Synimet e angazhimit respektivisht ri-angazhimiti të SHBA dhe Gjermanisë në Ballkanin Perëndimor janë të natyrës gjeostrategjike dhe të qarta. Ato kanë për objektiv: shmangien e ndikimit politik dhe ekonomik në rritje të Rusisë dhe Kinës, promovimin e ekonomisë rajonale, integrimin e rajonit në BE dhe NATO…
Prishtinë, 4 qershor- Më 2 qershor, në Uashington, ndihmësi i presidentit amerikan për sigurinë kombëtare, Jake Sullivan, diskutoi për Rusinë, Ukrainën dhe sigurinë e energjisë në vendet evropiane me këshilltarin e politikës së jashtme të kancelares gjermane, Jan Hecker, ndërkaq një grup ekspertësh nga të dy vendet zhvilluan konsultime për tubacionin Nord Stream 2. Në këtë tryezë pune objekt diskutimi ishte edhe Ballkani Perendimor. Për këtë është raportuar nga departamenti i mediave i Shtëpisë së Bardhë.
1.
Gazsjellësi Nord Stream 2 është objekt i rënëdsisë së veçantë ekonomike për Gjermanin dhe Rusinë është pothuajse i përfunduar. Një pauzë që pati puna në këtë opbjekt, ishte aplikuar si përgjigje politike ndaj çështjes Navalny dhe rishikimit të këtyre interesave në përputhje edhe me interesat amerikane. Nga ekspertët e fushës ai veprim nuk është trajtuar si “një sanksion klasik ekonomik”. Madje, pati zëra që e kualifikuan atë veprim të qeverisë federale gjermane si vendim strategjik, që do t’i shërbente për përafrim me administratën e Joe Biden-it, duke koordinuar tok tutje fushëveprimin edhe në zonat tjera të interesit të përbashkët.
Ndërkohë puna ka vazhduar drejt përfundimit të tij dhe vënies në përdorim brenda afateve optimale.
Pikërisht ky veprim ishte sërish objekt diskutimi në takimin mes zyrtarëve të lartë amerikano-gjerman më 2 qershor në Uashington. Për më tepër, thuhet në kumtesën e lëshuar pas takimit në fjalë, se “ekspertët nga të dy qeveritë diskutuan për tubacionin e gazit Nord Stream 2, duke përfshirë çështje shqetësuese për Shtetet e Bashkuara në lidhje me rreziqet që na shpërfaqen me këtë rast në Ukrainë dhe sigurinë energjetike të Evropës”.
Siç dihet, Uashingtoni tashmë i ka hapur rrugë vazhdimit dhe përfundimit të këtij projekti me rënëdsi të jashtëzakonshme për ekonominë gjermane.
Nord Stream 2 sidoqoftë ka shkaktuar shqetësime të ligjshme dhe dro për qeveritë në Ukrainë dhe Poloni. Por, fokusi rreth kësaj teme, tashmë nuk është vetëm në Gjermani, Rusi dhe SHBA. Vendet e Evropës Lindore janë prononcuar hapur dhe kanë shprehur shqetësimet që kanë, dhe jo pa bazë e ligjshmëri. Që nga Pakti Hitler-Stalin i vitit 1939, çdo lloj marrëveshje bilaterale midis Gjermanisë dhe Rusisë ka ngjallur shqetësime, meqë ka goditur pika të ndjeshme në Evropën Lindore.
Po i vëmë në pah dy arsyet kryesore pse shpërfaqet edhe emocionalisht shqetësimi në Kiev dhe Bratisllavë: e para, është shqetësimi i natyrës politike, por jo pa bazë është edhe shqetësimi i dytë, ai i natyrës ekonomike.
Nord Stream 2 dhe Turk Stream në të ardhmen do të jenë në gjendje të përcjellin gazin tutje për në Evropë pa përdorur rrugët tranzite të Ukrainës dhe Polonisë. Ky ka qenë dhe mbetet edhe qëllimi strategjik i Rusisë. Ukraina e sheh këtë si një kërcënim për sigurinë e saj.
“Ju duhet të mbani varësinë e Rusisë nga Ukraina si një vend tranzit. Më e keqja ndodh kur Rusia nuk ka më nevojë për Ukrainën për furnizimet e saj të energjisë në perëndim, meqë, në këtë rast, probabiliteti i një sulmi të armatosur direkt rritet dhjetëfish ” [Kiev finds it necessary to “preserve Russia’s dependence” on Ukraine]
Ekonomikisht, në veçanti Ukraina, nga ky projekt ndihet e kërcënuar rënd. Deri më tani, Ukraina merr rreth 2 miliard dollarë tarifa tranziti në vit, që është 3% e PBB-së së saj.
2.
Ekspertët në këtë takim “diskutuan për samitin e ardhshëm të G7 dhe samitin e NATO-s, duke potencuar rëndësinë e garantimit të sigurisë të së ardhmes energjetike të Evropës, si dhe përparësitë e politikës së jashtme që përfshijnë Rusinë, Ukrainën, Iranin, rajonin e Sahelit dhe Ballkanin Perëndimor,” thuhet në kumtesën e lëshuar pas takimit.
