ARKIVI:
20 Nëntor 2024

Pse, kur dhe si Jusuf Gërvallën e kapi Sabri Novosella?

Shkrime relevante

Historia dhe mesazhi tradicional i presidentëve dje dhe sot për gjendjen aktuale në SHBA dhe Presidenti TRUMP

Klajd Kapinova, New York Gjendja e Unionit (ndonjëherë përdoret në mënyrë të...

Mickoski: Gjuha shqipe nuk po rrezikohet, nuk i pengon askujt

G.K/RTKlive “Askush nuk është kundër gjuhës shqipe, as në Maqedoni, askush nuk...

52 vjet nga Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe

Nga: Edlira Ruzi 20/11/2024 TIRANË, 20 nëntor/ATSH/ Më 20 nëntor 1972, u mbajt...

210 vjet nga lindja e Jeronim de Radës, ideologut arbëresh të Rilindjes Kombëtare

Nga: Edlira Ruzi TIRANË, 19 nëntor/ATSH/ Më 19 nëntor të vitit 1814...

Intervistë e Lis Bukurocës dhënë gazetares Rudina Xhunga (Video)

Erdha në Shqipëri të bëj dhëmbët dhe zbulova sekretin e madh!...

Shpërndaj

Ibrahim Kelmendi, shkrimtar dhe aktivist i njohur i çështjes kombëtare
___
Ka vite që mundohem ta di të vërtetën, PSE, KUR, SI, Jusuf Gërvalla është kap, gjegjësisht është zënë rob nga Sabri Novosella. Nuk ia kam dal të informohem. Fatkeqësisht Jusufi nuk paskësh pas shokë, miqë, kolegë, familjarë, që ju intereson të dinë pse i ka ndodh ai komplot, e sidomos të dinë, pse Sabri Novosella e ka terrorizuar viktimën e tij – Jusuf Gërvallën.
Që të bindet kushdo se në cilën përmasë Jusufi ishte rob dhe viktimë e Sabri Novosellës, po citoj një fragment nga letra që Jusufi ia ka dërguar Sabri Novosellës [alias “Bashkim Prishtinës”]:
“Untergruppenbach, RFGJ 14 prill 1981
I dashuri shok, Bashkim!
Letrën tënde ( një fjalë apo një shenjë sado të vogël) e kam pritur si qorri sytë. Siç do të shohësh pak më poshtë, ajo ka për mua një rëndësi jashtëzakonisht të madhe, bile rëndësi jetësore.
Muajt e parë të arratisë sime u merakosa për efikasitetin e Organizatës sonë.
Unë, në bazë të bisedave në takimet tona, e dija që organizata ka për detyrë dhe është e zoja të marrë kontakt me anëtarët e vet edhe në rrethanat më të vështira, siç është burgu. Nga ana tjetër, megjithëqë vështirësitë për të marrë kontakt me mua, duke u nisur nga karakteri i hapët i kufirit jugosllav me Perëndimin, i konsideroja vështirësi relative, …për disa muaj rresht s’më vinte fjalë as zë. Dhe gjendja e tillë, e cila më jepte dorë ta gjykoja Organizatën, do të vazhdonte deri më sot, sikur ndërkohë unë vetë të mos e bëja një ligësi të kobshme. Ti mund të mos e dish, por shkaktari i arratisjes sate jam unë! Mbase natën që do të jesh arratisur ti, mua më morrën në telefon nga UDB – ja e Pejës dhe më bënë presion të çuditshëm, gjithsesi monstruoz, që të tregoja kush është Bashkim Prishtina. As që më ka shkuar mendja se e kisha humbur aq shumë truallin nën këmbë. I përgjumur dhe me gjasë fare i humbur siç isha, në kthetrat e një ligësie të pashembullt dhe fare të huaj për mua deri atë çast, unë rashë në provimin e rëndësishëm: kallëzova shokun! Për të “shpëtuar” fëmijët e vëllait, morra në qafë fëmijët e shokut, fëmijët e vëllait por që nuk na kishte bërë nëna. Dhe në këmbim të kësaj fitova: faqen e zezë dhe barrën e rëndë të ndërgjegjes së ligur si kurrë ndonjëherë në jetë. Atë çast e tutje, jeta edhe ashtu e errët, me strumbullar të vetëm luftën modeste dhe gatshmërinë për flijim në emër të idealit të lartë të lirisë, m’u errësua edhe më. Brerja e rëndë e ndërgjegjes dhe ndjenja e thellë e shkatërrimtare e fajit ndoqën pa mëshirë dhe në çdo hap të gjitha netët dhe ditët e arratisë sime të hidhur, e cila, pas gjestit tim qyqar, e humbi gjithë qëllimin e vet dhe m’u shndërrua në gur të rëndë në zemër.
