Në foto është Xhamia Turke-Arabe e Gurrakocit, e ngritur mbi Tregun e Gjelbër nga koha e Autonomisë së Kosovës
___
Don Lush Sopi, Pejë
__
QUO VADIS KOSOVË E DASHUR?
Kosova, vend i vlerave dhe virtyteve, vend i flijimeve dhe sakrificave, vend i persekutimeve dhe martirizimeve të shumta, është në një krizë të thellë, ndoshta si asnjëherë më parë, sidomos në aspektin e identitetit të vet kombëtar dhe fetar. Duke parë këto kriza të thella të identitetit tonë, i shtyrë nga ndërgjegjja dhe dashuria e madhe për popullin tim, vendosa të jap një mendim rrethë disa çështjeve të rëndësishme, të cilat po shkaktojnë polemika dhe debate të ndryshme, duke e vënë në rrezik të madh çështjen e identitetit tonë kombëtar dhe fetar. Është për tu shqetësuar, si marrin guxim disa individ, qoftë klerik apo laik, të cilët e quajnë veten shqiptar, të dezinformojnë opinionin me shumë të pavërteta, jo vetëm sa i përket historisë, kulturës dhe traditës sonë shqiptare, por edhe vet besimit-fesë së popullit tonë, duke e hutuar dhe dezinformuar besimtarin mbi rëndësinë e binomit Atme e Fe, që ishte rruga e vetme për popullin tonë Shqiptarë, për të realizuar aspiratat shekullore, apo me konkret për ta parë dhe përjetuar Kosovën tonë të dashur si një Shtet të Pavarur dhe Sovran karshi botës së emancipuar evroatlantike.
Tendenca e cilit do besim (pavarsisht) që nëpërmjet tij t’i orjenton besimtarët drejtë një gjuhe, kulture apo tradite tjetër, është në kundërshtim me vet besimin e tij. Besimi nuk duhet të imponohet as të gjykohet, sepse Zoti na ka krijuar të lirë dhe Ai e respekton lirinë tonë të plotë, për tu përcaktuar për besimin dhe mënyrën e shprehjes së përkushtimit tonë ndaj Tij. “Vërtet, vëllezër, ju juni të grishur në liri! Por, kini kujdes që kjo liri të mos bëhet shkak të jetoni si do trupi, por – me dashuri shërbejini njëri-tjetrit. Nëse njëri-tjetrin nuk e lini në paqe me fjalë dhe ia breni njëri-tjetrit jetën me ngatërresa, hapni sytë: po e qitni fare njëri-tjetrin.” (Gal 5,13,15). Pra secili popull e ka historinë e vet, gjuhën, kulturën, traditat e veta, si ato fetare, gjithashtu edhe ato kombëtare. Për fat të mirë, populli ynë Shqiptar. nëpërmjet gjuhës, besimit, kulturës dhe traditave të shëndosha familjare, ka arritur t’i përvetsoj dhe t’i kultivoj vlerat dhe virtytet kombëtare, fetare, morale, humane… duke e ngritur popullin tonë në pijedestalin më të lartë të civilizimit dhe humanizmit njerëzor.
Secili besimtarë, pavarësisht besimit që i takon, ka për obligim ti ruaj dhe kultivon këto vlera dhe virtyte, të cilat na mundësojnë dhe garantojnë një të ardhme më të mirë dhe më të sigurtë. Teoria se “Gjuha e Zotit është gjuha arabe”, është apsurde dhe në kundërshtim me vet besimin në Zotin Krijues. Zoti Krijues dhe i Gjithëpushtetshëm bashkëpunon dhe komunikon me njerëzit e të gjitha besimeve (të shëndosha) pa dallim, sepse të gjithë njerëzit janë bij dhe bija të Tij. Gjuha e Zotit është gjuha e Paqes, Mirësisë, Urtisë dhe Dashurisë, sepse Zoti është Dashuri.
Prandaj, nga dashuria për të gjithë popujt, pa dallim besimi, Zoti secilit popull i flet në gjuhën e vet, për t’i mundësuar njeriut që të jeton në paqe, dhe dashuri ndaj Tij dhe ndaj vëllaut njeri.
Gjuha të cilën Zoti e ka zgjedhë për të komunikuar me popullin shqiptar, është gjuha Shqipe.
“Porsi kanga e zogut t’verës,
qi vallzon n’blerim të prillit;
porsi i ambli flladi i erës,
qi lmon gjit e drandofillit;
porsi vala e bregut t’detit,
porsi gjâma e rrfès zhgjetare,
porsi ushtima e nji tërmetit,
ngjashtu â’ gjuha e jonë shqyptare…
Pra, mallkue njai bir Shqyptari,
qi këtë gjuhë të Perëndis’,
trashigim, që na la i Pari,
trashigim s’ia len ai fmis;
edhe atij iu thaftë, po, goja,
që përbuzë këtë gjuhë hyjnore;
qi n’gjuhë t’huej, kur s’asht nevoja,
flet e t’veten e lèn mbas dore…
Nper gjuhë shqype bota mbarë
ka me ju njohtë se ç’fis ju kini,
ka me ju njohtë për shqyptarë;
trimi n’za, sikurse jini”. ( At Gjergj Fishta)
Shqetësim tjetër edhe më i madh për shoqërinë dhe për kombin tonë Shqiptarë, është çështja e familjes, e cila dita-ditës po fundoset në ujëra të turbullta dhe në humnera të mëdha të shkatërrimit dhe të asgjësimit. Familja është thelbi, themeli dhe burimi i jetës fetare dhe kombëtare. Prandaj, rrënimi i familjes është rrënim i një populli, rrënim i shoqërisë. Familja shqiptare është në krizë të madhe për të humbur identitetin e vet, vlerat dhe virtytet, që e kanë karkterizuar në të kaluarën. Problemet dhe krizat janë të natyrave të ndryshme, në shumë segmente të jetës.