Ballkani Perëndimor është bërthama e Evropës Juglindore që përfshin gjashtë shtetet ende të paantarësuara në BE: Shqipëria, Kosova, Bosnjë dhe Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia. Tok, ato përbëjnë një hapësirë gjeostrategjike me peshë që përthekon diku 208,000 km² dhe me rreth 19 milionë banorë.
Luftrat e njëpasnjëshme në dekadën e fundit të shek.20-të, gjatë procesit të shkërmoçjes së krijesës së Konferencës së Versajes (Jugosllavisë) së dominuar nga Serbia, kanë përmbysur interesat gjeostrategjike të fuqive (Rusisë, Francës, Anglisë…) në Evropën Juglindore , që ishin etabluar me përfundimin e Luftës së Dytë Botërore.
Ishte përfundimi i Luftës së Ftohtë dhe dalja në skenë e interesave gjermane, që objektiv kishin dhe kanë depërtimin drejt Mesdheut, në njërën anë dhe, interesat gjeostrategjike të SHBA-ve për ta rikthyer Ariun e Stepave në habitatin e tij, që do të risillte NATO-n në këtë cep të Evropës. Puçja e interesave ët ktëyre dy superfuqive me ato të Shqipërisë dhe shqiptarëve, krijoi mundësitë e pjesshme për korrigjimin e gjamës që ju bë kombit tonë në vjeshtën e vitit 1912-të. Më 17 shkurt 2008 në koordinim të plotë me administratën e SHBA-ve dhe partnerëve tjerë perendimor (para së gjithash Gjermanisë dhe Anglisë) u shpallë pavarësia e Kosovës, duke krijuar kështu Republikën e dytë shqiptare në këtë hapësirë gjeostrategjike të Evropës Juglindore.
Përpjekjet e Francës dhe jo vetëm asaj, ndërkohë, për vazhdimin e status quosë, duke bllokuar aderimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në BE dhe duke pretenduar të shmangë objektivin qenësor të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, e që është nohja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia, kanë ngritur shqetësime të ligjshme jo vetëm në Tiranë e Prishtinë, por edhe në Berlin e Uashington.
Takimi i zyrtarëve amerikan me ata gjerman në Uashington më 2 qershor, prandaj kishte në qendër të vëmendjes edhe Ballkanin Perendimor. Rifillimi i dialogut në format të veçantë, duke trajtuar Republikën si subjet i barabartë, është në qendër të këtyre interesave jetike të përbashkëta. Ky dialog duhet të shkojë drejt përfundimit të natyrshëm, pa vënë në pikëpyetje integritetin dhe sovranitetin e Republikësj dhe pa prekur funksionalitetin e brendshëm të saj. Në këtë rast, vëmendje pritet t‘ i kushtohet respektimit të kushtetutës, të drejtës për jetë, integrimit të minoriteteve në sistem dhe prosperitet zhvillimor e demokratik. Marrëveshjet e pritshme midis dy vendeve duhet të bazohet në vlerat dhe qëllimet evropiane.
Në prag të ristartimit të dialogut kryeministri Albin Kurti e ka bërë të qartë se ai shkon në Bruksel “për të diskutuar për njohjen e Kosovës dhe jo për çështje të tjera”. Kjo duket se nuk është përgjegjia e duhur për Beogradin, por edhe për aleatët e tij brenda BE-së. Duket se Beogradi është më shumë i interesuar për të improvizuar tutje, duke shtyrë dialogun në kalendrat greke ose do të impononte pezullimin zyrtar të dialogut për një periudhë të pacaktuar, qoftë edhe duke bartur përgjegjësinë për këtë Beogradi.
Kryeministri Albin Kurti me këtë deklaratë ka bërë të qartë se fillimisht pret që ndërmjetësuesit, BE-ja që ka mandat zyrtar nga OKB-ja, por edhe SHBA-të që mbështesin këtë dialog, më në fund t’ia imponojnë Beogradit që ta njoh realitetin e ri politik, duke e shtrënguar presidentin serb tashmë ta bëjë kapitullimin formal (meqë ai real është bërë më 9 qershor 1999 në KUmanovë), duke nënshkruar kontratën e njohjes. Me këtë akt do t’i hapej rruga diskutimit për çështje konkrete të rregullimit të marrëdhënieve midis të dy vendeve. Kjo është rruga përmes së cilës i imponohet secilës palë të zbatojnë taksativisht edhe ligjet ndërkombëtare. Barazia në tavolinë është parimi themelor i çdo dialogu.
Synimet e angazhimit respektivisht ri-angazhimiti të SHBA dhe Gjermanisë në Ballkanin Perëndimor janë të natyrës gjeostrategjike dhe të qarta. Ato kanë për objektiv: shmangien e ndikimit politik dhe ekonomik në rritje të Rusisë dhe Kinës, promovimin e ekonomisë rajonale, integrimin e rajonit në BE dhe NATO, përfitimin e brendshëm politik për qeveritë respektive si në SHBA edhe në Gjermani përmes sukseseve diplomatike…