Nga: Bajram Sefaj, shkrimtar
Trazim kujtimesh të paharrueshme
(Me Besnikun shkrimtar dhe ambasador)
(…) Ishte muaji maj. Ishte Gjakova. („Gjithçkafit i vinte era Dukagjin“ A. Podrimja). Tek bënim provat (Kurrë të fundit) t’i kundërvihemi katandisjes shpirtërore që na kanosej nga armiku shekullor. Poetë, shkrimtarë në rend të parë, por edhe krijues të të gjitha gjinive të tjera artistike, tok me adhuruesit e fjalës poetike ishin tubuar aty, në qytetin nën Çabrat, në Gjakovën e pagjumësisë kolektive, të këtij kryeshekulli të tendosur… Edhe njëherë, edhe një shkallë viti, t’i zgjatej e t’i shtohej jeta Mitingut të Poezisë, festës sonë (tradicionale) letrare, me ngjyrë e këlthitje të thellë kombëtare brenda saj… Kësaj radhe, thelbi i festës, gëzimi diskret i saj (pse mos të pranohet haptazi e me gjithë mend) ishte pjesëmarrja e dy poetëve, e dy vëllezërve shkrimtarë nga Shqipëria që, ja, tek ortodoks komunist. Ishte Besniku (Mustafaj). Ishte Xheva (Xhevair Spahiu). Të ftuarit tjerë, medet, kishin ngelur matanë Murit të pikëlluar… Musafirët e lartë, dy poetët nga Shqipëria, nuk ishin, nuk mund të ishin e as që duhej të ishin “pronë” a “pre” e gëzimit individual. Ata, duhej të ishin të të gjithë neve, përnjëherë. Duhej kënaqur, prandaj, vetëm me një dorshtrëngim, me një shkreptime shikimesh, me një mirëseardhje qoftë që i kam nënshkruar tri-katër vëllime (modeste) të tregimeve (modeste) më ndodhi në atë takim të parë e aq të shkurtër me shkrimtarin Besnik Mustafajn, asaj mesdite në Gjakovë. Paraqitja e tij ashtu e plotë burrërore, me çiltërsinë djaloshare që sapo zbriste nga shkrepat plis-bardha të Malësisë së Gjakovës, disi vetvetiu imponoi që, edhe njëherë t’u kthehem e t’i rilexoj komentet dhe vrojtimet e tij të shkëlqyera që, atë ditë i publikonte në revisten “Koha” të Prishtinës, e që bënin fjalë për Shqipërinë e ditëve tek bëhej gati të shkundte trupit ethet e një dimri të gjatë sa një epokë…
* * *
(Tiranë, nëntor 1991)
(…) një vit pas, në muajin nëntor 1991, për herë të pare në gjysmë shekullin e jetës sime (lirisht mund edhe të mos ketë vazhdim!) gjendem në Tiranë. I ftuar në Festivalin e Nëntë Kombëtar të Filmit Artistik. U kënaqa me filmat. Me nivelin e tyre artistik. Me realizimin. Me porositë Brenda tyre. Me shkëlqimet e brendshme të tyre. U kënaqa me autorët dhe protagonistët e atyre filmave. Me regjisorët (Saimir Kumbaro, Pirro Milkanin… me aktorin dhe regjisorin Shkodran të “papërmirësueshëm” Rikard Larjën, me…). U kënaqa me bredhjet (kurrë pa u lodhur) nëpër Tiranë, kryeqytet dhe nëpër qytetet e tjera të Shqipërisë (Durrës, Kavajë, Elbasan, Krujë, Korçë, në Fier të dajës Sadri, në…). U kënaqa me tërë Shqipërinë, shtuar bredhjet në Berat, ato nëpër “Kronikën në gur” të Gjirokastrës që, për besë, te një pjesë e madhe e kosovarëve edhe sot e gjithë ditën rron me emrin Gjirokastër…) U kënaqa me të gjitha. Me njerëzit. Me hotelet. Me sheshet e bulevardet. Ktheva (përsëri) edhe në Bllok… Por, në anën tjetër, gjer në rënkim, lëngova nga shkaku se për atë kohë të qëndrimit në Tiranë dhe gjezdisjeve rrugëve të saj, si për inat, nuk e takova malësorin tropojan, Besnik Mustafajn. Pse?
(…) isha i shkapërderdhur pas aq shumë punësh të mëdha dhe obligimesh, ore mik, gjatë asaj kohe të tundimeve të mëdha, më thotë Besniku këto ditë, këtu në Paris).
* * *
(Prishtinë, 1 korrik 1992)
(…) dita e parë e këtij muaji që merrte emrin e ditës së mërkurë. Largohem nga vendlindja. Nga Kosova. Pa i thënë, madje, as atë lamtumirën e zakonshme, pavarësisht se për ç’kohë (me vështirësi e dhimbje të thellë) ndahem prej saj. Jo rruga ime, por ajo e marshues së Azhansës turistike “Rusolia” të Pejës, me shpie andej ku ajo do. Në Bruksel, me shteg kalimi nëpër Mashtrih. Nëpër qytet në itinerarin e “gëzimeve” të mia të udhëtimit dhe ajo fare nuk merr llogarinë e gjakimeve të mia… Dakord!
