Don Lush Gjergji, Prishtinë
***
Përshpirtëria e Nënës Tereze
(25 – vjetori i vdekjes)
NGJALLJA E KRISHTIT – FITORJA JONË
“Në botë keni vuajtje, por mos u trembni – unë e munda botën!”. (Gjn 16, 33)
“Mos harroni që mundimi i Krishtit përfundon gjithmonë me gëzimin e Ngjalljes, kështu që kur hetoni në zemrën tuaj vuajtjen e Krishtit, kujtojeni se duhet të vijë Ngjallja, duhet të lindë gëzimi i Pashkëve. Mos lejoni kurrë që dhemja t’iu pushtojë aq për të harruar gëzimin e Krishtit të ngjallur.” (Nëna Tereze)
Apostujt, pas vdekjes së Krishtit ishin të hutuar dhe të humbur, të shkapërderdhur e të dëshpëruar. Dhembja dhe humbja ishte aq e madhe sa që nuk arrinin më të bënin asgjë. Dukej fundi i botës. Njëri prej tyre, Juda, tradhtari, nuk ka guxim për jetë, për kërkim faljeje… Të tjerët janë gjithnjë të mbyllur nga frika prej Hebrenjve. Disa, si dy nxënësit e Emausit, tashmë ktheheshin në shtëpi, të lodhur, të mërzitur, të molisur… Mendonin: ishte në “aventurë” tepër e bukur ajo me Jezusin, për të qenë e vërtetë dhe afatgjate. Fatkeqësisht mbaroi shpejt dhe keq.
E Premtja e Madhe dukej e gjatë si amshimi! Por, a është e mundur që çdo gjë të përfundonte kështu, pyeteshin ata. A është e mundshme që Jezusi të ishte mashtruar dhe t’i kishte mashtruar edhe të tjerët? Populli ishte në Jerusalem për festë. Të gjithë gëzoheshin, ndërsa apostujt ishin të mërzitur, të vetmuar, në pritje…
Armiqtë e Jezusit ishin të kënaqur dhe të lumtur: së fundi e kemi eliminuar Atë që na sulmonte botërisht, që bënte disa mrekulli, që mësonte një doktrinë të re. Së fundi mund të gëzohemi dhe të festojmë në paqe së bashku me popull!
Kontrasti ishte i madh: miqtë e Jezusit nuk dorëzoheshin dhe mendonin: Jezusi ndonjë herë na ka befasuar duke dëshmuar se zotëron vdekjen, ka ngjallur Lazrin (Gjn 1, 1), bijën e Jairit (Mt 9, 18), birin e vejës nga Naimi (Lk 7, 12), dhe ka bërë shumë mrekulli dhe shenja të jashtëzakonshme… Ndoshta mbrapa kësaj ndodhie ka diçka që ne s’mund ta mendojmë dhe kuptojmë…
Apostujt, disa gra, disa dëshmitarë të zgjedhur kanë pasur përvojën që Jezusi nuk ishte i vdekur, ishte ngjallur, e kanë parë të gjallë, kanë biseduar me të, e kanë prekur, dëgjuar… Ishte gjallë!
“Në mbrëmje po të asaj dite – të parën ditë të javës – ndërsa dyert e shtëpisë, ku banon nxënësit, ishin të mbyllura prej frikës së judenjëve, erdhi Jezusi, zuri vend midis tyre dhe u tha: “Paqja me ju!”. Si u tha kështu, u tregoi duart dhe kraharorin. Nxënësit u gëzuan, kur e panë Zotërinë.” (Gjn 20, 19-20)
Toma, njëri prej të Dymbëdhjetëve, ishte në dyshim, thjesht nuk besonte. Ai tha: “Pa e parë në duar të tija vragën e gozhdave e pa e vënë gishtin tim në vend të gozhdave; pa e shtirë dorën time në kraharorin e tij, kurrë nuk besoj.”
“Mbas tetë ditësh nxënësit e tij ishin prapë brenda në shtëpi e me ta ishte edhe Toma. Megjithëse dyert ishin të mbyllura, erdhi Jezusi, zuri vend midis tyre dhe u tha: “Paqja me ju!”. Mandej i tha Tomës: “Shtjere gishtin tënd këtu e qe, shihi duar e mia! Ma jep dorën tënde e shtjere në kraharorin tim dhe mos ji njeri që s’beson, por besimtar!”
Toma i përgjigj: “Zotëria im dhe Hyji im!”.
Jezusi i tha: “Pse po më sheh, po beson. Lum ata që nuk panë e besojnë!” (Gjn 20, 24-29
Pastaj Jezusi i ngjallur është dëftuar edhe shumë herë apostujve, nxënësve, grave, për t’i bindur se vërtet ishte gjallë. ( khs. Mt 28, 16-20; Mk 16, 14-18;Vap 1, 6-8; 2, 24; 3, 15; 4, 10. 30; 10, 40; 13, 30)
Me ngjalljen e Krishtit gjithçka ndryshon, nata në ditë, pikëllimi në gëzim, vdekja në jetë!
“Biri i Hyjit, duke e bashkuar me veten e vet natyrën njerëzore dhe duke e mundur vdekjen me vdekjen dhe ngjalljen e vet, e ka shpërblyer njeriun dhe e ka shndërruar atë në një krijesë të re.” (khs. Gal 6, 15; 2 Kor 5, 17) (LG 7).
Këtu lindë, zhvillohet dhe shumohet ndërrimi i apostujve, të cilët tashmë me guxim të pashoq shpallin risinë para popullit: Jezusi është i gjallë, është ngjallur, e ka mundur vdekjen, botën!
