Pamje nga: Lufta në Ukrainë
Nga Dr Sadri Ramabaja
Ukraina, Taiwani dhe Irani në njërën anë dhe Ballkani Perendimor, Turqia dhe Lindja e Mesme në anën tjetër, formojnë dy trekëndshat e politikës ndërkombëtare që aktualisht rrezikojnë rendin botëror.
Lufta në ish Jugosllavi dhe shkërmoçja e saj në vitet ‘90-ta të shekullit 20-të, shënoi fillimin e prishjes së rendit të Versajës dhe rikthimit të gjeopolitikës, ndërkaq shpërthimi i luftës në Ukrainë shënon preludin e Luftës së tretë Botërore.
Rendi botëror që imponuan fituesit e Luftës së Dytë Botërore (SHBA-të dhe Bashkimi Sovjetik), megjithëse aspak i përsosur, por sidoqoftë “i qëndrueshëm dhe i bazuar në bashkëpunim, duket se po shpërbëhet”,[1] shprehej me të drejtë Joshka Fisher në komentin e tij për Der Standard-in e Vjenës.
Rendi që është ende në fuqi në Evropë, ashtu si rendi i Koncertit Evropian të Fuqive (1815), po merr fund. Marrëdhëniet midis fuqive botërore gradualisht po e shkërmoçin atë, rrjedhimisht, bota po zhytet në një konflikt të ri botëror në një formë të paprecedentë. Kjo o ndodhë para syve tanë meqë rendi i vjetër po skadon, ndërkaq i riu ende nuk është krijuar ende.
Ndryshe nga Lufta e Parë dhe e Dytë Botërore, të cilat ishin konflikte sistematike dhe në të cilat palët kundërshtare aktivizuan menjëherë të gjithë potencialin e tyre ushtarak në nivelin në të cilin mund ta bënin këtë në momentin fillestar të luftës, kjo luftë e re botërore në të cilën Evropa dhe bota po fundoset është lufta e parë botërore, një luftë hibride që përshkallëzohet gradualisht dhe në të cilën palët në konflikt zhyten gradualisht.
Akti i shpërthimit të tubacioneve Nord Stream 1 dhe 2 (dhe defilimi i dronëve në Detin e Veriut)[2] flet shumë për divergjencat brenda Perendimit dhe për mungesën e besimit reciprok. Fitorja e të djathtës ekstreme sidomos në Itali, por edhe paralajmrimi i mundësive për rikthimin e gazit rus nga një pjesë të mirë e shteteve të Europës Qendrore e asaj Lindore, e bën këtë akt me peshë specifike për sigurinë europiane. Fotot e realizuara nga një F-16 danez pranë Bornholmit [imazhi është shpërndarë nga Forcat e Armatosura Daneze) dëshmon për mundësinë e shpërthimeve me paramendim të qartë sabotimi.
Inteligjenca amerikane do të duhej ët kishte pasë informacione të mjaftueshme se Evropa Qendrore do të mund të kalonte në anën e Rusisë gjatë këtij dimri që po vjen. Sabotimi i North Stream 1 dhe 2 e parandalon këtë akt. Prandaj konkluzioni se ky akt nuk është një aksident, është krejt logjik.
Dy trekëndëshat e politikës ndërkombëtare që rrezikojnë rendin ndërkombëtar
Me luftën në Siri de fakto filloi një epokë luftërash në shikim të parë me karakter lokal, por që gradualisht do të përbëjnë një zinxhirë që po bashkohet dhe do hyjë në histori si Luftë e tretë botërore.
Aneksimi i Krimesë (2014) ishte vetëm vazhdimi i asaj që po kishte ndodhur në ish Jugosllavi dhe po pritej të shpërfaqej në Siri me tërë fuqinë e saj reflektuese përtej Lindjes së Afërt. Ndërkaq rikthimi i Ballkanit Perendimor në vëmendjen e fuqive botërore, para së gjithash Rusisë dhe SHBA-ve, por edhe spërthimi i një revolucioni kulturor e demokratik në Iran ndërkohë, tok me vlimet e brendshme në Turqi dhe shpërthimin e pritshëm, dëshmon tezën se këta dy trekëndësh të politikës ndërkombëtare rrezikojnë rendin ndërkombëtar si asnjëherë që pas Luftës së Dytë Botërore.