Një ndër shqetësimet e mëdha është përzierja e gjakut nëpërmjet martesave. Kjo e vë në rrezik të madh të ardhmën tonë, identitetin tonë kombëtar, traditën, nderin dhe moralin familjar, që janë bazë dhe themel i një shoqërie të shëndosh dhe një shteti normal.
Nuk kemi periudhë historike të popullit tonë shqiptar, pavarësisht besimit, që prijësit fetar apo kushdo tjetër, të ken lejuar apo të kenë dhënë pëlqimin e martesave në (fare)fis apo në gjakun familjar, siç po ndodhë sot! Shën Gjoni Pagëzues, duke e parë jetën e pamoralshme në pallatin mbretëror të Herodit, e qorton mbretin duke i thene: “Nuk guxon ta mbash për grua Herodiadën, gruan e vëllait tënd.” E dinte se do t’i kushtonte me jetë, por nuk kishte frikë. Ashtu edhe ndodhi. Me kërkesë të Herodiadës, Herodi dha urdhër t’i prehej koka Gjon Pagëzuesit. Prandaj, pavarësisht rrethanave dhe situatuatave në të cilat gjindemi, të gjithë së bashku , pavarësisht besimit që i takojmë, duhet ta ngrisim zërin për ta ruajtur moralin dhe nderin familjar, për ta shpëtuar shoqërinë dhe identitetin-kombin tonë, nga ky degjenerim dhe shkatërrim moral dhe njerëzor. Rreziku tjeter që i kanoset popullit tonë është tendenca e ndryshimit të raportit të brendshëm shpirtëror të njeriut me Zotin, me imponim të një besimi, interpretimi dhe komunikimi ndryshe me Zotin. Një veprim i tillë, është nënçmim dhe ofendim për popullin tonë, sepse i bie, sikur populli shqiptar, pavarësisht besimit, deri më tani nuk paska ditur dhe ende nuk dinë si të Besoj dhe si të Lutet. Dëshmi e këtij realiteti është rrahja e hoxhës që ndodhi këto ditë në Lupç të Podujevës. Ndjejmë keqardhje për këtë aktë të shëmtuar dhe lusim Zotin për shëndetin e tij. Sikur nuk mjafton tendenca e ndryshimit të brendshëm shpirtëror, prandaj disa po mundohen ta transformojnë njeriun edhe në pamjen e jashtme, për ta paraqitur si besimtar më të mirë dhe më të devotshëm se të tjerët! “Njeriu sheh çka duket përjashta, kurse Zoti vëren zemrën”(1 Sam).
Kohëve të fundit flitet dhe diskutohet shumë për Parajsën (apo Xhenetin). Ka aq shumë spekulime dhe interpretime të ndryshme, që nuk mund të kuptohen ndryshe, pos keq interpretim dhe manipulim me besimtarët. Parajsa (Xheneti,) sipas disa interpretimeve, paraqitet si vend i ndërtuar me tjegulla të arit dhe të argjendit, me vendbanime të bukura, vend me enë ari, me rroba të bukura, me të gjitha llojet e ushqimeve, vend ku burrat i presin shtatëdhjetë hyritë virgjëresha, të bukura, të bardha, me sy të zi, vend i knaqësisë me hyritë… Nëse në Parajsë (Xhenet) jeta qenka kështu, çfarë qenka dallimi me jetën e njeriut në tokë? Sepse, në tokë ka pallate të tilla në të gjithë botën, ku dominon pamorali, degjenerimi total i njeriut, shfrytëzimi dhe keq përdorimi i dinjitetit të njeriut, si dhe shkatërrimi i vlerave dhe virtyteve morale, humane dhe njerëzore. “Bijtë e kësaj bote marrin gra ose burra. Kurse, ata që u gjetën të denjë të kenë pjesë në atë botë e në ringjallje të të vdekurve, as s’marrim gra as s’marrin burra. Ata janë porsi engjëjt e, per arsye se e refituan jetën me ringjallje, janë bijtë e Hyjit.” (Lk 20, 34-36)
Prandaj, ne besojmë dhe shpresojmë, që në prani të Zotit, gjithçka të jet ndryshe, nga jeta e njeriut në tokë. Këtë e dhëshmonë Shkrimi Shenjt: “Çka syri nuk pa e veshi nuk dëgjoi dhe në zemër të njeriut nuk hyri, atë ua bëri Hyji gati atyre që e duan.”
Këto vlerësime mbështeten në faktin, se të gjithë shqiptarët, pa dallim besimi, besojmë në një Zot, Zotin Krijues dhe Shelbues. Mbështeten në faktin, se të parët tanë ishin Shqiptar , besuan si Shqiptar dhe jetuan si Shqiptar. Prandaj, edhe ne , pavarësisht besimit, si pasardhës të popullit Ilir duhet të mburremi dhe të ndihemi krenar, që jemi dhe që do të mbetemi përgjithmonë Shqiptar. Ky fakt na obligon, që ti pëgadisim dhe frymëzojmë gjeneratat e reja, për të qëndruar SHQIPTAR, për të jetuar si SHQIPTAR dhe për të vdekur si SHQIPTAR.