Lajmi së shpejti përhapet në Jerusalem dhe në rrethinë, kudo. Apostujt s’kanë më kurrfarë dyshimi, frike, por haptazi, para autoriteteve dhe popullit predikojnë ngjalljen e Krishtit (khs. Vap 2, 22-24. 36); këtë të vërtetë e dëshmojnë edhe në vuajtje (khs. Vap 4, 10-12).
Gurthemeli i fesë tonë është ngjallja e Jezu Krishtit, burim i pashtershëm jete, faljeje, dashurie dhe shëlbimi.
Ai na ka liruar nga robëria e mëkatit, siç pati thënë në Darkën e Mbrame: “Pini prej tij të gjithë, sepse ky është gjaku im – gjaku i Besëlidhjes – që do të derdhet për të gjithë në shpërblim të mëkateve.” (Mt 26, 28).
Gjoni e paraqiti Jezusin kështu: “Ja, Qengji i Hyjit! Ky ia shlyen mëkatin botës!” (Gjn 1, 29)
Shën Pali shkruan: “Dhe njëmend, më së pari ju shpalla ato të vërteta që edhe unë vetë i mora: se Krishti vdiq për mëkate tona sikurse e paralajmëroi Shkrimi shenjt.
Qe varrosur e të tretën ditë u ngjall së vdekuri si u tha në Shkrimin shenjt. Iu duk Kefës e pastaj të Dymbëdhjetëve”. (1 Kor 15, 3-5)
Jezsui na liroi nga robëria e djallit. “Tani erdhi dita të gjykohet kjo botë, tani princi i kësaj bote do të hidhet jashtë!” (Gjn 12, 31).
“Ai na nxori nga pushteti i errësirës dhe na kalo në Mbretërinë e Birit të vet të dashur, në të cilin kemi shpërblimin – faljen e mëkateve” (Kol 1, 13-14).
Nga robëria e vdekjes. “Ky e asgjësoi vdekjen dhe bëri të shndrisë jeta dhe pavdekësia me anë të Ungjillit, për të cilin Hyji më caktoi të jem predikatar, apostull dhe mësues.” (2 Tim 1, 10-11).
Shën Gjon shkruan: “Isha i vdekur dhe, ja, jam i gjallë për shekuj të shekujve dhe unë i kam çelësat e Vdekjes dhe të Nëntokës.” (Zb 1, 18).
Shën Pali thotë: “Thimthi i vdekjes mëkati; fuqia e mëkatit Ligji. Ta falënderojmë Hyjin që na e jep fitoren nëpër Jezu Krishtin, Zotin tonë” (1 Kor 15, 56-57)
Nëna Tereze porosit: “Le të jetë me ju gëzimi i Krishtit të ngjallur!…Pashkët janë festa më e madhe e bashkësisë tonë…, rast për ta dëshmuar jetën e re që na ka dguruar Krishti i ngjallur.”
Duke folur në një rast për gjendjen dramatike të përndjekjes së Kishës katolike në Shqipëri, gjatë sundimit të diktaturës komuniste dhe ateiste, që nuk ia kishte mundësuar as Nënës Tereze vizitën, më vonë pjesëmarrjen në varrimin e Nënës Drane dhe motrës Age, ajo me dhembje, por edhe bindje të fesë më tha: “Deri me tash, kam arritur çdo gjë me uratë dhe dashuri. Ka ende pengesa që as dashuria nuk arrijnë t’i rrëzojë… Unë nuk e di saktësisht çka ndodh në Shqipëri, por e di se lutëm gjithmonë dhe jam e bindur se nëpërmjet fesë Zoti do të japë shumë hire… Mendoj që Kisha në Shqipëri ende po përjeton të Premten e Madhe, mirëpo feja jonë na mëson që jeta e Jezusit nuk përfundon me të Premten e Madhe, por me të Dielën e Pashkëve, ngjalljen e Krishtit. Këtë nuk duhet ta harrojë kurrë Populli im.
Këtu është fshehtësia e suksesit të krishterë, Jezusi e ka dhanë jetën e vet për t’u bërë jeta jonë, i pranishëm në çdo njeri…” (Nëna Tereze, Oslo, 10 dhjetor 1979).
Koncili Dytë i Vatikanit në kushtetutën baritore Gaudium et Spes – Gëzimi dhe Shpresa, shkruan: “Në të vërtetë, Krishti ka vdekur për të gjithë dhe thirrja e fundit e njeriut është efektivisht një e vetme, ajo hyjnore; prandaj duhet të mendojmë se Shpirti Shenjt u jep të gjithëve mundësinë të bashkohen, në mënyrën që Hyji di, me misterin e Pashkëve… Me vdekjen e vet e ka shkatërruar vdekjen, me ngjalljen e vet e ka dhuruar jetën, që edhe ne, duke u bërë bij me Birin, të mund të lutemi duke thirrur në Shpirtin Shenjt: Abba, o Atë!” (LG 22)
E vërteta e ngjalljes së Krishtit, është themeli i fesë tonë, jep mundësi për ndërrim dhe shenjtërim të jetës së krishterë, mundëson shëlbimin e amshuar.
Garancia e shëlbimit, shëlbimit dhe pavdekësisë, është shkruar me gjakun e Krishtit, është vulosur me ngjalljen e tij të lavdishme. Mu për këtë, me gëzim dhe siguri besojmë, themi dhe dëshmojmë para mbarë njerëzimit: Ngjallja e Krishtit është fitorja jonë!
Prishtinë, 27 korrik 2022 – Radio Maria – Kosovë