Opsionet aktuale për vazhdimin e luftës në Ukrainë, si një luftë fillestare për një konflikt botëror në përshkallëzim, i thonë të gjitha — nëse Ukraina fillon të humbasë në luftë, SHBA dhe aleatët e NATO-s në mënyrë të pashmangshme do të përfshihen drejtpërdrejt sepse nuk mund të lejojnë një fitore ruse, dhe nëse Rusia fillon të humbasë, regjimi në pushtet në Moskë nuk do të mbijetonte dhe do të përshkallëzonte konfliktin edhe me një formë të përdorimit të armëve të shkatërrimit në masë, pas së cilës, si në rastin e parë, SHBA dhe NATO. do të përfshihen drejtpërdrejt.[3]
Ky konflikt botëror, siç po e dëshmon gjendja e krijuar si shkak-pasojë në lëmin e energjisë në Europë, e me theks në Gjermani me përmasa më të theksuara, siç presin realistët dhe njohësit e fushës, përshpejton procesin e shkatërrimit të rendit egzistues. Pasi të kulmojë kriza energjetike, do të pasojë shkatërrimi i lidhjeve financiare, investuese dhe tregtare, që do të pasojë krejt natyrshëm me rënien drastike të investimeve dhe ndërprerjen e linjave të furnizimit të burimeve të energjisë, mallrave dhe komponentëve industrialë. Kjo e fundit, industria, sidomos në vendet si Gjermania, pritet të pësojë më së shumti, duke lënë në rrugë milione të papunë.
Thellimi i antagonizmave mes Rusisë dhe Perendimit
Në këto rrethana, kur antagonizmat mes fuqive të mëdha — SHBA-së, Rusisë dhe Kinës kanë arritur në pikën kulmore, konstaton Stefanov, konflikti është i pashmangshëm.[4] Këto antgonizma edhe më të shprehura janë ndërkohë mes Perendimit dhe Rusisë.
Këtë gjykim realist e përforcon më tej retorika luftënxitëse e Putinit: “Unë dua të kujtoj ata që japin deklarata të tilla për Rusinë, mos harroni se vendi ynë ka edhe mjete të ndryshme shkatërrimi dhe ato janë më moderne se ato të vendeve të NATO-s. Nëse cenohet integriteti territorial i vendit tonë, ne sigurisht që do të përdorim të gjitha mjetet që kemi në dispozicion për të mbrojtur Rusinë dhe popullin tonë”. 1
Kjo ishte deklarata e dishepullit të Ivanit të tmerrshën alias atij që imiton Pjetrin e Madh-Vladimir Putin-i, e që drejton Federatën Ruse. Në fund të deklaratës ai pohoi pa ekivoke se në vendosmrinë e tij nuk ka luhatje: “Ky nuk është një blof. Ata që përpiqen të na shantazhojnë me armë bërthamore, duhet ta dinë se gjërat mund të ndryshojnë dhe të kthehen në drejtimin e tyre”.
Ushtarë ukrainas …
Kambanat e alarmit për Luftën e Tretë tashmë kanë ra.
I ndodhur mes superfuqive në fjalë, Bashkimi Evropian, për shkak të vendimeve të gabuara në të kaluarën e afërt, jo vetëm në lëmin e politikave energjetike, dhe talljes me vetëveten duke “mirëkuptuar” herë-herë shkaqet e shpërthimit të luftës në Ukrainë dhe angazhimit për sakrifikimin e Lirisë së tjetrit në dobi të kuaziruajtjes së paqes në kontinent, humbet peshën e vet gjeopolitike dhe shndërrohet vetvetiu në objekt të saj. Madje në qëndrimet ndaj Serbisë shkojnë edh emë tej, duke e përkdhelur deri në neveri një pinjoll të Milosheviqit dhe duke e konsideruar partner real për “arritjen e paqes në rajon2! Serbia edhe pas bombardimit që pësoi nga NATO, natyrisht në dobi të ndalimit të gjenocidit në Kosovë (1999), duke vazhduar me refuzimin banal për të pranuar realitetin se akti i dekolonizimit të Kosovës ishte tepër I stërvonuar dhe një turp jo vetëm për atë, po edhe për Europën politike, në përplasjet rreth Kosovës, siç ishte rasti me fjalimin e Vuçiqit në KS të OKB-së, i kontribuojnë thellimit të konfliktit në rrafsh botëror që tashmë ka filluar, duke sjellë tërë Europën në pozicion vartësie.
Nuk është e rastësishme që lufta nga Siria u bart në Ukrainë dhe Europa nga një subjektet i gjeopolitikës në ngjitje u shndërrua ndërkohë në objekt dhe arenë e luftës së fuqive të mëdha.
Paradigma e luftës në sytë e donkishotëve modern
Në këto rrethana, prezantimi mediatik i konflikteve në fjalë, duke filluar me ish Jugosllavinë dhe vazhduar pastaj me Sirinë dhe aktualisht me Ukrainën, vazhdon të bëhet sikur ato zhvilime të ishin ndeshje sportive me tifozë në trajtë surreale, në dobi të kauzës për ta ngulitur paradigmën e luftës në mendimin kolektiv të Evropës, duke e prezantuar rendin botëror në lindje si një proces të ri normal!
Pikërisht në vlugun e luftës hibride ruse në Ballkan, në sy të botës, në selinë e OKB në Nju Jork, krerët e diplomacisë të Rusisë dhe Serbisë, Sergej Lavrov dhe Nikola Selakoviq, nënshkruajnë të premten e kaluar, më 23 shtator, “Planin e konsultimit të Ministrive të Punëve të Jashtme të dy vendeve për dy vjetët e ardhshëm.”
Çfarë do të thotë ky Plan për Ballkanin Perendimor (jo Ballkanin e hapur)?!
Historia na mëson se sa herë Europa ka neglizhuar mësymjet e Rusisë dhe Turqisë, ajo ka pësuar shumë dhe gjatë.
Më 1455 Mehmeti i II-të me mizorinë e ushtrisë së tij u gjetë përballë Këshjellës së Novobërdës. Siç shkruan historiani i njohur Noel Malcolm, kur komandanti i qytetit refuzoi t’i dorëzohej gjeneralit ët Mehmedit, “Novobërda u rrethua nga ushtria turke, dhe për dyzetë ditë me radhë, muret e saj u rrënuan nga artileria osmane”. Më 1 qershor 1455, pas marrëveshjes për dorëzim, pas premtimeve të vet Mehmedit për falje, qyteti u dorëzua. Me ta futur në dorë qytetin, Mehmedi e shkelë fjalën e dhënë dhe pason një masakër e paparë jo vetëm ndaj ish luftëtarëve, por edhe ndaj grave e fëmijëve. “Me ta futur në dorë Novobërdën, ai e shkeli fjalën e dhënë: 74 gra …iu dhanë të pafeve (si skallave seksi SR), ndërsa 320 fëmijë u morën për t’u bërë jeniçerë në Anatoli. U pushtuan edhe qytete tjera në Kosovë… Mbarë territori i Kosovës u vu nën sundimin e drejtpërdrejtë osman dhe do të mbetej i këtillë deri në fillim të shekullit XX-të.”[5]
Këto skena do të përsëriten pastaj para portave të Kështjellës së Krujës dhe kështjellave tjera shqiptare gjatë epokës së Gjergj Kastriotit, që do të shndërroheshin në mburoja të civilizimit perendimor për gadi një çerek shekulli.
As Papa Piu e as udhëheqësit tjerë shpirtëror të asaj epoke nuk do të arrinin dot t’i bashkonin princërit e Europës në luftën kundër depërtimit turk në Europë.
Nata e gjatë osmane do të vazhdonte prandaj për gadi pesë shekuj me radhë.
Por si Turqia e mesjetës edhe Rusia moderne për të imponuar pushtimin e territoreve europiane, pas dështimit eventual në fillet e këtij misioni, shpejt kanë imponuar ndërrimin e konceptit të luftës.
Tashmë jemi dëshmitarë okularë se pas pushtimit të Krimesë, analistët u përqendruan në atë që ata e quajtën qasja ruse ndaj luftës hibride, që nënkuptonte përdorimin e një shumëllojshmërie të gjerë mjetesh të reja për të arritur një objektiv të vjetër — për të përdorur detyrimin për përfitime territoriale. Fundja lufta tutje zhvillohet në territor të huaj, që të kujton shakanë e zymtë të Luftës së Ftohtë që kishte bërë jetë gjatë kohë: “Çdo armë bërthamore e përdorur në Gjermani është një armë bërthamore taktike”[6], që e bën kërcnimin e Putinit të mos trajtohet si blof.
