Adem Lushaj, Deçan
Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, ka dekoruar shqiptaro-amerikanin, Ramiz Tafilaj me titullin: “Kalorësi i Urdhrit të Skënderbeut”, për kontributin e madh që po jep në promovimin e vlerave kombëtare kudo në botë, e në veçanti në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Me një ceremoni të organizuar në Nju Jork, me rastin e 144 vjetorit e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në 110-vjetorin e Federatës PanShqipatre “Vatra”, në 23-vjetorin e lirisë së Kosovës, Presidenti Meta e ka dekoruar veprimtarin Tafilaj, me njërin nga titujt më të lartë presidencial, ngase për vite po jep kontribut në afirmimin e çështjes sonë kombëtare, si dhe në përkrahjen e të rinjve shqiptarë në shkollim, duke ua hjekë gjitha shpenzimet nga buxheti i tij familjar.
Në letrën dekretuese me numër 13676, të datës 9.6.2022, të Presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta, epet edhe arsyetimi i dhënies së titullit presidencial “KALORËSI I URDHRIT TË SKËNDERBEUT”
Blendi Fevziu me Ramiz Tafilajn
“Në vlerësim të punës së tij humanitare, nismave, angazhimeve dhe kontributeve të tij në vendlindje dhe kudo n ë trojet shqiptare në Ballkan. Promovimin e vlerave kombëtare, kulturore dhe shkencore, ndihmën e pakursyer në edukimin e brezave të rinj shqiptarë në Amerikë, si dhe integrimin e tyre profesional dhe shkencor në shoqërinë amerikane. Kontributin e dhënë në demokratizimin e Shqipërisë, për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës; forcimin e lidhjeve historike shqiptaro-amerikane; lartësimin e imazhit të popullit shqiptar e vlerave tona kombëtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.
Ramiz Tafilaj, i lindur në fshatin Dubravë të Komunës së Deçanit, i emigruar në vitet e ’70-ta në Shtetet e Bashkuara, është njëri nga veprimtarit më të mëdhenj të çështjes sonë kombëtare. Tafilaj, në fjalën e tij është shprehur:
“Sot, jam i lumtur siç jam gjithherë kur ndodhem mes bashkëkombësve. Dhe, jam i nderuar si asnjëherë tjetër, ngase po e pranoj këtë shpërblim të rrallë të shtetit shqiptar.
Unë vij nga Rrafshi i Dukagjinit. Padrejtësia historike e la këtë trevë nën sundim të huaj, jashtë shtetit të Shqipërisë.
Në vitin 1968, isha 18 vjeç kur kalova ilegalisht kufirin, për ta parë tokën tonë matanë. Asokohe më kthyen mbrapsht. Por, nuk ma shuan dëshirën për të shkuar prapë në Shqipëri. Me gjet prehje në Shqipëri. Dhe për të bërë aq sa mundemi për të mirën e saj.
Në Shqipëri u ktheva në fillim te viteve ’90-ta, pas shumë kohesh qëndrimi në Amerikë. Pas zgjedhjeve të para demokratike, në Tirane takova një deputet të ri nga Skrapari, me emrin Ilir Meta. Bashkë me deputetin Meta, pimë kafe. E urova për detyrën e re dhe folëm për vegimin e një Shqipërie Evropiane.
Nuk më kishte shkuar kurrë mendja se, tri dekada më vonë, Presidenti Ilir Meta, do të më nderonte me Urdhrin Skënderbeu, për përpjekjen time modeste në ato vite të largëta. Ia kishim borxh Shqipërisë, ia kishim borxh Kosovës dhe ua kemi borxh brezave të rinj të punojmë për lirinë e përparimin e kombit tonë”.
Familja Tafilaj njihet edhe për e ngushta me ish Presidentin e Republikës së Kosovës, Ibrahim Rugova, për lidhjet miqësore që ka me Presidentin e tashëm të Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, por edhe për dekorimin e lartë që kishte marrë nga ish Presidenti Donald Trump, për arritjet jetësore duke nderuar popullin dhe shtetin amerikan.