ARKIVI:
23 Nëntor 2024

Beteja e Nishit e 3 nëntorit 1443 dhe fillimi i epopesë së Gjergj Kastriotit-Skënderbeut

Shkrime relevante

Zgjedhje për vazhdimësi politike, jo për ndryshim!

Florim Zeqa  Në kohën kur është intensifikuar (para) fushata elektorale e partive...

Historia e ortodoksizmit shqiptar, e shpjeguar me urti e fakte historike

https://www.youtube.com/watch?v=w60i7AO1Tfk&fbclid=IwY2xjawGuhGNleHRuA2FlbQIxMQABHXRlD0TIhxlydf7v48mN8HSJIi7BbPDau5JBPjMJ1nP4EoSdRc3EvbXR7A_aem_Orfl15eTgvC5InDLU_u30Q Fan Stilian Noli

Putini është i varur nga lufta

Vladimir Putin në një takim me Ministrinë e Mbrojtjes dhe industrinë...

Harbutëria e “analistëve” ndaj mërgatës sonë nëpër botë

Afrim Caka, Gjakovë SYTË TANË S'JANË SI MË PARË!!! Eh ç'ju raskapit shpirti...

Shpërndaj

Pamje nga Nishi i vjetër …
Paulin Z. Zefi, historian, Lezhë
____
Në verën e vitit 1442, ushtria e komanduar nga Janosh Huniadi, e cila përbëhej nga trupa hungareze, rumune, polake dhe bohemiane, kaloi lumin e Danubit dhe depërtoi në Ballkan. Pas ballafaqimit të parë ushtarak me forcat osmane, në muajin shtator të vitit 1442, ushtria osmane pësoi një disfatë shumë të rëndë. Kjo fitore e bujshme ngjalli shpresat e sundimtarëve ballkanikë dhe arbërit ishin të parët që u riorganizuan, duke ndezur zjarrin e kryengritjeve, pasi kishin marrë bekimin e Papës Eugjeni IV dhe mbështetjen e disa shteteve europiane. Këtë herë Arbëria mori nga Hungaria një nxitje që ia riktheu shpirtin e saj luftarak dhe i tregoi atë objektiv, për të cilin ia vlente të luftohej (1).
Më 1 janar të vitit 1443, Papa Eugjeni IV, duke nisur përgatitjet, publikoi një enciklikë me të cilën shpalli Kryqëzatën, u drejtoi thirrje shteteve të Europës dhe i imponoi klerit katolik taksën e të dhjetave për të financuar këtë fushatë të madhe ushtarake (2). Nëpërmjet rekomandimeve të Atit të Shenjtë, lëvizja mori një shtrirje të gjerë, sepse objektivi i tij konsistonte në organizimin e një kryqëzate të përgjithshme për t’i dëbuar osmanët nga Europa dhe përveç Mbretërisë së Hungarisë dhe të Polonisë, ipeshkvit romano-katolikë në Ballkan inkurajuan edhe princat e krishterë që të angazhoheshin ushtarakisht sapo të lëvizte ushtria hungareze (3).
Me 22 korrik të vitit 1443, mbreti Vladislav III vendosi të fillojë fushatën ushtarake kundër Perandorisë Osmane dhe u nis nga kryeqyteti hungarez, Buda, duke udhëhequr një ushtri prej 35.000 trupash (4). Ky numër konsistonte në 10.000 burra, që përbënin forcat personale të Janosh Huniadit dhe Miklós Újlakit; 15.000 mercenarë të paguar me paratë e Gjergj Brankoviçit; 5.000 kryqtarë të rekrutuar nga kardinali, Julian Cesarini; 3.000 veta nga forcat mbretërore e fisnikëria hungarere dhe pjesa e mbetur ishin luftëtarë nga Vllahia dhe Serbia, të cilët iu bashkuan ushtrisë pas kalimit të lumit Danub dhe marshimit të saj drejt jugut (5).
John Hunyadi - Wikipedia
Janosh Huniadit ju besua komanda e pararojës së ushtrisë dhe nën urdhërat e tij u vunë 12.000 veta, ku përveç trupave të veta dhe të Miklós Újlakit, u përforcua me 2.000 luftëtarë elitarë dhe veteranë çekë të luftërave husite. Kjo fushatë ushtarake, e cila njihet si “Fushata e Gjatë”, e ka marrë emrin jo prej intervalit të gjatë kohor brenda të cilit është zhvilluar, por prej distancës së gjatë që ka përshkuar ushtria e krishterë, duke marshuar në brendësi të Ballkanit. Ajo ka zgjatur vetëm 4 muaj, nga shtatori i vitit 1443 dhe deri në janar të vitit 1444 (6). Lajmi për fillimin e kësaj fushate u përhap me shpejtësi jo vetëm në Arbëri, por edhe në të gjitha vendet e pushtuara dhe ata të kërcënuara drejtpërsëdrejti nga Perandoria Osmane. Në muajin gusht të vitit 1443, Gjergj Arianiti siguroi të drejtën e qytetarisë nga Republika e Raguzës, në muajin shtator ai sulmoi trupat osmane, duke i dëbuar nga një pjesë e madhe e Arbërisë Qendrore dhe në nëntor i kërkoi Republikës së Raguzës që ta ndihmonte, duke i shitur topa e bombarda për të lehtësuar çlirimin e disa kështjellave strategjike. Lufta çlirimtare u përhap edhe në trevat e Arbërisë së Poshtme, ku Gjin Zenebishi, djali i Depës, u kthye nga mërgimi dhe zbarkoi në bregdetin pranë qytetit antik të Butrintit. Pasi organizoi ushtrinë, marshoi nëpër rrethinat e Gjirokastrës në drejtim të qytetit të Kosturit, por forcat e tij u sulmuan në befasi dhe u shpartalluan nga një ushtri osmane dhe vetë Gjini mbeti i vrarë në fushën e betejës (7). Ndërkohë, Janosh Huniadi, në krye të 12.000 kalorësve të vet, me të cilët u shkëput nga kampi i mbretit Vladislavi III kishte marrë nën kontroll qytetin e Nishit dhe po bëhej gati të përballej me kundërsulmet e sulltan Muratit II (?
Skanderbeg and Hunyadi, together again
Pikërisht ky ishte çasti më i përshtatshëm për të zbatuar planin e mirëmenduar deri në detaje nga Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, i cili gjykoi se tashmë kishte ardhur dita e shumëpritur për çlirimin e Arbërisë. Beteja për Nishin nuk ishte një betejë e vetme, por pesë beteja të ndryshme, ku fillimisht nis me sulmin e Janosh Huniadit kundër garnizonit osman të Nishit, që u finalizua me marrjen e këtij qyteti dhe më pas vijojnë edhe tre beteja të ndryshme kundër tre ushtrive të ndryshme osmane, që po përparonin në drejtim të Nishit (9). Më pas, mbeturinat e këtyre tri ushtrive të mundura osmane, u bashkuan me disa reparte përforcuese, duke i mbledhur forcat në një ushtri të vetme. Në betejën e pestë dhe përfundimtare, përballë ushtrisë së krishterë, të komanduar nga Janosh Huniadi, ndodheshin forcat e kombinuara të katër ushtrive të ndryshme osmane nën komandën e bejlerbeut të Rumelisë me kombësi arbëre, Kasem Pashës, guvernatorit të Thesalisë, Turhan Beut, sanxhakbeut të Shkupit, Isak Beut, dhe Gjergj Kastriotit-Skënderbeut. Të dy ushtritë kundërshtare kampuan pranë brigjeve të lumit Morava, i cili i ndante ato nga njëra-tjetra, por më 3 nëntor 1443, Janosh Huniadi, me një ushtri më të pakët në numër, vetëm 10.000 veta, kapërceu lumin dhe sulmoi ushtrinë osmane me të gjithë fuqinë (10).Komandanti osman, Kasem Pasha, i trembur nga sulmi dhe guximi i tepruar i hungarezëve, nisi të prapset, por kur pa që ushtria hungareze ishte më e vogël në numër, dha urdhër për të nisur betejën dhe ushtria osmane u angazhua në kundërsulm. Megjithatë, zhvillimi i betejës mori një kthesë të papritur kur Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, pikërisht në momentin më vendimtar, kreu një manovër të befasishme dhe braktisi frontin e luftës.
Fillimisht tërheqja e tij ishte e pjesshme, sepse ai grumbulloi rreth vetes vetëm kalorësit arbër, që mbante nën komandën e vet, por kjo manovër e zgjuar, që u zbatua në momentin më kritik të betejës, krijoi një pështjellim aq të madh sa tërheqja e tij u bë një ikje e plotë dhe përfshiu të gjithë ushtrinë osmane (11).Prandaj, duket mjaft qartë se plani i betejës përfundimtare të Nishit ishte miratuar në fshehtësi të plotë nga Janosh Huniadi dhe Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, sepse gjatë kësaj kohe rezulton se këta dy komandantë të shquar kishin intensifikuar kontaktet midis tyre. Sipas historianit polak, M. Bielski, ka shumë mundësi që ata të dy të kenë bërë një marrëveshje të fshehtë (12). C.Paganel është i mendimit se shpartallimi i ushtrisë osmane prej hungarezëve ishte rezultat i marrëveshjes së fshehtë midis Kastriotit dhe Huniadit, të cilët, pak përpara zhvillimit të betejës, kishin hartuar një plan të detajuar (13). Edhe A. Papadhopulos-Vretos, mbron tezën se veprimet e komandantit arbër u kryen konform marrëveshjes së fshehtë, që ai kishte bërë me Janosh Huniadin përpara se të zhvillohej kjo betejë (14). Në lidhje me realizimin e planit të largimit të Heroit tonë Kombëtar nga fusha e betejës dhe shpartallimin e plotë të ushtrisë osmane, ku Janosh Huniadi doli fitimtar, M.Barleti, shkruan: “Nuk do të lë këtu mënjanë atë që shumë e thonë se Skënderbeu ua kishte bërë të ditur planet e veta hungarezëve dhe se kishte vënë në dijeni më parë me anë lajmëtarësh Huniadin për çdo gjë dhe e kishte grishur me dëshirë të madhe bashkë me fuqitë e tija.
Sido që të ketë ndodhur, unë nuk ngul fort këmbë për ta pohuar, sepse nuk e kam të sigurtë. Por unë do të besoja këtë: se të gjitha janë kryer me llogarinë më të madhe, mbasi edhe përfundimi i luftës, i cili është shpesh një gjykatës jo i padrejtë i planeve, këtij mendimi ia jep votën (15).” I të njëjtit mendim është edhe skandinavi L.Holberg, sipas të cilit, ajo që thuhet në lidhje me ekzistencën e një marrëveshje të fshehtë midis Skënderbeut dhe Huniadit para zhvillimit të betejës nuk është pa bazë, sepse Skënderbeu, duke parë këtë disfatë dhe hutimin që u shkaktoi turqve, pati mundësi për të vënë në jetë atë që për një kohë të gjatë e kishte mbajtur të fshehtë (16). Ndërsa Murgu Anonim Rus na thotë se kjo marrëveshje e fshehtë u bë gjatë kohës kur po zhvilloheshin luftimet dhe sipas tij, Gjergj Kastrioti dërgoi për te Janosh Huniadi njeriun e tij të besuar, që t’i thoshte se nuk u duhej lënë kohë osmanëve të merrnin veten, por t’i sulmonin më me vrull dhe në mënyrë të pandërprerë (17).
Prandaj pa humbur kohë, Janosh Huniadi i urdhëroi ushtarët e vet, që ta vijojnë sulmin më me shumë ashpërsi dhe e gjithë iniciativa sulmuese kaloi në duart e forcave të krishtera. Me pak fjalë, ishte pikërisht marrëveshja e fshehtë midis Kastriotit e Huniadit dhe më pas dezertimi i të parit në çastin kulminant të betejës, që shkaktuan disfatën e llahtarshme të ushtrisë osmane përballë ushtrisë së krishterë europiane në betejën që u zhvillua midis Nishit dhe Kunovicës më 3 nëntor të vitit 1443. Nga ana tjetër, historianët turq e lidhin arratinë e tij me planet e Alfonsit V të Aragonës për të krijuar një perandori në rajonin e Ballkanit dhe të Mesdheut, i cili sipas M.Maksudoğlu, e nxiti Gjergj Kastriotit-Skënderbeun, që ishte rritur në pallatin osman, të arratisej dhe të angazhohej në luftë kundër Perandorisë Osmane (18). Në fakt, nxitja kryesore e kishte burimin tjetërkund dhe ajo lidhet me planin e hartuar prej kohësh nga vetë Kryeheroi! Gjatë zhvillimit të betejës së Nishit, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu ia kishte ngulur sytë vazhdimisht myhyrdarit (sekretarit) të sulltanit, Reis Efendi, i cili shoqëronte komandantin e përgjithshëm, Kasem Pashën, të cilin e mori peng (19). Më pas i vendosi kamën në gjoks për ta detyruar atë që t’i lëshojë një ferman në emër të sulltanit Muratit II, duke e emëruar si subash të Krujës (20). Menjëherë sapo u letra u nënshkrua, sekretari i sulltanit u vra aty për aty, në mënyrë që të mos i shkonte lajmi sulltanit dhe të zbuloheshin planet e tij (21). Përveç sekretarit të sulltan Muratit II, u vranë aty në vend edhe disa ushtarë turq, të cilët u kapën bashkë me të, me qëllim që kjo çështje të merrej vesh sa më vonë nga monarku osman (22).
Ditët në vijim, forcat e mbetura të Kasem Pashës e Turhan Beut, në shenjë hakmarrjeje për disfatën e pësuar përballë Janosh Huniadit, që u shkaktua si rezultat i manovrës së Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, dogjën të gjithë fshatrat ndërmjet Nishit dhe Sofjes. Ndërsa, ky i fundit, në krye të 300 kalorësve arbër, që formonin repartin e tij besnik, i shoqëruar nga nipi Hamzai, e lanë qytetin e Nishit për t’ju drejtuar atdheut të tyre, Arbërisë (23). Të gjithë këta kalorës arbër, sipas J.Fitzhenry, ashtu si komandanti i tyre, ishin katolikë dhe dëshironin të ktheheshin në vendlindje për të luftuar për lirinë e atdheut (24). Rikthimi i Gjergjit në atdhe, në krye të 300 luftëtarëve të tij, i bën jehonë historisë së lavdishme të mbretit Leonidha I, i cili në krye të 300 luftëtarëve spartanë, marshoi drejt Termopileve për të ndalur hovin e fuqisë ushtarake më të madhe të kohës, Perandorisë Persiane. Por nëse mbreti i Spartës, Leonidha I, mbeti i vrarë së bashku me të gjithë luftëtarët e tij, më 11 gusht të vitit 480 p.k. gjatë luftimeve të zhvilluara në Termopile kundër një ushtrie, e cila ishte 500-fish më e madhe në aspektin numerik: Gjergj Kastrioti-Skënderbeu do të kishte një fat krejt të ndryshëm!…
BIBLIOGRAFIA:
1) N.Jorga, Histori e shkurtër e Shqipërisë, f. 99.
2) A.Serra, Shqipëria dhe Selia e Shenjtë në kohën e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, f. 16.
3) A.Ermenji, Vendi që zë Skënderbeu në Historinë e Shqipërisë, Tiranë 1996, f. 34.
4) B.Bartók, János Hunyadi: preventing the ottomans from conquering Western Europe in the Fifteenth Century (A thesis presented to the Faculty of the U.S. Army Command and General Staff College in partial fulfillment of the requirements for the degree Master of the Military Art and Science – Military History), … f. 74.
5) Ibidem, f. 74.
6) A.Vaccaro, Per una lettura dell’Albania medievale e delle guerre antiturche nei Balcani, në: “Miscellanea di studi storici”, 16 (2009-2010), Soveria Mannelli (Catanzaro), 2011, f. 233.
7) K.Biçoku, Skënderbeu, f. 97.
8)A.Serra, Shqipëria dhe Selia e Shenjtë në kohën e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, f. 16.
9) Më gjerësisht, shih: T.Jaques, Dictionary of Battles and Sieges [3 volumes]: A Guide to 8,500 Battles from Antiquity through the Twenty-first Century. Greenwood: 2006, f. 733; F.Sansovino, Historia Universale dell’origine, et imperio de’Turchi, f.250; М. Спремић, Деспот Ђурађ бранковић и његово доба. Београд, 1994, f. 281-282, 422; E. Bnb. Necati Salim, Ikinci Kosova:1448, Istanbul: Istanbul askeri matbaasi, 1932, p.4; K.DeVries & R.D.Smith,. Medieval Weapons: An Illustrated History of Their Impact. Oxford: ABC-CLIO, 2007, p. 203;J.P.Fallmerayer, Elementi shqiptar në Greqi, f.191; R.Knolles, The Generall Historie of the Turkes, f.283; Α.Χ.Μαμμόπουλος, ΓΕΩΡΓΙΟΣ ΚΑΣΤΡΙΩΤΗΣ (ΣΚEΝΤΕΡMΠEΗΣ), f.13; V.Talarico, Vita di Scanderbeg, f.23; F.Pall, Skënderbeu dhe Huniadi, në: Konf. e dytë e Stud. Alb., I, Tiranë 1969, f.76; B.Cvetkova, Analizë e burimeve kryesore otomane të shekullit XV mbi fushatat e Vladislavit të Varnës dhe të Janosh Huniadit më 1443-1444, në: Konf. e dytë e Stud. Alb., II, Tiranë, 1969, f.133-153; A.Papo & G.Nemeth, – Giovanni Hunyadi e Giorgio Castriota Scanderbeg. Da avversari ad alleati nella lotta anti-ottomana, Giorgio Castriota Scanderbeg nella storia e nella letteratura (Atti del Convegno Internazionale, Napoli, 1-2 dicembre 2005), A cura di: I. C. Fortino – E. Çali, Università degli Studi di Napoli “L’Orientale”-Dipartimento di Studi dell’Europa Orientale, Napoli, 2008, f.321-345; Ş.Turcuş, I rapporti tra Iancu De Hunedoara e Scanderbeg nella storiografia romena, në: Giorgio Castriota Scanderbeg nella storia e nella letteratura (Atti del Convegno Internazionale, Napoli, 1-2 dicembre 2005), A cura di: I. C. Fortino – E. Çali, Università degli Studi di Napoli “L’Orientale”-Dipartimento di Studi dell’Europa Orientale, Napoli, 2008. f.409-417.
10) J.Pisko, Skanderbeg: Historische Studie, f. 15; M.Sirdani, Në shka fajiset Skanderbegu, në: Gjergj Kastrioti “Athleta Christi”, f. 160.
11) G.C.Saraceni, I fatti d’arme famosi successi tra tutte le nationi del mondo, da che prima han cominciato a guerreggiare sino ad hora, Parte seconda/Volume II, In Venetia, Appresso Damian Zenaro, M.D.C. (1600), f. 425; G.Biemmi, Istoria di Giorgio Castrioto, detto Scander-Begh, f.17; J.Pisko, Skanderbeg: Historische Studie, f. 15.
12) M.Bielski, Mbi Skënderbeun e Maqedonisë, Princin Shqiptar, f. 24.
13) C.Paganel, Histoire de Scanderbeg: ou turks et chrétiens au XVe siècle, f. 21.
14) A.Papadopulo-Vreto, Compendio dell’istoria di Giorgio Castriotto soprannominato Scanderbeg, principe dell’Albania, Volume I, Presso Agnelo Nobile: Libraio-stampatore, Napoli, 1820, f. 36-37.
15) M.Barleti, vep. cit. f. 69.
16) L.Holberg, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, prijësi dhe heroi më i madh në histori, në: Skënderbeu në vendet nordike (Përg. Xhevat Lloshi dhe John Quanrud), Instituti për Studime Shqiptare dhe Protestante, Tiranë: Vernon, 2018, f. 91.
17) Murgu Anonim Rus, Rrëfim për Skënderbeun, Princin Shqiptar, f. 28-29.
18) M.Maksudoğlu, Historia osmane dhe institucionet, f. 175.
19) R.Knolles, The Generall Historie of the Turkes, f.283-284; Shih edhe A.Richer, Les caprices de la fortune…, Tome III, f.25; F.Becattini, Storia ragionata dei Turchi, e degl’Imperatori di Costantinopoli, di Germania, e di Russia, e d’altre potenze cristiane, f. 95-96; F.M.A. de Voltaire, Essai sur l’histoire générale, et sur les moeurs et l’esprit des nations, depuis Charlemagne jusqu’à nos jours, f. 229-230; E.S.Creasy, History of the Ottoman Turks: From the Beginning of Their Empire to the Present time, f. 72.
20) E.Gibbon, The history of the decline and fall of the Roman empire, Vol.XII, London 1802, f.171; J.P.Fallmerayer, Elementi shqiptar në Greqi, f.191; J.Pisko, Skanderbeg: Historische Studie, f. 15; W.J.Armstrong, Scanderbeg: Prince of Albania, f. 23; V.Talarico, Vita di Scanderbeg, f. 23; G.Pallotta, Storia di Scanderbeg, Principe degli Albanesi, f. 20; M.Sirdani, Në shka fajiset Skanderbegu, Gjergj Kastrioti “Athleta Christi”, f. 160.
21) M.Barleti, Historia e Skënderbeut, f.68-69; J.C.L. Simonde De Sismondi,Storia delle Repubbliche Italiane dei Secoli di Mezzo, Tom. X, f.175; G.Hammer, Storia dell’Impero Osmano, IV, 1300-1453, Venezia, 1829, f. 460-461.
22) G.Biemmi, Istoria di Giorgio Castrioto, detto Scander-Begh, f. 17-18.
23) G.C.Saraceni, I fatti d’arme famosi successi tra tutte le nationi del mondo, da che prima han cominciato a guerreggiare sino ad hora, Parte seconda/Volume II, In Venetia, Appresso Damian Zenaro, M.D.C. (1600), f. 425; Shih edhe Punët e ndritshme të zotit Gjergj Skënderbeut (E përktheu nga italishtja: Gjon Shllaku; Parathënie: Jup Kastrati), në: Buletin Shkencor, Shkodër: Viti IV, Nr. 6, 1967, f. 104/8.
24) J.Fitzhenry, Defenders of Christendom: The Knights of St. John and other Heroes of the Cross, f. 123.
Lezhë: 03.11.2022.
(Marrë nga profili i historianit të njohur në fb)
Hartë e rrallë luftarake kushtuar betejës së Kunovicës afër Nishit, më 3 nëntor 1443!

Burimet e kohës bëjnë të ditur për rolin e veçantë të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut dhe tërheqjen e tij nga beteja për t’u kthyer në Krujë, kjo strategji tipike Skënderbejane kishte shkaktuar fitoren e madhe të ushtrive hungareze mbi ato osmane!
Burimi hungarez i vitit 1896!

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu