Ndërhyrjet e Bashkësisë Ndërkombëtare në formatin që bënin regjisorët antik përmes një mjeti nga jashtë — Ex Machina, në rastin e Kosovës përmes Dhomave të Specializuara me seli në Hagë (Gjykatës Speciale), ka shumëçka që të rikujton filmin fantastiko-shkencor po me këtë titull [Ex Machina] të vitit 2014, i shkruar nga Alex Garland në debutimin e tij regjisorial.
Por nëse regjisori i filmit në fjalë ishte përqëndruar në katër personazhe, të luajtur nga Domhnall Gleeson, Alicia Vikander, Sonoya Mizuno dhe Oscar Isaac, skenari i Vuçiç që kishte për objekt aneksimin e veriut të Kosovës në shkëmbim të ca katundeve në zonat e thella të Preshevës (Malet e Zeza të Shkupit, respektivisht Karadakut) dhe ca “lagje” periferike të Bujanocit dhe dy-tri katunde të Medokës, të cilin pretendonte ta realizojë me dy-tre “aktorë”, nëse nuk ia arrinte dot me vetëm një.
Ishte Gjykata Speciale që ndërhyri, si një regjisor antik përmes mekanizmit Ex Machina, me ca elemente shtesë të filmit të Alex Garland-it.
Ndërkaq rikthesa e madhe në politikën e jashtme të Tiranës dhe Shkupit zyrtar dhe rendja për t’ju bashkangjitur idesë serbo-ruse për rimëkëmbjen e Jugosllavisë në një format tjetër, që nënkupton “Ballkanin e hapur” [katër ish republikat jugosllave plus Shqipëria], duke ia kundërvënë Procesit të Berlinit, respektivisht vet BE-së, dëshmoi se sa prezente ishte dhe mbetet Rusia në rajon.
Fushata, ndërkohë, e përqëndruar, e një lagjeje politikanësh dhe qarqeve gazetareske në Tiranë dhe Prishtinë, për gjoja mbrojtjen e UÇK-së në emër të një patriotizmi folklorik, rezulton të jetë edhe një përpjekje shtesë kundër dekriminalizimit të segmenteve të veçanta që vepruan në emër të saj gjatë dhe pas luftës në shpërputhje me interesat strategjike të Kombit.
Emblema e UÇK-së prandaj nuk duhet e nuk guxon të përdoret tutje si gjethe fiku. Këto akte nuk mund të shërbejnë si mbulesë për projekte si “Ballkani i hapur” që nuk kanë asgjë të përbashkët me idealet e themeluesve real të UÇK-së dhe spartanëve të shumtë të saj.
“Na e lini fuqinë në duart tona, përndryshe do të përmbyset çdo gjë”, duket se na kërcënojnë oligokratët përmes politikanëve të zënë peng.
Rutger Bregman përshkruan një çast specifik në jetën e filozofit frëng Zhan Zhak Ruso [Jean-Jacques Rousseau], që do t’i ndryshojë jetën për 180 shkallë. Ai çast i ndodhë derisa po qëndronte nën hijen e një peme dhe po shfletonte numrin e fundit të revistës ‘Mercur de France’, kur i mbeti shikimi i ngulitur mbi një shpallje të veçantë, e cila do të duhej t’ia ketë ndryshuar rrjedhën e jetës tutje.
Ishte një grishje e Akademisë së Dion-it që ofronte një çmim të veçantë për një ese po ashtu të veçantë. Akademia po kërkonte pjesëmarrës në konkursin e saj, prej të cilëve kërkonte përgjigjen e saktë në pyetjen pasuese: A ka kontribuar përparimi i shkencave dhe i arteve në ashpërsinë apo fisnikërimin e sjelljeve?
Rusoi, shkruan tutje Bregman, e dinte përgjegjen në çast. “Menjëherë, me t’i lexuar këta rreshta”, do të shkruante ai më vonë, “pashë rreth e qark meje një botë tjetër dhe unë vet u shndërrova në një njeri tjetër”. Papritmas ai e hetoi se civilizimi nuk ishte bekimi i gjakuar, por ishte vet helmi. Ndërkaq derisa po i afrohej burgut, ku po mbahej peng një mik i tij krejt i pafajshëm, ai e kuptoj se “njeriu nga natyra është i mirë, por përmes institucioneve ai shndërrohet në qenie të keqe”.
Rusoi kishte fituar çmimin e parë…
Në këto rrethana, “Ballkani i hapur” se si merr trajtën e institucionit që një lagje politikanësh tanë i ka tjetërsuar tej mase, ndërkaq vetëm tek rikthimi i Procesit të Berlinit jam i prirë ta shoh jo vetëm prologun e fundit të tij, siç ndodhi me atë të “razgraniçenjes” së Vuçiçit, por edhe rikthimin e mundshëm të Shtetit në duart e idealistëve të shkollës së Rusoit.
Rikthimi i Procesit të Berlinit po ndodh falë angazhimit diplomatik të qeverisë gjermane, me ç’rast të premtën që lamë pas, rezultoi me marrëveshjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor për nënshkrimin e tri praktikave të reja në kuadër të bashkëpunimit rajonal. Këtë e bëri të ditur të premten në Berlin, ministrja gjermane e Punëve të Jashtme, Annalena Baerbock, në kuadër të ministerialit të ministrave të jashtëm të vendeve të Procesit të Berlinit.