Don Lush Gjergji, Prishtinë
Përshpirtëria e Nënës Tereze
(25 – vjetori i vdekjes)
JEZUSI DHE EUKARISTIA
“Bëni këtë në përkujtimin tim!”.
(Lk 22, 19; krhs. 1 Kor 11, 24-25)
“Un nuk mund ta paramendoj as një ditë pa Eukaristi… Unë e preku Atë, e dua, shërbej në të varfër, ushqehem nga dashuria e Tij… Jeta e Atij që është bërë Buka e jetës është e njëjta jetë e atyre që janë duke vdekur nëpër rrugët dhe kanë nevojë për ndihmën tonë, e njëjta jetë e fëmijës ende të pa lindur.”
(Nëna Tereze)
Jezusi ua zbuloi herë pas here nxënësve fshehtësitë dhe thesaret e Mbretërisë së Hyjit dhe të dërgimit të tij shpëtimtar. Shpesh, pati mosmarrëveshje, pyetje, diskutime rreth fjalëve dhe porosive të Jezusit. Në dy raste pati haptas edhe kundërshtime: në paralajmërimin e vdekjes së tij dhe të Eukaristisë (khs. Mt 16, 21-23; Gjn 6, 1-70).
“Unë jam buka e jetës. Kush vjen tek unë nuk do të ketë më kurrë uri, kush beson në mua, nuk do të ketë më etje… Unë jam buka e gjallë që zbriti prej qiellit: nëse ndokush ha këtë bukë, do të jetojë për amshim. E buka që unë do ta jap është korpi im – për jetën e botës.” (Gjn 6, 35. 51)
Reagimi ishte i ashpër dhe përqeshës: “Si mundet ky të na japë korpin (e vet) për ushqim?”
Prandaj, Jezusi u tha: “Përnjëmend, përnjëmend po ju them: nëse nuk e hani korpin e Birit të njeriut e nuk e pini gjakun e tij, nuk keni jetë në vetvete”. (Gjn 6, 53)
Tashmë edhe nxënësit e tij luhateshin në fe, dhe një shumicë prej tyre nynykatnin dhe thoshin: “I pakuptueshëm është ky mësim! Kush mund ta dëgjojë!”… “Qysh atëherë shumë prej nxënësve të tij u shmangën dhe nuk shkuan më me të.” (Gjn 6, 60. 66)
Jezusi, atëherë, me dhembje të madhe, por edhe me liri dhe vendosmëri të plotë, u drejtua të Dymbëdhjetëve: “A mos doni të shkoni ndoshta edhe ju?”.
Simon Pjetri foli në emrin e të gjithëve, dhe tha: “Të kush të shkojmë, Zotëri? Ti ke fjalët e jetës së pasosur! Ne besojmë dhe e dimë se ti je Shenjti i Hyjit!”. (Gjn 6, 67-68)
Duhet hetuar dhe nënvizuar fuqinë e madhe të shprehjes: “Të kush.” Pjetri nuk thotë: ku duhet të shkojmë? Pse duhet të shkojmë? Si duhet të shkojë, por “Kush”, që domethënë: nuk mund më as ta mendojnë jetën pa Jezusin.
Duke medituar për kapitullin e gjashtë të Shën Gjonit mbi Eukarsitinë, mund të themi:
- Jezusi, e paralajmëron Eukaristinë, si kusht për ta pasur jetën: “Përnjëmend, përnjëmend po ju them: nëse nuk e hani korpin e Birit të njeriut e nuk e pini gjakun e tij, nuk keni jetë në vetvete. Kush ushqehet me korpin tim dhe pi gjakun tim ka jetën e pasosur. Unë do ta ngjall në ditën e fundit”. (Gjn 6, 53-54) Nëna Tereze komenton: “Jeta juaj duhet gjithnjë të jetë të ushqyera me Eukaristi, sepse, po mos të ishim të afta ta shohim Jezusin në trajtën e Bukës, s’do të ishte e mundshme po ashtu ta zbulojmë Atë në trajtën e trupave të shëmtuar të varfërve.”
- Eukaristia është plotësimi dhe ndjekja e plotë e Krishtit: “Unë jam buka e jetës. Kush vjen tek unë nuk do të ketë më kurrë uri, kush beson në mua, nuk do të ketë më etje…Po, ky është vullneti i Atit tim, që, kushdo e sheh Birin dhe beson në Të, ta ketë jetën e pasosur e unë do ta ringjall në ditën e fundit.” (Gjn 6, 33. 40) “Feja në veprim, është dashuri, dhe dashuria në veprim, është shërbim. Jezusi thotë: “Isha i uritur, i ndeshur, pa shtëpi…” mua ma keni bërë. Ta kapim Jezusin për fjalë dhe të besojmë në Të. Mu për këtë kemi nevojë për Eukaristi, sepse Ai është bërë Buka e jetës, për t’i shuar dëshirat tona, shqetësimet, dashurinë tonë për Atë. Këtë janë motivet për të cilat jeta jonë duhet të jetë e lidhur me Eukaristi… Ne fillojmë ditën me Meshën e Shenjtë dhe Kungim dhe e përfundojmë me një orë adhurim, që na afron dhe bashkon me Jezusin dhe me të varfër, në të cilët ne ia ofrojmë shërbimet tona”. (Nëna Tereze)
- Eukaristia është nisja e bashkimit të vazhdueshëm me Zotërinë: “Kush ushqehet me korpin tim dhe pi gjakun tim, ai mbetet në mua dhe unë në të. Sikurse mua më dërgoi Ati i gjallë dhe unë jetoj për Atin, po ashtu edhe ai që ha mua do të jetojë për mua”. (Gjn 6, 56-57) Nga kjo lidhje, bashkim, jetë, lind dërgimi ynë. “Jezsusi është bërë Buka e jetës, që unë dhe ju mund ta hamë dhe të jetojmë…Kuptimi i Eukaristisë është dashuria kuptimplote. Jezusi kuptonte. Kuptonte se kemi uri të tmerrshme për Zotin. Kuptoi se jemi të krijuar për të dashur. Mu për këtë Ai u bë Buka e jetës… Duhet ta hamë. Mirësia dhe dashuria e Krishtit në Eukaristi është kuptimplote… Tabërnakulli është garancia që Ai e ka thadruar praninë e tij në mesin tonë për amshim.” (Nëna Tereze)
- Eukaristia është fara e ngjalljes përfundimtare. Është fara e lavdisë në trupin tonë të vdekshëm, tharmi që na ruan nga shkatërrimi dhe vdekja. Sa herë Jezusi e ka përsëritur: Unë do ta ngjallë në ditën e fundit! Në Eukaristi, ne e marrim Krishtin e kryqëzuar dhe të ngjallur, dhe ai i thadron në ne varët e lavdishme me vulën e fitores ndaj mëkatit, ndarjeve shkatërrimit dhe vdekjes. “Sa herë që flija në kryq, në të cilin Krishti, qengji ynë i Pashkëve është flijuar (krhs. 1 Kor 5, 7), kremtohet në altar, përtërihet vepra e shëlbimit tonë. Dhe njëkohësisht, me sakramentin e bukës eukaristike, paraqitet dhe realizohet njësia e besimtarëve, që përbëjnë një trup të vetëm në Krishtin.” (LG 3) Koncili Dytë i Vatikanit rekomandon besimtarët që të “marrin pjesë në veprimin e shenjtë vetëdijshëm, plotësisht dhe aktivisht; të formohen prej fjalës së Hyjit; të ushqehen në tryezën e trupit të Zotit; ta falënderojnë Hyjin; duke kushtuar flinë e panjollë, jo vetëm nëpërmjet duarve të meshtarit, por së bashku me të, të mësojnë të kushtojnë vetveten, dhe ditë pas dite, me ndërmjetësinë e Krishtit, të përsosen në bashkimin me Hyjin dhe mes tyre, në mënyrë që Hyji më në fund të jetë gjithçka në të gjithë.” (SC 48) “Të gjitha sakramentet, ashtu si edhe të gjitha mbarështimet kishtare dhe veprat e apostullimit, janë të lidhura ngushtë me eukaristinë e shenjtë dhe priren drejt saj. Në të vërtetë, në Eukaristinë e shenjtë përmblidhet krejt pasuria shpirtërore e Kishës, dmth. vetë Krishti, Pashka jonë, buka e gjallë që, nëpërmjet mishit të vet të gjallëruar prej Shpirtit Shenjt dhe gjallërues, u jep jetë njerëzve të cilët janë në këtë mënyrë të dërguar dhe të shtyrë ta paraqesin së bashku me të vetveten, punën e tyre dhe të gjitha gjërat e krijuara.” (PO 5) Tash, secili prej nesh duhet ta pyes veten: a jetoj unë vërtet kështu Eukaristinë? Pse bashkohemi me Të vetëm me gojë – e jo edhe me jetë, zemër, thellësi të qenies tonë? Pse kaq shpejtë e harrojmë praninë e tij dhe kthehemi në shtëpi tona, në jetë, si “më parë”, sikur mos të kishte ndodhur asgjë? Pse kujdesohemi për kaq shumë gjëra, e nuk ka hapësirë për Të, aq sa ia “rezervojmë” një pjesë të vogël dhe të errët të jetës tonë? Prishtinë, 13 korrik 2022 – Radio Maria – Kosovë
Paqa dhe dashurija te mbretroi ne gjith boten
Veqanarisht tek shqiptaret
Jezusi Nënë Tereza janë shëmbuj për njerzimin në botë .
Lavdi Zotit Lavdi Krishtit .Lavdi gjith shëjtrive
Lavdi Ëngjujve .Lavdi njerzve vullnet mirë
Kjo është lutja qe sherbehem më të gjdo ditë