Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, në kuadër të vizitës së saj në New York të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka takuar shumë bashkatdhetarë tanë, të cilët ndër vite i kanë dhënë hov e mbështetje të jashtëzakonshme luftës sonë për liri.
“Në emër të të gjithë qytetarëve dhe institucioneve të Kosovës i falënderova për kontributin e dhënë ndër dekada dhe pa të cilin nuk do të ishim këtu ku jemi sot”, ka thënë Presidentja Osmani.
E para e vendit më tej ka thënë se Kosova aspiron integrimin euroatlantik, BE-në, NATO-n dhe OKB-në, ndaj kontributi i mërgatës sonë në Amerikë dhe gjithandej siç ishte vendimtar dikur, është përcaktues edhe sot.
“Me mbështetjen e mërgatës sonë të çmuar, Kosova do të jetë më e fuqishme përbrenda, e më e konsoliduar në aspektin ndërkombëtar”, ka theksuar Presidentja Osmani.