Mediet në Kosovë kanë njoftuar në muajin dhjetor të vitit 2012 se një grup bashkëthemeluesish të fondeve për ndihmën e Kosovës i kanë dërguar një letër kryeprokurorit shqiptar Adriatik Llalla për hetimin e shitjes së Bankës “Dardania” e themeluar nga qeveria e Kosovës në ekzil – në Shqipëri në vitin 1993. Gazeta “DITA” ka ndjekur këtë shqetësim të bërë publik dy muaj më parë dhe ka mundur të sigurojë dokumentet dhe aktet ligjore të shitjes së kësaj banke. Por le ta nisim historinë nga e para.
BANKA DARDANIA
Në vitin 1993 në Tiranë themelohet “Banka Dardania”. Kjo ishte një bankë kapitali i së cilës në statut ishte regjistruar si kapital në pronësi të qeverisë së Kosovës. Aksionarë të kësaj banke ishin 9 fonde kursimi të krijuara në 9 shtete të Evropës (Gjermani, Austri, Luksemburg, Danimarkë, Francë, Zvicër, Suedi etj) me qëllim mbledhjen e kontributit prej 3 % nga emigrantët kosovarë për ti shkuar në ndihmë qeverisë së Kosovës. Nga një vështrim i akteve ligjore duket se çdo gjë ka shkuar normalisht dhe fondet janë vjelë rregullisht. Madje deri në vitin 1999 kur u çlirua Kosova, banka “Dardania” zotëronte një kapital të konsiderueshëm për kohën dhe vazhdoi aktivitetin e saj edhe pas çlirimit të Kosovës, duke pësuar madje një shtim të kapitalit themeltar deri në 5 milionë euro (700 milionë lekë) në vitin 2002. Kryeministri në ekzil i Kosovës Bujar Bukoshi, nga ana e tij ishte aksionar në këtë bankë duke qenë se ishte drejtuesi i “Fondit të Gjermanisë”. Në vitin 2002 kjo bankë duket se ka pësuar një zhvillim domethënës.
STATUTI
Dokumentet ligjore tregojnë se më datën 19 Tetor 2002 është vendosur ndryshimi i Nenit 59 të Statutit të kësaj banke. Ky nen përcaktonte se pronare e kësaj banke ishte qeveria e shtetit të Kosovës. Por pas ndryshimit të statutit, ndryshoi pronësia. Në vendimin në fjalë antarët e Asamblesë kanë arsyetuar se përderisa Kosova ende nuk ka një qeveri të sajën sovrane atëherë deri në realizimin e një qeverie sovrane, do të ndryshojë pronësia mbi bankën dhe pronarë të bankës do të bëhen 9 fondet aksionere. (më parë këto fonde kishin të sqaruar në mënyrë të qartë statusin e tyre si fonde aksionere por jo pronare të Bankës “Dardania”). Pas ndryshimit të statutit duket se 9 fondet e shpërndara në Evropë, kanë fituar “imunitet” nga obligimi për të qenë në pronësi të qeverisë së Kosovës dhe kryeqëndra e këtyre fondeve, nyja që i lidhte të gjitha, pra “Banka Dardania” me këtë ndryshim në statut, kaloi nga një aktivitet mirëfilli shtetëror (për llogari të qeverisë së Kosovës) në një aktivitet privat.
PËRFITUESIT
Fill pas këtij ndryshimi thelbësor në statutin e Bankës në vitin 2002, duket se u hap rruga për shitjen e kësaj banke dhe përfitimin e të ardhurave nga individë privatë e jo shtetërorë. Banka u shit në vitin 2005, një grupi italian investimesh në vlerën e 5 milionë eurove. Si shitës firmosi vetë Bujar Bukoshi ish – kryeministri në ekzil i Kosovës. Por përpara se të firmoste këtë kontratë, Bukoshi kishte “larë hesapet” me aksionarët e tjerë të kësaj banke disa muaj më parë. Aktet ligjore të depozituara në gjykatë tregojnë se Bukoshi nëpërmjet “Fondit të Gjermanisë” të cilin e kontrollonte dhe e kishte në pronësinë e tij, ka përthithur të gjitha aksionet që zotëroheshin nga 8 fondet e tjera të shpërndara nëpër Evropë. Përthithja e aksioneve është bërë me kontrata të rregullta dhurimi ose transferimi të aksioneve nga përfaqësuesit e fondeve të tjera. Të gjitha këto kontrata janë lidhur në një hark shumë të shkurtër kohor, përpara privatizimit të “Bankës”. Më pas, banka “Dardania” rezulton se është bërë 100 përqind pronë e “Fondit të Gjermanisë”, ndërsa këtë fond e kishte në pronësi individuale direkte vetë Bujar Bukoshi.
