Shkendije Pacolli, psikologe, Gjermani
- Ne nuk kemi nevoje të përpiqemi që fëmijët tanë t’i modelojmë si njerëz të mirë, sepse ata janë të tillë.
Detyra jone është që atyre të ju ofrojmë dashuri, siguri dhe ndjenjën e të qenit normalë, ashtu siç në të vërtetë janë. Këtë e bëjmë duke ju ofruar atyre kushte elementare, ndërsa njëra prej atyre konditave është shkollimi i tyre.
Gjatë pandemisë, si pasojë e shkëputjes nga shkolla dhe qëndrimit të detyruar në shtëpi, rriti tek fëmijë nivelin e frikës, ankthit dhe një pasigurie të pa imagjinuar. Kjo periudhë, gjithashtu kishte edhe anët pozitive, pasi fëmijët u vendosën në qendër të vëmendjes së prindërve dhe në një mënyrë, filloi një rinjohje plot dashuri dhe kujdes për njeri-tjetrin. Fakti që e gjithë familja ishte bashkë, bënte gjithçka më të lehtë, sidomos për fëmijët, të cilët frikën e përjetojnë ngjashëm si të rriturit.
Derisa në planin global si rezultat i rënies së pandemisë dhe infeksionit nga virusi Kovid 19, u krijua një gjendje normaliteti dhe stabiliteti, fëmijët në Kosovë patën një fat tjetër për shkak të grevës së filluar nga Sindikatat e arsimit, duke mbetur edhe për një muaj jashtë shkollave për dallim nga bashkëmoshatarët e tyre nga vendet tjera duke përjetuar një situatë, që i bën të ndjejnë dhe kuptojnë se diçka nuk është në rregull. Duke mos pasur komunikim dhe sqarim të mirëfilltë, për këtë që po ndodh, fëmijët në Kosovë, përpos pasigurisë, humbjes së interesit dhe motivimit, po përjetojnë dhe ndjejnë në mënyrë verbale dhe jo verbale mllefin dhe zemërimin e prindërve. Të ndeshur me situata të tilla, ata janë të prirë të reagojnë me frikë dhe ankth për shkak të atmosferës së tensionuar emocionale, të krijuar nga të rriturit që i rrethojnë.
Shkëputja nga shkolla siç ka ndodhur aktualisht, ka krijuar predispozita dhe rrethana që ata të ballafaqohen me informacione te pa filtruara dhe të përjetojnë një kufizim dhe ndryshim në planin personal dhe emocional. Mllefi i prindërve dhe ndryshimi i rutinës jetësore, për pasojë ka prirjen e tyre për të plotësuar zbrazëtinë e krijuar me orët para TV-së dhe në telefonat mobilë. Kjo gjendje në shumë familje përpos që mund të rritë nivelin e stresit, dhunës, abuzimit fizik, abuzimit emocional, seksual dhe psikologjik, mund të ketë edhe pasoja post traumatike për fëmijët, e që manifestohen teka ata kryesisht me ndjenjën e vetmisë dhe ankthit. Në një mjedis shoqëror, për shumicën e fëmijëve dhe të rinjve, institucionet shkollore (shkollat) janë fusha me e rëndësishme e jetës ku ata e ndiejnë vetën të përmbushur.
Mungesa e shkollës do të ketë ndikim negativ sidomos tek ata fëmijë që për herë të parë takohen më shkollën (klasat e para), pasi euforia dhe pritshmëria qe krijuar kthehet në zhgënjim.
Edhe kompensimi eventual i orëve të humbura më vonë, është një përjetim i mundimshëm, që ulë nivelin e motivimit tek fëmijët. Mungesa për një kohë nga shkolla, mund të ketë një ndërveprim të kufizuar, pasi disa prej fëmijëve, sidomos ata te cilët fillojnë në klasë të parë, mund të humbasin plotësisht besimin dhe kontaktin me mjedisin e tyre shoqëror. Shumë prej tyre e lidhin në një mënyrë apo tjetër izolimin social me vetminë, duke e përkufizuar si një ndjenjë negative, e cila shkakton një shkëputje ndërmjet institucionit arsimor, pra shkollës, dhe realitetit.
Kjo gjendje, për pasojë, rrezikon edhe shëndetin mendor të fëmijëve dhe të rinjve, pasi studimet e shumta kanë gjetur tashmë një lidhshmëri midis vetmisë dhe problemeve te shëndetit mendor.
Shkencëtarëve u është dashur një kohë të gjate të vërtetojnë se vetmia tek të rriturit mund të kontribuojë në simptomat e depresionit më vonë në jetë, ndërsa kohët e fundit është zbuluar gjithashtu se fëmijët e vetmuar janë më të prirë për të zhvilluar çrregullime depresioni në adoleshencë.
Shkëndije Pacolli
Shënime për autoren
Shkendije Pacolli, me profesion është këshilltare psikologe në Gjermani ku ka edhe ordinacën e saj, në të cilën trajton dhe ndihmon personat që kërkojnë ndihmën e psikologut. Ky tekst shqyrton disa aspekte të pasojave të mundshme, që mund të lënë gjurmë tek fëmijët, si rezultat i qëndrimit në shtëpi dhe mos vijimit të shkollës.
( Disa nga referencat e konsultuara: Perlman,D.,& Pelpau, L.A:(1981). Toward a social psychology o loneliness. Personal relationships,3,31-56; Qualter,P., Brown, S. L.,Munn,P.,& Rotenberg, K.J.(2010); Childhood loneliness as a preictor of adolescent depressive symtoms: an 8-year longitudinal study. European Child & Adolescent Psychiatry,19(6),493-501.)