Paradigma e luftës dhe idiotët e dobishëm të opozitës kosovare
Reagimet e diplomacisë perendimore pas skandalit të presidentit serb në selinë e OKB-së, tutje mund të cilësohen me nuanca të përziera.
BE reagoi në 26 shtator nëpërmjet zëdhënësit të saj Peter Stano, disi më e zgjuar nga somnabulizmi karakteristik i saj në raport me Serbinë, duke pohuar se marrrëveshja e re midis Serbisë dhe Rusisë shkakton shqetësime serioze.
“Marrëdhëniet me Rusinë nuk mund të zhvillohen sikur nuk ka ndodhur gjë, në kohën kur Rusia po zhvillon një agresion kundër një shteti kandidat të BE si Ukraina”, theksoi Stano.
A do të ketë forcë tutje të ushtrojë Brukseli presionin e duhur, sidomos tashti kur u sfidua keq nga Beogradi, mbetet të shihet.
Ndërkohë, disi ngadalë e prajshëm, reaguan zyrtarë evropianë tjerë dhe ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill. Ky i fundit se ç’më lë përshtypje se nuk përfaqëson administratën e Joe Biden-it! Ndërkaq Borelli duket se, i trishtuar nga fitorja e neofashistëve në Itali, mbeti pa gojë!
Në kritikën e Hillit megjithatë vihet re një dozë hidhrimi e ligjshme, tek u shpreh se në këto momente “vetëm rekrutët e varfër mund të lidhin pakte me Moskën”, por a mjafton kjo?!
Ndërkaq shefi i delegacionit të BE-së në Serbi, Emanuel Giofre, i cili ishte në të njejtën konferencë me Hillin, vazhdoj këngën e vjetër të diplomacisë së Brukselit, duke ju drejtuar Beogradit tutje me xhentilesë se ai “pret që Serbia të qëndrojë me Perendimin në mbrojtje të vlerave të përbashkëta të sigurisë”, duke nulifikuar thirrjet e ca deputetëve europian që u shprehën ndërkohë për ndërprerjen e negociatave me Serbinë për anëtarësim në BE pas kësaj marrëveshje.
Vuçiqi, si babai ideologjik i tij — Sllobodan Milosheviqi, pasi ta ketë pregaditur fjalimin historik të paralajmruar tashmë si kundërreagim ndaj BE-së, i vetëdijshëm se lufta në ish Jugosllavi dhe shkërmoçja e saj në vitet ‘90-ta të shekullit 20-të shënoi fillimin e prishjes së rendit të Versajës dhe rikthimit të gjeopolitikës, mund t’i drejtohet me një apel mentorit të tij Vladimir Putin, që ta intensifikojë vazhdimin e luftës në Ukrainë edhe me çmimin që ky akt i heroizmit rus, të shënojë preludin e Luftës së tretë Botërore.
Fundja rusët dhe serbët, tok me vëllazërinë sllave gjithandej, ata që do të gëzojnë jetën pastaj, do të mund të krenohen se dy herë ishin pikërisht dishepujt e tyre që i vunë zjarrin botës brenda një harku kohor prej një shekulli (1914–2014/22).
Një lagje zyrtarësh në Bruksel, pasues të denjë të Don Kishotit, këtë fakt edhe mund t’mos e marrin shumë serioz. Prandaj ata tallen me vetëveten dhe vazhdojnë ta miklojnë sedrën e Vuçiqit.
Mos të flasim për idiotët e dobishëm të opozitës kosovare dhe larot e tyre nëpër studiot televizive, që vazhdojnë të tallen me opinionin, e në fakt më shumë me vetëveten, tek gjykojnë kryeministrin Kurti se duke paralajmruar rrezikun për shpërthimin e luftës në Ballkanin Perendimor, po i bëka shërbim Serbisë!
Kjo shkallë e mjerimit politik është vetëm një kopje e keqe e mjerimit politik të krerëve të LDK-së në prag të fillimit të luftës në Kosovë në vitin 1998, kur duke organizuar zgjedhje më 21 mars, vetëm dy javë pas masakrës në Prekaz, tek talleshin tutje me popullin, dërgonin njëkohësisht mesazhe të gabuara botës perendimore mbi zhvillimet e pritshme në Kosovë!