Menjëherë pas aktit tim të lig, unë, tashmë i “shpërgjumur”, i bëra telefon një shokut tim në Podujevë që të vinte të të lajmëronte për rrezikun. Por, sigurisht ka qenë vonë për gjithçka. Atëhere m’u shfaq një motiv i fuqishëm që për gjestin tim qyqar t’i rrëfehesha shokut të parë që do të takoja. Po shokë nuk kisha. Gjithë natën e gjatë u detyrova t’i shtrohem gjykimit të vëllait të vogël këtu, të shoqes sime dhe, bile, gjykimit të heshtur të djalit tim 12-vjeç, i cili ishte prezent kur ngjau biseda. Më pastaj prisja t’i rrëfehem ndonjërit nga shokët e Organizatës, kur të merrja eventualisht kontaktin e pritur. Ndërkohë dëgjova për arratisjen tënde dhe vendosa që së pari të të rrëfehem ty e pastaj kujt do që e kërkon puna.
Unë pra, shok i dashur, u korita keq. Me “meritën” time, ti tani do të mund të ishe në duart e UDB-së; me po këtë “meritë”, ti u detyrove të dalësh në kurbet, peshën e të cilit e di unë mirë. Të mos të flasim për dëmet që i kam shkaktuar Organizatës, e kështu edhe idealit të lartë të popullit tonë të shumëvuajtur. Prandaj s’më bën zemra të kapem pas fjalës së urtë të popullit, që thotë se duhet të jetë‚ i lumtur ai që u korit një herë, për të mos u koritur më kurrë. Sado që jam i sigurt se ligësia e turpi i tillë nuk do të përsëriten kurrë tek unë pa e ngrënë së pari mishin tim e të fëmijëve të mi.
Tani, fatin tim të mëtejshëm e keni plotësisht në dorë ti dhe shokët. Nëse mund ta merrni mundimin e ta analizoni rastin tim më hollësisht, nëse pastaj gjendet shteg që gjesti im të cilësohet akt qyqar, i kryer në rrethana ligështimi, dhe jo një tradhti e hapët, atëhere më keni ndihmuar të ngjitem edhe një herë në shkallën e njeriut, e për këtë do ta keni përjetë mirënjohjen time dhe punën time të palodhshme. Nëse nuk i peshoni punët kështu dhe e quani tradhti të hapët qyqarinë time, atëhere jam i gatshëm ta duroj edhe dënimin më të rëndë nga ana jote, e shokëve e kështu edhe e pjesës përparimtare e liridashëse të popullit tonë: përjashtimin jo vetëm nga radhët e Organizatës sonë, po edhe shpalljen e tradhtisë sime me daulle, te të gjithë ata njerëz që ia duan të mirën popullit shqiptar. Ndoshta e meritoj që, si gjarpri dhjamin e vet, ta ha dalëngadalë këtë tepricë të jetës që më ka mbetur – në mërgim dhe pa shokë e njerëz që të më konsiderojnë të barabartë me vetveten. Me një fjalë, ju mund të më bëni një njeri të rilindur apo një njeri të humbur fare në vorbullën e këtij planeti. Se vetëm mendimi juaj mund të bëhet shpatë, që do ta këpusë këtë nyje të ngatërruar të jetës sime. (…)
Tani, me shpresë se edhe për mua personalisht, në saje të mirëkuptimit të shokëve, do të ketë ndonjë ditë më të bardhë, po e përfundoj këtë letër dhe po të përcjell të fala shqiptare e revolucionare.
Sokoli.”
***
Cilin tifoz, dashamir e adhurues të Jusufit nuk e trondit përmbajtja e kësaj letre??!
Para pak viteve jam informuar për ekzistencë të kësaj letre. Fillimisht dyshova ta kenë kompiluar (falsifikuar) ekspertët e shërbimeve të KSA Kosovës, serbe apo jugosllave. Pyeta Sabri Novosellën (meqë me të përherë i kam ruajt marrëdhëniet diplomatike, si me të gjithë bashkëveprimtarët tjerë që më kanë rezultuar armiq). Sabriu, për t’më bind se letra është e vërtet, me ka orientua ta pyes Kadri Rexhën, shokun e Jusuf Gërvallës, të i cili qenkëshin ruajt një kohë letrat që Sabriut ia ka dërgua Jusufi. Edhe ai pohoi autencitetin.
Dyshimin tjetër e bazova në mënyrën e hetimit që UDB-ja e paskësh përdor në rastin përkatës, siç e ka prezantuar Jusufi në këtë letër – UDBashi hetues nga selia e SUP-it në Pejë ta ketë pyet Jusufin në Prishtinë përmes telefoni, në atë orë të natës, për një çështje tepër serioze. Përfundimisht dyshova, telefonatën Jusufit duhet t’ia ketë bërë vet Sabri Novosella, duke simuluar UDBashin nga Peja. Këtë dyshim e bazova në një përvojë që pat ndikuar shumë në viktizimin e Hysen Gegës, në dhjetor 1980. Sadik Blaka, për të cilin dyshonim se është marionetë e UDB-së, u “arratis” nga burgu i Gjilanit dhe erdh në Emigracion për të bërë veprimtari subversive kundër nesh. Hysenin e pata informuar, duke e këshilluar të ruhej nga Sadiku. Por, Sadiku, usta superlativ, i telefonon Hysenit. Sadiku, i informuar se Hysen Gega e kishte idol Nezir Gashin (Graboc/Pejë), i prezantohet Hysenit si Nezir Gashi dhe i thotë: “Tani kemi informacion më të saktë për Sadikun. Ai nuk është spiun i UDB-së, siç kemi dyshuar, por shok ndaj të cilët shokët në Kosovë kanë besim të madh.” [perifrazim] Kaq ka zgjat telefonata. Këtë ma ka thënë Hyseni kur shkova në Esslingen (në banesë të Pollogasit Nami Ramadani), ku po koordinohej udhëtimi famoz i Sadikut dhe Hysenit, për në Kosovë, për të krye atentate të bujshme. Ajo telefonatë pati ndikim më të fortë në vendimmarrjen e Hysenit, se lutjet e mija që të mos shkonte me Sadikun në Kosovë…
Kjo përvojë ishte shtytje për një komunikim që bëra me Sabri Novosellën përmes chatit të FCB. Kur ia bëra pyetjen retorike, nëse vet Sabriu i ka telefonuar Jusufit, për qëllime taktike që Jusufin ta detyronte të arratisej, sepse organizatës i duhej kuadër në Emigracion, Sabriu mu përgjigj me pyetjen, si më kishte lind ai dyshim? I tregova për telefonatën që Sadik Blaka ia ka bërë Hysen Gegës. Nga ai moment Sabriu e pat ndërpre bisedën dhe pat bllokuar miqësinë mes nesh në FCB.
Mëpastaj kam angazhuar shokë që dija se kanë miqësi me Hysen e Avdul Gërvallën, vëllezër të Jusufit, meqë të dy ishin protagonist të kësaj letre të Jusufit. Hyseni, vëllau më i moshuar i Jusufit, ishte burgosur dy-tre ditë përpara se të ndodh telefonata. Ai gjendej në burg hetues në Pejë. Avdyli, vëllau më i ri i Jusufit, atë natë paskësh qenë te Jusufi në Prishtinë. Ata të dy kishin mundësi dhe detyrim të bënin sqarime, cila ka qenë e vërteta e asaj nate që Jusufit ia ka shkaktuar tronditjen kaq të thellë – siç e ka rrëfye në këtë letër. Kam lut edhe të tjerë që të hulumtonin mos vërtet UDB-ashi hetues i Hysen Gërvallës i ka telefonuar Jusufit nga UDB në Pejë dhe e ka shantazhuar, siç ka rrëfye Jusufi.
Keqardhje që nuk kemi gazetarë e studius hulumtues, të cilët do ta hulumtonin këtë ndodhi tepër tronditëse?!
***
Pak javë pas publikimit të romanit tim “Atentatet”, në vitin 2007, ish kryepolici i Prishtinës, Demë Demaj (i lindur në Katun të ri të Pejës), në prani të Bilall Kryeziut e Malush Ademajt, pat rrëfye:
“Në pjesën e dytë të dhjetorit 1979 kryeshefi i Sh.S.Sh. (UDB), Ibish Kllokoqi, me ka urdhëruar të përgatit aksionin për bastisje dhe arrestim të Sabri Novosellës. Kam krijuar ekipin, kemi siguruar terreni që në agim të hershëm ta bënim bastisjen dhe arrestimin e Sabriut. Në momentin kur duhej ta konkretizonim aksionin finalizues, Ibushi më tha të pritnin meqë po hinin se pari ai me kolegun e tij [unë paskam mbaj mend mbiemnin Krasniqi, por jo edhe emnin], pastaj do të na tregonte kur duhet të vepronim ne policët. E pata pyet