Nga: Gjergj – Bajram Kabashi
___
Ilaz Bylykbashi është fotoreporteri më i madh i Kosovës së paraluftës, ku sëbashku me fotoreporterët si Hazir Reka e disa tjerë, e kanë regjistruar dhe lënë në arkivat e kujtesës, të thuash gjithë vuajtjen dhe pësimin e popullit shqiptar nën robërinë serbe.
Para pak ditësh dikush ishte kujtuar që ta intervistonte Njeriun që e ka la me gjak përkushtimin profesional dhe atdhetar në shërbim të publikut për pothuaj njëzet vite sa ka punuar në gazetën Rilindja. Kjo është një shenjë mjaft e mirë, pasi kështu dëshmohet se megjithatë po hapen “sytë e Argusit!” në gazetari dhe po shihet e vlerësohet puna e reporterit të famshëm.
Ilaz Bylykbashin e kam pasur ndër shokët dhe miqët e mij më të afërt nga gazeta Rilindja, i cili megjithëse ka pasur një jetë të vuajtur dhe ka qenë i diskriminuar nga banditët që udhëhiqnin me gazetën, sikurse edhe disa të tjerë, ai kurrë nuk e ka ndalë punën dhe angazhimin profesional për AtMëmëdhe.
E kam parë me sytë e mij se çka u kishte bërë policia serbe në Kliqinë (afër Pejës) atij dhe gazetarit tjetër të madh të gazetës,- po ashtu të harruar, Avdi Podrimçakut, Behar Zogianit, shoferit Jah Ferizi etj. Ata janë detyruar të pështilleshin me lëkurë deleje për javë të tëra, me shpresën se ashtu u shëroheshin plagët e panumërta në trupin e bamë zi nga rrahjet mizore.
Të thuash njëzet e tre vite pasi e dëbuan nga Kosova (dikush mund të thotë se pse e përdori shprehjen “e dëbuan”!), Heroi dhe martiri që nuk iu njohën meritat nga shteti dhe profesioni, Ilaz Bylykbashi, më në fund intervistohet nga TV7.
Me porosi apo pa të, dikush u kujtua t’ia jipte fjalën e të intervistohej nga ata që dikush ua ka mbushur mendjen se historia “e gazetarisë” dhe e foto-gazetarisë fillon e mbaron me ta.
Me faktin domethënës se e interviston Ilazin, Leonard Kerquki e bënë një shërbim për opinionin publik i cili duhet ta ketë mbajtur në mend angazhimin heroik të fotoreporterit Ilaz Bylykbashi.
***
Ilaz Bylykbashi është më i ri se shumëkush tjetër, madje edhe më i ri se shumëkush që merret me formimin e opinionit publik në Kosovën e sotshme. Siç jam tepër i ri edhe une, krahasuar me punëtorët e sotshmëm – të plakur, “shoqëror-politik” të gazetarisë së anshme e partiake të Kosovës.
Ilaz Bylykbashi me Leonard Kerqukin
E them lirisht se, megjithëse isha ndër gazetarët e pakët hulumtues të Kosovës së paraluftës , askush nga “elitat tona” të llopovave (hajnave) të gazetës Rilindja , as pas 23 vitesh nuk është kujtuar se a jam ende gjallë dhe se a kam dhënë ndonjë kontribut të vogël për profesionin dhe Kosovën.
Nga ato pseudoelita për të cilat disa gazetarë të sotshëm pretendues , por pa memorje historike , mendojnë se ishin gazetarë dhe që janë intelektualë …
Sepse ashtu vetprezentohen të pafytyrët…, përderisa mungon gazetaria kritike në vend e cila do të duhej ta thoshte të vërtetën për ta !
Jo, jo … !
Se nëse neve na njihet kontributi profesional , atëhere ata do të mbesin ata që janë, pa vepra e të pa domethënje …!
Askusha!
Ma merr mendja se ata banditë nuk janë kujtuar për mbi njëzet vite as për Ilaz Bylykbashin.
Mirëpo, për Ilaz Bylykbashin, Zeqir Bekollin, për mua e të tjerë që e kanë ndjenjën e së drejtës pjesë të shpirtit të tyre, nuk ka nevojë të kujdeset askush , pasi ne kujdesemi për vetveten.
Për ne kujdeset, përkujton e alarmon vepra jonë e sinqertë dhe e pa korruptuar atdhetare e profesionale.
Ne atyre do tu japim “ujë ma pamuk”, siç thuhet.
Vetëm le të presin…, e të shohim !
Ilaz Bylykbashi, Leonard Kerquki dhe Shkëlzen Gashi
* Dua ta ndaj me publikun një “fshehtësi” profesionale në raport me Ilaz Bylykbashin, shokun e mikun tim të shtrenjt.
Në shtator 1999 , atëhere kur ndjeja se më është përmbysur jeta dhe vrarë ëndërra për Liri, posa e kisha kuptuar që Ilaz Bylykbashi ishte detyruar të shkonte në Australinë e largët, e sigurova numrin e tij të telefonint dhe nga një kabinë (e atëhershme) telefonike nga qyteti Trondheim i Norvegjisë e thirra Ilazin dhe biseduam gjatë, ndoshta mbi një orë…
Kisha vendosur që assesi të mos ia falja krimit të madh ekonomik në gazetën Rilindja , “qendrës së dytë të UDB-ës jugosllave në Kosovë”, qysh e kam vlerësuar në librin tim, Rilindja, përkushtim e trishtim, në mënyrë që banditët (llopovat e saj) ta kuptonin përjetë se nuk janë të gjithë gazetarët njësoj, pavarësisht se në këtë profesion në Shqiptarinë tonë përbirohen përpos gazetarëve edhe gazetarucër, minukë të strehuar në këtë profesion!
Në kuptimin profesional ata i kam shtri për toke, por meqë janë natyra të liga e poshtrak , nuk guxojnë të më lajmërohen.
Në bazë të asaj bisede që e bëmë, Ilaz Bylykbashi e përshkroi pastaj jetën e tij të munduar e keqtrajtimin në profesionin e foto-gazetarisë. Rrëfimi i tij është tejet i dhimshëm dhe ai është pjesë e librit tim Rilindja, Përkushtim e Trishtinë.
Edhe mos ta pranoja une, ndjenja e lëkurës dhe shpirtit tim ma përkujton se sa kam vuajtur dhe se si e kam “lanë rininë e pjekurinë” për profesonin e Kosovën.
Por, më shumë se une gjithsesi ka vuajtur e pësuar Ilaz Bylykbashi, ky Hero i harruar dhe i heshtur i fotoreportazheve të pafundme të vuajtjes sonë!
Ne po e shohim gjithnjë e më shumë se “gazetaria jonë” është shumë larg trendeve të gazetarisë bashkëkohore; pasi vazhdon të mbetët një “gazetari” grindavece që nuk i hulumton ashtu sikurse duhet temat por e konkurron pushtetin dhe se si e tillë mbetët e përgjumur dhe “arnaute”, ku dëgjohet shumë zhurmë e sherre të pafundme.
Por, më në fund detyrohem ta them hapur se ai popull që e harron e si kujtohet Ilaz Bylykbashi , i cili kujtohet vetëm pas ma shumë se 23 vitesh, ai ende nuk është popull.
____
Intervista e Ilaz Bylykbashit në Pressing të TV7