* * *
Letra dërguar kryeprokurorit Adriatik Lllalla më datën 14 Dhjetor 2012
I Nderuar z.Kryeprokuror Adriatik Lalla
Besojmë se jeni të informuar se mërgata kosovare në vitet e 90-ta në Evropën perëndimore, SHBA dhe Australi, kishte themeluar fondet e para duke menduar legale për t’i dalë sado pak në ndihmë popullatës, qe ne mendonim te institucioneve të Republikës së Kosovës, luftës çlirimtare për liri dhe pavarësi dhe fondacionit “Drenicë jemi me ty”.
Po në ato vite është formua në Tiranë edhe “Dardania Bankë”, e cila për disa vite shërbeu si urë lidhëse mes fondeve të Kosovës në Perëndim dhe Këshillit financiar të Republikës së Kosovës në Prishtinë. Kjo bankë është menaxhuar nga një staf dhe është drejtuar nga Qeveria e Kosovës në Exil në krye me Bujar Bukoshin. Banka asokohe mendonim se ka luajtur një rol të veçantë në lehtësimin e bartjes së mjeteve financiare për Kosovën, dhe mendonim se ishte pronë e shtetit të Kosovës, por që duhej edhe të mbetej në pronësi të tij. Mirëpo, në ndërkohë siç jemi informuar jo zyrtarisht ajo bankë është shitur dhe është tjetërsuar, dhe rreth këtij akti ka pasur shumë thashetheme, por që zyrtarisht neve nuk jemi informuar asnjëherë deri më tash se çka ka ndodhur me të! Neve, si bashkëthemelues të Fondit të Republikës së Kosovës në Gjermani, dhe, po ashtu bashkëthemelues edhe të “Dardania Bankës” në Shqipëri, nuk jemi të informuar kurrë rreth fatit të saj. Shqiptarët, gjegjësisht mërgimtarët tanë që kanë kontribuuar në Fondin e Republikës së Kosovës me 3%, mjete të cilat janë derdhë në atë Bankë, kërkojnë po ashtu që sa më parë të ndriçohet ky rast, pra se çfarë ka ndodhur me atë bankë para se t’i drejtohen shteteve të BE-së me ankesë dhe lutje për zbardhjen e faktit se a ka keqpërdorime!
Bashkëthemelues të ish-Fondeve të Republikës së Kosovës në Gjermani dhe të Dardania Bank
***
Mercenarë dhe marka gjermane, lidhjet Berisha – Bukoshi
Dëshmitë e ish kreut të shërbimit sekret shqiptar Fatos Klosi në lidhje me “dhuratën” që Bukoshi i kishte bërë SHIK-ut të Gazidedes me 600 mijë marka gjermane në vitin e vështirë 1996 dhe telefonata e Bukoshit për Berishën më 14 Shtator 1998 ku i vinte në dispozicion një ushtri me 400-500 vetë.
Çfarë e lidh Berishën me Bujar Bukoshin?
Cili është shtrati i bashkëpunimit të tyre në dy dekadat e fundit dhe si janë angazhuar dhe kanë ndërvepruar ata në momente të vështira për Shqipërinë dhe Kosovën? Bukoshi ka mundur të transferojë në Tiranë bankën e qeverisë së tij në vitin 1993 duke u ndjerë i qetë dhe i garantuar asokohe në një Shqipëri që kontrollohej rreptësisht nga ish-Presidenti Berisha. Për evoluimin e këtyre marrëdhënieve në vite ka dhënë dëshmitë e tij domethënëse ish kreu i shërbimit sekret shqiptar Fatos Klosi. Në dëshminë e parë dhënë për një gazetë në Kosovë, Klosi është shprehur se kur ka marrë drejtimin e SHIK-ut në vitin 1997, ka gjetur një kasafortë me marka gjermane e cila ishte dhuratë e ish-kryeministrit kosovar Bukoshi për SHIK-un. Sipas Klosit në total ishin dhënë 600 mijë marka gjermane, ndërsa në kasafortë gjendej një pjesë e tyre pasi pjesa tjetër ishte shpenzuar me dokumentacion dhe në mënyrë të dokumentuar nga SHIK-u.
“Është një ndihmë e qeverisë së Kosovës së asaj kohe që kryesohej nga Bujar Bukoshi që e kishte dhënë për SHIK që drejtohej nga Bashkim Gazidede. Ende nuk e kam kuptuar se përse mund të jepej një ndihmë e tillë në para, por e vërteta është se e gjeta me dokumentacion të rregullt kur shkova në zyrë për herë të parë dhe shuma e lëvruar si dhuratë për SHIK kishte qënë 600 mije dojçmarka”, thotë ish-kreu i shërbimit sekret, Fatos Klosi.
Sipas tij pjesa e përdorur nga Gazidede ishte shpenzuar, e shënuar përmes një dokumentacioni të rregullt, për njerëzit që ishin jashtë vendit, por dhe për njerëzit e këtij shërbimi brenda vendit. “Nuk mund të them se sa ishin shpenzuar në atë kohë dhe nuk mund të them se për çfarë qëllimesh të tjera ishin përdorur. Sipas letrave ishte gjithçka në rregull. Ne harxhuam pjesën e mbetur, duke dokumentuar gjithçka, duke i përdorur për blerje makinash, pasi nuk kishte asnjë makinë në SHISH. Këto para janë gjetur në vitin 1997, dhe kishin disa kohë që kishin mbërritur me një kasafortë si dhuratë nga qeveria Bukoshi për SHIK”, deklaron Klosi. Duket një ndihmë e vyer kjo e ardhur nga Bukoshi për SHIK-un, në një vit i vështirë si ai i 1996, kur dihet mirë se çfarë valence kishte marrë SHIK-u në Shqipërinë e prag – katastrofës.
Mercenarët
Klosi ka hedhur dritë mbi një detaj shumë delikat, për të cilin ka folur edhe në revistën MAPO në Shqipëri. Bëhet fjalë për një telefonatë të interceptuar nga SHIK-u në telefonin e ish-liderit të opozitës Sali Berisha më 14 Shtator 1998. Në këtë telefonatë Bukoshi i ofrohet Berishës për ta ndihmuar me 400 – 500 mercenarë të armatosur për ta ndihmuar në realizimin e qëllimit të tij, që ishte rrëzimi i qeverisë, grushti i shtetit.
“Dua të nënvizoj diçka krejt tjetër. Në atë kohë janë interceptuar një numër telefonatash me pritës të thirrjes seli e Partisë Demokratike. Në të parën është interceptuar Bujar Bukoshi, ish-kryeministër në mërgim i Kosovës, që afronte “për situatën” e 14 shtatorit deri në 400-500 burra të armatosur dhe në të dytën, një shqiptaro-amerikan, i cili i kërkonte me ngulm bashkëbiseduesit të tij të tërhiqej. “Askush nuk do të njohë pushtetin tuaj nesër. Tërhiquni! Mos bëni marrëzira!” Klosi thotë se nuk e di se cili ishte zëri i shqiptaro – amerikanit. Unë besoj fort se ai ishte një nga arsyet e forta që ndalën precipitimin në skaje shumë më tragjike të historisë. Mund të kishte pasur edhe zhvillime krejt të pamendueshme. Ajo që na bënte atëherë shumë përshtypje ishte se folësi nga PD-ja tregohej shumë i bindur ndaj këshillave të bashkëbiseduesit. Fatmirësisht ashtu dhe ndodhi”, – shprehej Klosi.
Dmth Bukoshi ndihmoi me marka gjermane SHIK-un në vitin e trazuar 1996-97 si dhe u ofrua për ti nisur mercenarë të armatosur një Berishe që pregatiste goditjen për marrjen e pushtetit me 14 Shtator 1998. Dy momente domethënëse dhe mjaftueshëm të qarta për të kuptuar se Bukoshi dhe Berisha, në fakt përfaqësojnë të njëjtin aks dhe korridor mes Shqipërisë dhe Kosovës.
***
Bujar Bukoshi, Isa Mustafa dhe vartësit e tyre në Gjermani, Austri, Zvicër, Francë, në Shtetet Skandinave, SHBA, Kanada, Australi, etj., mblidhnin para në emër të pavarësisë së Kosovës, duke dhënë edhe këto “letra me vlerë”, madje duke e keqpërdorur edhe vulën e UÒªK-së.
***
_________
(Burimi: gazetadita,al)
Nuk është vonë as tash. Paratë e grumbulluara nga Mërgata Shqiptare në Evropë dhe në Botë, duhet të dihen ku shkuan, sa para mbetën dhe kush i mori?
Është e pakuptueshme se si asnjë “Qeveri” e “pasluftës” nuk e pa të udhës që ti hyjnë e ta qojnë deri në fund, njëherë e gjithë ditën për miliona marka dhe “Gjithëcka për Pavarësinë e Kosovës” që dhamë. Ne në Suedi kemi dhënë nga 500 kr. për antar të familjes. Unë kam dhëne 2.500 kr. që në vlerën në DM. i bie afërsisht 750 DM plus, kam pagua rregullisht para për “Fondin e Bukoshit”, kështu njihej fondi i 3%-shit (Kosovos Hjälpfond). Isa Mustafa aso kohe ishte Ministër i Financave kurse Bujar Bukoshi, kryetar qeveri. Ato para, kanë pasur me u k`thye, kur Kosva të pavarësohet. Paratë jo vetëm që nuk na i k`thyen por as nuk e panë të arësyeshme që bile me një informatë të lajmërojnë ose të kërkojnë falje, cka u bë me to.
Personalisht, nuk do të doja paratë që i kam dhënë të më k`thehen por me ato para të zgjidhet banimi për ata që nuk kanë kulm mbi kokë.