ARKIVI:
18 Nëntor 2024

Rrapi i Perhondisë dhe zbritja nëpërmjet tij e Putinit nga Kali i Luftës me Ukrainën!

Shkrime relevante

Broçkullat e Albin Kurtit, trimërim për neootomanët…!

Belisar Jezerci, historian ____ Deklaratat e kryeministrit Kurti në medrese "Alauddin" në Prishtinë,...

O Stano, zëdhënësi i Serbisë, Kosovës nuk ka çka t’i duhet integrimi europian “me Serbi” brenda saj!

Gani I. Memeti Zëdhënësi i BE-së ka thënë se çështja e institucioneve...

Lirim Mhehmetaj dhe fjalori i tij trashaman…!

Afrim Caka, Gjakovë ___ …SE MOS E KA PARË DIKUSH TË JETË SKUQUR...

Popesku, turpi bije mbi ata që në shtëpinë e vet i sulmojnë mysafirët…!

Gani I. Mehmeti Në minutat shtesë, tifozët vendas nisën thirrjet raciste, me...

Shpërndaj

Petrit Belliu, Berat
* * *
Që thoni ju, nën hijen e rrapit shumëshekullor të Perhondisë, na paskësh qenë zakon i lashtë që mblidheshin dhe rrinin nën hijen e tij pleqtë e famshëm të Perhondisë. Të famshëm nga mençuria, urtia dhe aftësia për t’u dhënë fetfa pyetjeve dhe shqetësimeve të ndryshme e delikate të gjithkujt , që nuk besonte se mund t’ia zgjidhte myftari (kryeplaku lokal), apo as dhe kadi efendiu në Berat. Ata qenë zgjedhur nga të pesë lagjet e Perhondisë dhe, ndënjur mbi shiltera e posta, vendosur këto mbi rrogoza, pinin nargjile e kafe dhe tirrnin muhabete e hiqajete për shtatë palë qejfe..! Rrapi gjendej mu pranë urës së lashtë prej guri, mbi lumthin e Lapardhicës, dhe aty edhe dy hane – restorante (në ditët e fëmijërisë sime, ai Gjordenit dhe ai i Marinit, sikurse kujtojnë ende venda sit). Mbeti gjallê edhe kujtimi i kohëve kur qyteza antiko-esjetare e Pendarhonidsë kishte edhe panairin e saj, për gjithë ata që nuk dëshironin të shkonin për shitblerje deri në Berat. Ja këtu, nën rrapin historik të Perhondisë , u kënduan sa e sa këngë të moçme, u rrahën e morën zgjidhje sa e sa probleme delikate dhe lindën rrëfenja urtie, disa syresh të denja edhe për Gines, sikurse kjo që vijon etj.
Nejse, njëherë moti, një ditë të bukur vere, një burrë rreth të dyzetave, – duan të thonë diku nga Arrëza a nga Kozarja -, teksa donte të shkonte në Berat për ditë pazari, po përpiqej më kot të kapte pelën e tij, që i kishte hipur për kokë të mos bindej, duke ia shkelur me të katra nëpër çaire..! I zoti, në kulm të pezmit, i qenkësh betuar liksht : -”Dëgjove moj pelë, në të zënça e të hipsha, lënça gruan në të zbritça..!”. Një i moshuar, që ruante dhentë aty pari, i thërret : – ”Or çun, mos u mundo kot or bir, por shko në shtëpi, merr trastën e tagjisë, qoftë dhe bosh, dhe ndille dhe kape me terezi..! Se, thoshin pleqt’ e parë, t e r e z i a është më e fortë se fuqija..! Hë bir i xhait..!”- i paskësh thënë i moshuari. Nejse, e thënë dhe e bërë dhe funksionoi për mrekulli. Një e në shtëpi.
-”Grua !”
-”Lepe, aga..!”
-”Kovën me ujë pelës dhe mua një tas me përshesh, se ika për pazar. !”.
-”Ua..! Po zotrote zbrit njëherë dhe..!”.
– ”Bre jahu, nuk zbres dot, se ashtu është puna..! Po bëj ça të thash e mos e zgjat..!”. Nejse, passi ngarkoi dhe hejbetë, drejt e në pazar. Nuk e la pelën, sipas rregullit tê beledijes (bashkisê), në Hanin e Fëshfërimës (mu në perëndim të Urës së Goricës), por drejt e në pazar mbi kal. E kapi zaptija e kasabasë dhe për karshillëk ndaj rregullave fikse, passi u bindën për arsyen madhore të moszbritjes dot nga pela, nuk e arrestian, por i vunë një goxha xheza (gjobë). Nga maja e pelës dha e mori i biri i botës dhe një e drejt e në shtëpi. -”Grua..!”.
-”Lep, aga..!”. – ”Na kto hejbe me plaçka ! Mbushe koritën me ujë për pelën, vëri pastaj tagjinë dhe mua një çanak me përshesh e pastaj gunën, për të kaluar natën mbi pelê..!”.
– ”Ua, korba..! Po zotrote zbrit, o i uruar, se…!”. – Moj, mer vesh ti që nuk zbres dot? Se po zbrita unë, hipën ti, dhe shkon nga ke ardhur..! More vesh? Mora thuaj..!”. E gjora grua, e re, nënë e dy kalamaqërve, u bë një dorë, u zverdhe dyll dhe passi zbatoi urdhërat e mara, një e te xhaxhai i të shoqit, matan’ gardhit. Passi e përshëndeti merhaba dhe i puthi dorën, sipas zakonit, me lotë në sy, i tregoi ktu e ktu, sa kishte ndodhur..! Tata (siç e thërriste e gjithë familja e madhe e tipit klan, kishte tundur kokën, me ato mustaqet fshesë, vetullngrysur dhe me bastunin në dorë, ia kishte behur sakaq, para të nipit. -”Hair inshallah, evlat, ça ka bërë vaki që nuk i zbret pelës e ma ke bërë nusen një dorë..?”. I nipi ia tregoi ndodhinë fije për pe.
-”Hmm..! Be të rëndë paskë bër, mor teveqel..! Po nejse, shkelja, sa nuk është vonë, për te pleqtë e Perhondisë, dhe jepu selam e qelam edhe nga unë. Se vetëm ata mund t’i japin dum çështjes..!”.
I përbetuari ia shkeli, sa hante vrapi i pelës së fshikulluar pa mëshirë. Një e te pleqtë e Perhondisë. Qe iqindi (në të ngrysur) dhe fat që nuk qenë larguar për në shtëpitë e tyre. U afrua dhe, ashtu, që lart nga pela, i përshëndeti, sipas zakonit :
– ”Marhaba, o etër të nderçëm..!”.
– ”Mer ha bar..!”, ia priti me të parën njëri nga pleqtë, me ton zemrate..!
– ”Më falni që nuk i zbrita pelës dhe fola unjur mi të; po unë ashtu e kam nji hall. Nuk mund t’i zbres dhe prandaj kam ardhur te ju që nga filan fshat… ! Dhe keni selam e qelam edhe nga tata im , filani….!”.
Pleqtë kishin parë njëritjetrin në sy dhe, sipas një kodi komunikimi të heshtur midis tyre, njëri syresh iu drejtua : – ”Fol, si e ke hallin..?”. Ktu e ktu…, tregoi i përbetuari para Zotit..! Pleqtë u panë sërish ndër sy dhe i autorizuari heshturazi i tyre i tha : – ”Hmm..! Të rëndê e paske bërë betimin, evlat, por, me izëm të Zotit, do ta ndreqim..!”. Dhe, i njëjti, kish vijuar : – ”Dëgjo, evlat, ashtu siç je mbi pelë, afrohu nën atë degën e afërt të rrapit. Tani ngrihu mbi samar dhe kape degën e ngjitu mbi të . Ashtu..! Bukuri..! Tani drejtohu nga trungu i rrapit dhe bëj sikur zbret prej tij..! Ala..! Edhe pak, sa të zënë këmbët dhe..! Ala..! Tani kthehu ktej nga ne..! Hë, zbrite?”. – ”Po, si urdhron, zbrita !”, qê gjegjur fatziu. – ”Bukur..! Po nga zbrite, evlat, nga pela apo nga rrapi..?”.
-”Nga rrapi..!”, gjegji i përbetuari..
– ”Epo mirê, tani hipi pelës, shko në shtëpi dhe përqafo gruan dhe fëmijët i qetë..! Se edhe benë nuk e theve dhe me Zotin je në rregull. Dhe selam e qelam bëji edhe tatës tënd e mikut tonë të mirë..!”.
* * *
Morali i kësaj fabule gjeniale, të denjë për Giness, nuk ka nevojë për koment. Ai ka shërbyer e do të shërbejë aq shpesh, për zgjidhje të zgjuara e praktike, në raste ngërçesh delikate, nivelesh të ndryshme, nê marrdhêniet dypalêshe a shumêpalêshe, deri dhe tê llojit dhe pêrmasave si ai i sventurês sê Putinit..!
Se ky, mendjelehtësisht, pandehu se do ta pushtonte Ukrainën për 48 orë, ose, të paktën, do të mund të vendoste atje një qeveri kukull proruse. Mirëpo po afron gjysëm viti nga agresioni i tij barbar dhe tash, me bisht ndêr shalê nga sfida ukrainase dhe ajo e faktorit euroatlantik, para faktorit ndërkombëtar, për të shpëtuar sadopak cipën e të përbetuarit megalloman e tê rrêmbyerê, do të jetë i detyruar t’i zbresë kalit ë aventurës nëpërmjet rrapit të kompromisit, që do të vendoset mes tri palësh : Faktorit Euroatlantik, Ukrainës dhe të përbetuarit Putin..! – – – – – – – – – –
*Një sugjerim i mikut tim, Soll Mërtishit : Kur i thash se do të publikoja fabulën e Pleqve të Perhondisë, më sugjeroi t’ia çoja Presidentit Putin rusisht, – si rusishtfolës që jam, nëpërmjet Ambasadës së tij këtu. Por sigurisht që s’ishte nevoja, se kjo, po të dojë, ia çon vetë, duke e marë nga Fcb dhe pêrkthyerê..! Sa pêr gallatê, se, fundja, Ai nuk ka zgjidhje tjetër, veçse të zbresë nga pela e aventurës nëpërmjet ”RRAPIT TË PERHONDISË”).
Petrit Belliu, 30.7.2022.

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu