Lirim Gashi, Prishtinë
Se sa budallenj jemi ne njerëzit, dëshmon vetë fakti që e duam dhe e vlerësojmë më shumë dikë që stërvit muskujt në palestër, tund dhe përdredh belin, rrotullon dhe dridh të pasmet, godet një top me këmbë, vrapon pas tij si i çmendur dhe e shtrinë për toke një njeri të pafajshëm me një grusht të vetëm, se sa që e duam dhe e vlerësojmë mësuesin engjëllor që na mëson alfabetin, autorin e librit më të mirë që na ngushëllon shpirtin, shpikësin e teknologjisë më të mirë mjekësore që na shpëton jetën, zbuluesin e teknologjisë më të mirë të prodhimit që na lehtëson punën në fabrika dhe fusha, mjekun më të mirë që zbulon kura mrekullibërëse dhe trajtime të avancuara, ose ekologun më të shquar që zbulon pajisje filtrimi që mbrojnë mjedisin dhe organet tona të frymëmarrjes nga ndotja dhe helmimi.
Themi se e vlerësojmë këtë apo atë këngëtare sepse ka zë të mirë.
Dhe çfarë pastaj ?
A duhet t’ia hamë asaj mutin vetëm pse ka një zë të mirë?
Çdo bilbil i malit ka një zë dhjetë herë më të mirë dhe më të natyrshëm se ajo, por ne nuk i japim atij miliona dhe nuk e puthim në bythë.
Aq sa mendja e njeriut modern është shkatërruar nga ndikimi i antivlerave, po aq është shkatërruar edhe marrëdhënia natyrore midis vetë qenieve njerëzore dhe bimëve, kafshëve, natyrës e mjedisit.
Dhe si rezultat, është shkatërruar jo vetëm ekuilibri i të gjitha qenieve të gjalla, por edhe i natyrës që i rrethon.
Jetojmë në një kohë kur dashuria e madhe, e vërtetë dhe e natyrshme i përket së shkuarës, sepse ia ka lëshuar vendin dashurisë artificiale, të rreme, hipokrite dhe të llogaritur, që në thelb është një tallje me personin të cilit i themi “Të dua”.
Të dashur bashkatdhetarë të mi :
Ne nuk mund ta ndryshojmë të gjithë botën, sepse jemi shumë të vegjël dhe të paefektshëm si individë dhe si komb.
Por ne mund ta ndryshojmë qasjen tonë ndaj jetës, natyrës dhe universit, sepse së shpejti nuk do ta njohim jo vetëm veten tonë dhe njëri-tjetrin, por as kuptimin e ardhjes sonë në këtë botë.
Dikur mezi i ngopnim organet e tretjes, por dinim të ngopnim edhe veten edhe njëri-tjetrin me respekt dhe dashuri të sinqertë e të pafundme.
Dhe ky ishte sekreti i lumturisë sonë.
Sot, organet tona të tretjes janë plot me gjithçka, por shpirtrat dhe zemrat tona janë të uritura për dashuri dhe respekt të sinqertë.
Dhe ne u bëmë të tillë vetëm për shkak të lakmisë së pangopur materiale që vrau njeriun brenda nesh dhe zgjoi bishën.
Pra, a është kaq e vështirë t’i kthehemi trashëgimisë sonë të pasur historike dhe kulturore që na dallonte nga të gjithë kombet përreth në kuptimin më fisnik dhe më njerëzor të fjalës?
Le ta bëjmë këtë sa nuk është vonë, sepse së shpejti do të gërditemi edhe nga vetetvetja edhe nga njëri-tjetri.