Prof. Dr. Sadri Ramabaja
Në historinë tonë të ngarkuar me elemente tragjizmi, jemi vonuar të promovojmë shtetin-komb që do të prodhonte elita politike të mirëfillta.
Po vjen koha ta bëjmë këtë.
Prishtinë, 6 qershor — Gazetari bjellorus Roman Protaseviq është bërë një simbol i opozitës në Bjellorusi e në të gjithë Evropën. Por, ashtu si kritikët e tjerë të regjimeve autoritare në Evropën Lindore e atë Juglindore, ai është edhe një nacionalfashist i klasit të parë.
Jasmin Mujanoviq, doktor i shkencave politike, ka reaguar ndaj emisarit të BE’së, Miroslav Lajcak, dhe përfaqësuesit të Departamentit të Shtetit Amerikan dhe të dërguarit për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer, për takimin që kanë zhvilluar të dy në Beograd me kreun e Kishës Otrodokse të Serbisë, patriarkun Porfirije. Ky i fundit, fill pas takimit me zyrtarët e lartë në fjalë, është shprehur se Kisha Serbe vazhdon ta trajtojë Kosovën si Jerusalemin e saj, duke betonuar edhe më shumë faktin se opozita e mirëfilltë në Serbi tani është de fakto Kisha.
Politologu Mujanoviq është shprehur shqeto: një vendim i tillë për të takuar Porfirijen është i tmerrshëm, meqë thotë se është gabim trashanik të promovohen institucionet fetare si faktor politik. Një gjykim jashtëzakonisht i keq nga Lajçak dhe Palmer”, ka shkruar Mujanoviq, një zë specifik opozitar në Serbi.
Si gazetari bjellorus Roman Protaseviq edhe kreu i Kishës Serbe, për shumëçka, mund të cilësohen si hije të gjata të sistemeve pararendëse totalitare.
1.
Televizioni shtetëror bjellorus të enjten që lamë pas, transmetoi një intervistë të pazakonshme. Një i ri i burgosur, që për pak kohë qe shndërruar në ikonë e opozitarizmit kundruall pushtetit autoritar të Lukanshenkos në Bjellorusi, pranoi me një zë të mbytur në lot se kishte punuar në rrëzimin e Presidentit Alexander Lukashenko. Opozitari 26-vjeçar shihej derisa fliste se ndodhet nën një presion të tmerrshëm. Ai bëri akuza kundër kritikëve të tjerë të qeverisë dhe vlerësoi lart Lukashenkon, që ka kohë është shndërruar në simbol i autoritarizmit edhe përtej Bjellorusisë. Në fund të intervistës, ai shpërtheu në lot, nga një hero që ishte, u shndërrua në një engjull toksor të zakonshëm; rrëfeu për ëndrrën që ka për të krijuar familje, për një grua të bukur e tryezën plot me fëmijë… dhe në fund, si një nacionalist bjellorus i zakonshëm, këshilloi opozitën që të ndalë protestat.
E vetkuptueshme, se Roman Protaseviq nuk i tha të gjitha këto me vullnetin e tij të lirë. Për ata që e njohin mirë sistemin rus të torturës, e kanë të qartë se ishte pikërisht dhuna që ka përjetuar nga aparati i shtetit autoritar, ajo që e shtyu kritikun e ri të regjimit të bënte deklarata të tilla.
Për lexuesit po risjell në vëmendje se ai ishte bashkëthemeluesi i guximshëm i kanalit opozitar Telegram Nexta, që shumë shpejt qe bërë një simbol i protestave demokratike kundër sundimtarit Lukashenko.
Por ky rrëfim para kamerave në intervistën e së enjtes së kaluar nuk është i gjithë rrëfimi i Protaseviqit. Imazhe që u shfaqën kohët e fundit në internet, e tregojnë gazetarin në një rol tjetër: në atë të një luftëtari në Ukrainën lindore. Atëbotë në krahun e tij ai mbante një simbol të batalionit famëkeq Azov, një grup vullnetar ekstremist i krahut të djathtë që ishte integruar në Gardën Kombëtare të Ukrainës në fund të vitit 2015. Batalioni Azov ishte një nga më famkeqët në ato luftime dhe inspirohej nga fryma neo-naziste dhe antisemitike që po shtrihet gjithandej në Bjellorusi dhe jo vetëm.
