Nga Frank Shkreli* Ish-Drejtor i VOA-s për Euro-Azinë
Gjatë lutjeve të Dielën në Vatikan, Papa Françesku shprehu dhimbjen e thellë për popullin e Sri Lankës, i cili për disa muaj tani – si pasojë e korrupsionit dhe një paqëndrueshmërie politike dhe ekonomike- po përjeton një gjëndje krizash të thella politike dhe ekonomike, të cilat kulminuan, ditët e fundit, në marrjen nën kontroll të rezidencës presidenciale nga protestuesit dhe në premtime për dorëheqjen e zyrtarëve të lartë të qeverisë. Papa u bëri thirrje autoriteteve të vendit që të marrin parasyshë nevojat ekonomike dhe politike të popullit dhe të dëgjojnë zërin e të varfërve dhe nevojtarëve. “Së bashku me ipeshkvijtë e vendit, përsëris thirrjen time për paqe dhe u lutem atyre që kanë autoritet, të mos injorojnë hallet e të varfërve dhe nevojat e njerëzve”,- tha ndër të tjera Papa Françesku të dielën.
Protestuesit në Sri Lanka ngarkojnë me faj udhëheqësit politikë aktualë të vendit, si përgjegjësit kryesorë për korrupsionin dhe keq-menaxhimin e burimeve të vendit, që më në fund çuan në shkatërrimin e ekonomisë së vendit. Protestat në Sri Lanka kanë ndodhur edhe më parë, por gjëndja e mjeruar ekonomike e kohëve të fundit, e shkaktuar nga kushtet e vështira ekonomike si dhe nga keq-manaxhimi dhe korrupsioni në radhët e autoriteteve politike të Sri Lankës çuan më në fund, javën që kaloi, në marrjen nën kontroll të Pallatit presidencial dhe të banesës së kryeministrit të vendit nga turma të zemëruara protestuesish. Rritja e çmimeve për artikujt e konsumit dhe gjendja e përgjithshme e mjerueshme ekonomike dhe politike, por edhe kriza ekonomike botërore, nxitën protestat e një popullate të pakënaqur dhe të pashpresë, në Sri Lanka. Disa analistë po krahasojnë gjëndjen e krijuar në Sri Lanka me situatën dhe protestën e fundit në Shqipëri, duke thënë se çfarë po ndodhë në Sri Lanka nuk është aq e ndryshme nga gjëndja në Shqipëri, ku javën që kaloi edhe atje u zhvillua një prej protestave më të mëdha në vend kundër gjëndjes së mjerueshme ekonomike dhe kundër qeverisjes autoritare dhe arrogante të kryeministrit të vendit.
Media ndërkombëtare raporton nga Sri Lanka se qeveria e atij vendi është kontrolluar nga familja e njohur Rajapaksa, e cila ka dominuar jetën politike në atë vend për pothuaj një çerek shekulli. Në Sri Lanka mund të jetë një familje e njohur që ka ushtruar influencën kryesore politike dhe ekonomike në atë vend për dekada, ndërsa në Shqipëri është Partia, familja më e gjërë ideologjike, ajo që, si pasardhëse e Partisë së Punës (Komuniste), kontrollon pothuaj çdo gjë në vend. Në Sri Lanka protestat detyruan Presidentin dhe Kryeministrin e vendit të jepnin dorëheqjen dhe të premtojnë se së shpejti do formohet një qeveri e re e përkohëshme.
Edhe autoritetet qeveritare shqiptare duhet të dëgjojnë zërin e protestuesve dhe të marrin përgjegjësitë e tyre për problemet me të cilat përballet vendi sot, ashtu siç bënë autoritetet e Sri Lankës, duke dhënë dorëheqjen si kërkesa kryesore e protestuesve. Në protestën më të madhe, që mbahet mend në Shqipëri, protestuesit shqiptarë dolën në shesh dhe në bulevard për të drejtat e tyre përballë një gjëndjeje të rëndë ekonomike, drogës dhe korrupsionit të lartë që, sipas disa enteve ndërkombëtare, ka prekur të gjitha nivelet e qeverisë dhe mbarë shoqërinë shqiptare. Shqetësuese për protestuesit është edhe mungesa e drejtësisë së barabartë (të gjithë nuk janë të barabartë para ligjit), largimi në masë i shqiptarëve nga vendlindja si rezultat i gjëndjes së rëndë socio-ekonomike të krijuar. Sulmet e kryeministrit Rama ndaj të drejtave të njeriut, përfshirë kufizimet e të drejtave të gazetarëve dhe lirisë së fjalës, në përgjithësi, kanë shqetësuar shumë opinionin vendas dhe ndërkombëtar: ndër një mijë halle të tjera me të cilat përballen shqiptarët çdo ditë, si përfundim i keq qeverisjes dhe korrupsionit masiv në vend.
Prandaj është e natyrshme dhe e moralshme që kur populli nuk gjen zgjidhje të problemeve të veta në zyrat dhe institucionet e qeverisë dhe të shtetit, atëherë njerëzit do kërkojnë dhe do të protestojnë për të drejtat e tyre në sheshet dhe rrugët e vendit. Kështu ndodhi në Sri Lankë, kështu ndodhi edhe në Tiranë javën që kaloi. Shembuj të tillë protestash – shpesh paqësore- e herë të tjera jo aq paqësore që bëjnë ndryshimin, ka pasur plot historia dhe ka gjithnjë anë e mbanë botës. Frank Shkreli: Fuqia e të Pafuqishmëve | Gazeta Telegraf
Morali i protestave dhe mos bindjes civile, sipas Martin Luther King – Për ne në Amerikë, është e njohur lëvizja e Martin Luther King-ut, priftit protestant i sektit Baptist, njëkohësisht edhe ish-aktivist i të drejtave civile, i njohur në Amerikë dhe në botë si zëdhënësi dhe udhëheqësi më i njohur i lëvizjes për promovimin e të drejtave bazë të njeriut, nëpërmjet protestës paqësore dhe mosbindjes civile. Ai i bazonte taktikat e tij të rezistencës paqësore në besimin e tij të krishterë, ndërkohë që gjente frymëzim edhe nga aktivizimi paqësor i Mahatma Gandi-t.
Ajo periudhë cilësohet nga historianët si një periudhë shprese biblike e Martin Luther Kingut, shpresë që pothuaj askush nuk mund t’a parashikonte ndoshta as vetë Martin Luther Kingu – se një ditë shpresat e tija do bëheshin realitet. I gjithë aktivizmi i Doktor Martin Luther Kingut në mbrojtje të demokracisë, drejtësisë, të lirisë dhe të drejtave të barabarta për të gjithë, vazhdon edhe sot të jetë një thirrje tepër aktuale këtu në Shtetet e Bashkuara dhe anë e mbanë botës. Fjalët e tija mbajnë gjallë shpresën, se më në fund e mira do ta mundë të keqen.
Deklaratat e Martin Luther Kingut – si një trashëgimi e tij, megjithëse janë të një periudhe para më shumë se 50-vitesh tingëllojnë edhe sot gjithnjë aktuale, profetike, për të mos thënë, biblike, jo vetëm për aktualitetin politik dhe shoqëror në Amerikë sot, por janë reflektuese dhe shembull edhe për situata dhe protesta paqësore të popujve kudo në botë. Ai fliste për vlera dhe moral njerëzor, për të drejta universale për çdo individ dhe për të gjithë popujt kudo, pa marrë parasysh racën, fenë ose origjinën etnike ose bindjet politike. “Por koha, as demokracia nuk presin pafund, për zgjidhjen e problemeve, të cilësdo shoqërie qoftë”, -është shprehur Dr. Martin Luther Kingu në fjalimin e famshëm që ka mbajtur në Katedralen Kombëtare të Uashingtonit, në mars të vitit 1968.
Ai ka folur me atë rast për argumentet e disa personave të asaj kohe, të cilët ankoheshin se problemet nuk mund të zgjidheshin menjëherë, se duhej kohë, se koha në të vërtetë, do të shëronte të gjitha plagët, sipas tyre. “Koha”, -ka thënë Martin Luther Kingu, “Është një mit, e ky mit është se koha është neutrale, se ajo mund të përdoret për qëllime konstruktive, por edhe për qëllime shkatërruese.” Justifikimin, se koha do i shërojë të gjitha problemet, forcat e errëta, sipas tij e kanë përdorur më efektivisht se forcat e vullnetit të mirë. Koha do ta tregojë, ka thënë Martin Luther King se: “Do të duhet që ky brez, eventualisht, të pendohet për bëmat e forcave të errëta – dhe jo vetëm për fjalët dhe veprat e dhunës së tyre – por edhe për heshtjen e tmerrshme dhe për qëndrimet indiferente të njerëzve vullnet mirë, të cilët rrinë duarkryq”, përballë problemeve me të cilat ballafaqohet shoqëria. “Ç’më duhet mua”! Por: “Pa një punë të rëndë dhe pa përpjekje të vazhdueshme për zgjidhjen e problemeve nga njerëzit e vullnetit të mirë, koha në vetvete, bëhet aleate e ngushtë e forcave të errëta e primitive të stagnimit shoqëror, politik dhe ekonomik,- është shprehur Martin Luther Kingu. Duke shtuar se koha për të vepruar është tani. “Duhet të jemi bashkëpunëtorë të kohës duke qenë të vetëdijshëm se koha është, gjithmonë, e përshtatshme për të bërë mirë, për të bërë atë që duhet bërë, për të mirën e përbashkët”,- është shprehur ai.
“Në qoftë se njeriu nuk ka punë as të ardhura, ai nuk ka as jetë, as liri, as perspektivë dhe as mundësinë për të qenë i lumtur”,- ka thënë ai. Duke njoftuar protesta paqësore kundër diskriminimit, në atë kohë, në Amerikë, ai kishte deklaruar se, “Kemi ardhur në Uashington” — është shprehur Martin Luther Kingu, në fjalimin e tij në Katedralen Kombëtare të kryeqytetit amerikan, në vitin 1968, “Për t’u angazhuar në një veprim dramatik paqësor, për t’u kujtuar të gjithëve hendekun e madh, që ekziston midis premtimeve të bëra dhe mosrealizimit të premtimeve të dhëna. Për ta bërë të padukshmen, të dukshme”,- ka theksuar ai, duke paralajmëruar se, “Asgjë nuk do të arrihet drejt zgjidhjes së problemeve me të cilat përballet shoqëria, në qoftë se njerëzit vullnet mirë, rrinë duarkryq, duke shpresuar se koha, eventualisht, do t’i zgjidhë problemet.”
Deklaratat dhe fjalimet e tij, megjithëse i përkasin një periudhe tjetër historike, tingëllojnë edhe sot gjithnjë aktuale, profetike, për të mos thënë, biblike, jo vetëm për aktualitetin politik dhe shoqëror në Amerikë sot, por janë reflektuese edhe për situata protestuese të popujve kudo në botë. Martin Luther Kingu fliste për vlera dhe moral, për të drejta universale të përbashkëta për çdo individ dhe për të gjithë popujt kudo, pa marrë parasysh racën, fenë ose origjinën etnike. Amerika sot është një vend më i mirë për të gjithë, falë angazhimit të Dr. Martin Luther Kingut dhe protestave të tija për promovimin e të drejtave bazë të njeriut, nëpërmjet protestës paqësore dhe mosbindjes civile, këtu në Shtetet e Bashkuara. “Është përgjegjësi morale që njeriu të mos u bindet ligjeve të padrejta”,- ka thënë Martin Luther King,- duke shtuar se “Padrejtësia kudo qoftë, është kërcënim për drejtësinë gjithkund tjetër.”
Edhe në Amerikë vazhdojmë të përballemi me probleme politike e shoqërore. Por jemi të vetëdijshëm se, ajo që e dallon Amerikën nga shumica e vendeve të tjera, siç është shprehur në një fjalim edhe ish-Presidenti i parë afrikano-amerikan, Z. Barak Obama – “Është angazhimi dhe mbështetja që ky vend u akordon vlerave universale që bëjnë të mundur të korrektojmë të metat dhe mangësitë tona dhe padrejtësitë duke u përmirësuar progresivisht si shoqëri dhe si rrjedhim, duke u bërë më të fortë. Liria e fjalës dhe e drejta për të protestuar ka bërë të mundur që femrat dhe pakicat të demonstrojnë në favor të drejtave të plota dhe të barabarta për të gjithë, në një kohë kur atyre iu ishin mohuar këto të drejta.” Presidenti Obama ka theksuar me atë rast se protestat paqësore për, “Zbatimin e ligjit dhe administrimin e drejtësisë, kanë rrëzuar monopolet dhe forcat politike të korruptuara dhe i kanë dhënë fund abuzimit të pushtetit”. Ndërkohë, që media e lirë zbulon korrupsionin në të gjitha nivelet, përfshirë edhe entet qeveritare.
Prandaj, larg duart nga liria e fjalës dhe media e lirë – si njërës prej vlerave më të shënjta për një demokraci të vërtetë dhe si e tillë e paprekshme nga autoritetet e korruptuara, kudo qofshin ato!