Shkruan: Blerim Bajraktaraj
Ishin vitet dymijë, kur pas studimeve fillova një angazhim të lehtë në zhvillimet e asaj kohe në komunën e Deçanit, si pjesë e jetës politike dhe shoqërisë civile. Aty dalëngadalë fillova edhe njohjen me Adem Lushaj, autorin e librit “Ecje nëpër kujtime”.
Unë, me profesion jam arkitekt, dhe puna ime profesionale është krejtësisht e lidhur me ketë fushë, por si shumë të rinj të asaj kohe, dëshira që të kontribuoj në të mirën e përgjithshme shoqërore, më shtyu që nga viti 2005 e tutje, të jem pandashëm edhe pjesë e zhvillimeve politike dhe shoqërore që ndodhnin në komunën tonë dhe më gjerë.
Autorin e librit publicistikë, “Ecje nëpër kujtime”, nga dy dekada më parë, gjithmonë e kam parë në nivelin e lartë të një intelektuali, i cili ashtu edhe siç duhet të jetë obligim qytetar i gjithsecilit nga Ne. Ishte zë i fuqishëm i shoqërisë civile dhe demokratizmit të jetës në komunën e Deçanit. Nuk ishte e lehtë kjo gjë, ani pse tashmë mendojmë së gjithmonë ishte kështu niveli i vetëdijesimit qytetarë rreth pozicionimeve politike dhe aspekteve tjera që koha e pas çlirimit kishte sjellë. Por jo, ishte pak më ndryshe. Euforia shpeshherë e mundte arsyen! Inercioni iI njëanshmërisë kishte edhe restrikcionet e saj, gjë që një intelektual i njëmend, nuk duhet të heshtë, punë të cilën e bëri Lushaj, kuptohet jo vetëm, por edhe me shumë bashkëpunëtor dhe aktivistë tjerë.
Libri “Ecje nëpër kujtime” është pjesë e botimeve publicistike, që jo vetëm se kanë vlerën e vet në planin e parë si fjalë e shkruar, por dimensioni i rëndësisë rritet edhe më shumë, kur e tërë materia e tij lidhet me zhvillimet e rëndësishme që kryesisht kanë për bazë komunën e Deçanit. Nuk ka gjë më të mirë, se sa shkrimet të cilat mbesin si dëshmi e një kohe të shkuar, mbi të cilën nesër dikush do të krijoj bindjen dhe përfundimin se, ne si shoqëri e kohës, bashkë me ata që kishin pozitat udhëheqëse, a e bëmë gjënë e duhur, apo ishim aty në mes. Pra, mu këtu është rëndësia pothuajse kryesore se botimet do të mbesin si dëshmi e arkivuar e fakteve dhe rrethanave, që më mire se çdo gjë tjetër, do të krijoj tablonë e saktë mbi të kaluarën.
Unë, si ndër lexues e parë të librit “Ecje nëpër kujtime”, të autorit Adem Lushaj, pa qenë profesionist i fushës së shkrimeve, por më shumë si qytetar aktivë i këtij ambienti politiko-shoqërorë, mund ta them pa mëdyshje se paraqet vlerë të madhe për publicistiken e kësaj ane. Kuptohet, se asnjë libër e as shkrim, nuk mund e as që është i kompletuar në çdo aspekt, gjë që as autori me siguri se nuk e ka ketë pretendim, por strukturimi i tij në kapituj, temat dhe shkrimet e përzgjedhura, reportazhet dhe figurat e cituara, japin një bollëk të materialit i cili me siguri se lexuesin do ta ndajë të kënaqur. Autori, me mjeshtri e trajton situatën nga zhvillimet politike, sfidat dhe trysnit e kohës, jetën kulturore dhe sportive, e deri te shqetësimet dhe reagimet e tij dhe të akterëve tjerë të komunës së Deçanit, ndaj sfidave me jetike siç janë raportet me asetet zhvillimore të cilat si rezultat i rrethanave politike, vendimet e niveleve qendrore, e pozicionuan mjaftë keq komunën tonë.
Te autori Lushaj, duket se edhe studimet e tij të thelluara, në fushat e ekonomisë dhe ambientit, përveç matematikës si profesion, në ketë libër kanë lenë gjurmë, qoftë në cilësinë e gazetarit, qoftë si aktivist i shoqërisë civile, gjë që me të drejt me dëshpërim e pohon, se komunës së Deçanit po i mohohet e drejta elementare që të zhvillohet qëndrueshëm duke shfrytëzuar resurset që natyra i’a dhuroi.
Andaj, shtrohet pyetja fundamentale logjike, pas çdo pune që njeriu benë, a i’a vlejti apo Jo. Unë i them me bindje të plotë autorit të librit “Ecje nëpër kujtime”, Adem Lushaj, se i’a ka vlejtë, dhe se botimet e tilla e rritin vlerën e publicistikës në vendin tonë.