* * *
(…) Fundmaji. Marr numrin e sotëm të gazetës “Bujkut”. Në njërën nga rubrikat gjegjëse sjell informacionin e emërimit të mese njëzet ambasadorëve tanë në shtete të ndryshme të Europës dhe të botës mbarë. I vetmi emër që e dalloj midis tyre është ai i poetit dhe shkrimtarit Besnik Mustafaj, që ishte caktuar ambasador yni i jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë në Paris të Francës… Besniku i Tropojës. I mitingut të Poezisë. Besniku i Gjakovës!
* * *
(Bruksel, 1 – 15 KORRIK 1992
(…) ditët e kaluara në Bruksel të Belgjikës gjithnjë e më shumë si copa të akullta mjegullash, rëndonin mbi qenien time të brishtë. Dilemat gati-gati të padurueshme. Pikëllimi i thellë deri në rrënim. Ç’dreq ishte ajo rrobë azilanti politik që duhej të veshja. Cilat janë ato duar kobzeza e të plumbte padukshme që me gjilpërë e gërshërë (makabër) me qepin ato kostum të plumbte?!? Dilema (ajme, çfarë hamletiane e trille të ngjashme!) gjithnjë e më qartë shfaqej në tërë zymtësinë e tablosë së saj. Jo, as këtu në Bruksel, as Atomiumi i tij, me tërë aspektin e magjive të tij as sheshet e bulevardet as Vaterlloja, përbëri, as njëqind e një mijë të tjera mrekulli, nuk kanë fuqi të më ndalin këtu. Të gjitha rrugët me shpijnë në Paris. Çfarë është kjo rrugë të me ndalin këtu. Të gjitha rrugët më shpijnë në Paris. Është kjo rrugë njësoheshe! Tjetër rrugë nuk ka. Aty është zoti Kadare… aty janë shumë njerëz tanë të artit dhe të kulturës që më bëjnë dritë në këtë vetmi, thashë me vete, dhe u nisa…
* * *
(Paris, fillimi i tetorit 1992)
(…) eja ndonjë ditë! Supozoj se kohë të lirë ke me bollëk, më thotë Besniku, në zyrën e tij të ambasadorit (që gjendet në arodismentin e XVI të të Parisit) sa po takoheshim për herë të dytë në jetë. Kisha vajtur për shënim sa më të denjë të kremtes sonë të madhe kombëtare – Tetëdhjetë vjetorin jubilar të Pavarësisë dhe Ditës së Flamurit, Njëzetetetë Nëntorit të parë të demokracisë në trojet shqiptare. Dhe, sakaq vjen ajo ditë e pritur e gëzimit jubilar. Më 28-të Nëntor në ambasadën tone në Paris, pos manifestimeve të tjera që ishin mbajtur gjithë ditën , ekselenca e tij, ambasadori Besnik, me bukë, me kripë e me zemër pret të gjitha bashkatdhetarët, të gjithë shqiptarët, pra që jetojnë e punojnë në Paris, në Francë dhe tej e tutje më larg e më gjerë. I pranoi ata, të gjithë si një, pa dallime të përkatësisë ideologjike, apo të çfarëdo natyre tjetër qofshin ato. Ishte një e kremte, besoni, vëllezër, e madhe në dimension dhe e paharruar në shkëlqimin e saj. Të gjithë ishim aty. E tërë bota shumëngjyrëshe shqiture. Etoile (yll) në atë mes (pa fajin e vet) ishe te Besniku, i ri shtalb. Mëkati i tij më i madh Ambasadori mbarëkombëtar Besnik që I bie hise të jetë nikoqir në këtë festë të madhe e të përbashkët shqiptare. Gëzimi, hareja, kënga, muzika, vallëzimi (“…të vallëzojmë deri vonë…”) ishin pasuria e tryezës së festimit tonë të përbashkët. Të parit në këtë shekull të historisë. Urojmë të mos jetë kurrë e fundit…
* * *
(Paris, 7 janar 1993
(…) sot gjersa ma firmosë romanin e tij, “Vera pa kthim” që e ka ribotuar botuesi “Arbri nga Tirana (ky roman ndërkohë është botuar në Francë dhe ka pasur jehonë të jashtëzakonshme tek lexuesi frankofon) ia fillojmë bisedës. E dëgjoj me vëmendje. Fjalën shpotitëse sakaq ia ndërpren telefonin, po e ftonin për të marrë pjesë në emisionin e gjallë dhe tejet të popullarizuar “Eureka” të Radio Francës. Midis cingërimave dhe impulseve telefonike arrij t’i them se nga Prishtina e robëruar aktualisht, ia kam sjellë romanin “Udhëtimi arbdhetar” të Zejnos (Zejnullah Rrahmanit) Romani hapet me këtë fjali: “Para disa kohe u mbushën tridhjetë vjet qysh se unë, Zena I Sadrisë së Zenës, bashkë me disa miq me moshë fare të re, vendosëm të nisemi në një udhëtim, qëllimi themelor I të cilit ishte krejtësisht I zakonshëm për rrethanat e këtij vendi: Njih, duaj dhe ndërto Atdheun”. Besniku gëzohet shumë për këtë punë dhe spontanisht vazhdojmë muhabetin rreth poezisë, prozës, rreth artit e kulturës përgjithësisht. Siç ishim përmalluar (të dytë bashkë) për këtë temë që, mjerisht, kohëve të fundit sikur ka tretur nga bisedimet tona. Ai me pasion flet për poezinë e forte (… që godet si me çekan…) të Ali Podrimjes dhe thotë se e kanë mahnitur poezitë e këtij poeti të botuara shqip e gjermanisht në përmbledhjen “Buzëqeshja në kafaz”. Në mu duk se më tha ashtu. Shprehu gëzimin që këtij poeti së shpejti do i botohet një përmbledhje poezish në gjuhën frënge, se këto ditë, jo shumë larg, del prej shtypit, i përkthyer në gjuhën frëngjishte, romani “Vdekja më vjen prej syve të tillë” i Rexhep Qosjes. Besniku, pa rezervë, këtë roman e konsideron si njërën nga prozat më të rëndësishme të letërsisë sonë të ditëve të reja. Për botimin frëngjisht të këtij romani parathënien e ka shkruar zoti Ismail Kadare. Në gëzim bisede të boftë për letërsinë, për artin letrar, për poezinë Besnikut ia them përmendësh këto shtatë vargje të një poezie që unë, konsideroj se është monumentale.
…Gratë e grunajat e kanë zënë, a kanë gjak thanat
Shpendët e malit si janë, po nana, po Kosova
Pak mall në na paçin veç motrat, veç gjinkallat
Krojet etje në na paçin veç motrat, veç gjinkallat
Krojet etje në na paçin, ja qarku, ja kalliri
Dhëmbi në ju rëntë, mozot, macja në ju preftë udhën
Dhëmbi në ju rëntë, mozot, macja në ju preftë udhën
Varri në varr në na thirrtp, a ëndrra në ëndërr
Mi thuaj Kosovës po lidhim mbathcat, po vijmë.
(Azem Shkreli, “Letër nga mërgimi”, “Rilindja”, e shtunë 24 tetor 1992, faqe 10).
Besnikun sërish e thërrasin tonet telefonike dhe obligimet e tjera të ditës. Biseda për letërsinë, me epërsi të poezisë, me këtë rast, përfundon ngutshëm, gati si me dhunë. Bisedën, të thuash kontaktin intenziv, me Besnikun do ta vazhdoj duke marrë çastet e shoqërimit me Sanën dhe me Gorin, dy (krye) personazhet e romanit të tij, të cilin filloj ta lexoj qysh në metronë e directionit Pont de Servres – Mairie Montreuil.
Çasti më i vështirë, më tronditës qe çasti I pare i takimit . Është fjala e pare e këtij
romani të mrekullueshëm që, me të hapur, më sjell idenë instiktive se është
roman me temë dashurie dhe se Brenda tij fjala është për një dashuri tragjike.
Nuk e di prej nga më piku kjo ide e mallkuar në pjesën e dytë të saj. Por, ashtu
më doli. Sana e Gori janë dy personazhe tragjike. Mbase Sana më shumë se Gori,
jeta e të cilit kishte përfunduar tragjikisht në koncllogorin e Mathauenit, jo më 29
qershor (“siç e kemi ditur”) po më 13 korrik! Kishte me të vërtetë plotësisht të drejtë Fransua Nurisie tek në “Le figaro Magazine” thoshte se “Vera pa kthim” është një roman tronditës” Urdhëroni! Lexone! Binduni! Çudi dhe padrejtësi, në të njëjtën kohë, them me të mbyllur të këtij romani. Pse lexuesi shqiptar i Kosovës nuk ka pasur rastin të lexojë këtë roman dhe veprat e tjera të Besnik Mustafajt?! Pse?
* * *
(Paris, 10 – 11 janar 93)
(…) Këtë copë teksti a kronike e shkruaj brenda një nate të tendosur tek mbi Paris po tallazitej një tramuntanë, nuk e di çka don me thanë.?, por e di se, që me dritë të dritës së re, me vrull nxitoj në mënyrë që sa më shpejt të takoj Besnikun, se kafshimi i pikëllimit të sotëm mund të jetë edhe më i egër se ai i ditës së djeshme. Besnikut do t’i rrëfej për të gjitha dhimbjet dhe lëndimet që m’i shkaktoi nata e mbrëmshme, terrin e së cilës nuk e doja dot, në vetminë e një ngrehine, diku nën kulmet e Parisit. Kjo, më në fund, edhe është dëshmia më e mire e një miqësie që po lind.
Bajram SEFAJ
(*Flaka e Vëllazërimit, e diel 24 janar 1993 – “Parisi kot”, roman, Rilindja, 2003, faqe 138 – 144)