Ibushin nëse ishte simulim. Ibushi më pat urdhëruar të mos ia thoja askujt. Pas disa minutash Ibushi ka dal nga shtëpia bashkë me Sabriun, janë hip në kerr të Ibushit që ishte i parkuar në anën tjetër dhe kanë udhëtuar. …Krasniqi më pat thanë, pasi Ibushi e Serbiu shkuan, ta bajmë bastisjen. Kemi hy qetësisht, meqë e pamë Nanën e Sabriut duke fjet. Kur himë në dhomë të gjumit, bashkëshortja e Sabriut ishte ulur në kervet, e mbuluar me jorgan. E kemi pyet ku është Sabriu? Ka thanë se nuk ka qenë atë natë aty. E kemi pyet, kush ka fjet me te, meqë vendi pranë saj ishte i ngrohtë. Është përgjigj, aty ka fjet Nana Naile. Kolegu që e merrte në pyetje i patë thënë se Nailja është në gjumë… Ka ndërhy … Krasniqi: “Mjaft me këso pyetjesh, protokolone se nuk e keni gjet Sabriun në shtëpi.” Mëpastaj jam informuar se Ibushi e ka koordinuar arratisjen e Sabriut në Shqipëri.” [përifrazim].
Kryepolici Demë Demaj pat shfaq gatishmëri të dëshmonte në cilindo televizion qoftë, të përballej edhe me Sabriun. I luta RTK, KTV, TV-Klan, TV21, por askush nuk e bëri intervistë me Demë Demajn, i cili ka qenë edhe kryesindikalist i policisë në “republikën” e Ibrahim Rugovës. Luta edhe redaksitë e gazetave. As ato nuk bën intervistë me kryepolicin Demaj.
***
Për ata që nuk e dinë, Jusufi në dhjetor 1979 është arratis në Gjermani. Njëkohësisht Sabri Novosella është “arratis” në Shqipëri, ku është mirëprit nga dy oficerë të Sigurimit, që duhet të kenë qenë edhe marioneta të UDB-së. Quheshin Ajet Haxhia dhe Sali Shatri. Pas disa javësh Sigurimi e ka kaluar Sabriun nga Shqipëria në Turqi.
Sabriu nuk e kontakton Jusufin nga momenti kur është “arratis”, në dhjetor 1979 deri në prill 1981. Pra, rreth 16 muaj nuk kanë kontaktuar e komunikuar mes tyre, edhe pse Sabriu është informuar ku është Jusufi, në cilin numër telefoni mund ta kontakton, apo në cilën adresë mund t’i shkruan. Por nuk e ka bërë. Jusufi gjatë gjithë kohës ka qenë i bllokuar në aspektin organizativ. Edhe pse Jusufi është prezantua si kuadër i LNÇKVSHJ, me udhëheqës Sabri Novosellën, nuk kishte informim, kush, kur, ku, e ka themelua atë organizatë. Ne që ishim bashkëveprimtare të Jusufit nuk e kemi dit se Jusufi paskësh qenë i kapur kaq vulgarisht nga Sabri Novosella, siç rezulton nga kjo letër. Ndërsa Xhafer Durmishi ka informuar se në korrik 1981 Sabriu i ka kooptuar Jusufin dhe Xhaferin në Komitetin Qëndror të LNÇKVSHJ-së. Që do të thotë, Jusufi nuk i përkiste udhëheqjes së asaj (pseudo)organizate deri në korrik 1981. Vetëm në dhjetor 1981 Jusufi i ka anëtarësuar 8 bashkatdhetarë. Ata ishin të parët dhe të vetmit anëtarë të LNÇKVSHJ-së në gjithë Emigracionin në Perëndim.
Akoma më skandaloze është fakti se ende nuk ka të dhëna e prova konkrete, kur dhe kush e ka themeluar LNÇKVSHJ-në dhe kush, pos Sabri Novosellës, ka qenë udhëheqës i dytë, i tretë, i saj. Mua më rezulton, Sh.S.Sh. (UDB) e ka themeluar atë organizatë, sepse ka qenë praktikë e UDB-së simulimi i organizatave dhe partive “ilegale”, për t’i komplotuar organizimet klandestine (“ilegale”).
Shpresoj të kem motivua kësaj radhe gazetarë e studiues që ta hulumtojnë informimin që e përmban kjo letër, sepse është më shumë se mëkat që të mbetet pa u konstatua e vërteta për këto që i ka shkrua Jusufi.
***
Për ato/ata që janë të interesuar për më shumë informacion për këtë tematikë, mund ta përdorin librin tim “Gjurmë dhe fërkemë”.
Mund të jetë një imazh i 2 persona dhe teksti

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu