Putin takim me udhëheqësin e serbëve të Bosnjës Dodik në Moskë
Vizita erdhi mes paralajmërimeve të përsëritura nga Bashkimi Evropian se Serbia duhet të harmonizojë politikat e saj të jashtme me bllokun nëse vërtet synon të bëhet anëtare.
Zoti Dodik, një anëtar serb i presidencës trepalëshe të Bosnjës, është takuar shpesh me presidentin rus, veçanërisht përpara zgjedhjeve kur ai përpiqej t’i tregonte elektoratit shumë pro-rus të serbëve të Bosnjës se ka mbështetjen e zotit Putin. Udhëheqësi i serbëve të Bosnjës u takua për herë të fundit me presidentin rus në qershor, muaj pas fillimit të agresionit rus ndaj Ukrainës në shkurt.
Moska është akuzuar shpesh nga Perëndimi se kërkon të destabilizojë Bosnjën dhe pjesën tjetër të Ballkanit nëpërmjet përfaqësuesve të saj në Serbi dhe Bosnje. Zoti Dodik ka mbrojtur hapur shkëputjen e pjesës së Bosnjës të kontrolluar nga serbët nga federata boshnjako-kroate dhe bashkimin e saj me Serbinë fqinje.
Në prag të vizitës së tij në Moskë, zoti Dodik dha një intervistë për agjencinë shtetërore ruse të lajmeve TASS, ku përsëriti pikëpamjet e tij separatiste, por shprehu gjithashtu mbështetjen për ndërhyrjen ruse në Ukrainë.
“Për shumë vjet, Perëndimi nuk reagoi ndaj shfarosjes së popullsisë ruse në Ukrainë, ndërsa kishte vrasje dhe bombardime të përditshme në Donbas,” tha ai. “E gjithë kjo ishte e qartë dhe Rusia u detyrua të hakmerrej.”
Në janar Uashingtoni ia ndaloi udhëheqësit të serbëve të Bosnjës të njohur për qëndrimin e tij pro-rus hyrjen në Shtetet e Bashkuara dhe vendosi sanksione financiare ndaj tij, pasi administrata e Presidentit Joe Biden e akuzoi atë për “aktivitete korrupsioni” që kërcënojnë të destabilizojnë rajonin.
Milorak Dodik i ka quajtur “gënjeshtra monstruoze” akuzat se kishte grumbulluar pasuri masive për vete, të afërmit dhe bashkëpunëtorët e tij.
Pasi Shtetet e Bashkuara njoftuan javën e kaluar se Rusia ka dhënë fshehurazi mbi 300 milionë dollarë për parti politike dhe kandidatë në dhjetëra vende që nga viti 2014, një burim i administratës amerikane tha se zoti Dodik është njëri prej politikanëve që kishte përfituar nga para ruse për financimin e fushatës së tij.
Putin, mesazh mbështetjeje për Serbinë
Presidenti Putin i dërgoi gjithashtu të martën një mesazh të veçantë Serbisë dhe presidentit të saj Aleksandar Vuçiç. Serbia është i vetmi vend që kërkon anëtarësimin në BE që ka refuzuar t’i bashkohet sanksioneve perëndimore kundër Rusisë për luftën e saj në Ukrainë.
“Rusia dhe Serbia janë të lidhura me një partneritet strategjik,” tha zoti Putin, sipas mediave serbe. “Unë flas rregullisht me presidentin Vuçiç në takime personale dhe biseda telefonike për çështje kyçe për zhvillimin e mëtejshëm të bashkëpunimit.”
Edhe pse zyrtarisht kërkon anëtarësimin në BE, Serbia gjatë drejtimit 10-vjeçar të presidentit Vuçiç është afruar gjithnjë e më shumë me Rusinë.
Zoti Vuçiç është në Nju Jork për Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, ku thotë se synon të dërgojë mesazhin se Serbia sipas ligjit ndërkombëtar, ka të njëjtat të drejta të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës si Ukraina për rajonet e kontrolluara nga separatistët prorusë./ VOA