-Në 20 Tetor 1996, në ditën e zgjedhjeve lokale në Shqipëri, derisa kthehesha nga Kukësi në Prishtinë, i dërguar special i gazetës së rezistencës “Bujku”, që sfidonte ndalimin e dhunëshëm nga pushteti okupues serb të gazetës tradicionale të vetme në gjuhën shqipe në Kosovë Rilindja, forcat serbe më ndaluan në kufi edhe gazetat e Tiranës…/
Edhe gazetat e Shqipërisë forcat serbe mi ndaluan e konfiskuan në vendkalimin kufitar Vërmicë-Morin derisa kthehesha nga Kukësi në Prishtinë.
Me mbititull “Raport nga zgjedhjet lokale në rrethin e Kukësit” e me titull “Vota vizionit të zhvillimit më të shpejtë” në ballinë të gazetës “Bujku” mes tjerash shkruaja:
Shqipëria sot ishte e veshur në të gjitha ngjyrat e spektrit politik shqiptar, kishte ditën e zgjedhjeve lokale nëpër bashki, qytete, komuna e rrethe, me pjesëmarrjen e të gjitha partive politike dhe me një përqindje të lartë të daljes së qytetarëve me të drejtë vote nëpër të gjitha qendrat e votimit, të hapura që nga ora shtatë e mëngjesit. Dalja në zgjedhjet e lira e demokratike ishte një moment solemn për tërë vendin dhe popullin që dha votën lirisht për të zgjedhurit e vet, për reprezentuesit e vet për udhëheqjen e pushtetit lokal në Shqipëri.
Në krahinën e Lumës në veri të Shqipërisë sot kishte edhe shumë dasma, dhe dasmat lumjane plot kolorit, këngë, valle e gjallëri, e bënin edhe më të bukuar këtë ditë të zgjedhjeve lokale në rrethin e Kukësit…
Raportimi, në kuadër të cilit ishte edhe intervista me titull “Kukësi – Bashki moderne”, vazhdonte gjerësisht në faqen e parë e të dytë të gazetës me mestitujt “Emra të shquar intelektualësh në konkurrencën politike” e “Raportet dëshmojnë për mbarësi të zgjedhjeve”, përfundonte kështu:
Të gjithë bashkëbiseduesit në Kukës kishin thuaja të njëjtin opinion për zgjedhjet e sotme lokale: janë këto zgjedhje të lira, korrekte, të drejta, që mund të krahasohen me normat dhe nivelet evropiane…
Në orët e pasditës, derisa shtohej vazhdimisht numri i njerëzve nëpër rrugë që shkonin në qendrat e votimit, largohemi nga Kukësi për të arritur më kohë ky raport në redaksinë e “Rilindjes” në Prishtinë. Në kufi, në anën e kontrolluar nga forcat serbe, na thonë prerazi se nuk na lejojnë të sjellim në Kosovë gazetat nga Shqipëria, të cilat, pa përjashtim, të gjitha, ishin tematike dhe iu përkushtoheshin zgjedhjeve të sotme lokale. Secila nga gazetat kishte mesazhin, pikëvështrimin e pritjet e veta për zgjedhjet…
Gazetat mbesin në rrugë, në kufi – ndalohen.
Fotot:
Gazetar profesionist i spikatur z Behlul Jashari
Respekte per punen dhe kontributin e dhene ne vite per ceshtjen e Kosoves
Ju uroj jete te gjate dhe shendet te plote