Në një intervistë të vitit 2015, Protaseviqi (Protassewitsch) nuk jep fare përshtypjen se ai është një ekstremist i sojit të nacional-socialistëve gjermanë. Ai tha se “sfondi i fortë ideologjik” dhe stërvitja e vazhdueshme e luftëtarëve Azov, ishin arsye që e kishin nxitur t’i bashkohej batalionit famkeq Azov. Ai gjithashtu mbështeti një lloj të “demokracisë së kufizuar” dhe se ishte pro shtrëngimit të ligjeve të migracionit, në dobi të gjoja ruajtjes së kulturës dhe identitetit kombëtar — kërkesa me të cilat krahu i së djathtës ekstreme, gjithndej në Evropë, pajtohet plotësisht.
Rruga jetësore e Protaseviqit deri tek batalioni Azov ishte produkt i formimit të tij në shoqërinë ruse që mbrunë pansllavizmi si ideologji, ashtu siç është edhe Kisha Serbe dhe drejtuesit e saj edhe sot, produkt i kësaj shkolle. Hije që kanë mbetur prapa, duke u mbrujtur edhe me ideologjinë e epokës sovjetike, që në esencë ishte e njejta.
Sipas interpretimit të njërit prej filozofëve tanë, si i pari — Roman Protaseviq, edhe i dyti, patriark i ri i Kishës Ortodokse Serbe (KOS), Porfirije Periqi, rezultojnë të jenë “idiotë të dobishëm” për shoqëritë në tranzicion.
2.
Nëse studjohen me vëmendje veprimet e opozitës sonë në Shqipërin e mbi Drinit (Republikën e Kosovës), sidomos në raport me kryeministrin dhe ministren e jashtme, por edhe me oponentët real politik të skenës publike, do të shprehej miku im Emin Azemi, ajo, respektivisht një pjesë e opozitës dhe e analistëve e gazetarëve të Kosovës, kanë zgjedhur, për fatin e tyre të keq, Vuçiqin si aleat që do t’ua heqë qafe Kurtin.
“Ata që për 20 vite i dhanë zor ta fusin Serbinë si narracion i brendshëm i Kosovës, duke e bërë atë pjesë të pandarë të politikave euro-integruese të Kosovës(!), sot sillen sikur nuk kanë kurrfarë përgjegjësie me lënien pas vetes të një fushe të minuar me probleme të hapura, të cilat tani kërkojnë me urgjencë nga Kurti t’i zgjidhë (sic!).”
Duke u shndërruar në karikaturë të së djathtës, që ngjet si pika e ujit me pikën tjetër, e djathta kosovare sot, imiton keq të djathtën e lindjes, simbol i së cilës për pak kohë qe shndërruar gazetari bjellorus dhe opozita reale në Serbi — Kisha Serbe. Ison ua mbajnë atyre fort ca kuazigazetarë në studiot e tv-të tona, produkt i oligokratëve dhe olhokratëve që prodhoi koketimi miks i krerëve të SHIK-ut me mbetjet e jugosllavisë, sidomos në rrafshin ekonomik, e që terrorizojnë opinionin nën petkun e politologëve, filozofëve dhe gazetarëve zhurmaxhinjë e oborrtarë të ish regjimit. Ata tok, tashmë, gjithnjë e më shumë, na rezultojnë si hije të zgjatura të mendësisë serbe në Kosovë.
Imponimi i temës që ka për objekt kryevlerën e politikës sonë — UÇK-në, duke na defiluar si mbrojtës të saj, është abuzimi më i madhë që bëhet aktualisht në Kosovë!
Duke vënë re këtë çoroditje politike, e shoh si shumë urgjente shkruarjen e historisë reale të UÇK-së. Historiaografia jonë, studjuesit që nuk i nënshtrohen politikës, ka ardhur koha që ta mbrojnë UÇK-në duke publikuar të vërtetën reale mbi atë se kush ishte de fakto themelusesja e saj, kur dhe si ishin marrë ato vendime në kryesinë e LPK-së, por edhe kush nga krerët e strukturat e politikës legale në Kosovë e ka sabotuar atë dhe cilët janë komplotuesit e saj që ishin penetruar nga shërbimet e ndryshme brenda strukturës së LPK-së dhe UÇK-së.
Njëri nga themeluseit e LPK-së, prandaj pohon me forcë se, duke i prezantuar sabotuesit, profiterët dhe marionetat komplotiste si liderë, gjegjësisht si udhëheqës të UÇK-së, i bëhet komprometimi më i rëndë UÇK-së, madje më i rëndë se vetë sulmet shpifëse që ia bëjnë kundërshtarët e armiqtë qysh kur UÇK-ja është formuar.
Mjafton një monitorim një javor i TV-ve tona, veçmas studiove të debatit, e të konstatoni se, jo vetëm tema UÇK, por edhe temat tjera (beteja kundër zonjës Donika Gërvalla…) sponzorizohen nga një qendër e vetme. Madje edhe pyetjet për një kategori “të përhershmish” në ato studio, nuk është vështirë të shihet se, i detyrohen shumë filozofëve të ish regjimit, janë të njejta! A janë edhe këta “idiotë të dobishëm”?
Për dallim prej “idiotëve të dobishëm” që mendojnë se i shërbejnë një kauze të drejtë, kjo armatë e Agjitpropit të PRONTOMAFISË, megjithatë, janë të vetëdijshëm, se nuk janë në shërbim të kurrfarë kauzeje, përveç se po shlyejnë obligimin financiar të akredituar më parë. Por kjo kategori e ka gjithashtu të qartë se, duke identifikuar UÇK-në me individët dhe me të ashtuquajturit “krerë të saj”, dëmin më të madhë ia bën pikërisht UÇK-së.
Duke analizuar nivelet intelektuale të “punëdhënësve” dhe të të ashtuquajturve “idiotë të dobishëm”, ka gjasa që edhe t’i ngatërroni kush çfarë roli ka.
Ndonjëri nga këta analistë e “politologë” , „filozof“ e „analistë“ që marrin në mbrojtje kauzën e Lirisë, UÇK-në dhe Shtetin sot, po t’ju hulumtohet biografia e tyre, natyrisht nuk na rezultojnë dot se ishin në Batalionin Azov, si opozitari bjellorus, as ushtarë të devotshëm të UÇK-së së vegjëlisë, por gjithësesi anëtarë të kryesisës së Rinisë Komuniste Jugosllave, agjitprop i saj apo edhe më keq, bashkëpunëtor a pinjoll të ish UDB-ashëve shqipfolës, që për gadi gjysmë shekulli i shërbyen Serbisë për mbajtjen sa më gjatë të Kosovës si koloni moderne e saj.
Kjo lagje e kuaziopozitarëve të djathtë që na defilojnë edhe si nacionalistë të klasit të parë, por që ishin e janë të gatshëm të shesin pjesë të atdheut vetëm e vetëm që të ruajnë pushtetin, siç kishte bërë idhulli real i tyre — Ahmet Zogu, duke u rikthyer në pushtet me ndihmën e drejtpërdrejtë të Beogradit, shqiptarët tanimë e njohin mirë. Ky skenar ishte fare afër realizimit në vitin 2018, por tashmë pas revolucionit demokratik të 14 shkurtit, hijeve të Serbisë ju është shkelur keq bishti, prandaj nuk ngrihen dot në këmbë as me ndihmën e pakursyer që mund t’jua sponzorizojë Beogradi.
Në historinë tonë të ngarkuar me elemente tragjizmi, jemi vonuar të promovojmë shtetin-komb që do të prodhonte elita politike të mirëfillta.
Po vjen koha ta bëjmë këtë.