Faton Bislimi, New York
“Enough is Enough!” Mjaft është mjaft! Këto ishin fjalët që i paraprinë fjalisë më domethënëse të pesëmbëdhjetë viteve më parë, në mes të Tiranës, nga Presidenti George W. Bush. “Kosova do të jetë e pavarur,” ishte fjalia e artë, mandej.
Para Bush, ishte Clinton ai që udhëhoqi NATO-n në luftën e parë në historinë e Aleancës Veriatlantike, dhe atë, pikërisht për clirimin e Kosovës më 1999.
Para Clinton, ishte Bush i Vjetër, George H. W. Bush, babai i Bushit të pavarësisë, ai i cili qysh më 1992 i kishte dërguar Jugosllavisë së asaj kohe mesazhin e famshëm të njohur si “Kërcënimi i Kërshëndellave,” me anë të së cilit, Bushi e kishte paralajmëruar Beogradin se në rast të një ndërhyrje ushtarake jugosllave apo serbe kundër shqiptarëve të Kosovës, Amerika do përgjigjej me vendosshmëri!
E, tek krejt këta burrështetas, mesazhi për Kosovën tonë, për popullin tonë shqiptar në Ballkan dhe kërkesat e drejta të tij, ishte sjellë me argument e fakte nga i madhi Joe DioGuardi fillimisht si kongresist në fund të viteve të 1980-ta, dhe në vazhdimësi mandej nga ai e Shirley Cloyes DioGuardi si dhe Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane.
Por, mund të shkojmë edhe më herët në histori. Para Bushit, mund të kthehemi edhe deri tek Presidenti Wilson, pa vendosshmërinë e së cilit as kjo trohë Shqipëri që u krijua më 1912, nuk do të kishte mbijetuar. Kurse, sot, kemi Presidentin Biden, i cili që nga koha kur ishte senator në vitet e 1990-ta u bë mik i madh e i pathyeshëm i kombit tonë, e vecanërisht i Kosovës!
Tash, sa Komisionerë e Presidentë të EC-së ose zyrtarë të lartë të BE-së mund t’i numëroni që me të vërtetë dhe pa asnjë shibël e kanë përkrahë kaq sistematikisht dhe historikisht Kosovën?! Tutje, nëse kthehemi pak në histori, a ishin SHBA-të apo fuqitë evropiane të kohës që vizatuan kufijë në harta për interesa të sllavëve kryesisht e kundër interesave shqiptare?
Edhe, a beson ndokush që pa lideshipin e SHBA-ve, BE-ja do kishte mund ndonjëherë të siguronte intervenimin e NATO-s për të cliruar Kosovën nga regjimi gjenocidial i Milosheviqit? Pa vendosshmërinë e SHBA-ve, a thua a do të kishte mundur BE-ja të siguronte marrëveshjen e Ahtisaarit, të pranueshme për shqiptarët? Pa insistimin e SHBA-ve, a thua a do kishte lëvizë BE-ja nga ideja e “normalizimit të marrëdhënjeve në mes të Kosovës dhe Serbisë” në procesin e dialogut tek “njohja reciproke,” si rezultat përfundimtar i dialogut dhe marrëveshjes gjithëpërfshirëse?!
Edhe sot, BE aty ku SHBA s’mund të kenë vendimmarrje direkte, pra, për një cështje të brendëshme të BE-së sic është udhëtimi pa viza në vendet e Schengenit për Kosovarët, BE përsëri na la anash. Na injoroi!
Përtej kësaj, a nuk duhet më normale që përkushtimi ynë si Kosovë duhet të jetë për lidhje edhe më speciale e formale me SHBA-të sesa BE-në? Fundja, kujt i besojmë më shumë, Washingtonit apo Brukselit? A ke vend më pro-amerikan se Kosova e komb më pro-amerikan se shqiptarët?
Besoj se ka ardhë koha për një platëformë të re kombëtare politike. Ka ardhë koha për një vizion pragmatik për të ardhmen. Ka ardhë koha për t’i dhënë fund pretendimeve të rrejshme e për të kthyer fokusin tek të vërtetat historike. Mund të mos jetë e lehtë, por është e mundëshme: një yll më shumë!
Enough is enough, EU!