zona të përgjegjësisë, që i përkisnin KFOR-it amerikan, anglez, francez, gjerman dhe italian. Michael Jackson, gjeneral britanik, ishte komandanti i parë i forcës paqëruajtëse të NATO-s në Kosovë – KFOR. 

Ligji për festat zyrtare në Republikën e Kosovës, i miratuar në Kuvend në 21 Maj 2008, i shpallur me Dekretin e Presidentit të Republikës të 15 Qershorit 2008, përcakton 12 Qershorin – Ditë të Paqes. 

Dekretimi i  këtij ligji si dhe i 40 ligjeve tjera të  dala nga paketa e Propozimit Gjithpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës të Kryenegociatorit Martti Ahtisaari – Emisarit Special të OKB-së, ishte një nga zhvillimet e ditës së 15 Qershorit 2008 të hyrjes në fuqi të Kushtetutës, e cila është miratuar nga Kuvendi  poashtu para 14 viteve në 9 Prill, më pak se dy maj pas 17 Shkurtit historik të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, të njohur deri tani nga 117 shtete të botës anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara… 

Lajmi qe eshte derguar nga Prishtina ne Tirane permes Zvicres-vellait Demë Jashari – në 24 mars 1999 – NATO nisi nderhyrjen shpetimtare per Kosoven

MIRËNJOHJE DHE FALËNDERIM PËRJETSHËM PËR MIRËPRITJEN E PËRKUJDESJEN VËLLAZËRORE SHQIPTARE PËR TË DËBUARIT NGA KOSOVA - REFUGJATË TË LUFTËS SË PËRFUNDUAR NË PRANVERËN E LIRISË TË VITIT 1999 

Si korrespondent në Prishtinë i Agjencisë Shtetërore Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë – Agjencisë Telegrafike Shqiptare nga 24 Maji 1992 i zgjedhjeve të para pluraliste në Kosovë, në vitin 1999 të kohës së luftës, të dëbimit të mëse 1 milion shqiptarëve nga Kosova, për rreth dy muaj “selia” e raportimeve të mia ishte kufiri jugor i Kosovës, si dhe Tetova e fshati i afërt Dobrosht – shtëpia e familjes së Mesut Veselit, ku më parë kishin mbërritur njerëz të familjes sime të dëbuar nga forcat serbe… Raportoja edhe nga Shkupi e vende tjera në Maqedoni. 

NATO-Kosove-bombardime caqe serbe

 Akreditimi mu dha nga Ministria e Informatave e Maqedonisë të njëjtën ditë të kërkesës dërguar me telefax nga Agjencia Telegrafike Shqiptare në 5 Prill 1999. Ishte mëngjesi i ditës sime të parë refugjat jashtë kampit të Bllacës, ku pas qëndrimit disaditësh natën kisha kaluar kufirin… 

NATO Kosove – bombardime caqe serbe

Mirënjohje dhe falënderim të përjetshëm për mirëpritjen e përkujdesjen vëllazërore shqiptare për të dëbuarit nga Kosova refugjatë të luftës së përfunduar në pranverën e lirisë të vitit 1999. 

Prishtina – 13 June 1999 – NATO

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu