ARKIVI:
15 Nëntor 2024

Perendoria e së Keqës nuk është shembur ende

Shkrime relevante

Presidentja Vjosa Osmani priti në takim gjeneralin Wesley K. Clark

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim...

Gjenerali Vesli Clark me të birin takojnë Albin Kurtin, ZKM jep detaje

Pamje nga takimi Gjenerali Clark me të birin takojnë Kurtin, ZKM: Ushtaraku...

Jerusalemi – nga 20 janari 2025 kryeqendër e hemisferës perëndimore?

Sadri Ramabaja. Prishtinë Duke ndjekur rikthimin e Donald Trumpj, në shtëpinë e...

Shpërndaj

Nga: Eshref Ymeri 

Rusizmi është më i tmerrshëm se fashizmi, se nazizmi 

                                                                                                  Xhokar Dudajev 

(Ukraina ia ktheu Rusisë  të brendshmet nga jashtë) 

Gjergj Fishta, personalitet i shquar i kulturës dhe i nacionalizmit shqiptar, në veprën me titull “Kanibalizmi sllav”, të botuar në vitin 1913, ku analizon krimet barbare, deri në egërsi shtazërore, të serbosllavizmit kundër shqiptarëve, ka pasë deklaruar:  

“ … edhe vetë historia ka t’keq e turp me i përmendë e me i rreshtue ndër fletët e veta”. 

Fjalë të arta këto të një figurë të ndritur të historisë sonë kombëtare, të cilat sot u shkojnë fort bukur për shtat pikërisht barbarizmave të shtetit më banditesk dhe më terrorist  në botë, siç është shteti rus, barbarizma këto të shek. XXI, të shpërthyera me aq histeri të tërbuar kundër popullsisë civile në Ukrainë. 

Shprehja “perandoria e së keqes”, si term historik në publicistikë, në vitet ’80 të shekullit të kaluar, pati hyrë në përdorim për të karakterizuar Bashkimin Sovjetik. Kjo është një shprehje letrare (në anglishte Evil empire)  që u  shndërrua në një klishe politike në saje të Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës Regan (Ronald Wilson Reagan1911-2004) dhe të qarqeve politike konservatore amerikane. Në fjalimin e vet që mbajti më 08 mars 1983, para Shoqatës Kombëtare të Evangjelistëve të SHBA, Regani e quajti Bashkimin Sovjetik “Perandoria e së Keqes” dhe shpalli si detyrë kryesore të vetën luftën kundër saj.  

Lufta e Reganit dhe e mbarë politikës amerikane u kurorëzua me shembjen e perandorisë të së keqes, por vetëm të asaj me lëkurë komuniste. Sepse fill pas zhveshjes së lëkurës komuniste, ajo perandori veshi lëkurën neokomuniste, duke u shndërruar në një perandori edhe më të keqe.  

Me sulmin fashist që Rusia ndëmori kundër Ukrainës më 24 shkurt, kjo perandori neokomuniste e së keqes dëshmoi fare qartë para gjithë opinionit ndërkombëtar se ajo s’është gjë tjetër, veçse një shtet banditesk, një shtet terrorist, i cili udhëhiqet nga një bandë kriminelësh të regjur me në krye Putinin, të etur vetëm për gjak.  

Në një intervistën që Juri Shvec, ish-shok klase me Putinin në Institutin e zbulimit “Andropov”, i ka pasë dhënë gazetares Natalia Dvali, ka theksuar se aftësitë e Putinit në atë institut, pasi i bënë testin e intelektit, ishin poshtë mesatares. Në atë intervistë, ai ka deklaruar: 

“Studentin Putin, gjatë një viti, e patën studiuar në atë mënyrë, siç nuk e studion asnjë laborator në botë. Për t’u shprehur në një mënyrë figurative, mund të thuhet se atë e patën përshkuar me të gjithë rentgenët e mundshëm, duke ia kthyer të brendshmet nga jashtë… Fakti që Putinin e dërguan jo në zbulim,.. dëshmon se, mes kolegëve, aftësitë e tij ishin poshtë mesatares” (Citohet sipas: Natalia Dvali. “Intervistë me shokun e klasës së Putinit në Institutin e Zbulimit “Andropov”, Juri Shvec”. Faqja e internetit “Gordon”. 28 prill 2015).  

Për vite e vite të tëra, tufa e kriminelëve të Kremlinit, me Putinin në krye, popullin rus e pati dehur dhe vazhdon ta dehë keq me drogën e “madhështisë” së Rusisë”. Dhe ai popull i verbër, në vazhdën e verbërisë së pararendësve të vet të periudhës së sundimit carist shumëshekullor, duke e përkulur kurrizin edhe më afër tokës nga pesha e servilizmit para kastës sunduese, e ka shumë qejf atë drogë, se e vlerëson si ilaçin më të mirë për shpirtin e tij prej skllavi, i cili zotërinë që e sundon, pavarësisht se e poshtëron, e do më shumë se veten e vet. Prandaj ai popull ka krijuar bindjen e patundur se Rusia është “kështjella e madhështisë” në botë. Që pesha e servilizmit të japë edhe më shumë rezultate mbi shpatullat e popullit rus, peshë kjo, të cilën ai e vlerëson si burim kënaqësie, Kremlini investon shuma kolosale parash për kopenë e politikanëve rreth Putinit, për deputetët e parlamentit, për tufën e oligarkëve dhe për mjetet e informimit masiv. 

Skuadra e gazetarëve fashistë, krahu terrorist i Putinit 

Duke investuar shuma kolosale parash për mjetet e informimit masiv në shërbim të politikës së vet kriminale, Putini dhe banda e tij kanë mbledhur rreth vetes një skuadër gazetarësh, të cilët janë servilë të papërfytyrueshëm, madje edhe më të zellshëm sesa kasta e Kremlinit për propagandimin e “madhështisë” së Rusisë, të dhunës dhe të terrorit kundër popullit ukrainas. 

Kjo skuadër përbëhet nga Olga Skabejeva (1984), Tina Kadellaki (1975), Margarita Simonjan (1980), Vladimir Sollovjov (1963), Evgjeni Popov (1978), Artjom Shejnin (1966), Dmitri Kiselov (1954), Nikita Mihallkov (1945). 

Këta, sigurisht,  janë kryeservilët e Putinit. Por duhet pasur parasysh se ata, së bashku me një numër mjaft të konsiderueshëm deputetësh të parlamentit, përbëjnë vetëm kreshtën e malit të servilëve të tij. Sepse zejen e servilizmit e ushtron shumica dërrmuese e popullit rus, i cili një zeje të tillë e shfaqi hapur me përkrahjen e agresionit barbar kundër Ukrainës. 

Dmitr Kiselovi, i njohur botërisht si këpucëlëpirës me nam i Putinit, ja çfarë ka deklaruar për ushtrinë ruse, “më të mirën” në botë: 

 “Ushria ruse sot është ushtria më moderne në botë, me armatimin më të mirë, me përvojën më të mirë luftarake dhe me një komandë me autoritet ”. 

Këtë deklaratë, kanalet televizive të Ukrainës e transmetojnë herë pas here thjesht për të zbavitur teleshikuesit. 

Një sahanlëpirës i bandës së Kremlinit, i ftuar në studion e  Vladimir Sollovjovit, nuk përmbahej dot pas deklaratës së Kiselovit:  

“Ushtari rus është më i miri në botë, ushtar më të mirë se ai nuk gjen kund. Atij jepi një armë të mirë dhe ai  shpartallon këdo”.  

Vladimir Sollovjovi i mbajti ison, duke pohuar me kokë:  

“Po, po, është më i miri në botë”. 

Një tjetër monstër e sërës së të ftuarve, po në studion e Vladimir Sollovjovit, bëri publike një mënyrë, të cilën shteti banditesk rus duhet ta përdorë për “mposhtjen” e Ukrainës. Ai tha: 

“Mund të shkatërrohet infrastruktura e Ukrainës, me pikësynimin për ta lënë pa ngrohje, pa energji, pa dritë, pa rrugë, në mënyrë që të mos ketë mundësi për transportimin e karburantit, armëve dhe municioneve në frontin e luftimeve. Atëherë kurrfarë armësh, si haimars apo gaubica, nuk do të përdoren më pa lëndë djegëse dhe pa predha” (Citohet sipas emisionit “Antizombi” të kanalit televiziv “FreeDom”. 01 tetor 2022). 

Në thirrjen drejtuar popullit rus më 21 shtator, me rastin e nënshkrimit të dekretetit për një mobilizim të pjesshëm, Putini deklaroi: 

“Bëhet fjalë për ndërmarrjen e hapave të domosdoshme dhe urgjente për mbrojtjen e sovranitetit, sigurisë dhe tërësisë territoriale të Rusisë” (Citohet sipas: “Thirrja e Putinit. Mobilizimi. Onlain”. Faqja e internetit “Mediazona”. 21 shtator 2022). 

Pra, Putini, megjithëse Rusinë s’e ka sulmuar ndonjë shtet tjetër, sulmin banditesk kundër Ukrainës e paska ndërmarrë “për mbrojtjen e tërësisë territoriale” të Rusisë. Domosdo, sepse territorin e Ukrainës ai e quaka pjesë të territorit rus. Kjo do të thotë se ai synon ta zhdukë Ukrainën nga harta e Evropës.  

Me sa duket, Putini kërkon të rikrijojë Bashkimin  Sovjetik. Në njërën prej faqeve të internetit thuhet: 

“Në muajin shkurt, pasi filloi sulmin ushtarak kundër Ukrainës, Putini, për herë të parë, u shpreh se qëllimi i Rusisë qenka “kthimi” i territoreve, duke i krahasuar ngjarjet e këtij viti me kohën e Pjetrit të Parë” (Citohet sipas: “Putini e krahasoi veten me Pjetrin e Parë dhe e quajti detyrë të vetën kthimin e territoreve”. Faqja e internetit BBC News Shërbimi rus”. 09 qershor 2022). 

Por pikësynimin e shtetit terrorist rus për pushtimin e Ukrainës, më herët se Putini, e ka bërë publik gazetarja fashiste Olga Skabejeva, e cila, pas sulmit të 24 shkurtit, me një siguri absolute, “pati parashikuar” se rezistenca e ushtrisë ukrainase për mbrojtjen e Kievit, nuk do të vazhdonte më shumë se dy ditë para “grushtit” të ushtrisë ruse. Madje ajo pati deklaruar me zë të lartë:  

“Kjo luftë do të përfundojë me fitore, Ukraina do të zhduket, kurse çdo gjë ukrainase, si dukuri, do të shfaroset. Sepse nuk ekzistojnë kurrfarë ukrainas, ekzistojnë vetëm rusë të mashtruar sikur janë ukrainas, të cilët i pret fati i të gjorit Iorik” (Yorick – heroi shekspirian në tragjedinë “Hamleti” – E.Y.)._(Faqja e internetit “Unian”. 26 gusht 2022).  

Por, përkundër parashikimeve të këtyre gazetarëve me bindje fashiste, Kievi mbeti i pamposhtur. Për më tepër, bishat e ndërkryera të ushtrisë agresore ruse  përfunduan në rrethimin e forcave të armatosura të Ukrainës, të cilave u dhanë dërrmën, duke i përzënë drejt kufirit bjellorus. Kjo goditje që pësuan, bëri që kori i  gazetarëve fashistë rusë ta humbte toruan, besimin në vetvete dhe krekosjen prej fodullësh të shpifur. Ishte pikërisht po ajo Olga Skabejeva, e cila, një muaj pas 24 shkurtit, e uli zërin disa oktavë më poshtë, duke mërmëritur me dëshpërim se forcat e armatosura të Ukrainës qenkan ushtria e dytë në Evropë, pas ushtrisë ruse, dhe se brenda një muaji është e pamundur ta mposhtësh. Kurse sivëllai i saj i gazetarisë fashiste, Vladimir Sollovjovi, filloi ta ngushëllojë veten, duke thënë se “ushtrisë së pamposhtur” ruse i shkakton humbje jo ushtria ukrainase, por NATO-ja 

Mashtrimi, drogë efektive  për delepopullin rus 

Janë befasuese të dhënat që jep Kremlini në mjetet e informimit masiv për numrin e ushtarëve rusë, të vrarë në Ukrainë. 

 Në informacionin në vijim thuhet:  

“Ministri i mbrojtjes Sergej Shojgu, në youtub-kanalin e 20 shtatorit, me një pamje prej njeriu fatkeq, duke i shqiptuar fjalët me zë dridhur, një gazetari fytyrëngrysur i deklaroi: “Deri ditën e sotme ne kemi 5937 të vrarë në Ukrainë”. 

Në një tjetër informacion bëhen të ditura të dhënat e mëposhtme: 

“Theksojmë se deri më 21 shtator, forcat e armatosura të Ukrainës kanë vrarë 55 110 ushtarë rusë” (Citohet sipas: “Shojgu e zvogëloi 10 herë numrin e ushtarëve rusë, të vrarë në luftë me Ukrainën”. Faqja e internetit “dsnews.ua”. 21 shtator 2022). 

Por vetë ministria që drejton Sergej Shojgu, ia nxjerr bojën paq ministrit të vet, duke e zhveshur lakuriq për mashtrimin e tij. Sigurisht që ministria nuk e ka bërë publike absolutisht të vërtetën për vrasjen e ushtarëve rusë. Ja si është zbuluar e vërteta, për të cilën ministri Shojgu nuk ka ditur gjë. 

Mihail Hodorkovski (1963), sipërmarrës, figurë e njohur politike, publicist rus, para ca kohësh botoi një dokument të ministrisë së financave të Federatës Ruse, në të cilin bëhet e njohur shuma e parave që u është paguar familjeve të ushtarakëve të vrarë gjatë luftës në Ukrainë. Duke iu referuar Ministrisë së mbrojtjes, në atë dokument bëhet e njohur shifra e ushtarakëve të vrarë, e cila arrin afërsisht deri në 50 mijë. 

Në informacionin e botuar në internet thuhet: 

“Mihail Hodorkovski publikoi një dokument të ministrisë së financave të Rusisë, e cila, në bazë të kërkesës së ministrisë së mbrojtjes, më 28 gusht, i është drejtuar me një letër zëvendëskryetarit të qeverisë, Dmitri Grigorjenko. Në atë letër, e cila, sipas fjalëve të Hodorkovskit, pati rrjedhur në rrjetet sociale, pasqyrohet numri i i ushtarëve rusë, të vrarë në luftë kundër Ukrainës. Aty theksohet se deri më 24 gusht, në Ukrainë janë vrarë 48 759 ushtarë. Nga buxheti i Federatës Ruse, familjeve të të vrarëve u janë paguar 361,4 miliardë rubla (pothuajse 58 miliardë dollarë amerikanë). Në këtë mënyrë, Ministria e mbrojtjes, siç rezulton nga kërkesa drejtuar ministrisë së financave, jetën e një ushtaraku e vlerëson me 7,4 milionë rubla (baras me 120 mijë dollarë). Përveç kësaj, ministria e mbrojtjes, siç i shkruante ministrisë së financave, i kërkon kësaj të fundit, që, deri në fund të këtij viti dhe për vitin e ardhshëm, të parashikojë edhe pothuajse një trillion rubla (16 miliardë dollarë), si kompensim për familjet e të vrarëve. Në këtë mënyrë, në ministrinë e mbrojtjes parashikohet humbja e pothuajse 200 mijë ushtarëve deri në fundin e vitit tjetër. Kievi zyrtar boton çdo muaj të dhënat e veta për numrin e ushtarëve të vrarë rusë. Shifrat që jep Shtabi i përgjithshëm i forcave të armatosura të Ukrainës janë pothuajse të njëllojta me ato që pasqyrohen në dokumentin që ka publikuar Mihail Hodorkovski. Në ministrinë e financave kanë llogaritur për çdo muaj numrin e ushtarakëve rusë, të vrarë në Ukrainë, i cili arrin në shifrën prej 8132”. (Citohet sipas:  “Mihail Hodorkovski botoi një dokument që dëshmon  për numrin e ushtarëve rusë, të vrarë në Ukrainë”. Faqja e internetit “belsat.eu”. 09 shtator 2022). 

Askund dhe asnjëherë as nuk është parë dhe as nuk është dëgjuar kurrë që të hartohen plane, në të cilat të bëhen parashikime për numrin e të vrarëve të një ushtrie agresive në një luftë që ka shpërthyer diku. Plane të tilla hartohen vetëm në një shtet terrorist, si Rusia, e cila, ushtarët e vet dhe përgjithësisht njerëzit e thjeshtë i konsideron si mall pa vlerë, prandaj edhe i nis drejt thertoreve të luftës pa as kokëçarjen më të vogël. 

Pabesia, yll karvani i egërsisë shtazarake ruse 

Sulmi i 24 shkurtit kundër Ukrainës, nxori më së miri në pah poshtërsinë e politikës agresive ruse, e cila nuk ka lëvizur as edhe një grimë nga binarët e pabesisë, të trashëguar nga carizmi dhe sovjetizmi. Rusia cariste ishte ajo që pati mbajtur një qëndrim të pabesë kundër Napoleonit, duke shkelur Paqen e Tilzitit, të nënshkruar më 13-25 qershor të vitit 1807 dhe që e pagoi me mijëra e mijëra ushtarë të vrarë. Rusia komuniste ishte ajo që shkeli Paktin Molotov-Ribentrop, të nënshkruar në Moskë më 23 gusht 1939 dhe që e pagoi me 20 milionë të vrarë. Rusia neokomuniste është ajo që shkeli Memorandumin e Budapestit – një dokument ndërshtetëror për garantimin e sigurisë lidhur me pranimin nga ana e Ukrainës të Marrëveshjes për mospërhapjen e armëve bërthamore. Këtë marrëveshje, më 05 dhjetor 1994, e nëshkruan udhëheqësit e Shteteve të Bashkuara, Britanisë së Madhe, Rusisë dhe Ukrainës. Në bazë të kësaj marrëveshjeje, Ukraina ia kaloi Rusisë armët bërthamore, me kusht që të respektohej sovraniteti dhe tërësia e saj territoriale dhe t’i sigurohej ndihmë në rast sulmi nga ndonjë vend tjetër. Kjo është arsyeja që Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe, si shtete me mjaft autoritet në botë, duke repektuar me rigorozitet përmbajtjen Memorandumit të Budapestit, kanë dalë në mbrojtje të Ukrainës, duke e furnizuar me të gjitha llojet e armatimeve. 

Pebesia e Rusisë neokomniste, e kësaj prostitute politike në shkallë botërore, e këtij shteti pa kurrfarë morali, më sjell ndërmend fjalët e Bismarkut (Otto Eduard Leopold von Bismarck-Schönhausen1815-1898), i cili ka thënë: 

“Një marrëveshje e nënshkruar me Rusisë, nuk vlen as sa letra, në të cilën është shkruar”. 

Fjalët e Bismarkut tingëllojnë shumë më tepër aktuale për demaskimin e politikës agresive të Rusisë fashiste, të kësaj kështjelle të pabesisë, ushtria e telendisur e së cilës po ha dajak jo vetëm nga forcat e armatosura të Ukrainës, por edhe nga luftëtarët e mbrojtjes territoriale, nga gjahtarët dhe nga traktoristët e fshatrave ukrainase. 

Egoizmi, urrejtja dhe shpërfillja për tjetrin – tipare karakteristike të rusëve 

Igor Jakovenko (1951), gazetar, pedagog, sociolog dhe aktivist shoqëror rus, para do kohësh deklaroi: 

“…Gjatë regjimit të Putinit, njerëzit kanë hequr dorë nga keqardhja për ndokënd. Në televizion ata shikojnë dikë që e vrasin dhe nuk ndiejnë kurrfarë keqardhjeje. Kjo është diçka e përbindshme. Shumica e rusëve ushqejnë simpati vetëm për vetveten dhe për familjen e tyre. Pjesa dërrmuese e njerëzve e kanë përkrahur sulmin kundër Ukrainës, nuk kanë shprehur ndonjë kundërshtim për vrasjet që ushtria ruse kryen në Ukrainë në radhët e popullsisë civile”. (Citohet sipas:  “Tatëpjeta e putinizmit. Mobilizimi në Federatën Ruse. Intervistë me Jakovenkon”. Youtube-kanal “FreeDom”. 24 shtator 2022). 

Lind pyetja: 

Çfarë po bëjnë rusët konkretisht pas dekretit të Putinit për një mobilizim të pjesshëm, të firmosur më 21 shtator? 

Në vend që ta përmbysin pushtetin që ka luajtur nga tepeleku, disa qindra mijëra rusë, si puna e minjve, janë arratisur dhe vazhdojnë të arratisen nga Rusia, duke u turrur drejt Kazakistanit, Turqisë, Armenisë, Azerbajxhanit. Disa, gjoja për turizëm, u nisën drejt Finlandës. Qëndrojnë disa ditë nëpër stepa, duke u mbuluar natën me fletë plastmase, në mënyrë që të largohen sa më shpejt nga Putini, të cilin vetë ata e përkrahën fuqimisht për agresionin që ndërmori kundër Ukrainës. Në të njëjtën kohë, të tjerë rusë mjeranë, kurrizshtruar para diktaturës neokomuniste të Kremlinit, Putini i nis drejt Ukrainës si mish për top, kurse ata mundohen të mos e vënë re se sa shumë janë shtuar varrezat e ushtarëve të vrarë. Braktisin shtëpitë, makinat, gjërat e çmueshme, vetëm e vetëm që të çajnë matanë kufirit. Dhe kurrsesi nuk janë në gjendje ta kuptojnë se arratisja është vetëm pasojë e dobësisë, e frikës dhe e pangopësisë së tyre. Por kur e shohin veten në një vend të huaj, bëhen rusë tipikë dhe habiten se cila është arsyeja që askund ata nuk duan t’i shikojnë me sy. Pra, ato skena njerëzish që sulen drejt kufirit për në vendet e huaja, dëshmojnë fare qartë se si “populli i madh” rus është katandisur në një vargan endacakësh, të cilët askund nuk i do dhe nuk i pret njeri. Në Tbilisi, një rus nga turmat e endacakëve, vari një flamur rus në një lulishte. Por disa banorë vendas u turrën drejt atij flamuri, e hoqën me të shpejt, e grisën dhe e flakën në tokë, duke e shkelur me këmbë, kurse njëri prej tyre iu drejtua rusit me një ton të ashpër: 

“Ky flamur është një rreckë e pistë që e meriton të shkelet me këmbë” (Citohet sipas: “Nga Rusia vazhdojnë të arratisen të gjithë: që nga yjet e blogerat e deri te ish-ministri i mbrojtjes”. Youtube-kanal “FreeDom”. 03 tetor 2022). 

Mund të jetë një imazh i ambiente të jashtme

Belgorog, Rusi. Oficeri e shumë ushtarë të vrarë pas një provokimi të oficerit rus për “Allahun e dobët” …

Gjenocidi i ushtruar ndaj pakicave kombëtare 

Ajo që ka rënë shumë në sy pas sulmit të 24 shkurtit, janë skenat e mobilizimit të njerëzve nga radhët e pakicave kombëtare, për t’i dërguar në “thertoret” e Ukrainës. Fakti që numrin më të madh të ushtarëve të vrarë në luftë e përbëjnë pikërisht të rinjtë dhe burrat e atyre pakicave, dëshmon  më së miri për gjenocidin që banda putiniane e Kremlinit ushtron ndaj tyre. 

Ish-Presidenti  Mongolisë në vitet 2009-2017, Cahiagijn Elbegdorzh (1963), në një intervistë për kanalin televiziv “FreeDom”, të transmetuar më 30 shtator, deklaroi: 

“Diçka më ka dëshpëruar së tepërmi që nga fillimi i luftës. E kam fjalën për shumicën e njerëzve që e pësuan nga lufta që ndërmori Putini. Atë shumicë e përbënin të rinj, të mobilizuar nga pakicat kombëtare. Dje lexova të dhënat statistikore: kur një ushtar, i mobiluar në rrethinat e Moskës, vritet në Ukrainë, ushtarët e mobilizuar në Burjati, kapin shifrën prej 625 të vrarësh. Ky është gjenocid kundër Burjatisë…”. 

Me sa duket, edhe pakicat kombëtare, gjatë sundimit shumëshekullor të carizmit, të komunizmit dhe të neokomunizmit, kanë rënë pre e “shartimit” me rusë. Për pasojë, edhe populli i atyre pakicave e ka bërë të vetën ndjenjën e nënshtrimit, deri në vetëposhtërim, para padronëve caristë, komunistë dhe neokomunistë. Për pasojë, ka imituar dhe vazhdon të imitojë sjelljen prej skllavi, prej bujkrobi të rusëve etnikë, të popullit të etnisë ruse, për të cilin shkrimtari Ivan Shmelov (1873-1950), në librin “Dielli i të vdekurve”, të botuar në Paris në vitin 1923, shkruan:  

“Rusët janë një popull që e urren lirinë dhe hyjnizon skllavërinë, i ka qejf prangat në duart dhe në këmbët e veta, i do despotët e vet gjakatarë…”. 

Është vërtet për të lënë mendjen se si shpjegohet që, megjithëse në Ukrainë janë vrarë mbi 50 mijë ushtarë, rusët etnikë dhe popujt e kombësive të tjera nuk u çuan peshë më këmbë dhe të turreshin drejt Kremlinit për të përmbysur kastën kriminale të Putinit. Janë disa arsye se pse nuk ndodhi një gjë e tillë: 

Së pari, në Rusi, siç dihet, diktatori vlerësohet si “zëdhënësi” i Hyjnisë në Tokë dhe vullneti i tij është i padiskutueshëm. Rrjedhimisht, kryekriminelin Putin, i cili ishte askushi para se të bëhej president më 26 mars të vitit 2000, ai popull e vlerëson si një “hyjni” tokësore. Prandaj nuk i bën kurrfarë përshtypjeje numri aq i madh i ushtarëve të  vrarë, sepse ky është vullneti i “hyjnisë” Putin. 

Dmitri Oreshkin (1953), shkencëtar rus në fushën e gjeografisë, ka deklaruar dhjetë vjet më parë: 

“Neve, me Putinin, po na ndodh si në Korenë e Veriut: kontrolli i vendit është në zap, populli vdes nga uria, por ama nuk e përfytyron dot veten pa udhëheqësin Kim, se vetëm ai është edhe Dielli ose vetëm ai është edhe Marsi…” (Citohet sipas:“Vladimir Putini – perëndia e diellit!”. Faqja e internetit “putinbog.wordpress.com”. 09 tetor 2012). 

Natyrën e vet prej skllavi, populli rus e ka dëshmuar me fakte gjatë gjithë historisë së vet. Mjafton të kujtojmë ditën e ceremonisë mortore, të organizuar me rastin e vdekjes së Stalinit, kur në Sheshin e Kuq njerëzit shtypën njëri-tjetrin, me pasojë vdekjen e një mijë vetave. 

Në vazhdën e himnizimit të diktatorëve, pak kohë më parë, nëpër rrjetet sociale u shpërnda menjëherë një lajm befasues lidhur me himnin e Rusisë, i cili do të ndryshojë. Në himnin e ri do të jenë vargjet në vijim, kushtuar Putinit: 

“Putini gjithmonë i ri, / Putini gjithmonë me ty, / Në halle, në shpresa dhe gëzim, / Putini në tënden pranverë, / Në ditën e lumtur përherë, / Putini me ty e me mua me përmallim” (Citohet sipas: “Telekanali FreeDom”. 24 tetor 2022). 

Në këtë histori karagjozësh të Kremlinit ka diçka sa befasuese, aq edhe zbavitëse për mjerimin e kastës politike ruse: në himnin e Rusisë nuk ka pasur absolutisht vargje poetike as për Leninin, as për Stalinin. Por vargje të tilla në himnin e ri i kushtohen pikërisht Putinit. 

Së dyti, krahas natyrës prej skllavi para diktatorit, popullit rus diktaturat, tradicionalisht, i kanë futur në gjak ndjenjën e delirit të madhështisë për Rusinë. Dhe në psikologjinë e atij populli është ngulitur ideja se madhësia e territorit rus është  e lidhur pazgjidhshmërisht me idenë e “madhështisë” së Rusisë para gjithë botës, si një shtet me “fuqinë më të madhe” ushtarake. Por ideja e “madhështisë”, në radhët e popullit, siç thekson filozofi Vladimir Sollovjov (1853-1900) “çon në vetëkënaqësi, kurse vetëkënaqësia çon  në vetadhurim. Atëherë fundi i natyrshëm i atij populli mbyllet me vetasgjësim”. 

Së treti, ideja e “madhështisë”, me yshtjen e diktatorëve, popullin rus e ka shtyrë drejt mendjemadhësisë, drejt egoizmit kombëtar, drejt shpërfilljes për kombet e tjera, drejt shovinizmit të tërbuar. Në këto kushte, siç thekson përsëri filozofi i sipërcituar Vladimir Sollovjov, “atij i duket sikur popujt fqinj e fyejnë, nuk përulen sa duhet para “madhështisë” së tij, hartojnë plane ogurzeza kundër tij me lloj-lloj mënyrash dhe, si rezultat, të gjithë fqinjët i konsideron armiq”. 

Po ku e ka çuar popullin rus ideja e “madhështisë” së Rusisë? Një ide e tillë marroke, e mëkuar me shumë kujdes nga carizmi, komunizmi dhe neokomunizmi, ka ndikuar për shëmtimin e formimit të tij psikologjik, çka ka sjellë si pasojë që atij t’i rrënjoset fryma e shovinizmit rusomadh, që ai të bëjë kurban të drejtat dhe liritë e veta, demokracinë dhe në vend të tyre të parapëlqejë kultin e individit, krekosjen e Rusisë para gjithë botës, nënshtrimin, vuajtjet në kushtet e varfërisë, të cilat, sipas tij, s’janë asgjë para “madhështisë” së Rusisë. Një rol të madh për kultivimin e frymës shoviniste dhe të idesë së “madhështisë” së Rusisë, kanë luajtur edhe disa shkrimtarë rusë. Po ndalem vetëm te Dostojevski (1821-1881), i cili, në veprën “Ditari i shkrimtarit” (1877), pati lëshuar thirrjen: 

“Po e përsëris edhe një herë që Konstantinopoja, herët ose vonë, duhet të jetë jona”. 

Ja çfarë shkruan Dostojevski në romanin “Djajtë” (1872): 

“Në qoftë se një popull i madh nuk beson se vetëm tek ai gjendet e vërteta (pikërisht vetëm tek ai dhe pikërisht në mënyrë përjashtimore), në qoftë se nuk beson se vetëm ai është i aftë dhe ka për mision t’i ringjallë dhe t’i shpëtojë të gjithë, atëherë ai pushon menjëherë së ekzistuari si popull i madh dhe aty për aty shndërrohet në një material etnografik, por jo në një popull të madh. Një popull vërtet i madh nuk mund të pajtohet kurrën e kurrës me një rol dytësor në radhët e njerëzimit…”. 

Pas yshtjes me një psikologji të tillë “madhështie” dhe me një psikologji shovinizmi rusomadh, ja ku e kemi sot popullin “e madh” rus, i cili përbën një faqe turpi në historinë e njerëzimit. 

Po si mund të konsiderohet “i madh” populli rus, kur ai përbëhet gjithë-gjithë nga rreth 140 milionë banorë, me perspektivë  që, në vitin 2050, të zbresë në 80 milionë? Po si është e mundur të mos quhet i  madh populli kinez me 1 miliard e 415 milionë banorë, populli indian me 1 miliard e 400 milionë, populli brazilian me 209 milionë? Kush na e bëka “të madh” popullin rus që krekoset me “madhështinë” e Rusisë? Vetëm sipërfaqja e territorit? Qesharake, kur dihet që në zonat e brendshme të Rusisë njerëzit jetojnë në një varfëri të papërfytyrueshme. Mos vallë armët bërthamore? Atyre le t’u pijë lëngun, se armë të tilla zotërojnë 11 shtete. 

Për “madhështinë” e Rusisë, le të gjykojmë nga disa fakte që do të renditen më poshtë.  

Para disa ditësh ndoqa një intervistë që gazetari i njohur Aleksandër Nazarov i mori ish-deputetit të parlamentit rus Ilia Ponomarjov. Në youtube, në rubrikën e komenteve, më lanë mbresa përshtypjet e tre qytetarëve rusë, të cilët ja se si ia nxirrnin bojën “mdhështisë” së Rusisë: 

Komenti i parë:  

“Kur njerëzit, duke kursyer për bukën e gojës, pa pasur as ujë të nxehtë dhe as gaz, pa pasur mundësi për t’i kaluar pushimet ndokund, ndiejnë “madhështinë” e vendit të vet, këtij nuk i thonë patriotizëm, kjo është skizofreni”. 

Komenti i dytë: 

“Një vend që kryen akte mizorie dhe që ka një popull të verbër, i cili nuk dëshiron të zgjohet për të parë gjendjen e vet prej skllavi dhe mizoritë e veta – kjo është një gjë e përbindshme”. 

Shprehja “popull i verbër” e këtij komentuesi, më kujtoi tablonë e famshme “Shëmbëlltyra e të verbërve” të piktorit holandez Piter Brejgel (Pieter Bruegel 1525-1569). Subjekti i tablosë është mishëruar në skena alegorike.Në të pasqyrohet periudha e përplasjeve ushtarake të spanjollëve me holandezët. Asokohe në Holandë, ashtu si edhe sot në Ukrainë, shkatërrimet, terrori dhe vdekjet e njerëzve në radhët e popullsisë civile, ishin të përmasave të frikshme. 

Komenti i tretë: 

Kjo luftë do të hyjë në histori si lufta e atyre që luftuan për lirinë e vet (ukrainasit) kundër atyre që luftuan për skllavërinë e vet (rusët) (Citohet sipas emisionit me titull “Rusia e së ardhmes cila është ajo? A. Njevzorov dhe I. Ponomarjov në programin “Të mërkurat e Njevzorovit””. “Telegram kanal Njevzorov”. 27 tetor 2022) 

Populli rus – një delemilet pa botë shpirtërore 

Xhokar Dudajevi (1944-1996), ish-Presidenti i parë i Republikës Çeçene të Içkerisë, në një intervistë të vitit 1995, i ka bërë “rezonancën magnetike” popullit rus. Nga ajo intervistë bëhet e qartë se ç’është populli rus, pre e shartimit me të cilin kanë rënë popujt e kombësive të tjera. Në vijim teksti i intervistës: 

“I vetmi, ndoshta, popull mbi Tokë, i cili nuk beson në asgjë, që është pa botë shpirtërore, pa moral dhe që ka mbetur prapa nivelit të zhvillimit të njerëzimit, një popull i pashpresë për një kohë të gjatë, është populli rus. Nuk ka kurrfarë besimi, asnjë besimi nuk i nënshtrohet, nuk është i prirur për kurrfarë bote shpirtërore, nuk njeh kurrfarë normash sjelljeje, kurrfarë morali. Dhe kjo, për fatkeqësinë e madhe po të vetë popullit rus, vihet re në një masë të konsiderueshme. Për këtë që po ndodh, Çeçenia shërben vetëm si pretekst. Por në thelb, ky është tipari themelor i karakterit të popullit rus, i një populli të sëmurë nga rusizmi, i një populli që udhëhiqet nga  ideologjia e urrejtjes. Por për një gjë të tillë ai duhet ta pësojë. Popullin rus e presin prova shumë të rënda dhe parshikimet janë ogurzeza. Mungojnë idetë, idetë e komunizmit, e socializmit, e krijimit të mundësive të ndryshme, rezultuan si flluska sapuni. Dhe kjo për arsye se gjithçka qe krijuar mbi bazën e rusizmit. Por përderisa mungojnë idetë, atëherë nuk mund të ketë një shtet juridik rus. Mungon legjitimiteti i vetë shtetit, nuk ekziston kurrfarë dege e pushtetit. Atëherë, kur mungojnë idetë, kur mungon legjitimiteti i shtetit dhe i degëve të pushtetit të tij, do të thotë se nuk ka vend për politikën, as për atë të brendshmen, as për atë të jashtmen. Në këto kushte, kur mungon komponenti i tretë, nuk ka vend as për ideologjinë. Për pasojë, mungojnë motivet, mungon stimuli. Këtu merr fund perspektiva. Kjo është njëra rrugë. Rruga tjetër e zhvillimit, e qytetërimit të njerëzimit, është bota shpirtërore. Rusi nuk është besimtar as i Krishtit, as i Muhametit, as i Budës, ai nuk beson në asgjë. Por që i tërë populli të bëhet me botë shpirtërore, për këtë duhet punuar derisa të kalojnë, minimumi, tre breza. Por edhe kjo rrugë është e mbyllur. Tani po përpiqen politika, ideologët, për të zgjedhur një rrugë të tretë – ky është sllavianizimi, bashkimi mbi bazë sllaviane. Por edhe nga kjo përpjekje, gjithashtu, nuk do të rezultojë asgjë, sepse komponenti kryesor përbërës i sllavianizimit – ukrainasit – nuk do të pajtohen kurrë me rusifikimin dhe me rusizmin… Popujt e ish-Bashkimit Sovjetik, të Rusisë së sotme ose të ndonjë aleance të ardhshme me Rusinë, janë të sëmurë nga rusizmi. Madje duhet theksuar se kjo është një sëmundje kronike shumë e rëndë dhe shumë e rrezikshme. Rusizmi është më i tmerrshëm se fashizmi, se nazizmi, se të gjitha ideologjitë e urrejtjes së njeriut për njeriun (Citohet sipas:”Youtube. Taras Kokovski. 15 prill 2022). 

Nga qëndresa heroike e ushtrisë dhe e mbarë popullit ukrainas përballë agresionit të ushtrisë kriminale ruse, dalin dy përfundime: 

Së pari, Ukraina heroike dëshmoi se Rusisë shoviniste ia nxori përfundimisht të brendshmet nga jashtë para gjithë botës, e shkurorëzoi fund e krye krekosjen e rusëve fodullë, e hodhi në koshin e mbeturinave “madhështinë” e Rusisë dhe mëndjemadhësinë e banditëve të Kremlinit prej mburravecësh të pështirë. 

Së dyti, Ukraina e ndihmoi Aleancën e Atlantikut të Veriut të çlirohet një herë e mirë nga iluzioni për “fuqinë e madhe ushtarake” të Rusisë, iluzion ky, i krijuar nga organizimi i përvitshëm i paradave ushtarake në Sheshin e Kuq, me të cilat Kremlini mundohej të propagandonte para mbarë botës “madhështinë e fuqisë” së vet. 

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu