ARKIVI:
20 Nëntor 2024

Vrasja e konsullit rus Šcerbin-it në prill 1903 në Mitrovicë dhe vazhdimi i provokimit serbo-rus ndaj Kosovës 119 vjet pas

Shkrime relevante

Intervistë e Lis Bukurocës dhënë gazetares Rudina Xhunga (Video)

Erdha në Shqipëri të bëj dhëmbët dhe zbulova sekretin e madh!...

Me rastin e 20 vjetorit të kalimit në amshim të Primus Prenkë Ndrevashaj

Kisha “Zoja Pajtore e Shqiptarëve” në Southfield të shtetit Michigan, themeluar...

Shpërnguljet për në Turqi dhe historitë e trishta të vrasjeve të organizuara të shqiptarëve të rinj

Nga: Sami Islami, Londër ___ (Sipas një ngjarjeje të vërtetë) ___ Edhe pse Kosova kishte...

Prindër të dashur, tregoni se si është e mundur që fëmiu juaj të përfundoj në pranga…?!

Monika Braja, Selanik ____ Prindër të dashur , Nena dhe Baballarë , që...

Në 15 vjetorin e shkuarjes në amshim të Babait, Halil Zeqës…!

17.04.1933-19.11.2009 Mga: Florim Zeqa Halil Zeqa largëpamës dhe vizionar Halil Zeqa lindi më 17.04.1933...

Shpërndaj

Gjergj – Bajram Kabashi

  • Historia, kjo Mësuese e Jetës!
Rusia e sotshme, si Rusia Cariste në fillim të shekullit të kaluar, bënë roje dhe nxitë serbët kundër shqiptarëve dhe botës perëndimore.
Sipas të dhënave historiografike kah fillimi i vitit 1902, Fuqitë e Mëdha e detyruan sulltanin që ta pranonte hapjen e konsullatës ruse në Mitrovicë. Ajo konsulatë e kishte për qëllim dhe detyrë mbrojtjen e të krishterëve serbë, gjë të cilën e kundërshtuan kryengritësit shqiptarë në atë kohë. Kryengritja e shqiptarëve kundër levizjes pansllave, sado që e penguar dhe luftuar nga Perandoria Osmane, nxiti plagosjen e konsullit rus Grigorije Stepanovič Šcerbin, që ndodhi në Mitrovicë më 30 mars 1903, nga roja e depos së barotit Ibrahim Haliti.
Si pasojë e asaj plagosjeje konsulli rus vdiq me 10 prill 1903 në ora 1:15 minuta, sipas burimeve serbe. Vrasja e tij u bë se shqiptarët e parandjenin rrezikun e pranisë së përfaqësuesit të Rusisë në vendin e tyre, ku konsulli rus tregohej gjithnjë e më agresiv ndaj tyre.
Grigorije Stepanovič Šcerbin në Mitrovicë 
Historia tregon se më 8 gusht 1903, në anën tjetër, një shqiptar e vrau në Manastir edhe një konsull tjetër rus, që quhej Aleksandar Arkadieviq Rostkovski. Rostovski i rrahte njerëzit rrugës me kamxhik, që e barte me vete kahdo që shkonte. Për taksiratin e tij qohet peshë aq shumë sa një herë e godet kamxhik edhe një grua shqiptare dhe fëmiun e saj, derisa e zuri sherri në një bostbllok dhe e nxiti një ushtar shqiptar të Manastirit që ta vriste.
Ngjarja kishte ndodhur kështu: Më 8 gusht pajtoni që e barte Rostkovskin i afrohej një postblloku ushtarak, në dalje të Manastirit. Ushtari shqiptar , sipas të dhënave historike, qëndronte i ulur dhe nuk u ngrit në këmbë për ta përshëndetur karrocën që e përfaqësonte Rusinë Cariste në Manastir, veprim të cilin e priste Rostkovski. Prandaj, Rostkovski zbriti nga pajtoni për ta qortuar ushtarin apo ndoshta edhe për ta kamxhikosur, siç e kishte zakon. Kur ushtari shqiptar e vërejti se rusi po i afrohej duke bërtitur, ngritet në këmbë dhe e drejton pushkën duke e vrarë në vend, ku edhe jep shpirt.
Varrimi i Rostovskit në Selanik
Për vrasjen e Aleksandar Arkadieviq Rostkovskit ka shkruar edhe studjuesi i historisë, Daut Dauti nga Londra.
https://telegrafi.com/kur-halimi-e-vrau-rostkovskin/
Megjithëse kjo nuk ishte vrasje politike , si ajo e Mitrovicës, sidoqoftë ishte vrasje e një konsulli tjetër nga Rusia, që kishte detyrë të tregohej sa më shumë zullumqar ndaj shqiptarëve, për hirë të krishtenëve të Ballkanit.
Të dyja rastet tregojnë se pushtuesit turq-osmanli, kishin bërë lëshime të mëdha ndaj tokave shqiptare, gjë që i kishte zemruar pa masë shqiptarët.
Rusia dhe Serbia aktuale janë mu ato të kohës së konsullit rus në Mitrovicë Grigorije Stepanovič Šcerbin-it, që e vrau dora e bekuar shqiptare. Ta kuptojmë mirë se KETU nuk ka hajgare. Madje, se këtu nuk ka vend për hajgare tregoi edhe provokimi i hapur i Ministrit të Brendshëm të Serbisë Aleksander Vulin, që sapo u kthye nga Moska, i cili kërkoj vendosjen e Kufinit me forcën e Ushtrisë Serbe në Lumin Ibër, tek Mitrovica.
Jeta e konsullit rus Grigorije Stepanovič Šcerbin ka qenë jetë e një diplomati karizmatik për të çuar përpara synimet dhe qëllimet e pansllavizmit, sidomos tregohej një vëzhgues i madh dhe aktiv për ta penguar me të gjitha mënyrat e mundshme zgjimin kombëtar të shqiptarëve. Dhe për të udhëhequr kryengritjet dhe luftën serbe kundër shqiptarëve. Šcerbin ka lindur më 1868 në Černigovo të Rusisë. Pas gjimnazit të kryer me sukses të shkëlqyeshëm ai e ka kryer Akademinë për Gjuhët Orientale dhe si student i shkëlqyeshëm është punësuar në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Rusisë Cariste dhe i ka folur gjuhën turke, arabe, jemene, bullagirshten dhe serbishten.
Për aftësitë e tij të jashtëzakonshme ai është punësuar në shërbimin diplomatik në Stamboll, në moshën 23 vjeçare. Sipas shënimeve biografike për të, thuhet se para se të vinte në Mitrovicë si konsull , në kohën e Perendorisë Osmane, ai ka shërbyer si konsull në Shkup, pastaj është dërguar në Cetinje tek Knjaz Nikolla Petroviq , ndërsa në vitin 1896 u bë konsull i Rusisë në Shkodër.
Në shkrimin e gjerë për të, tek 110 godina od pogibije ruskog konzula Grigorija Stepanoviča Ščerbine | Punjeni paprikaš (punjenipaprikas.com), të botuar me 05.09.2013 thuhet, pos tjerash:
“Aty e ka mësuar shkëlqyeshëm gjuhën shqipe (ka përkthyer madje edhe këngë popullore shqiptare), e ka njohur mirë mentalitetin dhe disponimin politik të shqiptarëve. Kjo e ka ndihmuar dukshëm që ti njoh rrethanat komplekse shoqërore në Kosovë (aty thuhet: Staroj Srbiji) dhe është propozuar për tu emërtuar konsul zyrtar në Mitrovicën e Kosovës me 7 maj 1902.”  
Më tej: “Ščerbin thuaja për çdo ditë ka dalë në rrethinë i vetëm, shpesh edhe në gjueti. Ia kanë tërhequr vërejtjen që shqiptarët mund ta vrasin, por ai ka thënë:
“Nuk jeni ju të atij fati që une të vdes … pasi vdekja ime do t’ua sillte lirinë.
Nga këto pjesë të shkrimit kuptohet misioni i vërtetë i Ščerbin-it që nga ardhja e tij me mision diplomatik dhe jo vetëm në Mitrovicë, në fillim të majit 1902.
Aty theksohet angazhimi i tij i vërtetë:
“Që nga ardhja Shçerbinit në Mitrovicë, në Rusi shkonin raportet për terror të vazhdueshëm ndaj serbëve, për vuajtje të serbëve, vrasje, përdhunime, zjarrvënie dhe djegie të pronës serbe me njoftimin se pa dhunë nuk mund të kalojnë as procesionet e varrimit. Kjo është arsyeja pse ai tërhoqi aq shumë urrejtje mbi veten e tij nga Shqiptarët. Ata filluan të orgaizohen dhe të përgatiten për sulmin ndaj Shçerbinit, në Mitrovicë, sepse së pari ata sulmuan serbët në Vushtrri, dhe pastaj u përpoqën ta godisnin edhe “konsullin rus”.

Ja Ščerbin i vërtetë, si ushtarak largpamës rus: “Mitrovica u sulmua më 30 mars të vitit 1903, dhe të nesërmen pas përhapjes së lajmit për risulmim të Ščerbin ai me përcjellje shkon në kontrollimin e pozicioneve. Konsulli hyri në kontakt me diplomatin rus Moškov (në Shkup) dhe Zinoviev (në Stamboll), duke u kërkuar atyre që të kërkojnë ndihmë nga zyrtarët turq për mbrojtjen e Mitrovicës. Që atëherë, diplomatët rusë i bëjnë presion Portë së Lartë, e cila dërgon përforcime, ndërsa komandanti turk në Mitrovicë, Hilmi-pasha, do të dalë me Ščerbin në kodrën e Bairit (në jug të vendit) dhe do të vendosë artilerinë në pozicione. Konsulli rus, gjatë gjithë kohës me kalë, me uniformë kozake, bëri një xhiro në vijën e parë të mbrojtjes, duke i trimëruar mbrojtësit që të mos ndalen. Dy mijë shqiptarë vërsulen në sulm, por shpartallohen dhe detyrohen të ikin.”

Në tekstin e autorit Јован Алексић , thuhet edhe kjo: “Megjithatë, guximi personal dhe sakrifikimi për ti mbrojtur vëllezërit e të njejtit besim, Ščerbin do të paguaj me kokë. Në të vërtetë, në stacionin e vjetër hekurudhor, tek depoja e municionit, roja e barutit, Ibrahim Haliti, prapa krahëve, u përpoq ta vriste konsullin nga prapa. Njëri nga plumbat goditi Ščerbinin, tjetri goditi një ushtar nga mbrapa. Megjithëse i plagosur, konsulli i premtoi Ibrahim Halitit mëshirim nëse i tregon motivet e sulmit. Atentatori i përgjigjet se në pyetje është ahmarrja personale, për shkak të vdekjes së vëllait në betejën e një dite më parë. Edhe pse mendohej se plagosja nuk ishte serioze, Ščerbin më 31 mars ishte në gjendje të rëndës shëndetësore. Nga shtrati i tij, i sëmurë, nëpërmjet konsullit serb në Shkup, Milosav Kurtoviç, ai i dërgoi një notë falënderimi mbretit Aleksander dhe popullit të Mbretërisë së Serbisë për vëmendjen dhe përkujdesjen ndaj tij. Një numër figurash të shquara e uruan dhe u luten që të shërohet dhe afër shtratit i qëndronin mjekët më të shquar turq, serbë dhe rusë.” 

Kjo është pra historia e djeshme, pothuaj krejt e ngjashme me të sotshmen, që është edhe më e organizuar dhe agresive, pasi diplomatë dhe agjentë nga Federata Ruse sot , 119 vite pas, vazhdojnë të jenë këshilltarët kryesor të nxitjes së jolojalitetit të serbëve vendës ndaj institucioneve të Kosovës. Njësitë speciale të Policisë së Kosovës jo vetëm një herë janë “takuar” me të tillët, kur detyroheshin ta vinin rendin publik që prishej mu nga nxitjet e tyre. 

Obnovljeni spomenik Ščerbini u centru severnog delа Kosovske Mitrovice
Përmendorja e Šcerbin në Mitrovicën veriore, e cila u ngrit në vitit 2007. Në vitin 1928 Serbia i kishte ngritur përmendore në Mitrovicën jugore, tek vendi ku mendohet se është vrarë nga Ibrahim Haliti.
***
Përgjigje për aktualitetin: Nuk është fare e vërtetë se Vulini i ka dalë prej “dore” Vučiqit, përkundrazi të gjitha fjalët që ai i thotë janë në pajtim të plotë me njëri-tjetrin.Të dytë paraqiten shtinjak, me porosi. Njëri paraqitet agresiv, e tjetri “pak më i matur!”.
Qëllimet megjithatë mbesin të njejta: Trembja e Shqiptarëve dhe Perëndimit që të mos guxojnë tu përzihen serbo-rusëve kur ata i duan “tokat e veta” në Ukrainë dhe “tokën e vet në Kosmet”.
Kur fliten për historinë dhe aktualitetin e planeve luftarake të pushtuesve serbo-rus, nuk ka pse të krijohet panik: Duhet vetëm vëmendje dhe disiplinë e domosdoshme shtetërore e kombëtare në kuptimin që të gjitha organet e sigurisë në Kosovë, Qeveria, Policia, FSK-ja apo instancat e qeverisjeve lokale gjithndej vendit, ti mbajnë sytë hapur e të mos zihen në asnjë befasi, pasi është e qartë se Serbia mendon që Shqiptarët e Kosovës dhe Perëndimin ti vë para aktit të kryer me “Kufirin e hekurt me shqiptarët” në Lumin Iber, të A.Vulinit dhe Putinit.
Aleksandar Vulin me ambasadorin e Federatës Ruse në Beograd, Aleksandr Bocan-Harčenko
Foto: Ministria e Mbrojtjes së Serbisë
__
KUFINJT shtetëror, në veri të Kosovës, me Serbinë, janë në Jarinjë mbi Leposaviq dhe Bërnjakë mbi Zubin Potok.
Si dhe tek Merdari në Podujevë.
Me një fjalë duhet të ruhet në mënyrë fanatike KUFINI që na ndanë me Serbinë.
Kushdo që ka përgjegjësi për sigurinë dhe mbrojtjen e integritetit territorial të Kosovës, duhet të rri syhapur dhe të vëzhgoj i patrembur ashtu si duhet të sillet një shtet serioz, një shtet të vogël, por i fortë.
Ne nuk kemi pse ti trembemi Serbisë, por më shumë “gjumit arnaut” me të cilin na përgjumën qarqet më antishqiptare si dhe marrëzia jonë e njohur qe 20 vite.
Kosova dhe Shqiptarët duhet ta kuptojnë përfundimisht se bota ka shumë konflikte të mëdha sotpërsot: Eshte kërcënimi i Kinës për ta rikthyer Tajvanin, kërcënimet e Koresë së Veriut, ato të Iranit, fërkimet e provokimet luftarake të Turqisë e Greqisë, lufta pushtuese e Federatës Ruse në Ukrainë.
Shqiptar/e , mos e lejo “arnautin” me flejt ashtu qysh e vunë në gjumë atë qe mbi 20 vite, madje n’koftë nevoja futja shqelm ..ëve, se me kërcitë lufta qysh po kërcënon Serbia proruse, mund ta vrasin me “hallall” – dronët e “vllazënve të tij musliman” – turq e iranian, e ta qojnë “n’ahiret tuj marrë abdes” apo dërgojnë tek “72 hyrijat” e BIK- ut, tuj u falë rrugëve” a “tuj pi çaj rusi me lezet”.
Edhe diçka: në rastet e krizave e luftërave botërore edhe ushtritë e aleatëve tërhiqen dhe barten aty ku ka më shumë nevojë për mbrojtje. Kështu që Shqiptari, në fund të fundit, duhet ta kuptoj se ka obligim ta mbroj vetën pa pritë aq shumë prej të tjerëve. Qofshin ata edhe miqët e vërtetë, që u janë gjetë në vështirësi të historisë.
Shtetit të Kosovës i duhen: Armë, armë, armë … dhe atë jo për ta sulmuar tjetërkend, por vetëm për ta mbrojtur integritetin territorial të vendit. 
Shteti i Kosovës duhet ta ketë gjithnjë në vëmendje se raportet në botë dhe sidomos urrejtja serbo-ruse ndaj tij është urrejtje historike e mbjellë, sidomos ajo e kohës së konsullit rus Šcerbin dhe se Federata Ruse sot, njejt si Rusia Cariste dikur, paraprakisht na vëzhgon dhe përgatitet të na shkatërroj. Në forma të ndryshme ata janë të pranishëm edhe në pjesën veriore të Kosovës , ku përmendores së Šcerbin-it i ndërrohet vendi herë këndej e herë andej në këto mbi njëqind vite, pasi shembulli i tij si pansllavist – antishqiptar, ka mbetur më shumë se simbol për serbët dhe Serbinë e Madhe përgjithësisht.
Ai ishte një personalitet inteligjent dhe me kulturë të madhe, i cili mësoj edhe gjuhën shqipe për të na njohur sa më mirë dhe si një diplomat që njihte shumë gjuhë të tjera, Grigorije Stepanovič Šcerbin mbetët shembëlltyrë e ideologut pansllavist që aq shumë punoj për interesat serbomëdha, duke qenë aq i preokupuar të na zhbënte si komb nga mbarë Gadishulli Ilirik.
Megjithëse Ibrahim Haliti e vrau Šcerbinin , kur ai sapo i kishte mbushur 35 vjeç, duke i detyruar ta kthenin të vdekur andej prej nga kishte ardhur, fillimisht në Shkup, ku kufomën e tij e presin 22 priftërinj serbë, pastaj në Stamboll, e të varrosej në Černigovo, qytetin e tij të lindjes në Rusi. Pavarësisht se e kthyen nga kishte ardhur, edhe sot e kësaj dite duhma e ideve të tij antishqiptare vazhdon të ndihet gjithandej në Kosovë e ndër serbomëdhenjt.
Shqiptarët duhet të mendojnë shumë për qëllimet antishqiptare dhe platformën ushtarake të Šcerbin-it, edhe kur ai tashmë i ka 119 vite që ka vdekur, pasi serbomëdhenjt e rusomëdhenjt e kanë më shumë se hero të planeve të tyre antishqiptare, madje jo vetëm në pjesët veriore të Kosovës.
                                                            ***
Për ta përshkruar atmosferën e vrasjes së Šcerbinit nga Ibrahim Haliti, po e sjell edhe poezinë Çerkin Ibishit, gazetarit të njohur të Rilindjes nga Mitrovica nga vëllimi i tij me poezi “Monolog me Isa Boletinin”, ku ai duke u bazuar në rrëfimet e shumëta për atë vrasje që pati jehonë në atë kohë, e rikrijon tablon e ngjarjes në mënyrë poetike.
***
Kanxhallozit ju ndal turri
*
në Maje të Sokolit
në Koritë Guri
mbi kullë të Isës luftojnë trimat
fishkëllojnë plumbat si vetëtimat
gjithë nënkodrës
trimat të luftës
pas çdo shkëmbi në Blinajë
në vlug lufte shkrepnin zjarrë
me armikun janë përballë
gjyle të topave dridhnin Kullën
e malësorët në luftë pa u ndal
armiqët mbesin nëpër shkurre
me vrap ikin tërë tatpjetës
kalojnë Ibrin n’për stërkala
disa sish i mori vala
ma s’u dukën as rrëzë mali
e gjithë Shala u çue në këmbë
me luftue dhëmbë për dhëmbë
ushtria turke u mbyll në kazermë
gjuanin me topa e maliherë
komandën e mori ‘i farë minxhozi
prej Rusie Kanxhallozi
patë dhënë Isa urdhër me vra
prandaj populli me furi
don të hynte në kazermë
por e vështirë komanda e tij
gjyle topash mbi popull derdhën
sa e tmerrshme kjo betejë
një ushtar turk me gjak shqiptari
kur e pa komandën e tij
që mbi popull bënte kërdi
ju afrue m’u te balli
maliheri i volli zjarrë
kanxhallozin e shtriu përdhe
trim mbi trima Ibrahimi
i tregoi se është shqiptar
___
Çerkin Ibishi : “Monolog me Isa
Boletinin”
___
Në përfundim të kësaj dosjeje përkujtuese – historike, duhet shtruar këto pyetje të thjeshta:
Athua u kujtua Kosova që ta përkujtonte Ibrahim Halitin në këto 23 vite liri , pra që ta kujtonte e nderonte heroin e vërtetë të saj, duke ia ngritur një shtatore dinjotoze qysh e meriton vrasësi i konsullit rus në Mitrovicë, Grigorije Stepanovič Šcerbin…?
Apo vazhdon që ta lë BIK-un t’ia shkruaj historinë në favor të pushtuesve, duke u përpjekur ethshëm që të ngre një xhami të madhe këndej Ibrit, me sy nga Šcerbin-i, andej Ibrit?
Një xhami që do ta barte emrin e Hilmi Pashës , i cili së bashku me Šcerbin-in në atë kohë, me urdhërin e Sulltanit nga Stambolli, e qiti artilerinë në frontin e Bajres për ti luftuar kryengritësit shqiptarë; ata trima të mençur të Shalës së Bajgores, Vushtrisë, Drenicës etj., megjithëse ishin të pa shkollë, pasi vetëm si të tillë, analfabetë të pa kujtesë historike, sipas Perndorisë Osmane, i duheshin “Vëllaut Musliman” , që ashtu ti mbante të pushtuar më me lehtësi e me synimin përfundimtar që tï bënte turq.
Pra, ata “s’ishin të shkolluar” si shqiptarët e sotshëm…!
Ata Shqiptarë që nuk pajtoheshin me robërinë dhe pushtimin e territoreve nga ana e Grigorije Stepanovič Šcerbin-it dhe serbëve që i organizonte për luftë dhe pushtimin e Kosovës pas 9 vitesh, në vitin 1912. 
Sikurse që ndodhi, në të vërtetë …!

K O M E N T E

4 KOMENTE

  1. Shkrim jashtëzakonisht informativ dhe edukativ, në veçanti për gjenerata të reja por jo vetëm. Zhvillimet në përgjithësi në Republikë të Kosovës, kryesisht si pasojë e luftës miope për pushtet në mes të subjekteve rivale politike, nuk janë në nivel të kujdesit të duhur për përgaditje të domosdoshme nga rreziqet që na rrethojnë dhe kërcënojnë ekzistencën tonë si komb i lirë.
    Ai që shkruan për këto, duke bartur përvojat historike në realitet të sotëm si lekcione të cilat duhen mësuar nga secili, e ka kryer pjesën e vet të obligimit dhe të përgjegjësisë ndaj vendit dhe ndaj kombit.
    Fatkeqsisht shumë nga ne për shkak të moshës nuk mundemi të japim më shumë se kaq. Gjeneratat e reja do të kanë një të ardhme çfarë meritojnë.

  2. Shkrim me plot te dhena te bollshme nga historia jo e larget. E pergezoj autorin per mundin e per kujtesen historike.
    Ngjarjet ”e vogla” e ”njerezve te medhenj”, ruse, serbe e sllave, edhe sot e gjithe diten kundermojne me eren e keqe.
    Pune te mbare e shendet autorit !
    Sinani, Suedi

  3. Kënga e kanxhallozit u këndua dhe ende këndohet:
    N’Mitrovicë na Rrethi teli
    Kanxhallozin e vrau Neferi
    Të xhamija janë mbledhë asqeri
    Të xhamija janë mbledhë të tanë….

    Kanxhalloz ti kofsh i zi
    T’kam pa vet me sy të mi
    Tue pre rob, gra e thmi
    Aty u vranë dhe shumë vllazni

  4. Nese me lejohet te shkruaj tre kater fjali.
    1.Isa Boletini nuk e lejonte ambasaden ruse te vinte ne Kosove sepse popullata ishte shqiptare ortodokse, kete ai e tha vet.
    2.Ju vet shihni ne foto te kohes kush e ruan ambasadorin rus, mbrapa plisave te bardh.
    3.Kete secili duhet ta di ne Kosove se popolli sot sllav, nuk ishte i tille. Por ishte shqiptar Ortodoks.
    4.Askush nuk goxon te thot se ortodokset ishin sllav, por ata ishin shqiptar ortodoks, po i asimilioi Rusia.

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu