ARKIVI:
3 Dhjetor 2024

Le Temps (1910) / Kur Mit’hat Frashëri justifikonte revoltën e shqiptarëve ndaj turqve (Intervista)

Shkrime relevante

Pse dhe si është e mundur që Nëna Shqipëri ta ndaloj këngën e Shkurte Fejzës kushtuar Adem Jasharit ?

Nga: Reshat Sahitaj & Behare Rexhepi   Urdhëri që këngëtarja jonë Shkurte...

Historia e presidentëve të Kosovës!

Florim Zeqa Në historinë më të re të Kosovës, përkatësisht nga shpallja...

Kritikë publike për shpirtin e keq të Ramush Haradinajt ndaj Albin Kurtit

Nga: Luan Dibrani Në një kohë kur Kosova ka nevojë për unitet...

Shpërndaj

Mit’hat Frashëri (1880 – 1949)

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 10 Korrik 2022

“Le Temps” ka botuar, të mërkurën e 4 majit 1910, në faqen n°2, intervistën ekskluzive të Mit’hat Frashërit në lidhje me justifikimin e revoltës së shqiptarëve asokohe ndaj regjimit turk, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Revolta e shqiptarëve

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Përndjekja e shqiptarëve nga trupat turke vazhdon. Disa fshatra u rrethuan. Rreth njëzet shefa të arrestuar u dërguan në Shkup.

I gjithë shtypi turk fajëson rëndë revoltën e shqiptarëve dhe i kërkon Vezirit të Madh të mos tërhiqet nga asnjë sakrificë për ta rikthyer Shqipërinë në bindje të rreptë ndaj ligjeve kushtetuese. Mirëpo, në favor të tyre ngrihet një zë, është ai i kryeredaktorit (e ka fjalën për Mit’hat Frashërin) të gazetës shqiptare “Liria”.

Në një intervistë me korrespondentin tonë të Selanikut, ky shqiptar i arsimuar, inteligjent, tërësisht i evropianizuar ka mbështetur kauzën e bashkatdhetarëve të tij me këto fjalë :

Të gjithë flasin keq për shqiptarët, më thotë ai, për ngjarjet e fundit dhe askush nuk mendon t’i mëshirojë ata.

Shtrohet pyetja : A duhet t’i shfarosim shqiptarët me pretekstin se nuk binden? Unë në asnjë mënyrë nuk i justifikoj aktet e dhunshme të bashkatdhetarëve të mi; Madje unë jam i pari që i fajësoj, por ka shumë rrethana që u japin atyre të drejtë. Të gjithë ata që kanë udhëtuar nëpër këtë rajon janë të njëzëshëm në pranimin se është një vend mesjetar, madje edhe i kohërave parahistorike, në Evropën e shekullit të njëzetë. Megjithatë, racës sime, sado e prapambetur, sado e vrazhdë të jetë, nuk i mungon as inteligjenca, as prirjet e mira. Pse të mos përdorni këto cilësi? Pse të mos përfitoni nga anët e mira të karakterit shqiptar, të përpiqeni ta bëni atë një popull modern… ose pothuajse? Bëni që të flasë arsyeja në vend të topit, se ata janë në gjendje të kuptojnë dhe të binden, këta malësorë të vrazhdë e të egër! Mbi të gjitha duhet të heqim çdo mosbesim, çdo keqkuptim mes këtyre malësorëve dhe pushtetarëve vendas, sepse neglizhenca dhe keqadministrimi që ishin prerogativë e viteve të kaluara e justifikojnë këtë mosbesim.

Krijimi i marrëveshjes perfekte ndërmjet autoriteteve dhe qytetarëve është kushti thelbësor. Kjo mund të arrihet me vullnet të mirë dhe një diagnozë të mirë të sëmundjes, sepse për fat të keq autoritetet ende nuk janë në dijeni të nevojave të Shqipërisë dhe karakterit të banorëve të saj. Dhe kur një funksionar ndeshet me ndonjë kundërshtim, shqipton fjalën “reagim” dhe si ilaç këshillon hekurin dhe zjarrin (dmth dhunën), pa e kuptuar që këto mjete brutale gërmojnë humnera dhe lindin hakmarrje.

Dy të këqijat nga të cilat vuan Shqipëria janë : varfëria e skajshme dhe injoranca e thellë (padituria) e banorëve të saj. Kjo duhet të korrigjohet me ndërtimin e rrugëve të komunikimit dhe krijimin e shkollave të shumta. Është folur shumë për çarmatimin e popullsisë. Kjo është diçka që duhet bërë dhe pa vonesë, por me takt. Si të pretendosh të çarmatosësh para se të kesh instaluar gjykata dhe të kesh krijuar poste ushtarake? Sepse tani, në mungesë të këtyre mjeteve të drejtësisë, secili kërkon të bëjë drejtësi për veten e tij.

Mund ta përmbledh si më poshtë, shton bashkëbiseduesi im : nëse qeveria dëshiron t’i bëjë shqiptarët patriotë të mirë osmanë, në këtë kohë duhet t’u shtrijë dorën atyre; të përdorë forcën brutale vetëm në skajin e fundit; por nëse detyrohet ta bëjë këtë, atëherë ajo duhet të jetë shumë e vendosur, të ndëshkojë drejtuesit dhe të kursejë të pafajshmit, ose më mirë të pavetëdijshmit.

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu