Ilustrim i huazuar i një plaku …
Ndoc Bushgjoka, shkrimtar, Tropojë
Toleranca është bija e dyshimit.
Remark
***
Hysen Uka kall kamishin.
Atje ku Drini plak bënte një kthesë, ndanë drumit Shkodër – Gjakovë, kishin shpinë Hysen Uka i Ndreajve. Dikur thoshin trim dai si Hysen Uka, por vjetët kishin rrjedhë si uji i Drinit poshtë kullës së tij, e tash ai pa djalë pa çikë po i afrohej qindit. Dera e tij ke e hapun për mik, dashamir, kumbar, uzdajë e drumtarë. Pa zjarm, bukë, raki e miradije s’ke gjetë kurrë.
Atë ditë tuj pi duhan shihte flakët e zjarrit në vatër e kujtonte kohërat e dikurshme. Ashtu tuj ndejt me vështrimin e përhumbun ia merr kangës:
Çka kan’ malet që ushtojnë,
Dalë Berisha po luftojnë,
Shalë e Nikaj po i nimojnë…
E bash në atë varg, tre drumtarë tuj u kthye prej Shkodre mbrrijnë te kulla e Hysen Ukës. Ishin tre burra veshë e ngjeshë si s’kish ma mirë. Celinat n’krah e koburet e gjata në shokë. Njëri prej tyre, burrë karaduzë, me i ra hunda në tokë e gjuante me allti, nxjerr kamishin bishtgjatë, e mbush me duhan dhe afrohet te dritarja e shpisë. Sheh atë burrë plak tuj këndue afër zjarrit, përhumbë në mendime dhe pa e njatjetue e kurri fjalë tjetë, zgjat kamishin dhe i flet si rrogtarit në hanin e Shkodrës:
– Vndomia i gacë !
Plakut iu pre kanga. Vetullat shllungë të bardha iu rrëzuen mbi qerpikë e ftyra iu idhtue si ne ato kohëra kur pat dalë prej istikami tuj hallakatë:
– O del djalë për fushë se mue më thonë Hysen Uka i Merturit e nuk qes prej mas cungut.
E kqyri kamishin dhe dorën që e mbante. Një kori të tillë s’ia kish ba kush kurrë.
Pa nja pa dy, fjalët vonojnë, merr hekurin e votrës e sjell m’ thupërzak të kamishit, tuj folë të madhe:
– S’jam urë zjarri shkretë me ndez kamishët badihavxhinjve!
Kamishi u thye e gjysma e thupërzakut i mbet në dotë karaduzës drumtar.
– Ah! Ta q***** kryqin, – bërtiti ai e kthei celinën.
Hysen Uka u çue në kambë si dikur, shkuli pushkën prej murit, hapi derën e doli përjashta. Sa doli në oborr, merr shenjë e qet. Ndie se njeri prej tyre briti, e atë dakik tri pushkë flaksa u shprazën drejt tij. Hysen Uka u ul kadalë tuj u mbajtë mbi pushkë. bani kryq dhe u pshtet në kah të djathtë, sikur donte me fjetë gjume, pa u çue ma kurrë.
Dy kushërinjte e Hysenit, Nik Toma e Sadik Jetishi ndiejnë krismat e pushkëve, tretën ça kishin në dorë, e si Zana ia dhanë vrapit. Në oborr të kullës gjejnë plakun Hysen Uka mbytë në gjak. Plaku foli dy tri fjalë dhe mbylli sytë. Përtej udhës tre burra po ecnin sa mundnin shpejt. Nika e Sadiku kuptojnë gjithçka. Pa u marrë vesh me njëri tjetrin njeri rend drumit e tjetri mori shtegun e vadës pak më lart.
– O ndal ku shkon djalë bre, – piskati të madhe Sadik Jetishi, me i shti mnerën edhe fëmijës në bark të nanës.
Pushkë e piskamë. Tre drumtarët mbetën të dekun. Nika e Sadik Jetishi i kthyen mbarë u vunë pushkët përkrah e qitën zanin se asht vra Hysen Uka i Merturit.
Katër vetë të vramë thjesht për një kapërdisje dhe urrejtje fetare. Jo ma larg se njëqind vjet më parë, edhe ata udhëtarët kishin ba kryq, ndezë qiri e lutë Pashkë, Shënkoll e Shnandue.
Fjala, se si ndodhi e qysh u vra Hysen Uka, mori dhenë. E dikush në skaj të oxhakut i këndoi me çifteli atë kangë që ka ardhë deri sot:
Hysen Uka kall kamishin,
Mos ma shaj lum baca kryqin,
Kam do diel bukur të mërziçëm,
Kam Nik Tomën e Sadik Jetishin,
Për dy pare pushkën ta nisin,
Për dy pare ta nisin pushkën,
Vranë tre vetë për Hysen Ukën.
…
Hysen Uka shkon livadhit,
Qet shahi si Zana e malit.
Kësodrore, këto shkaktuan ndasitë fetare, dhe ne mburremi me tolerancën e paqënë kurrë. Nuk kemi parë e as nuk shohim se si e qysh po katandisemi përditë e më zi edhe nga ky armik i tmerruar.
Ndaj shënova në fillim thënjen e Erih Maria Remark se “Toleranca është bija e dyshimit.”
– Kush beson bëhet shumë lehtë fanatik. Prandaj të gjitha besimet kanë kushtuar aq shumë gjak.
(Shih E. M. Remark “Harku i Triumfit” faqe 51