Ata nuk ishin të aftë të parashikonin se pikërisht rezistenca në Prekaz kishte shënuar në historinë moderne të Kosovës DITËN ZERO, pra datën kur rezistenca individuale për Liri do të merrte karakter kolektiv, me mundësi reale të shenjoj edhe fillimin e një konflikti botëror, në rast se nuk do të ndërhyhej nga NATO me kohë.
Nuk është e rastësishme që kjo lagje idiotësh të dobishëm të skenës politike kosovare, vazhdojnë tutje t’i konsiderojnë demonstratt e pranverës ës viti 1981 si produkt I shërbimeve serbe dhe KGB-së ruse. Shkëlzen Maliqi, aktualisht këshilltar i kryeministrit tonë Edi Rama, në këtë linjë mendimi, pohon se ato demostrat “qenë përgaditur nga një grup emigrantësh shqiptarë por me përkrahjen financiare të administratës së sigurisë shtetërore serbe dhe KGB-së ruse.”[7] Si burim për këtë pohim absurd e tejet të paqëndrueshëm, ai sjellë pohimet e babait të tij (Mehmet Maliqi), i cili, siç dihet, ishte Sekretar i Punëve të Brendshme fill pas këtyre demonstratave dhe i njohur për rreptësinë kundër organizatorëve të tyre dhe veprimtarëve atdhetarë të angazhuar edhe pas demonstratave për statusin e Republikës për Kosovën.
Kjo shtresë e idiotëve të dobishëm të Serbisë, atbotë nuk ishin në gjendje të lexonin mesazhin e historisë që po përçnin demonstratat e të rinjëve në rrugët e Prishtinës, për fat të keq, ndërkohë janë shumë aktiv gjithandej, jo vetëm në skenën politike, por edhe në atë mediale në Prishtinë e Tiranë, duke i rënë tamtameve dhe shndërruar në personazhe qendrore të mbështetjes ës idesë së Vuçiqit për “Ballkanin e hapur”, që na vije si reprizë e Jugosllavisë së dominuar nga Serbia.
Ndërkohë, derisa Putini para fillimit të ofenzivës së re në Ukrainë, në fjalimin e tij pohon se nuk po bën bllof tek paralajmron mundësinë e përdorimit të armëve bërthamore, në rast se Perendimi vazhdon të mbështesë Ukrainën, pranimi i aktit të fillimit të “një konflikti botëror është edhe më i vështirë për t’u njohur për shkak të besimit të përhapur se ai nuk është i mundur për shkak të ekzistencës së armëve bërthamore në duart e fuqive botërore dhe për shkak të formave krejtësisht të reja të luftës që do të zhvillohen”[8] ndërkohë.
Por nëse luftën në Jugosllavi të gjithë besonin se mund ta kontrollonin dhe ta shuanin kur të donin, lufta në Ukrainë erdhi si një reprizë e Luftës së Parë Botërore pikërisht një shekull më vonë! Ajo filloi me pushtimin e Krimesë (2014) dhe u masivizua nga shkurti i 2022, duke besuar se do të përmbyllet shpejt, pa kaluar disa javë, por, siç po shihet, tani ajo po përshkallëzohet tutje, duke marrë përmasat e skenarit të luftës në Avganistan, e me gjasë edhe të Luftës ës Parë Botërore.
Prandaj, fundi i saj nuk ka gjasa të vijë as me përfundimin formal të mundshëm të saj dhe krijimin e një rendi të ri, krejt I ndryshëm nga ai i Versajës në vitin 1918 bazuar në negociatat e fituesve të luftës në konferencën e paqes në Versajë, që i dha fund asaj kasphaneje të paparë deri atëherë.
Ministri i Jashtëm gjerman dhe zëvendëskancelar për shumë vite, Joschka Fischer, në artikullin e autorial me titull “Fundi i stabilitetit” të datës 29 gusht, që zumë në gojë më lart, konfirmon hapur se një ndryshim i ri në rendin e paqes po vjen dhe të gjitha ndryshimet e deritanishme në histori janë kryer kanë dalë nëpër luftëra të mëdha botërore. Fischer shprehet pa asnjë dyshim: “Edhe pse rendi botëror i ndërtuar pas Luftës së Dytë Botërore ishte larg nga perfekti, të paktën ai ofronte stabilitet dhe mundësi të shumta për bashkëpunim ndërkombëtar. Por tani duket se po shpërbëhet. Ndërsa shumica e krizave në historinë e fundit kanë ndodhur brenda sistemit ekzistues, ne tani po përballemi me fundin e vetë sistemit. Duam apo s’duam, një realitet i ri po shpallet dhe nuk ka kthim në situatën e mëparshme.”[9]
Kur diplomacia nuk i dorëzohet fatit
Rendi që doli nga Lufta e Dytë Botërore nën ombrellën amerikane, po trandet pikërisht me thellimin e luftës në Ukrainë dhe paralajmrimet për shtrirjen e saj edhe në Ballkanin Perendimor e gjetkë.
Ky rend ishte si zgjatim I atij të Luftës ës Parë Botërore (Konferenca e Paqes në Versajë) çimentoi kufijtë e vendeve të Evropës Lindore, Qendrore e Juglindore, por edhe kufijtë e Sirisë dhe Irakut të sotëm dhe Turqisë. Lufta në Ukrainë këtij rendi po i jep fund, megjithëse prologu i fundit të tij qe vu re me shpërthimin e luftës në ish Jugosllavi e më pas edhe në Irak e Siri.
Pas paralajmrimit të Putinit për përdorimin e mundshëm të armëve bërthamore, diplomacia e përsosur amerikane nuk kishte si t’i dorëzohej fatit. Në Nju Jork javën e kaluar, Sekretari Amerikan i Shtetit nuk bëri asnjë përpjekje për të minimizuar përshkallëzimin e fundit në luftën në Ukrainë. Fakti që presidenti rus zgjodhi javën e debatit të përgjithshëm në Kombet e Bashkuara për të hedhur benzinë në zjarr tregon përbuzjen e tij për Kartën e OKB-së, tha Antony Blinken.
Ndërkaq fakti që presidenti serb pikërisht në këtë sesion të Asambleës së Kombeve të Bashkuara që të tallet me Brukselin, do ët ishte krejt në logjikën e diplomacisë që Brukseli të reagojë ashpër.
Vazhdimisht kërcënohen me intervenim ushtarak ndaj Kosovës, përderisa donkishotët e opozitës së Kosovës e nxisin grevën në arsim për ta rrëzuar qeverinë …
***
Ashtu si çdo anëtar i Këshillit të Sigurimit do të duhej t’i dërgojë një mesazh të qartë Vladimir Putinit se “këto kërcënime të papërgjegjshme bërthamore duhet të ndalojnë menjëherë” do ët pohojë me urgjencë Blinken, çdo anëtarë i BE-së do ët duhej të reagonte ashpër ndaj deklaratave të Vuçiqit në raport me Kosovën.
Bota tashmë e ka të qartë se Rusia është në proces për t’i dhënë luftës një karakter të ri.
Në këtë linjë lë të kuptohet se do të veprojë edhe Beogradi në raport me Kosovën pas nënshkrimit në Nju Jork të marrëveshjes dypalëshe të bashkëpunimit ruso-serb për politikën e jashtme, në rast se reagimi i Perendimit nuk do të jetë në nivelin e duhur.
________________________________________________
1. Jochka Fischer: https://www.derstandard.at/story/2000138658114/chaos-und-krise-statt-stabilitaet-auf-der-welt
2. Javier Blas: https://twitter.com/JavierBlas/status/1574798147783622659
3. Mario Stefanov: https://www.geopolitika.news/analize/m-stefanov-ljudima-jos-nije-jasno-da-je-poceo-treci-svjetski-rat/
4. M. Stefanov, po aty
5. Noel Malkolm, Kosova — Një histori e shkurtër, Prishtinë/Tiranë 2001, f. 95
6. James Durso: https://www.eurasiareview.com/26092022-will-vladimir-putin-change-the-face-of-war-analysis/
7. Atdhe Hetemi, Lëvizjet studentore për Republikën e Kosoëvs — 1968, 1981 dhe 1997”, Prishtinë 2020, f. 266
8. M.Stefanov, po aty.
9. J.Fischer, po aty
1https://www.berliner-zeitung.de/politik-gesellschaft/ukraine-krieg-teilmobilmachung-rede-des-russischen-prasidenten-wladimir-putin-in-auszuegen-li.269414