Eshref Ymeri
Dmitri Kiselovi, drejtor i përgjithshëm i Agjencisë informative ndërkombëtare ruse “Rossia sevodnja” (Rusia sot) dhe drejtues emisionesh televizive, i njohur si puthador (servil) i neveritshëm, si një kone e regjur e Putinit, është bërë i njohur jo vetëm në sytë e opinionit publik rus, por edhe në radhët e opinionit publik ndërkombëtar.
Për të trembur mbarë opinionin publik të Ukrainës, por edhe për t’u mburrur para atij ndërkombëtar, ky bujkrob i Kremlinit putinian, dy muaj para sulmit agresiv të ushtrisë fashiste ruse kundër Ukrainës, deklaroi publikisht:
“Nëse bëhet fjalë për hyrjen e Ukrainës në NATO ose për shndërrimin e saj në një territor ushtarak, atëherë Shteteve të Bashkuara të Amerikës ne do t’u vendosim në tëmth tytën e pistoletës. Ne kemi mundësi tekniko-ushtarake, Rusia ka në zotërim armatimin më të mirë në botë…” (Citohet sipas: Genadi Svidrigajllov. “Kiselovi kërcënoi Perëndimin me shndërrimin në “hi radioaktiv” në rast se kërcënon Rusinë”. Faqja e internetit “Gazeta.ru”, 20 dhjetor 2021).
Kiselovi, ky mburravec që krekoset si gjel deti, tetë vjet më parë, pati bërë po një kërcënim të tillë në adresë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Në një emision televiziv përmbyllës të programit “Vjesti njedeli” (Lajmet e javës), asokohe Dmitri Kiselovi pati deklaruar se Rusia është i vetmi vend, i cili “ka aftësinë t’i shndërrojë Shtetet e Bashkuara të Amerikës në hi radioaktiv”. (Citohet sipas: “Dmitri Kiselovi : “Rusia është e aftë t’i shndërrojë Shtetet e Bashkuara të Amerikës në hi radioaktiv”. Faqja e internetit “echo.msk.ru”. 16 mars 2014).
Më shumë se një vit më vonë pas kësaj deklarate prej idioti të shkolluar në ofiçinën e mburracakërisë putiniane, prapa së cilës fshihet kompleksi i inferioritetit para Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe humnera e mashtrimeve tipike të propagandës rusomadhe, gjeli i fryrë, sahanlëpirësi i Putinit, Dmitri Kiselovi, pati deklaruar:
“Ushtria ruse është më e mira në botë… Pilotët që janë duke kryer këtu, në Siri, detyra luftarake,.. mishërojnë në vetvete Rusinë e fuqishme…” (Citohet sipas: “Putini e detyroi Kiselovin t’u lëpinte prapanicën ushtarakëve rusë në Siri”. Faqja e internetit “RN BEE”. 16 mars 2016).
Po në këtë faqe interneti, të së njëjtës datë, thuhet:
“Rusia e fuqishme? E po, në këtë rast, të dalin para syve dy paradat ushtarako-detare të 26 korrikut të vitit 2015, kur njëra raketë, në Sevastopol, as që u ngrit fare në ajër, kurse tjetra u bë copë-copë në Balltijsk, në praninë e Vladimir Putinit ”
U desh sulmi fashist i Rusisë kundër Ukrainës më 24 shkurt të këtij viti, që të vërtetohej konkretisht në sytë e mbarë botës se cila na qenkej “madhështia” e forcës usharake ruse, se cili na qenkej ai “armatimi më i mirë në botë”. Ai sulm nxori në shesh faqe botës ndryshkun skandaloz, në të cilin noton neocarizmi putinian, i cili s’qenka gjë tjetër, veçse një rezervuar gjigand, i mbushur me mbeturina.
Kaliforni, 03 korrik 2022